E merkure, 30.04.2025, 05:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Zenun Fero: Polifini profilesh krijuese

E enjte, 31.03.2016, 08:10 PM


POLIFINI  PROFILESH  KRIJUESE

Pëllumb Gorica boton librin e ri “Fjalë muzash”

NGA ZENUN FERO

Niveli i qytetërimit të një shoqërie matet nga niveli i fjalës artistike. Pëllumb Gorica i përket brezit të autorëve, që ecin me besim në fjalët krijuese dhe peshën e mendimit. Ai kalon bukur nga poezia tek përjetime të tjera historike, që vërtiten rreth saj, ose që nuk kanë shumë lidhje me të. Herë shfaqet mediativ gjithë zjarr poetik, herë i ftohtë, duke rendur pas fakteve për të krijuar kështu brenda komunikimit me fjalën një dyshe harmonike. Ndaj e lexon qartë, se si rrinë pranë tij, kultura, poezia, lashtësia, traditat, vlerat,pasioni, përkushtimi,... Pra, fjala e shkruar e Pëllumb Goricës buron nga talenti, studimi dhe gjykimi objektiv, e që e ka bërë t’i kushtohet artit me pasion, dhe të gjej veten në të.

 Krijimtaria letrare e Pëllumb Goricës nis që në rininë e tij, por do të finalizohej në vitin 2009, me botimin e librit të parë monografik “Sulova e Poshtme në shekuj”. Në vitin 2014, Gorica boton librin e tij të dytë me poezi ‘‘Dallëndyshet e erës” dhe në vitin 2016 boton librin e tretë me përsiatje letrare “Fjalë muzash”.

  Kur e mbaron së lexuari librin e tij ‘’Fjalë muzash”, që s’të le të shkëputesh lehtë me ngjyrat prekese të meditimit, dhe mendimit të qartë e të thellë ndaj krijimtarisë së të tjerëve, e çmon sinqeritetin e tij, pasionin, mënyrën e të shkruarit art. Në fakt e kam lexuar këtë libër me shumë kënaqësi. Kisha kohë pa lexuar një libër të mirë, dhe dihet se librat e mirë lexohen e pëlqehen. Sot nuk janë të shumtë librat, që mund të lexohen deri në fund, por libri i Pëllumb Goricës me përsiatje letrare ‘‘ Fjalë muzash”, të josh për ta kërkuar, e për ta bërë pronë në biblotekën personale. Madje në këtë rast, mendoj se ky libër vlen sa për një raft biblioteke, me gjithë autorët, që janë përfshirë në të, 35, të gjinive letrare të ndryshme, e nga gjithë trojet shqiptare. Një polifoni interesante e profileve krijuese shqiptare. Në këtë kohë me prurje të shumta, pa hezitim mund të pohosh se është mençuri, që çdo shtëpi botuese të ketë një autor të tillë, të sjellin një krijim kaq përmbledhës.

  Titulli i librit “Fjalë muzash” është poetik, dashamirës dhe tërheqës. Fjala “muzë” e përzgjedhur në këtë libër ka kuptimin hyjnor. Janë nëntë muza, hyjnesha të Zeusit, që përkrahin degë të ndryshme të artit e të shkencës, sipas mitiologjisë grekë. Kjo fjalë është burimi i frymëzimit poetik, frymëzim të krijimeve letrare. Autorit Pëllumb Gorica i ka ardhur muza, dhe ky libër është “muza” e tij. Ndaj, vetë titulli i librit flet shumë, e që u kushtohet fjalëve të shpirtit, të poetëve, shkrimtarëve e studiuesëve. Ai që di të pasqyrojë të bukurën, e gjurmon atë aty ku ndodhet. Në letërsinë tonë, shpalimi i botës artistike të krijuesit, përmes aktit estetik të vlerësimit, në profilizime artistike të kësaj natyre, është prioritet i të gjithë atyre që kanë guxuar të shëtisin lëndinave të kësaj treve siç është arti. Pëllumbi nuk merr përsipër të bëj kritikun, por shprehet si një lexues inteligjent dhe qëmton atë, që atij i bëjnë përshypje në krijimet e të gjithë autorëve, të cilët ai vet i ka përzgjedhur për të realizuar “Fjalë muzash”, në këtë kohë kur kritikat bëhen me qoka. Ai me librin në fjalë qartëson gjetjet dhe risitë që sjellin autorët. Jam i mendimit se aq më shumë të promovojmë vlerat e poetëve, shkrimtarëve, aq me shumë artin, ata bëhen të njohur kur sintetizohet forca e fjalës.

  Të shkruash është e vështirë, për këtë Ernest Heminguej ka shkruar se: “të shkruash është si të shposh një shkëmb” Ndaj, Pëllumbi me thjeshtësi, vërtetësi dhe sinqeritet na ofron një libër interesant me përsiatje letrare. E ku ka më bukur se të përsiatësh vlera letrare. Është fjala e zgjedhur e autorit, dashamirësia për të nxjerrë në pah vlera me shkrirje të energjisë së tij, që natyrshëm janë gëluar në labirintet e librave për të kundruar tematikat e trajtuara, llojin e vargjeve, figuracionin, rëndësinë e monografive historike dhe botimeve mbresëlënëse, që ushqejnë e kultivojnë brezat. Në këto përsiatje letrare, që dëshmojnë kulturë dhe pjekuri artistike  natyrisht shprehet mendimi filozofik i një autori të formuar. Struktura e përsiatjeve letrare ka mendime të vyera dhe vlerësime të goditura, që përbëjnë një kërkim-pasion të dyfishtë depërtues: “si shpalosje e botës semantike - filozofike, nga njëra anë, por, edhe si shquarje e një vizioni meditativ në anën tjetër.” Kjo tregon para së gjithash se autori me aftësinë vëzhguese të njohjes së thellë, të brendësisë së ideve,të suazave artistike të krijuesëve, futet thellë në shpirtin e çdo libri, pastaj i bënë të dukshme të gjitha bukuritë, porositë dhe mençuritë që dalin nga ato. Përsiatjet janë shkruar me frymëzim, pasion, dhe me një stil të rrjedhshëm e të pasur gjuhësor. Ato janë të shkurtra, esenciale, që fillojnë e mbarojnë ku duhet, duke eleminuar inflacionin e fjalës dhe zgjatimin e mendimit. Kjo shikohet edhe në këndvështrimin tjetër të librit, mënyrën me të cilën janë shkruar, me intelekt e me diskursin të intepretimit, për të dhënë thelbin e të veçantave, të cilat sikur i japin jetë e frymë çdo vepre letrare. Natyrshëm përcillen mendime e ndjesi përshkrimesh me referenca vargjesh e fraza të autorëve. Ajo që i a shton vlerat këtij libri është se autori ka kultivuar shijen e leximit të koncentruar. Leximi i Pëllumbit është i pastër, është lexim krijues. Pëllumbi ka lexuar sistematikisht, librat e poetëve, shkrimtarëve, që në shumicën e rasteve “flenë” nëpër rafte librarish. Ai me altruizmin, që bashkohet me mjeshtërinë komentuese u ka dhënë dritën e duhur veprave, të çlirojnë shkëlqimin e tyre për lexuesin, e në fund të fundit figurën e plotë të narrativitetit apo magjisë poetike, që pa mëdyshje vjen nga përdorimi mjeshtëror i metaforave, simboleve, krahasimeve dhe epiteteve, sa të freskëta e absolutisht origjinal të autorëve. Duket sikur nuk njeh vetëm fjalën e artë, por edhe shpirtin e poetëve, shkrimtarëve, një nga më të pasurit që ka krijuar natyra. Nuk ka gjë më bukur se të lexosh vlerësime për poezitë e Milianov Kallupit, Iliriana Sulkuqit, Agim Bajramit, Mëhill Velajt,etj, fjalët e tyre të tejpasura me figura letrare dhe kontributin që kanë sjellë në letërsinë shqipe.

 Le të bredhërojmë nëpër rreshtat e këtij libri me disa momente të vogla:

  “Poezia e Iliriana Sulkuqit është gëzimi dhe brenga, blerimi dhe thatësira, jeta dhe vdekja, njerëzorja dhe antinjerëzorja. Fluturon mbi krahë ëndrrash në thellësi horizontesh dhe kur duket se nuk ka më rikthim ajo shpejt zgjat dorën dhe kap një brengë nëne ose bisedon me një pemë dhe çuditet se si ajo ruan virgjërinë në këtë kohë të trazuar. Ajo futet në arsyetime filozofike, udhëton në shtigje të panjohura galaktikash pa u shkëputur asnjë çast nga realiteti i përditshëm, dhe nuk harron se mbi të gjitha është njeriu që i jep kuptim jetës e vdekjes. Aty ajo gjen edhe ferrin edhe parajsën, zbulon përditë në origjinën mistike të prejardhjes së njeriut, gabimin e Evës ndaj superioritetit mashkullor të Adamit, dhe ndeshjen e madhështisë midis dritës e errësirës, që kanë qenë gjithmonë në shekuj në konflikt argumentues.” Rrëfim  për moshën  e  ëndrrës (“Qirinjtë e Galaktikës”e Iliriana Sulkuqit)

Nganjëherë poezia e tij duket sikur është e mbushur me nervozizëm dhe do të shprehë një sfidë ndaj jetës me kryeneçësinë e saj, por kjo thyhet shpejt nga ëmbëlsia poetike, që është e shkrirë në gjithçka që ka jetë, dhe është njerëzisht e pashmangshme. Edhe kur kallëzon padrejtësinë e një shtetari, edhe kur ndez kalimthi një cigare në udhë e sipër, edhe kur i merret goja t’i shfaqë dashurinë vajzës që do, edhe kur ulet në tryezë e pi një dopio raki me shokët, ai reflekton sinqeritet dhe rrezaton dashuri jete. Mbrëmja e dashurisë që puthet veç me metafora (Mbrëmje të puthura”, vëllim poetik nga Agim Bajrami)

Kujtimet s’mund të konceptohen kurrë si ditarë të grisur, e të mbuluar me pluhur kohor, sepse ata janë jeta jonë e jetuar, krahë ëndrrash që fluturojnë në qiej kaltërsish. Edhe pse kohë e shkuar ato të grisura herë zvarriten, herë kthehen në det zhgënjimi, herë mallëngjehen nën rrezet e një hëne të zbehtë, dhe herë mundohen të fshihen nën një çadër çiftërore, duke ndezur mjedis dashurish me nota të thjeshta çiltërsie, dhe duke shëndërruar brenda një çasti gjithçka, që i nevojitet botës së ndezur njerëzore. A duhen grisur kujtimet ? ! ... (Vëllimi poetik “Kujtime të grisura” nga Anxhela Mazhi)

Jeta e njeriut është një labirinth të fshehtash e të panjohurash, fantazish e meditimesh, ndjenjash dhe ndërlikimesh, në të cilat njeriu mundohet vazhdimisht të depërtojë në to, por të vërtetën e madhe e kupton vetëm në fund, kur i soset gjithçka dhe ai e mbyll me një skepticizëm të pashpjegueshëm: “Ikën vitet sikur s’qenë”. Duke pranuar se njeriu në vetvete është një labirinth dhe se jeta që jetojmë  është gjithmonë një “Tunel”, që here - herë nuk ka dritë në fundin e tij, shkrimtari  nga Kumanova, Burhanedin Xhemaili në librin me tregime “Në fund të tunelit”, nuk  e pranon psikologjinë e atyre që i vret mendimi se “kjo jetë është e kotë”. Ka gjithmonë dritë në fund të tunelit (Libri me tregime “Në fund të tunelit”, i shkrimtarit Burhanedin Xhemaili)

Shumë histori janë zhdukur nga kujtesa, ashtu sikundër edhe një ditë do të treten në harresë, por brezat e ardhshëm të Darzezës duhet të dinë se nga vijnë, e kush janë. Darzeza e braktisur e përmbytur dhe e reja mbushur edhe me një motiv të ri jete, po shkruan historinë e vazhdimësisë në bregun e Adriatikut. Janë dy gjëra të ndryshme, por të lidhura me njëra – tjetrën. Ky libër nuk është thjesht një histori e këtij vendbanimi, por diçka më tepër se një monument i ngritur me shpirt e dashuri për njerëzit e thjeshtë. Darzeza nuk duhet të mbetet kurrsesi një kujtim i shkuar. Një monografi për të kujtuar Darzezën (“Ishte! Darzeza e Re” monografi nga Fatmir Miraka)

   Poeti Dritëro Agolli në shkrimet e tij ka theksuar se: “Ata që shkruajnë kanë qejf t’i lavdërojnë”, por Pëllumb Gorica në bisedat e këndshme nuk ka dëshirë ta lavdërojnë e as nuk mburret me librat që ka botuar, por as edhe me librat që ka lexuar. Ai ka përgatitur këtë libër, dhe mirënjohja u përket vetëm autorëve dhe krijimtarisë së tyre. Ai ka parasysh thënien e Niçes se: “kemi artin për të mos vdekur e vërteta”. Përpjekja për të bërë diçka është ushqimi i shpirtrave fisnikë, dhe autori është fisnik. Shpirti artistik qëndron thellë brenda qenies së njeriut, duke e lartësuar atë. Sot në moshën e thinjave ai e zbukuron fjalën e tij artistike me karakterin, dhe tiparet e njeriut të dashur e të respektuar. Janë këto cilësitë më të mira të një njeriu të tillë, dhe privilegj për këdo që dëshiron ta njohë. Kjo e bën të nderuar, dhe të ndihet mirë me veten dhe të tjerët që e rrethojnë. Ndaj, s’është e domosdoshme të shfaqesh ndryshe nga ai që je. Dhe nuk ka se si të mos e admirosh mënyrën e tij të shkruarit.

  Nuk kam ndërmend të përmend vlera të tjera të librit në fjalë dhe të autorit. Librat, natyrisht kanë edhe mangësi të diskutueshme, por të kuptojmë thënien fisnike të dijetarit tonë Pjetër Bogdani: “Edhe dielli nuk është pa njolla, edhe hëna nuk është pa mjegull”. Në këtë libër duhej të kishte doza të theksuara për vlersime kritike rreth veprave, që këtu është modeste e në kufij minimal, por, edhe prezantime autorësh tepër të njohur e që lexohen shumë. Pra, mund të kemi mendime të ndryshme për autorin, por kryesorja është se ai ka shkruar një libër me peshë në shprushjen e ndijimit krijues.

   Sado që të shkruash për librin “Fjalë muzash’’, fjalën e fundit do ta thotë vetë lexuesi. Fati i librit të autorit Pëllumb Gorica është në duart e lexuesve. Kalon dorë më dorë, lexohet tregohet e ritregohet. Sinqerisht e falenderoj autorin për kënaqësinë që më dhuroi me leximin e librit “Fjalë muzash”, por edhe, nëpërmjet vargjeve të shkruara, hulumtimeve historike dhe udhëpërshkrimeve, të cilat ai i ka mbrujtur me mendime e ide të këndshme nga thesari shpirtëror dhe pasioni i tij. Duke i mbyllur këto shënime, dëshiroj t’i uroj autorit, suksese të tjera në udhën e krijimtarisë!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx