E enjte, 01.05.2025, 07:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Don Lush Gjergji: Papët dhe Nënë Tereza

E enjte, 10.03.2016, 10:43 PM


PAPËT DHE NËNA TEREZE

Nga Don Lush GJERGJI

Papa PIU XII dhe e Lumja Nëna Tereze

Nëna Tereze ishte e njohur, çmuar dhe nderuar, por edhe e përkrahur nga  Papët,  pa të cilët ajo sigurisht nuk do të ishte Misionarja me e njohur e shekullit XX, Nëna e botës së mjerimit dhe të vuajtjes, “Samaritanja” e ditëve tona në mbarë botën.

Papa Piu XII ishte i njohur me qëndrim të vendosur që Kisha Katolike s’kishte më nevojë për themelime rregulltare të reja, por për shpirt dhe frymëzim të Zotit në jetën dhe veprimtarinë e tyre.

Megjithatë përjashtim ishte “rasti” i Nënës Tereze. Ajo i kishte shkruar Papës Piu XII kështu: “Zoti më ka thirrur që t’i braktisja të gjitha për t’ia dhuruar vetveten Atij në shërbim të më të varfërve që askush nuk i donte”.

Nëna Tereze kishte lutur dhe kërkuar së pari që  të dilte prej “Motrave të Loretos”, sipas urdhrit dhe kërkesës së Zotit. Këtë ia kishte lejuar Papa Piu XII më 12 gusht 1948. Me këtë  njëkohësisht  fillonte jetën dhe veprimtarinë e re, por edhe të mbeste murgeshë,  nën autoritetin e arqipeshkëvit të Kalkutës.

Në vitin 1950 Papa Piu XII e kishte autorizuar edhe zyrtarisht themelimin e rendit të ri të “Misionareve të Dashurisë”, që ishte edhe nisja e mbarë dhe e bekuar e këtij rregullit të ri të motrave.

Shën Gjoni XXIII dhe e Lumja Nëna Tereze

Intervista me Imzot Loris Francesco CAPOVILLA, arqipeshkëv, Sekretari personal i Papës Gjoni XXIII (1958-1963), tani kardinal i Kishës Katolike.

Shkëlqësi, vlerësimi i Jauj dhe i Papës Gjoni XXIII për Nënën Tereze?

Unë kam një nderim të posaçëm për Nënën Tereze. Ajo doli prej atdheut të saj të vogël, por zemra e saj ishte zgjeruar duke vajtur në një vend dhe shtet tejet të madh, në Indi. Ajo ka ndier në brendinë e saj se duhej të bënte diçka për ata njerëz... E ka kuptuar se thirrja e saj ishte Dashuria. Kjo grua e përvuajtur, por tejet inteligjente dhe kreative, e vuri jetën e saj dhe të “Misionareve të Dashurisë” në shërbim. Bota e ka hetuar dhurimin e saj për të tjerët, sepse ajo është bërë Nëna e të braktisurve. Kështu bota ka besuar në mrekullinë e dashurisë...”.

Për vlerësimin e Shën Gjoni XXIII ndër të tjera tha: “Papa Gjoni XXIII fliste shpesh për Nënën Tereze me mua dhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinal Tardinin, si dhe me të tjerët për këtë Grua të madhe  dhe të mrekullueshme. Thjeshtësia dhe dashuria ishin fuqia e saj. Është bukur që një popull i vogël ka një Nënë kaq të madhe. Kur vdiq dhe qe varrosur në  Kalkutë në  një meditim pata thënë kështu: Arkivolja e vogël dhe Nëna e Madhe... Ajo në vitin 1971 mori Shpërblimin e Paqes “Gjoni XXIII”.

Sotto Il Monte, Bergamo, 18. 09. 2008

Papa  i Lumi Pali VI dhe e Lumja Nëna Tereze

Papa Pali VI ka përcjell me vëmendje, kujdes dhe dashuri atërore jetën dhe veprën e Nënës Tereze. Ja vetëm disa dëshmi dhe hapa konkret në këtë kuptim dhe drejtim. Deri sa shumë njerëz të Kishës, si dhe jashtë saj, nuk mund ta kuptonin karizmën e veçantë të Nënës Tereze, dashurinë flijuese dhe dhuruese për Zotin dhe Njeriun, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi, Papa Pali VI pati mirëkuptim dhe përkrahje të plotë për Nënën Tereze, nëpërmjet saj, si thoshte ai “për veprën e Zotit”.

Do të mbes në histori vizita e tij baritore Indisë (1964), me rastin e Kongresit Eukaristik. Gjatë ditëve 3-6 dhjetor 1964 ishte Kongresi Eukaristik në Bombay, me pjesëmarrjen e Papës si dhe të Nënës Tereze. Përshtypja e Papës për jetën dhe veprën e saj ishte aq e madhe, tronditëse, sa që vendosi t’ia dhuronte automjetin  personal “Cadillac” me të cilin kishte lëvizur dhe udhëtuar në Indi me këtë motivim: “për t’i ndihmuar asaj në dobi dhe në të mirë të të varfërve”. Nëna Tereze e qiti këtë automjet në Lotari të Indisë dhe  fitoi mjaft para, kuptohet, si gjithmonë, për të varfëritë ndër më të varfër. Ky gjest e bëri Nënën Tereze shumë të njohur në Kishë dhe në botë.

Më 10 shkurt të vitit 1965 me dekretin papnor “Decretum laudis” Papa Pali VI e kishte pranuar dhe lartësuar bashkësinë  e “Misionareve të Dashurisë” si “kongregatë të të drejtës papnore”. Kjo ua mundësoi atyre që së shpejti të mund të përhapeshin dhe vepronin në mbarë botën. Fill pas kësaj mirënjohjeje dhe pranimi “Misionaret e Dashurisë” filluan zgjerimin në botë: në Venecuelë (26 korrir 1965), shtëpia e parë jashtë Indisë e kështu me radhë në Evropë, Afrikë, Amerikë, kudo në botë.

Papa Pali VI përkrahu edhe themelimin e Shoqatës ndërfetare dhe ndërkombëtare “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze” më 29 mars 1969, duke  dhënë bekimin dhe pëlqimin e tij.

Papa Pali VI, i kishte dërguar një çek personal “për të varfëritë e Nënës Tereze”, duke përkujtuar dhe ndihmuar gjithnjë veprën e saj në dobi të të mjerëve në Indi dhe në botë.

Më 22 gusht 1968 Nëna, Tereze hapi shtëpinë e parë të “Misionareve të Dashurisë”, në Romë në lagjen “Torfiscale”, gjithnjë me ftesë dhe bekim të Papës Pali VI.

Më 6 janar 1971, Papa Pali VI ia dorëzoi Nënës Tereze “Shpërblimin për Paqe – Gjoni XXIII”, që dëshmonte edhe njëherë nderimin, përkrahjen, dashurinë e tij për Nënën Tereze, për “Misionaret e Dashurisë”, për të varfëritë e botës.

Këto janë disa nga çastet e bashkëpunimit mes Papës Pali VI dhe Nënës Tereze.

PAPA  ShËN GJON PALI II DHE E LUMJA NËNA TEREZE

Njerëzit e mëdhenj të Zotit fill njihen dhe bashkëpunojnë me njëri - tjetrin, sepse janë të Zotit dhe të Popullit; kanë një burim dhe frymëzim të përbashkët: ZOTIN DASHURI dhe VËLLAUN NJERI.

Ja vetëm disa pika të përbashkëta dhe bashkëpunimi mes Papës  Shën Gjon Pali II dhe Nënës Tereze.

Nëna Tereze, para se ta pranonte Shpërblimin Nobel për Paqe, ndër të tjera u këshillua  edhe me Papën Gjon Pali II, i cili i pati thënë kështu: “Pranoje këtë Shpërblim dhe nderim të madh në emër të Zotit dhe të varfërve të mbarë botës, të cilëve Ti kaq shumë iu ndihmon dhe u shërben” (nga rrëfimi gojor i Nënës Tereze, shënuar në ditarin tim).

Fjala e parë e Nënës Tereze, në aeroportin e Oslos ishte: “E pranoj këtë Shpërblim në emër të Zotit dhe të varfërve të botës…” [1]

Pas pranimit të Çmimit Nobel për Paqe (Oslo 10 dhjetor 1979), Nëna Tereze e vizitoi në Romë Papën Gjon Pali II. Pas urimit dhe bisedimit të përzemërt me të, Nëna Tereze i tha Papës: “Kam vendosur të tërhiqem nga jeta botërore (publike). Do t’iu kthehem të varfërve dhe të gërbulurve…”.

Papa, pasi e dëgjoi me vëmendje dhe me dashuri, i tha: ”Kurrsesi, sepse Ti je dëshmitarja më bindëse e Ungjillit dhe e Dashurisë së Zotit për çdo njeri. Të lutëm që të shkosh kudo që të thërrasin nëpër botë…”.

Dhe Nëna Tereze aty për aty e ndërroi mendimin, qëndrimin dhe vendimin e saj. Duke komentuar këtë, më tha: “Nuk pata tjetër zgjidhje. Fjala e Papës për mua është urdhër, është vullneti i Zotit” (nga ditari im).

Së bashku me Papën Gjon Pali II,  Nëna Tereze ishte shtegtarja e paqes dhe e dashurisë në mbarë botën, duke tejkaluar të gjithë kufijtë, ndarjet, përçartjet, dallimet, për ta dëshmuar fuqinë e së vërtetës dhe të dashurisë.

Në vitin 1980 Papa Gjon Pali II e  ftoi Nënën Tereze në Romë dhe ia dhuroi çelësin e shtëpisë për fëmijë dhe nëna të braktisura. [2]

Papa Gjon Pali II, s’ u ndal me kaq, sepse dëshironte ta kishte Nënën Tereze sa më afër, në Vatikan. Mu për këtë vendosi t’ia dhurojë një shtëpi strehimore në Vatikan, pranë Sallës së Audiencave “Pali VI”, si mirënjohje dhe përkrahje personale. Kjo shtëpi quhet “Dono di Maria” (Dhurata e Marisë), dhe është një ndër qendrat e rëndësishme të “Misionareve të Dashurisë” në botë.  [3]

Gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II në Indi, ishin së bashku si “dueti” i fesë dhe i dashurisë së krishterë. Gjatë kthimit në Vatikan, gazetari italian Renato FARINA ndër të tjera e pyeti Papën: “Si keni qëndruar kaq shumë gjatë këtyre ditëve të vizitës në Indi? Ne si gazetarë ishim të lodhur duke përcjell vizitën Tuaj. Ku është burimi i gjithë kësaj fuqie?”.

Papa u përgjigj me buzëqeshje kështu: “Kjo nuk është vepra ime, por e Zotit… Kjo vizitë baritore ishte më e lehta, sepse afër meje, me mua ishte Nëna Tereze e Kalkutës. Mjaftonte që me gisht ta tregoja atë, dhe të gjithë e kuptonin shumë mirë dhe me pak fjalë porosinë e Krishtit, të Kishës Katolike, të krishterimit. Ajo është dëshmitarja burimore e jetës dhe e fesë së krishterë” . [4]

Më 13 janar 1989, së bashku me Imzot Nikë Prelën dhe me shumë ipeshkvij nga ish-Jugosllavia, bashkëmeshuam me Papën Gjon Palin II. Pas meshës vijoi takimi dhe biseda me të.

Unë, me atë rast, ia dhurova dy libra të mia në gjuhën italiane kushtuar Nënës Tereze:

Madre Teresa, prima biografia completa, Jaca Book, Milano, 1983;

Madre Teresa e le sue radici, EMI-PIEMME, 1987, me këtë përkushtim: “Papës Gjon Palit II, Mikut të madh të Nënës Tereze dhe të Popullit Shqiptar: “SHENJTËRI, këtë monografi e kemi botuar me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Nënës Tereze, ku janë të pranishëm më se 175 autorë shqiptarë: poezi, prozë, pikturë, skulpturë dhe muzikë (katolikë, ortodoksë dhe myslimanë)”.

Papa më tha: “Mirë, tejet mirë, sepse ajo është  shqiptare. Keni bërë shumë mirë që e keni botuar një libër kaq të pasur dhe tejet të bukur. Ajo ka lindur në Shkup. Por me prejardhje ishte nga Prizreni, shqiptare, ZEMRA E POPULLIT TUAJ, E MBARË KISHËS. KËSHTU KULTIVOHET DIALOGU, BASHKËPUNIMI DHE BASHKËJETESA MES POPUJVE DHE FEVE. URIME DHE VETËM PËRPARA!”. [5]

Gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II Shqipërisë, në Shkodër, ai për Nënën Tereze tha kështu: “Të dashur, nuk mund mos ta përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dini nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënës Tereze Shqipëria është nderuar gjithmonë. Është ky misioni i saj dhe i të gjithë atyre që, porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të dashurisë e të dhembshurisë.

Ju falënderoj sot në emër të Kishës Katolike, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj...”.  [6]

Papa në Tiranë për Nënën Tereze tha: “E si mos ta kujtojmë tani, një bijë të zgjedhur të popullit shqiptar, Motrën Tereza të Kalkutës, nënë e shumë të varfërve ndër më të varfëritë në botë? Me zjarrin e fesë në kraharor, kjo grua e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan brenda vetes hovin e bujarisë së papërmbajtur dhe të pamposhtur të zemrës shqiptare”. [7]

Me rastin e “kthimit në Shtëpinë e Atit” – vdekjes së Nënës Tereze, (5 shtator 1997), Papa Gjon Pali II tha: “Në këtë moment të lutjes më rri në zemër, që të kujtoj motrën tonë nga Kalkuta, Nënë Terezën, e cila para dy ditësh i dha fund jetës së vet të gjatë në tokë. Unë pata rastin ta takoj shpesh, dhe në kujtesën time rri figura saj e vogël plot jetë në shërbim të më të varfërve ndër të varfër, e cila ishte e përmbushur nga një forcë e brendshme e pashtershme: forca e dashurisë së Krishtit…Duke e gjurmuar Ungjillin, u bë për çdo njeri “samaritani i mirë”…Përderisa po ia besojmë Hyjit shpirtin e ngritur të kësaj rregulltarje të përshpirtshme dhe besimtare, e lusim Virgjërën Mari që t’u jap ngushëllim bashkëmotrave të saj dhe të gjithëve që e njohën dhe e deshën”.   [8]

Papa Gjon Pali II lejoi përjashtimin kanonik dhe përshpejtimin e procesit të lumturimit të Nënës Tereze, dhe atë e lidhi me dy ngjarje tejet të rëndësishme: 25 vjetorin e Pontifikatit të tij në Selinë e Shën Pjetrit dhe Ditën Botërore të Misioneve. Në meshën e lumturimit të saj, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan (19 tetor 2003), ai ndër të tjera tha: “Jam personalisht i falënderueshëm ndaj kësaj Gruaje të guximshme, të cilën gjithmonë e kam pasur afër vetes. Ikona e samaritanit të mirë, ajo shkonte gjithkund për ta shërbyer Krishtin ndër të varfër ndër më të varfër. As  konfliktet dhe luftërat nuk e kanë ndalur atë. Herë pas here vinte tek unë dhe më fliste për përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore… Me ndjenja të thella jemi këtu për ta përkujtuar sot Nënën Tereze, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës dhe të mbarë botës… Jeta e saj ishte e thadruar në dashuri si shpallje e guximshme e Ungjillit…” [9]

Duhet përmendur që sipas dëshirës dhe kërkesës së Papës Gjon Pali II janë përkthyer dhe botuar tre libra të Don Lush Gjergjit në polakishte, me tirazh milionësh:

Madre della carita’(Matka Teresa), 1994; Vivere, Amare, Testimoniare, /Zyc’, Kochac’, Sëiadczuc’/, 1999; dhe  për lumturimin e Nënës Tereze L’amore in azione (Matka Teresz, Milosc  czynach), 2003.

Këto vepra, autori ia ka paraqitur dhe dhuruar Papës personalisht, së bashku me botuesin italian VELAR nga Bergamo,  dhe botuesin polak Etërit Pallotinë nga Varsava.

Kulmi ishte ky: Papa i  kërkoi këto botime në gjuhën polake dhe në gjuhët tjera: italisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht…për t’ua dhuruar delegacioneve më të larta kishtare dhe shtetërore gjatë vitit Jubilar 2000.

Më këtë, dëshmoi edhe njëherë nderimin dhe dashurinë ndaj së Lumes Nënës Tereze, si dhe ndaj Kishës dhe popullit tonë.

Dhe në fund ta përmendi edhe këtë: Papa Gjon Pali II, ishte Miku i madh i Nënës Tereze, nëpërmjet saj edhe i Popullit Shqiptar. Qysh prej fillimit të Pontifikatit  në Selinë e Shën Pjetrit (16 tetor 1978),  deri të ndërrimi i jetës (2 prill 2005), për festa të mëdha si Kërshëndellat dhe Pashkët, Shën Pjetri, kur jepet  Bekimi Apostolik “Urbi et Orbi” (Qytetit dhe Botës), gjithmonë ka folur dhe uruar edhe në gjuhën shqipe, bile ndër gjuhët më të para.

Edhe kjo, si dhe  e tërë jeta dhe veprat e tija, dëshmojnë se na kishte në zemër.

PAPA BENEDIKTI XVI DHE E LUMJA NËNA TEREZE

 

Papa Gjon Pali II kishte një nderim, admirim dhe bashkëpunim të veçantë me të Lumen Nënën Tereze. Ajo pati ndikuar që ky Papë vërtet i madh të ishte edhe miku dhe përkrahësi i Kishës dhe Popullit Shqiptar në  shumë kushte dhe rrethana.

Këtë drejtim dhe orientim e ka edhe papa i sotëm në dorëheqje Benedikti XVI i cili në disa raste edhe botërisht e ka lavdëruar Nënën Tereze duke e paraqitur atë si shembull jete dhe dëshmitare  bindëse të dashurisë së krishterë.

Në enciklikën e parë të tij “Deus Caritas est” (Hyji është Dashuri) Papa shkruan kështu për Nënën Tereze: E Lumja Nënë Tereza e Kalkutës është një shembull shumë i dukshëm i faktit se koha që i kushtohet Hyjit në lutje jo vetëm nuk e dëmton efektshmërinë dhe zellin e dashurisë për të afërmin, por në realitet është burimi i pashterëshëm i saj. Në letrën e saj me rastin e Kreshmeve të vitit 1996 e Lumja shkruante kështu; “Ne kemi nevojë për këtë lidhje intime me Hyjin në jetën tonë të përditshme. E si mund ta sigurojmë? Përmes lutjes!”.  (Benedikti XVI, Hyji është Dashuri, Letra enciklike mbi dashurinë e krishterë, Nën kujdesin e Arqipeshkvisë Shkoder – Pult, Qershor 2006, nr. 36, fq. 98).

Më 16 dhjetor 2007, e diela e III-të e Ardhjes Benedikti XVI ndër të tjera tha: “Gëzimi i krishterë buron nga kjo siguri: Zoti është afër nesh, është me mua, është me ne, në gëzime dhe në pikëllime, në shëndet dhe në sëmundje, si miku ynë besnike...

E Lumja Nëna Tereze e Kalkutës a nuk ishte ndoshta dëshmitarja  e paharrueshme e gëzimit ungjillor në kohën tonë? Ajo jetoi për çdo ditë në lidhje me mjerimin, degjenerimin e njeriut, me vdekjen. Shpirti i saj e ka njohur sprovën e natës së errët të fesë. Mëgjithatë ajo iu ka dhuruar të gjithëve buzëqeshjen e Zotit.

Në një shkrim të saj lexojmë: “Ne e presim me paduresë parajsën, ku është Zoti, por ne kemi mundësi të jemi në parajsë qysh tani sa jemi në këtë botë, shi nga ky çast. Të jemi të lumtur në Zotin domethënë: të duam si do Ai, të ndihmojmë si ndihmon Ai, të dhurohemi si dhurohej Ai” (La gioia di darsi agli altri, Ed. Paoline, 1987, fq. 143).

Po, gëzimi depërton në zemrën e atij që  vihet në shërbim të të vegjëlve dhe të varfërve. Kush dashuron kështu, Zoti banon në të, shpirti i tij është në gëzim...”

Papa Benedikti XVI më 4 janar 2008 e vizitoi shtëpinë e Misionareve të Dashurisë  Dono di Maria”  (Dhurata e Marisë), të cilën Papa Gjon Pali II para 20 viteve ia kishte dhuruar Nënës Tereze në Vatikan, para Sallës së Audiencave “Pali VI”, për t’i pranuar dhe strehuar të varfrit e Romës, ata që nuk kanë as kulm mbi kokë.

Kjo shtëpi-strehimore pranon në ditë deri në 100 vetëve, disa edhe për bujtje  apo për kërkim të punës dhe për çështje tjera, për një kënd sigurie dhe dashurie në botën anonime që shpesh i përbuzë të mjerët, sidomos botën femërore.

Edhe ky gjest dëshmon bindshëm sa Papa Benedikti XVI çmon jetën dhe veprën e Nënës Tereze dhe dëshminë e dashurisë së krishterë të Misionareve të Dashurisë, si dhe të varfrit.

Me këtë rast ai ndër të tjera  i tha fjalët e Nënës Tereze: “Është Krishtlindje sa herë i krijojmë Jezusit mundësinë t’i dojë të tjerët përmes nesh”.

Dhe vazhdoi kështu: “Vite të tëra, kur isha Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kam kaluar shumë orë të mia afër  këtij institucioni të merituar, që e ka dëshiruar paraardhësi im, Shërbëtori i Zotit Gjon Pali II, i cili ia ka besuar këtë të Lumes Nënës Tereze të Kalkutës...

Kushdo që trokit në derën tuaj merr si dhuratë nga Maria pritjen me krahë të hapur nga ana e motrave dhe e vullnetarëve... Uroj që ky stil i dashurisë ungjillore ta vulosë e ta dallojë gjithnjë thirrjen tuaj në mënyrë që, përpos ndihmës materiale, t’iu komunikoni atyre që i takoni për dite, të njëjtin zjarr për Krishtin, që gjallëroi gjithnjë jetën e Nënës Tereze...”.

Papa Benedikti XVI e përfundoi këtë vizitë me këto fjalë: “Kjo shtëpi e ka një emër të bukur “Dhurata e Marisë”, dhe na fton të gjithëve, në fillim të vitit të ri, ta dhurojmë jetën tonë pa kurrfarë lodhje”.

Papa Françesku dhe Nëna Tereze

Papa Françesku dhe Nëna Tereze, për mendimin dhe vlerësimin tim, janë si dy “binek”  shpirtëror, sepse parimet dhe qëndrimet e tyre janë thellë ungjillore: thjeshtësia, përvujtëria, varfëria, mbi të gjitha feja dhe dashuria.

Këtë “ngjashmëri” e ka dëshmuar Papa Françesku në shumë raste duke e përmendur dhe paraqitur Nënën Tereze si “model” të jetës dhe dashurisë së krishterë për çdo njeri, sidomos për të vegjël, të nëpërkëmbur, të pambrojtur dhe të braktisur.

Këtë e ka shprehur Papa Françesku edhe në  Letrën Enciklike “DRITA E FESË”, kua ai thekson shumë qartë: Pa fe s’ka as shpresë, si dhe pa fe dhe shpresë, nuk ka dashuri,  që është  përfundimi i logjikshëm i Papës.

Feja fisnikëron, tejkalon dhe bujaron arsyen, mendjen, njohurinë, njeriun. Dashuria tejkalon edhe arsyen dhe e bënë të pavdekshme fenë, njeriun, dhe kështu na drejton ka e Vërteta dhe Jeta – Jezu Krishti.

Vuajtja me fe dhe dashuri është krejt ndryshe nga pësimi, dhembja, mërzia, lodhja, deri edhe dëshpërimi.  Dy ndërmjetës të dritës së fesë, sipas Papër Françeku, janë Shën Françesku i Asizit dhe Nëna Tereze e Kalkutës, sepse feja nuk e harron vuajtjesn e botës, por është në shërbim konkret të drejtësisë dhe të paqes. “Për shumë burra e gra fetarë te vuajturit kanë qenë ndërmjetës drite. Për shembull për Shën Françskun e Asizit i gërbuluri, apo për të Lumen Nënë Terezë e Kalkutës të varfrit e saj. Ata e kanë kuptuar misterin që gjendet në ta” (LF 57).

Nëna Tereze thoshte: “Fatkeqësia më e madhe e Indisë është mosnjohja e Jezusit”, në harmoni të plotë me atë që thotë gjithnjë Papa Françesku për botën e sotme.

Shpallja publike e Dekretit mbi kanonizimin e së Lumes Nënës Tereze në përvjetorin e ditëlindjes së Papës Françeskut, është edhe një dëshmi i mirë i Papës, si nderim  dhe urim për Kishën Katolike, e cila në Vitin Shenjt të Mëshirës Hyjnore, do ta ketë “ikonën” e Mëshirës dhe të Dashurisë së krishterë për mbarë njerëzimin.   Nëna Tereze thotë: “Jeta ime është një dhuratë për të tjerët”.

Papa Françesku më 6 mars 2016 pas uratës Engjëlli i Tenzot për vrasjen e katër motrave “Misionare të Dashurisë” në Jemen tha: Janë martiret e sotme! E këto nuk janë në krye të gazetave, nuk janë lajme! Këto dhurojnë gjakun për Kishën. Prandaj janë viktima të sulmit të atyre, që i vranë, por edhe të indiferencës, të globalizimit të kësaj indiference, të cilës nuk i bëhet fare vonë për asgjë… Nënë Tereza i shoqëroftë në Parajsë këto bija martire të bamirësisë e ndërmjetësoftë për paqen dhe respektin e shenjtë të jetës njerëzore”.


[1] Mbi këtë lexo: Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, Drita, 1990, fq. 196-209.

[2] Lexo: Lush Gjergji, Nëna e Dashurisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2000, fq. 218.

[3] Po aty, fq. 187.

[4] Nga dëshmia e gazetarit të njohur Italian Renato Farina dhënë Don Lush Gjergjit në Milano në vitin 1987.

[5] Më gjerësisht lexo: Drita, Ferizaj, 1-2/1989, fq. 1.

[6] David Xhuxha, Papa në Shqipëri, vep. e cit. fq. 36.

[7] Po aty, fq. 49-50.

[8] Don Pren Kola, Nënë Tereza, dëshmi, kujtime, meditime, mbresa, Fjala Hyjnore, Prishtinë, 2004, fq. 9-10.

[9] Lush Gjergji, Madre della carità, Velar, 2004, fq. 229-230.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx