E hene, 29.04.2024, 01:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamit Taka: E fejuara

E diele, 13.03.2016, 08:42 PM


Hamit Taka

E FEJUARA

-tregim-

Kjo ndodhi në një qytet verior 17 vjet më parë. Fiks 17 vjet. Atëherë isha 23 vjeç, sot jam 40. Një mbrëmje të freskët fundgushti, në një rrugë të pjerrët shtruar me kalldrëm, gurët e së cilës ishin lëmuar nga gjurmët e kalimtarëve për kushedi sa shekuj, para se të fëshfërinin mbi to me zhurmë të butë e monotone rrotat e makinave. Ajo qëndronte e vetmuar dhe e shkujdesur pranë një borduri me gurë të skalitur, tek njëri nga stacionet e autobuzëve. Ishte pikërisht poshtë një feneri të ndriçimit rrugor, i cili gjithmonë rrinte ndezur, por pothuajse nuk ndriçonte asnjë herë. Duke qënë se isha në këmbë me fytyrë nga dritaret, i fiksuar pikërisht tek ai fener, qëkur autobuzi filloi të ulte shpejtësinë dhe i përhumbur në ngashërimin tim të errët për dhimbjen e nënës, që e lashë të sëmurë në shtëpi, ajo duhet të kishte kujtuar se vështroja posaçërisht atë. Për këtë arsye besova se ma lëshoi atë buzëqeshje përtej xhamit, si falënderim për vëmëndjen ndaj saj

Dukej një vajzë e imtë, elegante, me një fytyrë që nuk i dukej aq rinore, por e lyer me kujdes. Kështu të paktën m’u duk mua nga larg. Pas buzëqeshjes që më fali, e kundroja tek qëndronte ashtu, aq flurore, e veshur lehtë dhe se si era i rrudhte fustanin rreth ijeve të ngushta dhe i nxirrte më në pah format e këllqeve të saj.

Që t’i biem shkurt, këto që tregova do të qenë fshirë pa lënë asnjë gjurmë në kujtesën time, po të mos kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme për mua. Dhe kjo vajzë e rëndomtë, që s’ta mbushte shumë syrin, s’di sepse, do të bëhej pjesë e jetës sime. Gjithçka ngjau sa vura këmbët në tokë, duke mos patur asnjë mundësi të parashihja se ç’më priste.

Ajo u afrua te porta e autobuzit, nga krahu i shoferit dhe të dukej sikur numëronte pasagjerët që zbrisnin. Por, sa më pa të shfaqem në kuadratin e derës, u sul drejt meje, sikur të kishte pikasur njeriun, të cilin e kishte pritur aq shumë. U fut pa hezitim midis njerëzve të shumtë, duke vështruar me ngulm nga unë, sikur kishte frikë mos i rrëshqisja dhe ikja. Sa më prekën këmbët kalldrëmin, më kapi për dore dhe më tërhoqi pas vetes. Më dogji fytyra prej ngjakut që m’u ngjit në lëkurë nga turpi dhe u hodha një vështrim tangent të pranishmëve. Ca nga befasia, ca nga zori, e ndoqa pas si një kone e bindur, por me ndërgjegje të sëmbuar. Duke më tërhequr në krahun tjetër të autobuzit, ku nuk kishte shumë njerëz, mendova se kishte për të më thënë diçka shumë serioze. Ajo vetëm ktheu kokën në një përpjekje për t’u dukur e qetë, por përskuqja në fytyrë më tregonte të kundërtën. Ndërsa unë e vështrova me një gjest habie. Buzët e mia mund të jenë shpërvjelur, siç më shpërvilen kur nuk kam mundësi ta shpreh dot habinë me fjalë. Për t’i dhënë përgjigje hutimit tim, ajo më dha një buzëqeshje, i vetmi moment që fytyra e saj m’u duk më e freskët dhe më e kolme se sa më ishte dukur pas xhamit.

-Ç’është kjo sjellje kështu? –i nëpërdhëmba, por ajo prapë më buzëqeshi.

-Nuk më njihni?!

-Nga t’ju njoh?! –pothuajse iu hakërrova.

E di se nuk është mirë të bisedosh me këtë ton me vajzat e reja. Se, pasi e vërejta mirë, ajo vërtetë qe një çupëlinë, rreth të njëzetave dhe m’u duk atë çast disi e robëtuar dhe jo aq për të qënë.

-Unë ju njoh juve. Thashë se më njohët dhe ju, kur më patë me interes nga xhami i autobuzit.

E paskam parë dhe me interes, pa le! Megjithatë e thirra në ndihmë kujtesën se mos, kushedi, kishim qënë dikur në një shkollë në klasa të ndryshme, në ndonjë kamp veror, në ndonjë aksion… Por asgjë s’po më shfaqej në ekranin e kujtesës.

Me siguri, moj vajzë, ti ke tartakutin në bark. Deri sa more kurajon e më kape për dore, duke më tërhequr pas vetes, pothuajse me dhunë, ose ke frikë nga ndonjë gangster, nga ata që hiqen si Don Zhuanë ose je nga nga ato vashëzat, që nuk më pëlqejnë hiç fare, ca shushunjëza të vërteta, që u ngjiten djemve për t’u zhvatur ndonjë qerasje apo ndonjë puthje lulishteve të padukshme. Mos vallë po më kurdis ndonjë reng të rafinuar, që nuk njeh fare skrupuj moralë? E ç’nuk bën vaki?... Eh, jo, jo! Kjo vajzë nuk e ka fare ndjenjën e turpit, ndaj edhe s’ka nevojë të gënjejë a të shtiret. Kështu flisja me veten. Vetëm një gjë e kuptova qartë më vonë. Ajo nuk ishte as dinake, as njeri që kërkonte diçka të përfitonte.

Ecëm ashtu dorë për dore, pa folur, drejt sheshit me emrin e një heroi. Isha aq i kontraktuar sa nuk merrja dot një vendim të çastit, të distancohesha nga ajo vajzë apo të vazhdoja deri sa t’i mbushej mëndja për të më lënë të lirë.

-Mos e keni të rëndë valixhen? –e thjeu heshtjen e para.

-Jo, -iu përgjigja, sigurisht vetullngrisur.

Në të vërtetë valixhja ime e re prej kartoni, në vend të valixhes prej druri, që kisha përdorur vitet e universitetit, ishte i vetmi salltanet që kisha me vete. Brenda kisha shumë pak gjëra: një këmishë, një palë pantallona, dy palë të brëndëshme, takëmin e rrojes dhe furçën e dhëmbëve. Të tjerat, që më duheshin domosdoshmërisht, se mos ishin pak, do t’i bleja sa të merrja rrogën e parë.

Duke ecur midis njerëzve dorë për dore, pa këmbyer asnjë fjalë, lamë prapa, nga krahu verior i sheshit, ndërtesën më madhështore të atij qyteti. Ndërsa rreth tij dukeshin vetëm ndërtesa uniforme dhe aspak të mirëmbajtura, sikundër të gjitha godinat e sotme, që vjetërohen para se të mbarohen së ndërtuari. Nga fotot nëpër revista e njoha se ishte hotel-turizmi me emrin e një lumi. Pasi e kapërcyem turizmin dhe mbritëm në fund të sheshit, fillonte shëtitorja më e gjerë e atij qyteti. Ajo nuk kishte ndërmend as të ndalej, as të fliste dhe as të ma lëshonte dorën, ndaj bëra t’ia lëshoja unë. Ajo ktheu kokën, më zhbiroi me një vështrim të shpejtë, që ishte vështirë ta kapje. Ashtu rrëshqet një daltë diamante mbi një copë xhami që e pret. Bëri një rrotullim 180 gradë dhe më tërhoqi sërish drejt fenerit, që rrinte përherë ndezur, por nuk ndriçonte asnjë herë, duke ma shtrënguar edhe më fort dorën. Mirëpo, kur ishim para godinës së hotel-turizmit, m’u drodh trupi si nga një godtje elektrike dhe ia lëshova dorën. Ajo më vështroi me habi, sikur kishte frikë mos i ikte gjahu prej kthetrave.

-Pimë një kafe këtu në turizëm? –më tha papritur, kur u afruam te shkallët, që të çonin te hyrja kryesore e ndërtesës.

-Një kafe tani?

-Kafe i thonë, marrim diçka tjetër, -më tha buzagaz, duke më vështruar drejt në sy. Pastaj vazhdoi:

-Ah, po, ju mund të keni uri.

-Jo, nuk më hahet fare. Dua vetëm të qetësohem dhe të fle.

-Hajde, atëherë, një freskuese do t’ju qetësojë.

Ma kapi përsëri dorën dhe bëri të ngjiste shkallët. Unë ngurova dhe një grimëherë ngula këmbët si ai kali që ndjen para një rrezik evident.

-Të më falësh, -i thashë, -pasi tani e ndjeva sa i lodhur jam nga rruga dhe e kam të pamundur. Më duhet të shkoj në hotelin ku kam pronotuar dhomën e fjetjes.

-Atëherë po vij dhe unë t’ju shoqëroj.

-Të më shoqëroni mua? Tani edhe për ju është ora për t’u kthyer në shtëpi.

-Unë s’kam shtëpi.

S’paska dhe shtëpi, pa le! Ç’dreqin m’u ngjit kjo shushunjëz kështu?

-Ja, e zëmë se qënka ashtu! Po kjo nuk është arsye ta kapësh tjetrin për dore pa e njohur fare dhe ta tërheqësh pas vetes.

Dhe bëra përpjekje t’ia hiqja dorën.

-Të lutem, mos ma lësho dorën! Më ndjek një burrë, i cili më është qepur, qëkur isha adoleshente. Nuk më ndahet, më thotë, ose me mua ose e vdekur. Dhe ma shtrëngoi aq fort dorën, sa m’u duk se thonjtë e saj të gjatë dhe të mprehtë m’u futën në mish.

Taktikë e rëndomtë e shushunjëzave, më vetëtiu në mend, por, që nga thellësia e subkoshiencës m’u ndez gjaku kundër atij batakçiu, që u binte në qafë vajzave. Pse jo dhe një farë ndjesie instinktive xhelozie. Megjithatë i dhashë një përgjigje:

-Ja, dhe këtë ta besoj, po pse pikërisht mua, që s’më njeh e s’të njoh fare, xhanëm? Sigurisht, në se më lejohet t’ju pyes.

Këtë lloj ironie zor se e honepsin këto lloj vajzash. Këto lloj shushunjëzash, desha të them. Ajo vetëm kapsalliti sytë dhe m’u përgjigj si pa gjë të keq:

-Po ai ishte atje në autobus, pas juve dhe më vështronte nga xhami si skifter.

-Kur qënka kështu pse nuk shkon drejt e në rajon, në polici?

Ajo heshtëte.

-Ose pse e ke lënë kaq gjatë të maiset problemin tënd dhe nuk ke njoftuar familjen apo organet e mbrojtjes së qytetarit?

-Unë nuk kam familje…

Nga natyra jam njeri i mbyllur, madje nurësëz, me ca buzë të puthitura fort. Si duket, njerëzit e heshtur, që vetëm kur e kur lëshojnë ndonjë paradoks interesant, ngjallin më tepër kërshëri se sa ca hokatarë të thekur, si ata që vërtiten rreth vajzave.

Ajo m’u duk se psherëtiu, u skuq dhe heshti pak, pastaj më tha:

-Me që qënka kështu, s’ke ç’i bën! –ma lëshoi dorën dhe u mat të ikte.

-Prisni! – thashë. –Ç’keni ndërmend të bëni?

-Deris sa s’keni mundësi!

-Po mirë, po i rezistoj lodhjes dhe pranoj ta pimë atë kafen.

-Faleminderit, s’është nevoja, - dhe u nis të ikte vetëm kokulur drejt stacionit të urbanëve. Kur ktheu kokën nja dy herë majtas e djathtas, më siguroi se kishte vërtetë frikë nga ai burri që i binte në qafë.

Shpesh njeriu është në hall me karakterin e vet. Ajo mania e kavalierit para femrave apo ajo e Herkulit në mbrojtje të njerëzve të dobët e në nevojë, na bën ndonjë herë të kapërcejmë mbi veten tonë, pa pyetur për pritat e pusitë më tej. Përulësia që tregoi atë çast dhe frika që ndiente ma këputën shpirtin. Inati më kaloi e më mbeti vetëm një siklet i lehtë. Mendova sikur në rrethana të tilla të ishte motra ime e vetme.

Unë jam njeri mjaft i ftohtë dhe jo shumë i butë, por lotët e grave nuk i kam duruar dot që në fëmini. Ato gjithmonë më thyejnë. Siç dukej vajza nuk ishte nga ato që mendoja unë. Diçka u zgjua rrëmbimthi tek unë, ndoshta dëshira për ta zhbiruar deri në fund pse sillej ashtu.

-Kthehu! -i thashë dhe ia kapa vetë dorën. Ajo qëndroi pak indiferente, pastaj e shtrëngoi dorën time në shënjë pranimi. Ajo dorë po më dukej aq e freskët në atë zagushi gushti, aq e butë e ledhatare, sa mund të themë se nuk doja ta lëshoja më kurrë. Isha përfundimisht i vendosur ta mbroja i vetëm nga çdo rrezik në atë qytet të panjohur për mua.

Vetëm në hollin e turizmit, nën shkëlqimin e dritave, munda ta shihja imtësisht. Ajo ecte para meje me një hap të çuditshëm, shumë të lehtë dhe si me ngathtësi njëherësh. Shkelte mbi tapetet e hollit dhe rrugicat e korridoreve si një pëllumbeshë apo polëbardhë, që shkel e shkujdesur në rërën e lagësht të bregut.

Zumë vend në një tavolinë dyshe, zakonisht të rezervuara për çifte dhe i hodha një vështrim me zili lokalit të pastër, plot dritë e freski. Gjithmonë e kam patur ëndërr të futem në ato lokale të njerëzve më të shquar e më të pushtetshëm. Për pak çaste harrova gjithçka, duke shijuar me ëndje ato mjedise të gjera dhe plot komoditete luksi. Tavolinat ishin larg, klientët ishin të pastër e të veshur bukur, flisnin ngadalë dhe silleshin me edukatë. Unë s’jam amator pijesh, s’më pëlqejnë hiç shoqëritë e zhurmshme, mburravecët e llafazanët e dehur. Mos shikoni tani ju, që jam 40 vjeç dhe këtu, në qytetin tim të vogël, lokalet janë mjedisi i përhershëm drejt të cilëve më shtyn plogështia e jetës së përditshme. Kamarierja, domosdo e zgjedhur midis vajzave më të bukura të qytetit, erdhi tërë finesë e na pyeti me mirësjellje se çfarë dëshironim.

-Unë një zupë e një limonatë, -porositi ajo. Pastaj vështroi nga unë me një buzëqeshje nazetare, duke e pikasur vështirësinë time, për të zgjedhur në një lokal dinjitarësh.

–Edhe ju ashtu?

Unë pohova me kokë.

-Të fejuar jeni? –s’iu durua kamarieres kureshtare.

-Po. –nxitoi t’i jepte përgjigje shoqëruesja ime e panjohur.

-Çift i përkryer. Jetë të lumtur!

Ajo u duk se uroi sinqerisht, por unë u zemërova. Jo me kamarieren, por me atë shushunjëzën. Ndoshta edhe jam përskuqur i tëri.

-Pse dhe atë përgjigje? … nisa ta pysja. Ajo, tërë finesë, ma vuri gishtin e hollë tregues te buzët, siç u vëmë llozin dyerve dykanatëshe.

-Më thuaj të paktën emrin, -I thashë.

-Lirika, -m’u përgjigj. –Vjen nga Liri, po ky emër është aq i përhapur, sa nuk e duroja dot.

Domethënë e keni kthyer më vonë.

-Po. E kam ndryshuar. E kam bërë Li-ri-ka!

Gjatë kohës që prisnim porosinë e vështrova drejt në fytyrë dhe ua ngula sytë syve të saj. Në fakt ajo nuk e përballoi dot vështrimin tim jo të zakonshëm dhe uli kokën me një purpur të ëmbël në faqe. Bëri sikur shikonte menunë e lokalit, duke më dhënë kohë ta vëzhgoja mirë. Nuk konstatova ndonjë gjë të veçantë në tiparet e linjat e saj, por ndjeva se ajo kishte diçka të brendëshme, të padukshme, tepër joshëse. Sipas imagjinatës sime të cunguar, nga ç’kisha lexuar nëpër romane, e quajta koketë… Pastaj mendova për atë gangsterin, që mendon se është shumë e lirë fitorja e hireve të kësaj jetimeje me kërcënime. Për t’u gjendur në bisedë, e pyeta në se lexonte libra.

-Unë nuk di të lexoj.

-Si nuk di të lexosh?

-Unë s’kam bërë asnjë klasë shkollë.

Atë çast më ngjasonte me një zoçkë qiellore, që nanuriset në degën e një peme.

-Ju jeni poet? -më tha papritur.

-Nga e dini ju?

-Unë i dalloj menjëherë njerëzit… Unë jam ndryshe nga të tjerat.

Shpërvola buzët sikur doja ta pyesja: Si është e mundur? Por ajo bëri sikur nuk e vuri re.

-Ju shkruani poezi të bukura… Keni frymëzim, por nuk e keni ende kulturën e duhur letrare.

E mora vesh, moj vajzë, e mora. Si nuk i rashë në të menjëherë? Domethënë Lirika nuk ishte kaq e thjeshtë siç dukej në vështrimin e parë. Kushedi ç’synonte dhe i kishte llogaritur e peshuar të gjitha veprimet e saj.

-Ja, e zëmë se qënka ashtu. Por ju më thatë se nuk keni qënë kurrë në shkollë.

-Po, është e vërtetë. Por poezitë e tua i di përmendësh.

-Si mund t’i dish përmendësh, kur nuk di të lexosh?

-Poezitë e bukura mbahen mend me një ose dy të dëgjuara.

- Ku i dëgjon ti?

-Në radio.

Ndërkohë më recitoi disa strofa nga tri vjersha të ndryshme.

Në atë kohë, kur zhvillohet ngjarja, Radio-Tirana programonte pothuajse çdo ditë, në orë të caktuara, leximin e disa poezive.

Pas një pause, kur unë e hetoja me vëmëndje, duke më vetëtitur në tru ajo puna e teletapisë, ajo tha si e shqetësuar:

-Mos ju duhet të nxitojmë pak? Për ty, sgurisht? Dhe, pa marrë përgjigjen time, i bëri shënjë kamarieres.

-Llogarinë tonë, -I tha qetë-qetë.

Hapa sytë, pasi e kisha parë se nuk kishte as çantë as portofol e asgjë tjetër, ku t’i mbante lekët. Kamarierja nxorri bllokun dhe na tregoi shumën. Unë mbaja gati një copë portofol të vjetër, që kisha dhe fillova të nxirrja monedhat.

-Janë të paguara, -më tha kamarierja me shumë mirësjellje.

-Si?!...-desha të pyesja, por kamarierja e bëri më parë pyetjen:.

-Kur e keni martesën?

-Ne s’bëjmë martesë, -iu përgjigj Lirika.

Kamarierja u zu ngushtë se mos kishte gabuar diku. Megjithatë, për të dalë nga situata, vazhdoi:

-Më falni, por thatë se ishit të fejuar, mbase u nxitova.

-Jo, s’ka pse kërkoni të falur. Ne jemi të fejuar, por nuk martohemi.

-Më falni! -Ngriti supet përsëri kamarierja.

-S’ka përse, por ta marrësh vesh ti, unë jam ndryshe nga të tjerat. Jam si era, nuk zë vend askund.

Ndërsa i buzëqesha kamarieres dhe e falënderova, turithartuar nga paradokset e saj, e kapa për dore dhe e ngrita nga karrigia.

-Në se nuk do të ikësh vetëm, më prit në hooll ose jashtë sa të shkoj pak në tualet.

Ajo filloi të zbriste shkallët si një laureshë e mëngjeseve pranverore.

Shyqyr, shpëtova prej saj! Sa zbriti shkallët, shkova në dhomën time. Mendime dhe ndjesi të ndryshme provoja sapo mbylla derën me çelës. U shtriva në krevat ashtu siç isha, me dy krahët kryqëzuar nën kokë. Lodhja kishte bërë punën e saj. Gjymtyrët nuk i ndieja më, vetëm truri punonte vakët. Pse t’ju gënjej: Mëndjen e kisha tek ajo vajzë enigmatike. Prania dhe sjelljet e saj ishin një mister për mua. Papritur, dëgjova të trokitura në derë. Kush të jetë në këtë orë? Ku nuk të shkonte mëndja në ato vite! Aq më tepër në një vend të panjohur. Sidomos kur flije në turizëm, ku vërtiteshin sigurimsa e provokatorë të shpëlarë, turistë-agjentë, servilë e hipokritë ofiqarësh. U ngrita me përtim dhe me kujdes hapa derën. Kurrësesi nuk prisja të shihja përsëri atë në kuadratin e dritës që vinte nga llampa e korridorit.

Po kjo? Si më gjeti? Ç’domethënë kjo vizitë në këtë orë? Me siguri ndonjë provokatore. Situata po bëhej shumë e rrezikshme. Nuk dija çfarë t’i thoshja. Ndërkohë ajo kaloi si një flutur nën krahun tim. Zuri vend në cep të krevatit si një rrufepritëse, ku do të binin gjithë dyshimet dhe hamëndjet e mia.

-Si vjen kështu në këtë orë në dhomën e gjumit?

-Për mua kjo s’do të thotë asgjë.

-Po si më gjete?

-Unë e dija se ju do të flinit këtu në dhomën 314.

-Si mund ta dije?

-Ju keni lindur në 14 mars.

U bëra supersticioz. Telepatia! thashë me vete. Zura dhe unë cepin tjetër të krevatit dhe s’dija më çfarë t’i thoja.

-Nga e dini ju ditëlindjen time?

-Telepatia… -m’u përgjigj me të qeshur.

Ishte një rast që mund ta merrje seriozisht telepatinë. Ose dikush e kishte mësuar atë Lirikën e çuditshme. Po për ca çaste u vendos një heshtje e nderë. Hapa derën dhe dola në korridor, mos kudhedi zbuloja se çfarë kurdisej rreth meje. E kisha patur një rast të hidhur si ky pakashumë. S’pashë asgjë. Kur u ktheva e gjeta ulur të shpenguar mbi krevat me këmbët nën vete dhe mbi kuvertën e blertë i zbardhnin gjunjët vajzërorë si dy hëna të brishta mbrëmësore. Edhe më mbresëlënëse dukej nën dekoldenë e fustanit gjiri i saj i kërcyer vajzëror me atë ovalen e përsosur e të ngrirë, sikur ishte ngjizur prej stearini. Më habiti përskuqja e saj dhe hedhja nga krevati si një sorkadhe e trembur. Zuri vend në një stol të vogël pranë komodinës. Më pa që isha shumë i ngrysur. Heshtëm. Sikush në mendimet e veta. Sa e sa gjëra doja t’i thoja, po ja që nuk dija nga e si t’ia filloja. S’ke ç’i bën, je i detyruar ta pish deri në fund kupën e helmit. Këto mendime ogurzeza m’i ndërpreu ajo:

-Ju keni shumë dobësi për nënën dhe për të keni shkruar lirikat më të ndjera. Nëna është një gurrë dashurishë e dhimbjesh, sikundër muzika është një gurrë emocionesh.

Nuk mund ta fsheh se kjo bisedë ma ktheu pak qetësinë.

-Në spital u përshëndeta me të. Mbase për herë të fundit, -i thashë për nënën dhe m’u squllën sytë nga lotët.

-Kini besim se nënën do ta gjeni shëndoshë e mirë. Kur ta themë unë... -më dha kurajo.

Tunda kokën në shenjë pohimi dhe e falëndërova.

-Këtu në Veri, do të shkruash poezi shumë të bukura. Ti je shumë i dashuruar pas natyrës.

-Fillove të më bësh orakullin?

-Mos u befaso. Të thashë nuk jam si të tjerat… Në Veri do të shkruash një cikël poezishë, për të cilat shtypi do të krahasojë më një poet shumë të shquar.

Nuk duroja dot më. Hoqa çarçafët që kisha shtruar për vete, mora të rinj nga garderoba dhe e shtrova sërish.

-Shtrihu në shtrat. Unë do të marr karrigen e një batanije dhe do të flë në korridor, -i thashë.

-Jo, flini ju në krevat. Unë do të kotem në karrige, -ma ktheu ajo dhe shkoi te karrigia. Në çast fiku edhe dritën. U bëra anormal. Turfulloja përbrenda si kalë i egër. Por për fat të mirë nuk arrita ta prishja gojën me të, se hapi derën dhe doli. Nuk harroi të më thoshte “Natën e mirë!” Dera u mbyll automatikisht.

Aha, s’ka gjumë sonte... Sikur të jem mësuar me të prej vitesh, ndihem fare i vetmuar. Ç’është kështu me mua?... Fatmirësisht nuk zgjati shumë mallkimi. Fjeta sikur dikush të më kishte dhënë opium gjumi. Ama zilen e orës e dëgjova në mëngjes. U ngrita në funde dhe vështrova në karrige. Ajo ishte bosh. Fshiva sytë dhe thashë me vete: Ajo s’paska fjetur në karrige. Me siguri kam qënë në ëndërr.

Kësisoj kaluan tri ditë në atë qytet të panjohur verior para emërimit. Për të qënë më të saktë, tri ditë të jazhtëzakonshme. Rituali përsëritej çdo ditë. Ajo s’ma lëshonte dorën. Hanim e pinim në turizëm. Llogaria ishte e paguar. Dhoma 314 më priste çdo natë. Gjatë lëvizjeve ditore takohesha me mësues, agronomë, veterinerë e rrallë ndonjë inxhinier nga Jugu, që merrnin ose prisnin emërimet. Mua, ata të komitetit, më thonin të prisja. Njerëzit e panjohur të qytetit më dukeshin babaxhanë si fëmijë kur isha vetëm ose të braktisur e të largët si galaktikat, kur isha me Lirikën. Sado që përpiqesha të distancohesha nga ajo vajzë supersticioze apo e çmendur, prapë diçka prej saj më ishte ngjitur. Thonë se të gjitha sëmundjet janë ngjitëse.

Ditën e katërt mora emërimin. Mu te dera e komitetit ekzekutiv më priste ajo. Më kapi dorën tamam si atë mbrëmje te feneri, i cili rrinte vazhdimisht ndezur, por nuk ndriçonte asnjë herë. Ama më duhej në ato çaste një i njohur.

-U emërove në fshat? –më pyeti. Por zëri i saj dukej dyshues.

-Jo, këtu në gjimnazin e qytetit, -dhe iu hodha ta përqafoja. Ajo u hodh më parë përpjetë, duke thirrur: Sa i mirë je vëllaçko! Të dua shumë! Të dua shumë! Të dua shumë!

Mbeta shtangur dhe shikoja nga kalimtarët, që ndalnin këmbët dhe shikonin Lirikën, duke buzëqeshur me ndroje. Thoja se ato thirrje i kishte për mua. Pastaj i la të thirrurat dhe më kapi dorën tërë ngazëllim.

-Sa bukur! Tani ndihej mirë. Po aq mirë ndihem dhe unë.

-Unë fshatar jam. Nga fshati vij, në fshat isha përgatitur të shkoja. Nuk jam nga ata që emërimin në fshat e marrin si syrgjynosje.

-Mjaft! Boll t'i dëgjova këto broçkulla. Ke katër ditë me këto fjalime...Tani drejt e në turizëm. Lirika e meriton një akullore.

-Me gjithë zemër, -iu përgjigja dhe e shtrëngova nga supet. Ishte hera e parë që e prekja në trup, veç dorës..U ndie shumë e emocionuar.

Sa zumë vend në tavolinën “tonë”, filloi:

- Këtu në Veri do të shkruash poezitë më të bukura të krijimtarisë tënde. Unë do t’i mësoj përmendësh, do t’i recitoj e këndoj.

Nuk durova dot më:

- As më thua, kush je ti? Nga vjen e me se merrej? Pse m’u qepe mua dhe s’më ndahej si ajo rodhja?

-Ha-ha-ha!... Aq enigmatike ju dukem. Nuk arrite të zbulosh sadopak nga unë? Ju thashë, unë s’jam si të tjerat. Jam si era, jam kudo dhe nuk jam askund. Edhe unë kam punët e mia dhe hallet e mia…

Ndali pak dhe filloi sërish monologun:

-Mua më mbajnë për të çmendur, por unë s’jam e tillë. Unë i urrej njerëzit, prandaj sillem keq me ta. Ata janë të këqinj. Nuk thashë se të gjithë janë të tillë. Ja, ti je shumë i mirë. Këtë ma tha telepatia. Të prita tek autobuzi dhe të besova sa të pashë. Edhe ti më deshe me të parë.

-Ndërsa unë kam tjetër përshtypje, -e ndërpreva. -Ti nuk i urren njerëzit, ti i do të mirë si veten. Por njerëzit nuk janë njëlloj. Bile ti ke mundësi t’i ndryshosh ata, siç po më ndryshon mua.

Pashë se si, dalëngadalë, fytyra iu zbut dhe një buzëqeshje e lehtë i lodroi përskaj buzëve.

-Vërtet po të ndryshoj? Po ç’themë unë! Ti je i mirë vetë. Prandaj i jam lutur katër ditë vëllait t’ju mbante në qytet.

-Vërtetë? Ju ma bëtë këtë nder? Kush është vëllai juaj?

-Vëllai im është kryetar komiteti. Ai më do shumë. Nuk ma prish asnjë herë. Edhe ai është i mirë si ti. Por unë i urrej njerëzit, se më trajtojnë si viktimë, si kukull, se jam e çmendur. Më përkëdhelin e bëjnë sikur më duan të gjithë, se jam motra e kryetarit të komitetit. Edhe në spital më bezdisin doktorët me vizita e ilaçe. Unë dua vetëm Luçianën. Ajo është e mirë si ti...

Isha gati ta përqafoja me dhimbshuri, por ndruhesha nga të pranishmit. Vërtetë njeriu ka personalitetin e dinjitetin e vet.Ja, çdo gjë e bukur, ka dhe anën e papëlqyer. Unë përshëmbëll, gjithmonë kam synuar ta meritoj atë që arrij në jetë, jo të ma dhurojnë. Por emërimi im ishte një dhuratë e bukur e Lirikës, që s’do ta harroja kurrë.

I dhashë kurajo dhe i premtova se, sa të isha në atë qytet, nuk do të ndahesha prej saj. Dhe kisha vërtetë besim se, bashkë me të, do të bënim punë të mira dhe shërbime humanitare për njerëzit me probleme.

Sidoqoftë, kjo vajzë e rëndomtë, që s’ma mbushi shumë syrin në fillim, do të bëhej pjesë e paçmuar e jetës sime.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora