Kulturë
Osman Grabovci: Një vepër më shumë se dëshmi
E hene, 28.03.2016, 12:29 PM
Recension
NJË VEPËR - MË SHUMË SE DËSHMI
Remzi & Ryzhdi Baloku: Si u themelua ilegalja
ORGANIZATA PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE
Nga Prof. Osman Grabovci
Thesarit të veprave, që flasin për të djeshmen e të sotmen dhe dëshmojnë për të kaluarën e lavdishme të popullit tonë, po i shtohet edhe një vepër e vëllezërve Baloku: Remziut dhe Ryzhdiut, të cilët e plotësojnë dhe e begatojnë historinë e popullit shqiptar.
Libri “Si u themelua ilegalja - ORGANIZATA PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE” është më shumë se një dëshmi e një kohe, ajo është një periudhë e historisë së rëndë të popullit tonë, shkruar me djersën dhe gjakun e luftëtarëve tanë, që mbi të gjitha, madje mbi jetën e tyre vunë çështjen e madhe të Atdheut, të Lirisë, për të cilën u sakrifikuan.
Autorët e kësaj vepre nuk na flasin vetëm për veprimtarinë e organizatës, por ata ndjekin një vazhdë të pashkëputur të lëvizjeve çlirimtare nëpërmjet themelimit të organizatave që kishin qëllim vetëdijesimin dhe organizimin e masave popullore për çlirim nga pushtuesi. Vërehen sidomos përpjekjet titanike të udhëheqësve të organizatave që kishin qëllim parësor që shqiptarët të jenë të zotët në trojet e veta, madje që nga Lidhja e Prizrenit e deri në ditët tona. Vetë Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare është një hallkë, që në një mënyrë lidh fillin e lëvizjeve dhe përpjekjeve shekullore për çlirim nga okupatori i cili me represaliet e veta ishte i pamëshirshëm.
Sado që fatet e popullit tonë qenë të lidhura me plot krajata e brenga, në këtë vepër s’ka pikëllim, por ka vetëm guxim, krenari, sakrifica, luftë e fitore të njeriut tonë kundër armiqve, të cilët bënin pazarllëqe në dëm të çështjes tonë kombëtare.
Pushtuesit çdoherë kishin bërë llogari pa “hanxhiun”, siç thotë një fjalë e urtë e popullit tonë, andaj sado të fortë e të mëdhenj që ishin, kurrën e kurrës s’e ndienin vetën të qetë, se kjo tokë dhe njerëzit e saj denbabaden ia kthyen pushkën pushtuesve.
Autorët që në fillim të veprës flasin për ca ngjarje dhe data të rëndësishme historike, pa pasur qëllim të ndalen në analizën e tyre, por më shumë ato vihen në spikamë, për të ndjekur kronologjinë e ngjarjeve.
Lufta e Dytë Botërore kishte ngjallur shpresa te populli ynë, e në veçanti Rezoluta e Bujanit u kishte dhënë një impuls të ri shpresave tona, se më në fund populli ynë do t’i realizojë ëndrrat e veta shekullore, për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.
Mirëpo, me të përfunduar lufta, populli ynë pa se ishte mashtruar, Kosova mbeti përsëri e shtypur nga Jugosllavia, por nga një Jugosllavi tjetër, socialiste, që për shqiptarët pak ndryshonte nga e para.
Edhe Peja me rrethinë, ashtu si edhe tërë Kosova, i bëri rezistencë atij regjimi me një vendosmëri të madhe. Le të përmendim vetëm disa individë nga Peja, si: Osmon (Bajram) Baloku, axha i autorëve të kësaj vepre, pastaj Aziz Bekçeli, Qazim Turjaka, Ramiz (Bajram Dauti) Berisha, Selim (Adem) Blaka, Malush (Daut) Hoxha e shumë të tjerë.
Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare ishte në vazhdën e organizatave paraprake.
Remzi Baloku, kryetari dhe themeluesi i kësaj organizate zhvilloi një aktivitet të gjerë e të dendur, duke e shtrirë rrjetin organizativ edhe jashtë Pejës. Me përqendrim në Loxhë, vepruan: Zeqë Shala, Vesel Rexhepaj, Avdyl Shala, Mustafë Ademaj, Rexhep Shala, Xhemajl Shala, Fetë Shala, Jashar Shala, Ukshin Shala dhe Fazli Shala.
Shpërndarja e pamfleteve, parullave dhe vënia e flamujve shqiptarë nga ana e anëtarëve të kësaj organizate, ngjalli shpresat te populli, se dikush po punon për çështjen e madhe të Atdheut, se ditët e mira patjetër do të vijnë.
Është më rëndësi të theksojmë, se anëtarët e Organizatës për Bashkimin e Trojeve Shqiptare, në krye të së cilës qëndronte Remzi Baloku, pati një vizion të gjerë e të avancuar dhe shumë ambicioz për kohën, ata u përpoqën të vejnë kontakte me organizatat e jashtme dhe ato që vepronin në vendin tonë, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve.
Mirëpo, përkundër dëshirës dhe përpjekjeve, kjo ide e madhe u realizua vetëm në një masë, jo aq sa synohej. Një nga shkaqet kryesore të mosrealizimit të kësaj ideje, ishte zbulimi i organizatës nga UDB-a jugosllave.
Zbulimi i organizatës dhe torturat çnjerëzore që iu bënë anëtarëve të saj, pastaj dënimet me burgime të gjata e të rënda, si dhe izolimi i tyre nëpër kazamatet jugosllave nuk arritën t’i thyejnë këta patriotë. Ata qëndruan përherë si shkëmb graniti në mbrojtjen e çështjes së madhe të lirisë, pavarësisë dhe të bashkimit të trojeve shqiptare.
Të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për Atdhe, kanë fituar pavdekshmërinë, do të jetojnë për jetë të jetëve, ndërsa patriotët e gjallë që luftuan për çështjen kombëtare, gëzojnë nderim dhe respekt nga populli.