E hene, 29.04.2024, 03:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Slavoj Zizek-u dhe Marksizimi

E enjte, 10.03.2016, 08:52 PM


Racizmi, komunizmi,  kapitalizmi dhe socializmi

Slavoj Zizek-u  dhe Marksizimi

Nga Ilir Muharremi

Nëse shtrohet problemi drejtë perceptimit të së mundshmes, mund ta kuptojmë gjatë rrugës së gjykimit se është e pamundshme. Vetë filozofi Slloven Slavoj Zizek në ligjëratën e tij ka thënë: “Sot, vetë ideja për një transformim radikal shoqëror na paraqitet si një ëndërr e pamundshme”. Të dyja këto gjenerojnë tek e çuditshmja. Ky filozof merr lirinë personale dhe teknologjinë shkencore si argument i diçkaje që gjithçka është e mundshme. “Ne mund të shijojmë seksin në të gjitha versionet perverse”, në këndin virtual, dhe kjo kënaqësi qëndron më shumë te syri sesa të trupi. “Të kemi qasje në arkiva të tëra të muzikës e të filmit që janë në dispozicion falas”, mundësimi teknologjik i shpejtë si hapësirë për çdo këndë. Pastaj radhit shkuarjen në hapësirë për gjithsecilin duke e arsyetuar të vërtetën e mundësisë “Megjithëse vetëm për ata që kanë para”, duke vazhduar “Kemi mundësinë ta rrisim mundësinë tonë psikike, të manipulojmë bazën tonë gjenetike deri në ëndrrën gnostike të arritjes së pavdekësisë”, kjo në aspektin teknologjik shkencor, material, e jo human njerëzor (shpirtëror me ndjenja). Vetëm formale e një tentimi të vockël të përjetësisë. “Duke e transformuar identitetin tonë në një softëare të cilin më pas vetëm e doënlodojmë dhe e vendosim veten në një hardëare të ri.” Mandej vazhdon me plot bindje Zizek se gjithçka është e mundshme. Po, përderisa ekziston e pamundshmja, aty fshihet edhe e mundshmja. Nuk mjafton veç kjo. Sa është e kuptuar, me të gjitha gjykimet dhe arsyet? Për këtë ja vlen gjithnjë të diskutohet. Në momentin e kuptimit më të madh të gjërave, njeriu arrin në pakuptimësi. Asgjë në këtë univers nuk ka kuptim.

Ja shihni këto stuhi, unë e njohë në thelb ashpërsinë e tyre, ose ujin, borën, dheun, ditët, netët, përnjëherë unë i vlerësoj si të mundshme dhe nëse mendoj ndonjëherë për pamundësinë e tyre, prapë ajo është e mundshme, s’ka çka të ekzagjerohet këtu ose të flitet shumë për këtë. Kjo më obligon të mendoj se botën nuk mund ta mohoj sepse ato që i thash më i lartë i provoj. Mirëpo, nëse e mendoj sa kanë kuptim, dituria ime më thotë se asgjë nuk më takon mua, edhe pse  i shijoj. Ndoshta e kuptoni se ku dua të dal. Shkenca na mëson t’i klasifikojmë ato që i thash, pastaj zbulon ligjet e tyre dhe njeriu s’ka si mos t’i pranoj të vërteta. Këtu ndjejë pak shpresë dhe presë të vazhdoni më tej. Pastaj, njeriu flet për botën e padukshme dhe menjëherë hyjmë në botën e artit (poezisë, tregimit, pikturës....) Këtë botë unë nuk mund ta njohë kurrë dhe kjo ka rëndësi më shumë se e mundshmja dhe e pamundshmja. Kam arsye të zemërohem dhe shkenca e cila ka obligim të më mësoj gjithçka bëhet hiperbolë, e pakuptimta bëhet vepër arti, kurs e kuptimta  simbolikë. Vetë Camus qe i dyshimtë në përpjekjen e kuptimit ku as mbas shkencës nuk mund të vulosim të gjitha të vërtetat. “Nëse nëpërmjet shkencës mund të rrok dituritë dhe t’i numërojë, nuk mundem, megjithatë, të kuptoj botën. Edhe sikur me gisht të përshkoja reliefin e saj, përsëri nuk do ta njihja mirë”, shkruante ai. Kjo e vendos njeriun ndërmjet përshkrimit të sigurt e që nuk ë mëson asgjë, dhe vlerave që pretendojnë ta mësojnë, por nuk kanë vërtetësi të plotë. S’ka si njeriu të mos jetë skeptik ndaj vetvetes dhe botës. Përgjigja e Camus-it është: “I huaj për vetveten dhe për botën”. Unë do ta vazhdoja: “Jeto për momentin, mos kërko vërtetësinë dhe kuptimin, gjithherë njeriu do qe skeptik, brenda momentit njeriu nuk është i huaj, sapo i ikën mendimi për momentalen, ai ndjehet i huaj”. Njeriu gjithnjë do të vazhdojë të lundrojë drejt pakuptimeve, nuk ka rëndësi e mundshmja apo e pamundshmja.

Slavoj Zizek tendencën historike me çdo kusht e flakë kah katastrofa (derisa historia e ka helmuar tërë Ballkanin dhe shqiptarët janë kopjues më të mëdhenj të kësaj katastrofe.) Rrëfimi i Walte Benjaminit se sot çështja jonë nuk është ta progresojmë në kohën e progresit, me hapat e tij, por të tërheqim zilen e alarmit. Ndonëse Hegeli është më praktikë kur beson se filozofia nuk mund të përshkruaj e as të analizojë të ardhmen. Ajo vetëm e konceptualizon të shkuarën. “Dhe Hegeli s’ka qenë komplet budalla”, tallet Zizek. Hegeli e as Zizek-u nuk janë budallenj sepse e formojnë atë “ndodhte”, dhe diçka më thotë se të dytë (Hegeli jetonte me mburrje të së shkuarës dhe ishte shumë materialist brenda mundësive), kurse Zizek është komunistë ideal duke e mbrojtur idenë e komunizmit. Pse mendon kështu Zizek? “Unë besoj duhet të kthehemi nga Marksi te Hegeli, ekzaktësisht në perspektivat e sotme të situatës sonë.”, shkruan ai.

Mund të themi se komunizmi ka mbaruar dhe kjo tingëllon tejet budallaqe, sepse ai në vete bart epitetin komunist, një komunist negativ, por shumë modest. Zizek është edhe Marksist vetëm në një anë. “Them se jam komunist dhe jo socialist, sepse gjithë bota mund të jetë socialiste”, vlerëson ai. Çfarë do të thotë socialist? Ka plot njerëz që vuajnë, duhet të shpëtojmë t’i ndihmojmë, këtu i ka rrënjët ky socializëm. Nga kjo del duhet të jemi njerëzor tepër njerëzor. Nuk qëndron i tërë problem këtu. Zizek e sheh rezistencën kundër kapitalizmit global, por edhe brutal. ‘Ajo që i jep veçantinë komunizmit është universaliteti i tij” shprehet Zizek. Universaliteti qëndron te mbajturit dhe shpërndarit barazinë, për të rritur masën dhe forcën. Këtë nuk e do veç komunizmi, por edhe artistët nw veçanti. Komunistët është dashur ta dinin se njeriu mëson nga gabimet e veta. Kryeudhëheqësi komunist profetizonte shoqërinë të njëjtën që e bënte Marksi, porse e profetizonte shoqërinë pa klasa duke pretenduar te zgjidhja e misterit historik. Ose njeriu në atë kohë e heshte revolucionin derisa sot edhe ai më i urtë ulërinë për: isha, jam dhe do të jem. Njeriu gjithnjë sikurse revolucioni Sparakt, mendon se ka ardhur në prag të një revolucioni definitiv, porse harron se çdo revolucion duhet të kalojë nga një revolucion më i fuqishëm, njëjtë siç ndodhi me revolucionin rus, “të kompletuar nga ndonjë revolucion perëndimor” thotë Camus. Zizek-ut i pëlqen formula e Badiout që thotë se duhet të fillojmë me censurimin e ëndrrave tona. “Është ajo që ndodh kur lëmë botën tonë për të imagjinuar një tjetër ku  mbesim të burgosur”. Ai tenton të shkoj deri në fund në rehabilitim të shtetit. Por, shteti humb pushtetin dhe Zizek në këtë nuk beson. “Kapitalizmi i sotëm varet gjithnjë e më shumë nga derregullimi i shtetit”, shton ai. Pastaj, vazhdon me Hegelin i cili pohon se shteti është ekzistenca e dukshme e Zotit. Ndonëse pushteti është nga dora e Zotit. Pushteti është vullnet për fuqi, dhe kjo në esencë rrjedh nga kënaqësia. Kënaqësia bëhet si pretekst i sundimit.

Kapitalizmi i sotëm shpërbën një pjesë të identitetit, mirëpo, momentalisht posedojmë forcë nga kapitalizmi apo globalizmi si treg i mbijetesës që bashkëjeton idealisht, ndonëse me identitet të fuqishëm,  etnik ose racist. “Lacan-i kishte parashikuar që tregu i përbashkët do të na shtynte në forma të reja të racizmit”, thotë Zizek. Kopeja e përbashkët na dërgon në limitet e universalitetit e që identifikohet si mënyra e jetesës. Njohë shumë miq që janë antiracistë, dhe sapo afrohet një aziatik, ose me ngjyrë ndihen të parehatshëm. Këta njerëz sipas Zizek-ut janë të bezdisshëm sikur nga detajet: “Nuk më pëlqen kjo lloj kuzhine”, ose mënyra e të veshurit. “Universalizmi për mua nuk është ideja e një vlerë të universales që mbretëron kudo, tipi i atyre veprave të publikuara nga Unesco-ja: kultura botërore, vizioni i bekuar i një pasurie kulturore universale … gjithë këto i urrej.”  Universsaliteti qe një luftë sociali dhe politike dhe në këto fronte të përbashkëta njeriut i lejohet ta gjej identifikimin dhe solidaritetin. Të gjitha këto si predikime gjë që esenca ekonomike së paku si realitet i vë në pyetje. Ekonomia definohet si vargan shoqërie që gjithnjë e më shumë tenton nga ritmi i prodhimit. Kemi vetëm dallimin politik që prek plotfuqishmërinë më të vogël apo më të madhe të Shtetit, mirëpo ndodh që zvogëlohet nga evolucioni ekonomik.

Kapitalizmi si ekonomi

Kapitalizmi si ekonomi është shtypje ndërmjet forcës së akumulimit. Me vetë faktin që ekziston ai shtyp, akumulimin e bënë për shkaqe të arritjes së ekzistimit. Marxi nuk e imagjinonte fundin e këtij qarku, e aq më pak Zizek i cili as që ka idenë e kësaj. Marxi përdorte revolucionin në kufirin e skajshëm. Por, akumulimi do qe i nevojshëm vetëm në një masë të vockël sa për tu garantuar veprave sociale. Pastaj, revolucioni bëhet industri se e di se akumulimi fillon të krijoj varshmëri nga teknika dhe jo nga kapitalizmi, dhe krejt në fund çdo makinë ka nevojë për një makinë tjetër. P.sh bashkësitë që bëjnë jetesë akumulojnë të ardhurat e veta “në vend se t’i distribuojnë ato”, shkruan Camus. Pavarësisht a është borgjez ose socialist, drejtësia shtyhet për më vonë, në llogari të fuqisë. (këtu do rreshtoja Nietzschen.) Pastaj, fuqia fillon t’u kundërvihet fuqive tjera. Edhe kur armatoset, por edhe të tjerat armatosen dhe pajisen. Nuk mund të ndalojë së akumuluari , nëse ndonjëherë ndodh që ndalet vetëm kur arrin mbretërinë e botës dhe këtë nuk mund ta bëjë pa luftë. “Deri atë ditë, proletari mezi fiton vetëm aq sa për të mbetur gjallë”, thotë Camus. Revolucioni obligohet të krijoj ndërmjetësues industrial dhe kapitalist. Skllavërimi i përsëritur edhe sot bëhet i përgjithshëm, rrugët e qiellit mbeten të bllokuara. Ky qe ligji ekonomik botëror që gjithnjë do të jeton nga kulti i prodhimit, porse realiteti është më i gjakosur se ligji. Në qorrsokakun në të cilin e kanë futur kapitalistët dhe partizanët e tyre, revolucioni po bëhet më shumë skllavërim (humbjet e Vetëvendosjes.) Atëherë, nëse nuk ndërrohen parimet dhe në rrugë të tyre mbetet pa rrugëdalje përveç revoltës së skllevërve, pastaj gjakderdhja për shpresën, por zhgënjimi na qon në vetëvrasje atomike. Pastaj, shumë fakte tjera zhgënjyese, ata që kanë dëshiruar të dominojnë me histori kanë humbur në të. Njeriu kur zhytet në histori manovrohet cinikisht për qëllime banale, të cilët edhe sot janë të përgjakshme. Më intereson ta dijë se zhvillimi i pandërprerë i prodhimit a e ka shkatërruar këtë regjim kapitalist? Natyrisht jo, dhe kjo në dobi të revolucionit. Mbas historisë shkatërrimi ka ndodhur ndaj shoqërisë borgjeze dhe revulucionoare, ose siç thotë Camu-si “në dobi të një idoli i cili e ka turirin e fuqisë”. Turiri i fuqisë edhe sot dominon në botë, dhe nëse marrim Kosovën, dinakëria ngjitet në shkallët e fuqisë. (rasti i zgjedhjes së presidentit të ri.)

A ishte shkencor socializmi? Nuk mund të ishte shkencor sepse qëndronte në dykuptimte: deterministe dhe profetike, ose dialektike dhe dogmatike. “Nëse shpirti është pasqyrim i gjërave, ai nuk mund t’i paraprijë ecjes së tyre, përveç në hipotezë”, vazhdon Camusi. Atëherë, nëse teoria mbetet determinim nga ekonomia, përshkrimi i së kaluarës është brenda mundësive, kjo e kaluar  qe e prodhimit, kurse e ardhmja bëhet në përshkrim gjasshëm. Ky është materializim historik i cili është kritik i shoqërisë së tanishme, asgjë nuk mund të bëjë për shoqërinë e ardhshme, pa tradhtuar frymën shkencore. Mund të bënë porse ato janë supozime. Atëherë, vepra më e madhe e Marxit a nuk quhet kapitali e jo Revolucioni? Zizek aspak nuk merret me këtë që unë e shohë si profeci e jo shkencë. Marksistet asnjëherë nuk e kanë qarë kokën se a kanë profetizuar të ardhmen dhe komunizmin. Ndonëse kjo profeci nëse tenton të jetë shkencore duhet pushuar së profetizuari në rrafshin ideal. E them se Marksizmi nuk qe shkencor. “Në rrafshin më të mirë është scientist”, shkruan Camus.  Në thelb Marksizmi ka divorcin që qëndron ndërmjet arsyes shkencore, të propaganduar nga ideologjia gjermane e cila ishte e gatshme të mohonte çdo parim. Nëse e marrim në rrafshin historik, po e quaj arsyeje historike, por kjo arsye nuk mund ta gjykoj botën. Ajo fillon ta udhëheq dhe pretendon se e gjykon. Historia është e zhytur në ngjarje dhe kujton se e drejton atë (e njëjta ndodh në Kosovë, por edhe në botë.) Historia bëhet pedagogjike në fund shpall kthetrat e pushtimit. Duhet të mos merremi me kaluarën, për të ecur në të ardhmen. Marrim njeriun i cili po ta supozojmë thellohet në histori (reduktohet brenda saj) dhe cila është zgjedhja e tij? Zhurma, tërbimi dhe më e keqja mundohet kësaj historie t’i jap formën njerëzore të arsyeshme. Historia e një demokracie komuniste, pra kjo e sotmja, nuk është gjë tjetër veç një përpjekje e mundimshme e stërzgjatur që mbështetet mbi forcat e njeriut, dhe me anë të forcës përpiqet historisë t’ja jap rendin të cilin sipas saj e ka humbur. “Kjo pseudo-arsye në fund identifikohet me dredhinë dhe strategjinë duke pritur që të kulminojë në Perandorinë ideologjike”, por çdo shkenca këtu? Nuk krijohet shkencë me skrupuj shkencorë, duhet t’i rrimë larg, nëse marrim aspektin shkencor të marksizmit, gjejmë refuzimin e miteve duke zbuluar interesa natyrale. “Marx-xi nuk është më shkencor se La Rochefoucauld-ja” kritikon Camus. Por, shkenca të qëndroj në marksizëm është dashur me anë të terrorit. Marxi i shkruante Engels-it për teorinë e Darwinit se ajo paraqiste bazën e teorisë së tyre. Nëse marksizmi dëshironte të ishte i pagabueshëm, është dashur të mohonte zbulimet pas Darwinit. “Meqë u pa se këto zbulime, që kur Vries-i i konstatoi mutacionet e papritura, kanë konsistuar, përkundër determinizmit, në futjen e nocionit të rastësisë në biologji, është dashur që Lyssenko-ja të ngarkohet me disiplinimin e kromozomeve”. Kjo qe qesharake. Po kthehemi te komunizmi.

Komunizmi dhe Hegeli

Hegeli në paqartësi e thotë se komunizmi ishte i nevojshëm për ardhmërinë njerëzore, por nuk qe krejt ardhmëria. A mundi të përfundojë komunizmi historinë e kundërthënieve dhe të dhembjes? Justifikimi i përpjekjeve dhe sakrificave e përfundonte atë. Historia mund të vazhdohet si ecje drejt një shoqërie të përsosur. Menjëherë në këtë përshkrim shkencor futet nocioni mistik. “Zhdukja përfundimtare e ekonomisë politike”, thotë Camus, por kjo ishte edhe temë e preferuar e Marx-it dhe Engels-it. Nuk përfundon kërcënimi në një histori tjetër. Historinë tjetër mund ta imagjinojmë vetëm mbas historisë sonë. Të dyja për njeriun qenë një. Ne vuajmë, vdesim dhe vrasim për asgjë. Këtu marksizmi justifikohet me shtetin përfundimtar. Shteti i përfundimeve nuk ka kuptim. Bota është krijuar dhe duhet të ketë një fund. Termet historike mund të mohojnë njëra tjetrën duke nxjerrë një sintezë të re, dhe nuk duhet që kjo sintezë e re të jetë superiore ndaj të vjetrave.

Racizmi problem global

Çfarë ndodh me racizmin? Njerëzit gjithnjë janë të klasifikuar në bazë të kritereve fizike, ndonëse edhe kulturore dhe racizmi nuk i gjykon ose trajton njerëzit si individë, por si anëtarë të grupeve të ndara mes veti. A është i bazuar racizmi në ideologji? Nuk e besoj. Është shprehje e paqartë e frikës, agresivitetit. Kur thellohet racizmi te njeriu bënë diskriminim racor që është praktikë duke zaptuar me forcë njerëzve drejtat e tyre. (poshtërim, ofendim, kërcënim....) Zizek për këtë mendon se universsaliteti i vetëm është ai i një lufte sociale dhe politike, front i përbashkët që zgjon solidaritetin autentik. Këtu do rreshtoja edhe furinë historike si furi për fuqi, dhe ky vullnet për fuqi zëvendësohet me vullnetin për drejtësi. Natyrisht duke u shtirur sikur po identifikohet me të, pastaj skajohet në fund të historisë. Sa duhet ta kuptojmë njëri tjetrin? Zizek shprehet hapur se nuk i do liberalët e majtë ose multikulturistët. Ata shprehën: “Duhet ta kuptojmë tjetrin”. Kuptimi ndodh në pamundësi, dhe përgjigja e kësaj është më e saktë. Jo, duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin. “Ideali im nuk është që të jetoj në një ndërtesë banimi ku ka një familje vietnameze, një tjetër latine dhe një tjetër zezake. Natyrisht që do të jetoja pa probleme, por siç e ka thënë Peter Sloterdijk-u, do të kishim nevojë për një “kod diskrecioni”, thotë Zizek. Kjo është antiracizëm autentik, rrjedh nga injoranca, pastaj bëhet e sjellshme, kinse shenjë respekti. Njeriu duhet të jetoj aty ku janë të gjitha kulturat, ndonëse me një distancë, mendoj se nuk ka të keqe aty. Hitleri për racën mendonte se kur ajo është në rrezik për t’u shtypur, çështja e legalitetit luan vetëm rol të dorës së dytë. Raca gjithmonë ka nevojë të kërcënohet. Më thoni a ndodh edhe tash në demokraci që ka racë që  nuk kërcënohet? Kjo është absurde. Raca kërcënohet në mënyrë që të mund të ekzistojë. “Jam i gatshëm të nënshkruaj gjithçka, të pranoj gjithçka.... Sa më përket mua, jam në gjendje që me ndërgjegje krejt të pastër sot të nënshkruaj traktate dhe nesër me gjakftohtësi t’i thyej ato nëse është pyetje ardhmëria e popullit gjerman” ulërinte Hitleri. Para fillimit të luftës Fyhreri u ka deklaruar gjeneralëve të tij se fituesit më vonë nuk do t’i kërkohej ta pohonte këtë të vërtetë. Dihet që fituesi gjithnjë është gjyqtari dhe humbësi i munduari. Para kësaj nisjeje njeriu racist nuk e di se ajo çfarë ai tenton të veprojë është ironi e hidhur. Vetë racizmi nuk njeh kufi, por njeh përjashtimin. I kultivuar shumë në kohën e kolonializmit evropian të tregtisë me skllevërit (zezakët tregtoheshin si njerëz të klasës së fundit), po ashtu historia përsërit edhe epokën e Rajhut të tretë me holokaustin, racizmi ekziston në të gjitha epokat duke përfshirë edhe kulturat. Racizmi kryesisht tenton t’i ndajë njerëzit në kategori, kjo nënkupton ndarje të shoqërisë në grupime të caktuara, ndërsa element tjetër qe përkatësia e njeriut që në lindje. Njeriu nuk lind racist, ai bëhet racist mbas historisë. Nëse pyesim njeriun për raca, ai menjëherë fillon t’i përmend tri a katër. Njeriu lind pa racë, ai është vetëm njeri. Ngjyrën mund t’ja përcaktojmë lehtë, por kufirin nga njëra ngjyrë në tjetrën nuk mund t’ja përcaktojmë. Kjo na del se është biologjike dhe vetë biologjia e përjashton. Raca nuk ndahet në kategori, nëse ndahet kalojmë te Fyhreri te raca superiore dhe njeriu është i prirur të dominojë, të vrasë  dhe zaptoj.

Në kokë të gjithë njerëzit i kanë të njëjtët kategori të ndara në rangje dhe ideologjia raciste qe e pranishme në tërë botën, mendoj se është eksport evropian. Edhe ne Kosovarët jemi racist, nëse është fjala për ngjyrë të zezë, porse dashuria është biologjike dhe e përjashton dallimin. Kategoria e njerëzve të bardh në botë zë vendin më të lartë. A është e gabuar kjo? Natyrisht që po. Në botë është e përhapur ndjenja e superioritetit të të bardhëve kundër afrikanëve. Kjo e kaluar është nën shërbim të interesave politike. Racizmi është politik, por urrejtjen e mëson dhe trajton shpirtin për këtë gjë, kurse shpirti nuk e posedon. Racizmi lind nga e jashtmja dhe përpiqet të zhvillohet në të brendshmen. Racizmi fitohet nga fëmijëria, luftimi bëhet vetëm nëse vetëdijesohemi. Racizmi qe si nevojë për ruajtjen e drejtës së tij për të sunduar të tjerët. A qe kjo drejtësi? Jo, nga pikëpamja absolute, se nëse i ankohesh “të drejtit” (racistit), nuk do mund të ankohesh kundër tij. E njëjta si me mbretin. “Secili komb është identifikuar me një tipar racist”, thotë Zizek, për ta vazhduar se “Sllovenët janë koprracë, malazezët njihen si dembelë”. Racistët superior gjithmonë kanë të drejtë, edhe kur ftohtë shikohen. Zizek përmend “Nëse imagjinojmë një tragjedi në Aushvic, një hebre që konfliktohet në mënyrë heroike me një nazist, i kemi dhënë shumë rëndësi nazistit.” Historia ruan me mburrje këtë padrejtësi dhe vetëm nëse nisemi pas shkatërrimit të botës dhe përfundimit të njerëzimit me ringjallje të re ta krijojmë historinë, por prapë më i forti bëhet racist. Kjo është luftë ndërmjet të fortëve dhe të dobëtëve. Racat e qytetëruara duhet të mbijetojnë, ato primitive të zhduken. Kështu qe dikur. E tash kjo zëvendësohet me barazinë publike teatrale mes racës. Kurse nënteksti qe prapë i vjetruar. Muri i Berlinit ka rënë, por ekzistojnë muret e vogla gjithkund. “Nuk do të ketë më Luftë të Madhe por do të ketë “luftë civile të ftohtë”, bërtet Zizek. Kjo përfshirje e njerëzve vërehet, por ka edhe njerëz jashtë mureve, kjo bëhet më e dhunshme se ndarja e Marxit në klasa. Racizmi ndonëse është pak edhe patologjik. “Jacques Lacan ka thënë se, edhe nëse pohimi i një burri xheloz për gruan e tij – se ajo fle me të tjerë – është i vërtetë, xhelozia e tij mbetet patologjike. Përse? Pyetja e vërtetë “nuk është nëse xhelozia e tij është e bazuar në fakte?” por “pse i duhet atij xhelozia për të ruajtur identitetin e tij?” shprehet Zizek. Këtu do rreshtoja edhe pohimet e nazistëve mbi hebrenjtë. Ata shfrytëzonin gjermanët për pozicionet ideologjike.

Më duhet ta citoj thënien e Volterit se “Unë para se gjithash jam njeri, dhe krejt rastësisht jam francez”. Volteri shprehet si intelektual diçka e kundërt me racizmin. Problemi qe se nuk duhet as të mendojmë si racist e as të veprojmë. Volteri na kthen në ligjin biologjik, të njëjtën që posedon dashuria. Cila ka fuqinë? Absolute është dashuria. Formimi i njeriut është biologjik dhe psikologjik, kështu e përcakton shkenca e cila është mbi racizmin. E para është gjenetika (trashëgimia) dhe e dyta e jashtmja (ndikimi nga objektivja.) Gjenetika përcakton ngjyrën e lëkurës, syve, flokëve, por jo atë se a duhet të jesh gjermanë, francezë, anglezë, shqiptar, budist, mysliman, krishterë.... Se a do të bëhesh racist, hajdutë, kriminelë, poetë, tradhtar përcaktohet nga angazhimi i jashtëm i mëvonshëm. Nuk njohë shkencë që ka vërtetuar se njeriu trashëgon, etninë, profesionin, racizmin. Ne erdhëm në jetë si njerëz, por kemi vendin e përbashkët me kafshët (jetën dhe vdekjen.) Sipas racistëve, prindërit njëri (nëna) mund të jetë kineze, baba (gjermanë), duke harruar se ata janë njerëz si krejt të tjerë. Prindërit flasin vetëm një gjuhë, gjuhën e dashurisë me edukim të brezave të ardhshëm. Antiracistët (intelektualët) nuk dinë për kufizimin, kurse racistët mbrohen nën gëzhojën e tyre.  antiracistët gjithnjë kanë më shumë dhe janë më të lirë në përzgjedhje. Një  antiracist asnjëherë s’mund të jetë racist, poashtu edhe racisti jo racist. Te i pari njerëzorja është njerëzore jo e huaj, kurse te i dyti asgjë nuk është njerëzore përveç të tijës. Racistët shpikën ndarjen, kurse antiracistët bashkimin.

A dëshirojmë të jemi racist apo antiracist? Atë e vendosim vetë ne. Nuk kemi asgjë të trashëguar përveç njerëzores. Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar nga racistët e lyer nën petkun intelektual.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora