E merkure, 01.05.2024, 10:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Sejdi Berisha: Dheu - malli dhe pesha e jetës

E shtune, 26.03.2016, 07:39 PM


Analizë libri

Sejdi BERISHA:

SE, DHEU ËSHTË MALLI DHE PESHA E JETËS...

(Hasan Muzli Selimi: “Hije dheu””, poezi-botoi “Muzgu”-Tiranë, 2015)

Shpeshherë veprat që shkruhen me dufin e shpirtit dhe të zemrës, ato janë të zjarrta që nga nisma, pra, që nga dheu, rrënjët, trungu e gjer ke kurora, të cilat nuk prezantojnë thjeshtë vetëm ndijimin shpirtëror, por janë pasqyrë tipike e botës së brendshme kur mendimi bëhet dhe është jo vetëm pjesë e pandarë, por edhe rob i jetës, dhe kështu rrugëton deri në pambarim. Në librin me poezi, “Hije dheu” të autorit Hasan M. Selimi, i cili deri me tash ka botuar tri vepra: “Antologjia e ëndrrës”–ese dhe përsiatje filozofike (2013), “E drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (2014) dhe libri me poezi “Hije dheu”, pra, që i takojnë fushave të ndryshme, e hasim nismën e jetës mbase edhe të universit, që paralel begatojnë mendjen dhe synimet për komentim e shprushje sa më të drejtë e të qëlluar të mesazhit, metaforës dhe të sublimes të formulës jetësore, dhe, sikur na duket se ky libër i ngjanë autobiografisë. Ashtu edhe është, kjo formë e të shkruarit. Por, nëse vargëzimin e autorit e vëmë në disa binarë, atëherë, libri ka formulë edhe më të begatë e me peshë studimi se sa vetëm një material dhe këndim poetik.

Ndoshta, autori me aftësinë e tij vargëtuese, të gjitha temat dhe provokimin shpirtëror i nxjerrë në shesh dhe u ka “grahur” paralel, gjë që u japë rëndësi tjetërfare edhe vargut edhe poezisë: “Si pa dashje, krejt në harresë/Sot u gjenda në thesin e kujtimeve/Aty ku unë jam vocërrak/si Dragua vetja me dukej...”!

Pra, nga një çunak, autori bën rrugë, e cila herë i ngjanë kujtimeve të kohës së vegjëlisë, herë rrugëtimit të individit dhe komunitetit jo vetëm të një krahine, e herë i ngjanë fragmenteve historike të gërshetuara me vuajtje dhe krenari, edhe pse, siç thotë ai: “Ngjaj si harrim, tej nga erdhi vetë jeta/...Por të dy i dërguam njëri-tjetrit nder nga nderi jonë”!

Kështu, me këtë forcë morali, autori këndon, tregon, rrëfen e shpesh kërkon edhe përgjigje nga lexuesi në të njëqind e gjashtëdhjetë e dy poezitë të “mbërthyera” në “Hije dheu”. Poezia dhe vargu i Hasan M. Selimit, sikur nuk lë fort hapësirë për të menduar ndryshe nga autori, apo për të krijuar dilema jete, ngase, me vargun e tij, preras na thotë: “Sa s’ka ma, jam përpjek ta çoj në kupë të qiellit mirësinë”!

Temperamenti si fenomen i pjesës së jetës të njeriut, tek autori, si duket, është jo vetëm virtyt i veçantë, por edhe pjesë e pandashme e të gjitha të bëmave dhe ecjeve, të cilat, jetën ndonjëherë e bëjnë formulë jo edhe aq të qëndrueshme, por e bëjnë lojëse të rrezikshme nëpër periudha kohore. Ndoshta, jo pse ai i frikësohet kësaj dukurie, por, duke treguar se atë nuk e pranon as tek uni dhe as tek vetvetja. Kështu, lexuesit, nëse mund të thuhet, i vë si “rregull”: “Nuk kam frikë luftën, përballjen/Kam frikë prapakrahjen, natën/...Botën dua ta shoh në sy”!

Vendlindja dhe atdheu si shenjtëri dhe nismë jete...

Vendlindja dhe atdheu, për këdo janë shenjtëri, por për Hasan M. Selimin, si duket janë edhe më me veçanti, sepse, i do plotësisht të padëmtuara, të pastra, të hijshme dhe madhështore. Dhe, çdo ndryshim për të keq, i dhemb, bile tej mase: “Lumi i fshatit tim është këputur/E askush nuk di se kur/...Një rigë shiu emrin ia fshin/E tash lumi i fshatit tim nuk ka emër”!

Të kësaj fryme janë edhe shumë poezi të tjera, të cilat krijojnë idil dhe pikturë ashti e dheu për tokën dhe njeriun, si poezitë, “Lumi”, “Zemra”, “Gjarpri dhe zogu”, “Vargu i humbur” etj. Ndërsa, poezia “Kasaj”, sikur mos të ishte pjesë e “Hije dheu”, autorit, jo se do t’i thyhej zemra, por këtë vepër ndoshta do ta konsideronte pa frymëmarrje të plotë, pa jetë me rrëfimin e historisë aq të lashtë, të ndritur e të pa ndritur, të shtypur e të ndrydhur por gjithnjë me vulën e dritës së diellit. Poeti, me padurim rreshton vargjet si beden jete e malli: “Sa shumë je shtri ti, o fshati im/Sa perlë e hijeshisë në atë rrëzë bokës/Sa më ka marrë malli për burrninë tënde/Në çdo skutë tënden ka magji”. Dhe pastaj, ai, sikur nuk ç’kapet nga kjo madhështi e fshatit të tij: “Ke veç një zgjidhje, duhet ta pranosh/Të duash veten me rrënjë e me fletë/Pastaj hëna yjeve u jep dritë”!

Mesazhi i vargjeve të fundit nuk është njëjës, sepse, të gjitha trevat e atdheut e kanë një hallkë të përbashkët fati të njëjtë, që me shekuj ka rënduar mbi dheun e atdheun, mbi tokën e njeriun.

Nganjëherë, periudhat kohore dhe faqet e fletët e zbehta të historisë na i kanë detyruar dyshimet edhe për të kaluarën, edhe për drejtimin e rrjedhjes së lumit, edhe të rrugëve kalakryq. Por, e kaluara nuk zvetënohet. Ajo është si tharmë buke, i cili, nëse dimë të gatuajmë, bukën na bën të lezetshme, të shijshme, të mirë e ushqyese. Këtë “mesazh” sikur e hasim tek poezia, “Kalaja”: “Gurë, gurë moj kala/Gurë, gurë të lidhur/Nga themeli deri në krye/E të stërlashtë/Me gojëdhëna plot/Me fjalë të ëmbla/Me fjalë të tharta”! Ose, tek poezia, “Rozafës”: “Eh, moj Rozafë/Që pranë dhe ballë teje rri/Gjithkund fluturon kjo mendja ime”! Tërë këtë, e madhështon edhe vargu temperament e me zërin e kambanave të historisë: “Para kalasë, unë bashkë me themelet kam ardhë”!

Dhe, sikur mjafton ky thekim vargu për të krijuar sfilatë kohe, e cila edhe bën dritë, por nganjëherë na duket se bën terr, e bashkë me te na këshillon e qorton, sepse, siç thotë poeti: “Njeri,... nga zemra e tokës erdhe”. Kurse, globi le të rrotullohet sa të dojë e kah të dojë!

Autori i “Hije dheu”, poezitë nuk i ka sajuar në njësi ciklike, dhe ndoshta edhe mirë ka bërë, sepse, lexuesi ato i lexon lirshëm dhe nuk e “detyron” mendimin e vet për ta futur në korniza këndimi. Kështu, poezitë e temave të ndryshme i hasim gjithandej librit, por edhe rrugëtimin e autorit, i cili duke “shëtitur” poshtë e lartë me meditimet e veta, librin e bën edhe më me peshë, kur në disa raste me qëllim përpiqet të mos jetë vetvetja, apo të dalë nga ajo dhunë e zjarrtë, gjithnjë me dëshirën që ta shijojë jetën e botën jo si do vetë, por si i sheh edhe të tjerët duke rrugëtuar. Kjo veti, në këtë rast është madhështi, të cilën poeti edhe e ka gjetur, e ka hasur kudo ku ka shkuar, kudo ku ka veneruar, biseduar e kuvenduar, e, ka heshtur më pak, sepse, këtë nuk e dëshiron. Ngase, ai e do dhe e çmon rrugëtimin çfarëdo qoftë ai. Për këtë edhe ligjëron: “A e dini sa larg është mundi i djersitur”!

Duke e lexuar dhe analizuar veprën e Hasan M. Selimit,  vërejmë se ai shkon e vjen edhe në tokë, edhe në hapësira qiellore. Ai e përqafon dhe e ledhaton fushën, gjelbërimin, malet e shkrepat, sepse, fortë e ka të lidhur shpirtin, mendjen, qenien e trupin me to. Dhe, në këto ardhje-shkuarje dhe shkuarje-ardhje merr diçka, lë diçka, e ndonjëherë, nuk urren por përkohësisht edhe mallkon diçka.

Mirëpo, vulë jete e ëndërr shpirti, është dhe mbetet vendlindja, fshati i tij: “Sa herë unë largohem nga fshati im/Ja çfarë parandjenje më vjen, si me qenë e vertetë/Kur unë jam bujtës, mysafir nga fshati im largohem/Më duket se nuk do kthehem kurrë”!

Duke ditur se shtatin e ka rritur aty me gjirin e nënës, me fjalën plotë jetë të babait, në këtë vazhdë të këtyre vargjeve më duket se përputhet edhe mendimi: “Kur ta hedhesh dheun mbi trupin e më të dashurve tu, atëherë edhe më shumë e kupton se sa vlerë ka njeriu, se sa peshë ka jeta, kombi dhe atdheu”!

Pesha dhe mendimi shpirtëror e filozofik i vargut

Në këtë vepër me titull karakteristik, autori, shumë poezi ua kushton më të dashurve të vet por edhe figurave historike, të cilat reflektojnë peshën dhe mendimin edhe shpirtëror dhe filozofik, të cilat gjëra, poeti nuk ka dëshirë t’i ndajë në asnjë varg, në asnjë poezi: “Kënga që shpreh veçse dashuri/Të kemi jetë së bashku/Ne të dy”. Por nuk i mjafton vetëm kaq: “Me bluzë të bardhë, fund gri fare/Sandale të bardha, çorapë si xham dritë/Flokët krejt bionde, lëshonin rreze/Freski si nga bjeshka me erë sherbele” (Poezia “Jeta së bashku” kushtuar Faries në përvjetorin e lindjes).

Ndërkaq, në poezinë kushtuar Hasan Prishtinës, vargu na vjen ndryshe: “...Selanik, o djep shqiptarie/Për Korçën lule balli të shndrit/Ti je djepi i lidhjes së diturisë/Linde shqiptar për kthesën e madhe /...Hasanin ruaje, mos e kalb në dhe/Ka një fjalë të vjetër, vjen që atëherë/Varrin mos e luaj, lëre të qetë!...”.

E, nëse i analizojmë më thellë këto vargje, atëherë, në këtë rast, përveç tjerash na përftojnë tri segmente jete e historie. Një. Atdhetaria e Hasan Prishtinës. Dy. Selaniku si djep shqiptarie. Dhe, tre. Vrasja dhe tradhtia si ves qyqar, që ende na kapërthurin shpirtin, kombin dhe atdheun.

Autori, të kaluarën e sheh nga kënde të ndryshme. Bile, shpeshherë është edhe i hidhëruar, sepse, ka dëshirë, e ka shkrumb që çdo gjë e popullit të vetë, çdo gjë e atdheut të vetë, çdo gjë e krahinës dhe e fshatit të vetë, të zbardhet deri në fund dhe të bëhet e pavdekshme e të qëndrojë si lis i drejtë që kapë e prekë lartësitë qiellore. Këtë gjë, ai e shpreh edhe te poezia “Varri ka emër”: “Në fshatin tim ka varre pa emër/Tre i di pranë tyre kam luajtur/Me shokë bagëtitë në mriz i fusnim/...Dy prej tyre s’i njeh as zogu i bjeshkës...”! Ndërsa, në poezinë “Prindërve”, sikur ngërthen gjithçka për të thënë në “Hije dheu”: “Dua të hartoj/Të bëj edhe pikturë/Të shkruaj gjithçka/Që bën gëzim për ju/Dhuratë t’ua çoj/Prindërve të mi”!

Andaj, ky libër, është e vërtetë, provokon të flasësh me njeriun, me botën e gjithkënd tjetër, të flasësh me vetveten, se toka është pesha e jetës, malli, etja, bukuria dhe madhështia jo vetëm e njeriut, është historia dhe amaneti që obligon, detyron e vetëdijeson.

“Hije dheu”, është diçka që rrugëton e shprush me zërin dhe vargun e autorit, i cili jo vetëm se shpreh ndijimin e tij shpirtëror, por lexuesit ia ofron mesazhin e veçantë se si jetohet, sesi përjetohet çdo “rreptim” shpirti, kohe e historie, çdo kënaqësi dhe dhembje e njeriut.

Kjo është kështu, sepse zemra, shpirti dhe karakteri i këtij krijuesi u ngjajnë etjeve të cilat i ka pasur dhe i ka njeriu i vendlindjes dhe i atdheut të tij. Kjo është “Hije dheu”, vepra me poezi e këtij njeriu që këndon edhe ëmbël edhe sertshëm: “... Nga fundi i dheut, që njomë pishën e zhuritur,/Por jam boll, or njeri,/Që nga zemra e dheut/Të kujtoj, më kujton...”!

Kjo, na kujton se, toka e njeriu kur puthitën me njëri-tjetrin, janë si duart kur e shtrëngojnë njëra-tjetrën e që simbolizojnë dashurinë, unitetin dhe qëndresën, të cilat gjëra sikur qëndrojnë si lapidar përjetësie në vetë ballinën e librit. Por, të gjitha këto mund të bëhen dhe të përjetësohen vetëm me punë, me mund dhe duke respektuar, kuptuar e dashur njëri-tjetrin. Kjo na duhet ne, kjo u nevojitet edhe krijuesve...!

Ju faleminderit.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora