Kulturë
Kadri Kadiu: Gjërat ndodhin pa tregohen
E enjte, 31.03.2016, 08:00 PM
GJËRAT
NDODHIN PA TREGOHEN
Nga Kadri Kadiu
Meqenëse xheku kam shkruar ndonjë gjë nga mbresat e mia të jetës, disa shokë e miq shpesh më thonë: "Po hë, na shkruaj për ndonjë qyfyr të ri"? Ca herë unë iu jam përgjigjur se nuk jam qoftexhi që t'i nxjerr qoftet në sëri, të ngrohta nga zgara e qofteve, mirëpo ja që disa shokë të mi, si puna e Shyqyri Fejzos, Meti Fidanit, Almir Dulos, Bledi Mirës e Fehmi Aliajt, nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre.
E ja, për qejfin e tyre, unë po filloj të shkruaj një cikël me cikërrima nga jeta jonë socialiste, deri sa t'i mërzis e të mos më lexojnë më. E kam thënë edhe tjetër herë se unë nuk rroj me ëndra por rroj me kujtime, kështu që nuk ka çare për të shkruar diçka pa kujtuar e pa marrë nëpër gojë njerëzit që kam njohur e që më ka lidhur puna. Disa nga këta janë gjallë, por ka dhe të vdekur por që bëmat e tyre ama kanë mbetur. E me që koha ka rrjedhur e kanë kaluar goxha vite, çfarëdo që të tregoj unë nuk bie në gjynah pasi ato bëma, qofshin për mirë apo për keq, tani janë parashkruar, domethënë janë shlyer, nuk quhen më, nuk i zë më as ligji.
Për sot po e filloj me ca qyfyre të katër kryetarë bashkish apo siç quheshin në kohën tonë kryetarë të komiteteve ekzekutive të rretheve:
1. Dhomë për të pjerdhur
Një kolegu im në Ministrinë e Bujqësisë më tregonte një ndodhi të babait të vet: Babai i tij ishte një nëpunës i thjeshtë në Postë-Telegrafën e Tiranës. Familja e tyre përbëhej nga dy prindërit dhe tre fëmijë, pra ishin pesë veta. Kishin një apartament dhomë e guzhinë kështu që ndjeheshin ngushtë. Babai kishte bërë disa herë lutje në Lagje që t'i jepnin zgjerim por pa rezultat. Më në fund, në vitin 1960, babai i këtij shokut tim i kërkoi takim Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethi Tiranët, Irfan Çelkupa. Pasi ia parashtroi Kryetarit gjendjen numerike të familjes, për ta argumentuar edhe më mirë nevojën për zgjerim të strehimit, babai dha edhe një arsye suplementare duke thënë: "Shoku Kryetar; më fal për shprehjen por unë kam dhe një arsye personale, unë kam shumë gazra dhe duhet të fle veçan".
Irfan Çelkupa kaq deshte dhe ia previ shkurt: " Ore zotëri, i tha, ne nuk kemi t'iu japim njerëzve dhomë për të fjetur, ti dashke dhomë për të pjerdhur", dhe e përcolli duarbosh.
Ky Irfan Çelkupa ka qenë kuadër i vjetër që nga lufta dhe kish kaluar në shumë detyra pas çlirimit, kishte njohje e koefidencë me udhëheqjen e lartë, ndërmjet tyre dhe me Kryeministrin Mehmet Shehu. E kishte thirrur një ditë në Zyrë Mehmet Shehu për të raportuar për zbatimin e detyrave. Në fund të raportimit Mehmeti i tha: "Po mirë mo Irfan, po shiko një çikë edhe shëndetin se sa herë që më del përpara, më të dobësuar të shikoj".
" O shoku Kryeministër, i kish thënë Irfani, po a mundet që një qingj të shëndoshet duke ia nxjerrë çdo muaj përpara ujkun? Ja, edhe kjo puna ime kështu është, sa filloj e marr veten unë, ti më thërret në raport dhe unë nga 3-4 kile përnjëherësh firoj".
2. Vigani, Luani dhe Çakalli
Jashar Menzelxhiu, edhe ky një kuadër i vjetër i luftës, për periudhën 1984-1985 ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Nënkryetar të Komitetit kishte Luan Shahun dhe Shef Bujqësie kishte Vigan Korritën. Një shoku im, Dionis Çakalli, në atë kohë ishte Kryetar i Kooperativës së Bërzhitës, mirëpo Komiteti i Partisë i Rrethit kish menduar që Dionisin ta ngrinte me përgjegjësi duke i dhënë ndonjë funksion në Komitetin Ekzekutiv, kurse në Bërzhitë, në vend të Dionisit më emëruan mua Kryetar Kooperative. Kur i thanë Jasharit që Dionis Çakallin duhet ta marrësh në Komitet, ai iu përgjigj: "Po mirë mo, silleni, përderisa unë kam një luan e një vigan, duhet të kem edhe një çakall këtu në Komitet".
Ky Jashar Menzelxhiu, para se të vinte në Tiranë kishte qenë për një kohë të gjatë në Elbasan në detyrat Sekretar i Parë dhe Kryetar Komiteti Ekzekutiv. Aty nga viti 1980 në Rrethin e Elbasanit, në muajin qershor, ra një breshër aq i madh sa që e rrafshoi gjithë bimësinë, grurë, misër, duhan, perime e gjithçka, madje pemët i xhveshi dhe nga gjethet. Për situatën alarmante të krijuar pas breshërit, shkoi në Elbasan edhe vetë Kryeministri Mehmet Shehu. Hyri në Zyrën e Jasharit, e takoi dhe i bëri pyetjet e zakonshme: "Si je Jashar, si i ke nga shtëpia, si e ke gruan, fëmijët, si jeni me problemet e ekonomisë e të bujqësisë, si jeni me masat organizative për përballimin e pasojave të breshërit...etj ".
Pas çdo pyetjeje të Kryeministrit Jashari jepte të njëjtën përgjigje, duke thënë "mirë, mirë, mirë... ".
"Ore; i tha Kryeministri, por kur juve qenki kaq mirë atëhere unë kot paskam ardhur këtu".
E po shoku Kryeministër, përgjigja e parë që jepet kur të pyesin se si je- është fjala "mirë" dhe pastaj tregohen hallet. Ja, tani unë po i përgjigjem me radhë të gjitha pyetjeve që më bëre:
Më pyete se si jam me shëndet; po të them se tensioni i gjakut më ka shkuar njëzet.
Më pyete se si e kam gruan; po të them se e kam të shtruar në spital.
Më pyete për fëmijët; po të them se të gjithë me grip janë dhe ka një javë që s'kanë shkuar në shkollë.
Më pyete për ekonominë. Katran me bojë jemi. Që nga Kombinati Metalurgjik e tërë ndërmarrjet industriale, me gjysmë kapaciteti punojnë për mungesë lëndësh të para.
Më pyete për bujqësinë; po të them se për sivjet nuk do të kemi as korrje-shirje e as vjelje në vjeshtë.
Ja, kështu jemi o shoku Kryeministër.
3.Kush janë tanët?
Për një periudhë disavjeçare, në vitet 60, në Rrethin e Korçës Kryetar i Komitetit Ekzekutiv ishte Miti Rapo kurse Sekretar i Parë i Partisë ishte Mihallaq Ziçishti. Unë në atë kohë kam qenë agronom i mesëm në Kooperativën e Vranishtit.
Në përgjithësi punët në Korçë shkonin mirë dhe për këtë kishte meritë edhe Udhëheqja e Rrethit. Në atë kohë edhe Skuadra e Futbollit e Rrethit, e cila mbante emrin "Puna e Korçës" ishte goxha në nivel të mirë (siç është edhe sot "Skënderbeu i Korçës"), kështu që na erdhi një herë në Korçë për të zhvilluar një ndeshje miqësore një ekip futbolli me emër nga Gjermania Lindore. Meqenëse ishte një ngjarje e rëndësishme pasi në Korçë do zhvillohej një ndeshje ndërkombëtare, erdhën që nga Tirana edhe disa Funksionarë nga Federata e Futbollit, nga Ministria e Arsim- Kulturë-Sportit, etj. Duhej patjetër që në Tribunën e Fushës së Sportit të Korçës të ishte edhe Udhëheqja e Rrethit kështu që shkuan edhe Mihallaq Ziçishti e Miti Rapo. Në Tribunë, krahas të ardhurve nga Tirana dhe Udhëheqjes së Rrethit ishte dhe një miku im gazetar, Jorgji Mihali, i cili ishte korrespodent i Gazetës "Bashkimi" për rrethet Korçë, Pogradec e Kolonjë. Miti Rapo e deshte shumë Jorgjin kështu që e mbajti në krah të tij.
Filloi ndeshja, topin e zotëronin herë gjermanët e herë korçarët; tifozët bënin herë pas here ovacione e duartrokitje mirëpo shoku Miti nuk kish qenë më parë në ndonjë ndeshje futbolli dhe nuk po orientohej dot se kur duhej të gëzohej e kur duhej të hidhërohej kështu që pas nja një çerek ore të vazhdimit të ndeshjes e pyet Jorgjin: " O Jorgji; kush janë tanët"?
Ky shoku Miti Rapo, në vitet 70-të ishte përsëri Kryetar Komiteti por në Rrethin e Lushnjës. Unë në atë kohë kam qenë pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës. Për të qenë sa më të lidhur me praktikën e prodhimit, ne pedagogëve na duhej që të ndiqnim sa më shumë seminare apo aktive që bëheshin nëpër rrethe për problemet e zhvillimit të bujqësisë. Më rastisi që nga viti 1972 ose 1973 të merrja pjesë në një aktiv ekonomik që zhvillohej në Lushnjë, nga mesqershori, lidhur me përgatitjet për fushatën e korrje-shirjeve. Merrnin pjesë në atë aktiv gjithë drejtuesit e fermave dhe kooperativave bujqësore të Rrethit Lushnjë, drejtuesit e SMT-së (Stacioni i Makinave e Traktorëve), kombajnerë e traktoristë por edhe drejtues nga ndërmarrjet e tjera të Rrethit, pasi edhe ato kishin detyra për të ndihmuar në këtë fushatë. Diskutuan me radhë Shefi i Bujqësisë së Rrethit, Drejtori i SMT-së, kryetarët e kooperativave e drejtorët e fermave dhe në fund e mori fjalën Shoku Miti: Pra, shokë e shoqe, tha shoku Miti, siç e theksuan dhe shokët që diskutuan, ky muaj do të jetë muaj sulmi për të gjithë ne, duhet të qendrojmë ditë e natë në krye të detyrave në mënyrë që brenda muajit ta përfundojmë me sukses fushatën e korrje-shirje-grumbullimit dhe të mos lemë të na shkojë dëm asnjë kalli gruri. Dhe ja ku po ju paralajmëroj: "Mos ju shkojë mendja që të lini fushatën dhe të vini për të parë ndeshjet e Skuadrës së Futbollit "Traktori i Lushnjës".
Kur tha këto fjalët e fundit, në sallë u dëgjuan të qeshura, ndërsa Sekretari i parë, Iljaz Reka, e zuri për pale të xhaketës e i tha: "Ulu o shoku Miti, ulu se Kampionati i Futbollit mbaron në fund të majit e tani jemi në qershor".
4.Ç'e kini këtë bej?
Në vitin 1967, sapo mbarova fakultetin, më emëruan Kryeagronom të Korpusit Ushtarak të Veriut pasi Ushtria në atë kohë kishte disa ndërmarrje bujqësore ushtarake (NBU) për prodhimin e produkteve bujqësore e blegtorale. Gjithë muajin maj të atij viti unë e kalova në bjeshkët e Shishtavecit të Kukësit ku kishim hapur toka të reja. Ishim rreth 100 ushtarë, oficerë e zborista që mbillnim, me shatë, patate. Jetonim në kushte fushimi, të strehuar në çadra. Ishim në lartësi të mëdha, bënte ftohtë e frynte erë, sidomos në mëngjes e në mbrëmje. Ushtarët e oficerët ishin të veshur mirë dhe mbanin edhe pallto ushtarake. Edhe zboristët ishin gjithashtu të veshur mirë, me rroba të trasha, karakteristike të zonës së tyre. Nga ana e veshjes unë isha më fukarai, kisha roba të holla dhe shyqyr që mu ndodh një pardesy prej doku kinez të cilën e kisha që kur isha student.
Një ditë na vjen për të na vizituar Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Kukës, Mëhill Doçi. Kishte me vete një suitë pushtetarësh e sejmenësh. Filloi të na takojë një nga një, oficerë e ushtarë. Kur arriti tek unë i bëri përshtypje pardesyja ime, ma dha dorën me nenvlerësim dhe më qesëndisi duke iu drejtuar Komandantit të Reparti: "Po këtë bej ç'e kini"?
Më vravi shumë ajo fjalë dhe nuk e harrova gjithë jetën, unë i shkreti sa kisha dalë nga bankat e shkollës, nuk kisha marrë akoma rrogën e parë, laj e thaj atë copë pardesyje kisha dhe mbështillesha me të për tu mbrojtur nga era se për ngrohtë nuk bëhej fjalë.
Për herë të dytë Mëhill Doçin e kam takuar në fillim të viteve 70 në Ndërmarrjen Bujqësore të Vorës në një seminar kombëtar që zhvillohej për blegtorinë. Në seminar merrnin pjesë drejtues të ndërmarrjeve bujqësore e të kooperativave, specialistë të blegtorisë si dhe kryetarë të komiteteve ekzekutive të rretheve. Në atë kohë unë kam qenë pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor kështu që mora pjesë edhe unë në atë seminar. Ndërmjet të tjerave aty u fol edhe për metodën e mëmëzimit artificial të viçave. Kjo metodë konsistonte në atë që viçat nuk do të pinin më qumështin direkt tek gjiri i mëmës lopë por qumështi do u jepej për ta pirë në kova të posaçme. Zootekniku i Ndërrmarrjes po na shpjegonte se qumështin, para se t'ua jepnin viçave, e kalonin në skrematiçe për t'ia hequr një pjesë të yndyrës pasi qumështi i skremuar ishte më i shëndetshëm për viçat. Pastaj, tha zootekniku, në varësi të moshës, secilit viç i japim 4-6 litra qumësht. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Kukësit, Mëhill Doçi, kur dëgjoi se çdo viç aty pinte deri 6 litra qumësht në ditë, nuk u përmbajt e thirri: "Ore po qënka më mirë të jesh viç në Vorë sesa Kryetar Komiteti në Kukës". Ç'u tha në atë seminar, të gjitha u harruan, vetëm kjo thënie nuk u harrua.
Pas vitit 90, kur Mëhilli ishte pensionist, e takoja shpesh në Tiranë, madje kam pirë edhe disa herë kafe dhe kam biseduar shtruar me të. Nuk mund të mos ia tregoja edhe shqetësimin që më kish shkaktuar një herë e një kohë.
Ehu mor djalë, më tha, sa budallallëqe mund të kemi bërë në jetë ne, nuk i mbajmë mend të tëra.