E hene, 29.04.2024, 04:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Viron Kona: Zogjtë nuk kanë frikë

E premte, 01.04.2016, 08:00 PM


Zogjtë kanë filluar të mos kenë frikë

Shkruan Viron Kona

Teksa qëndroja pranë dritares së dhomës së hotelit Sköna Nätter1). të Borås-it e  i gëzohesha bardhësisë së dëborës që kishte rënë gjatë natës, më shkuan sytë te parvazi matanë dritares, ku dukej një zog i vogël që, i mbledhur grusht nga të ftohtit, qëndronte strukur te cepi i parvazit. Kur më pa, ngriti kokën dhe nisi t`i binte xhamit me sqep: tak, tak, tak..., njësoj si udhëtari që troket dhe pret që ta ftosh të futet brenda. Hapa ngadalë dritaren dhe, zogu, duke lëvizur me ngathtësi këmbët e vogla e thuajse të ngrira, u fut i sigurt në dhomë bashkë me një rrymë të ftohtë ajri. Afrova duart tek ajo qenie e brishtë, e cila më shihte ngultas me sytë e vegjël e të pafajshëm dhe e mbajta një copë herë në dy pëllëmbët e mia të mbledhura në formë kupe. Më bëhej se vështrimi i zogut po më shprehte falënderim që po i ofroja mikpritje. Një skenë  të tillë e kisha përjetuar edhe në Budapest, në vitin 1987, kur kisha shkuar për kurim shëndetësor në një klinikë universitare. Edhe atëherë, pas xhamit të dritares përballë me shtratin tim, ishte shfaqur një zog i vogël që dridhej nga të ftohtit. E mora  zogun brenda në dhomë dhe, që atëherë ai u bë mik me mua. Vinte thuajse çdo mëngjes dhe trokiste me sqep te xhami i dritares. E merrja brenda dhe e ushqeja, teksa përshkohesha nga ai gëzim dhe ajo kënaqësi që ndjen kur i gjendesh tjetrit në hall  e në vështirësi...

Ndërkaq, i ofrova mikut tim të ri dhe të vockël një biskotë që e thërrmova  mbi një letër të bardhë. Zogu nisi ta çukitë ushqimin ngadalë dhe, herë – herë, ngrinte kokën e vogël dhe më shikonte në sy. Thuhet se zogu nuk e ka shqisën e të nuhaturit dhe të  shijes, por mua po më dukej se ato thërrime biskotash po i shijonin, madje ai edhe po argëtohej sepse nisi të kërcente nga tavolina në karrige e krevat, pastaj nisi të bënte rrathë fluturimesh nëpër dhomë, duke cicëruar hareshëm si të më ftonte edhe mua në atë lojë zogjsh... Kur disa rreze dielli depërtuan në xhamat e trashë të dritares, ai drejtoi vështrimin jashtë. Me një fluturim të lehtë, u gjend te xhami dhe trokiti përsëri me sqep: tak-tak-tak... Donte të dilte. Hapa dritaren dhe, miku i im i vockël i atij mëngjesi, pasi cicëroi përsëri me shikim nga unë, u lëshua shigjetë    qiellin e tij.

Dola përpara hotelit. Temperatura shënonte 0 gradë Celsius, por ngaqë nuk frynte erë, i ftohti ishte i pranueshëm. Nga kjo kohë e qëndrueshme kishin përfituar dy miq të mi, të cilët ishin ngritur më herrët dhe po luanin me topa bore. Duket se loja me dëborë përfshin të gjitha moshat, të vegjël dhe të mëdhenj. Nuk dihet se si ka lindur kjo lojë e gëzueshme. Mbase nga gëzimi që sjell dëbora, me bardhësinë dhe pastërtinë e saj... Në mjaft vende të botës, dëbora, ose nuk bie fare, ose bie rrallë dhe, në ato vende, sigurisht që njerëzit kanë më shumë arsye t`i gëzohen  rënies dhe shenjtërisë së saj. Dëbora është e mirëpritur, por me masën e duhur. “Dëbora është e zezë”, - thoshte Anaksagora, - duke pasur parasysh ato raste kur ajo mbulonte e shkatërronte  gjithçka me ortekët dhe stuhitë e fuqishme, kur shkaktonte viktima në njerëz dhe në botën e gjallë. Nuk e di, në Suedi, por, në Veriun e Shqipërisë, dëbora shpesh herë është bërë shkaktare e fatkeqësive të rënda, ndërkohë që ka vënë në provë njerëzit që të tregojnë forcën dhe solidaritetin e  tyre. Në Dibër, në dimrin e ashpër të vitit 1985, një grup i madh njerëzish u kapën dorë më dorë, formuan një zinxhir të fortë duarsh e trupash rreth 30-40 metra të gjatë dhe zbritën deri në thellësinë e një gremine për të nxjerrë prej atje shokun  tyre që e kishte vërtitur orteku... Gjithsesi, dëbora që po shoh sot këtu në qytetin Borås po më shkakton emocion dhe kënaqësi. Është e bukur! Ja, miqtë e mi vazhdojnë të  dëfrehen duke gjuajtur njëri-tjetrin, duke qeshur e thirrur si fëmijë të lumtur...

Isha në pritje të mikut tim, drenicasit shtatlartë e të talentuar, poetit të mirënjohur dhe mikpritësit Sokol Demaku, (që prej vitit 1999, banorë i qytetit të Borås-it). Me Sokolin do të shkonim në festimet e 5-vjetorit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” e ku ai ishte ndër organizatorët kryesorë.... Nisa të shëtis në mjedisin përqark hotelit. Vëmendjen time, kësaj here, e tërhoqën një tufë patash të egra, që drejtimin e kishin nga lindja  e diellit. Kisha lexuar shumë për patat e egra dhe fluturimin e  tyre në formë V-je. Ato fluturojnë shumë lart, deri në  8.000 metra lartësi.  Patat më të fuqishme vihen në krye të shkronjës V, në mënyrë që të çajnë ajrin dhe, që, t`ua bëjnë më të lehtë fluturimin patave më të vogla apo më të dobëta. Nuk e largoja dot vështrimin nga patat dhe formacioni i tyre lëvizës. Një “solidaritet” i mrekullueshëm, që të habitë e të befason me bukurinë e figurave që krijojnë në qiell, por edhe me instinktin dhe intuitën. Ata shpendë të rrallë, “dinë” të orientohen dhe të bëjnë fluturime tepër të gjata, të kapërcejnë rreziqe të shumta dhe të përballojnë bashkërisht vështirësi dhe të papritura të motit dhe të grabitësve të qiellit...

Befas, më shkuan sytë te një kaçube, ku  disa lule të rralla e të bardha kishin çelur duke i dhënë hijeshi dhe gjallëri mjedisit. Mes barit dhe luleve, aty këtu lëviznin zogj, që kërcenin midis degëve e shkurreve dhe kërkonin ushqim. Ajri i ftohtë sikur ngrohej nga cicërimat e tyre  të ëmbla... -Mbase, - thosha me vete, - mes këtyre zogjve ndodhet edhe zogu i vogël, miku që trokiti në dritaren e dhomës sime dhe më bëri vizitë atë mëngjes. Por nuk e dalloja dot, sepse zogjtë ishin gjithnjë në lëvizje dhe shtoheshin... Herë-herë disa fluturonin diku te hyrja e hotelit, ku ndodhej një kafaz i hapur e ku punonjës të hotelit hidhnin thërrime ushqimi, kurse zogj të tjerë parapëlqenin ta kërkonin vetë ushqimin. U kujtova se një kafaz të ngjashëm mbante edhe Sokoli në oborrin e shtëpisë së tij e që unë e kisha fotografuar.

-E kemi ndërtuar për zogj, por, aty, gjatë netëve të dimrit të ashpër, mund të gjejnë strehë edhe ata zogj kalimtarë  që vijnë nga larg dhe i zë nata këtu. Kanë mundësinë që, në kafaz, të qetësohen, të shuajnë urinë, por edhe të mbrohen nga të ftohtit...Kafaze të tillë, në Borås janë të shumtë...

Ndihesha i emocionuar. Këtu merren në mbrojtje të gjitha gjallesat, - thosha me vete, - veçanërisht ato që janë  më delikate, më të brishta, ato që kanë më shumë nevojë për mbrojtje ...zogjtë, pëllumbat... Ata ndjejnë se njerëzit i duan, prandaj nuk kanë frikë.

Preokupimi i suedezëve është i natyrshëm dhe i përhershëm për të gjitha gjallesat. Këtu shkon shumë thënia se, shkalla e civilizimit dhe e qytetërimit të një kombi, duket në kujdesin dhe respektin që tregon ndaj kafshëve dhe shpendëve. Prandaj ndodhi që, banorët e qytetit të Borås-it u  shqetësuan edhe për një lepur, i cili u largua fshehurazi nga parku zoologjik i qytetit, doli serbes nëpër rrugë e bulevarde, por, dikush, sigurisht ndonjë fëmijë, e plagosi duke e gjuajtur me gur...Edhe gazetat shkruan për plagosjen e lepurit, për kujdesin që u tregua për shërimin e tij... Banorët e qytetit u tronditën, veçanërisht kur treni në ecje e sipër goditi aksidentalisht  një dre që kishte kapërcyer gardhin e parkut zoologjik. Trafiku hekurudhor u  ndërpre disa orë,  u debatuar shumë pse ndodhi ai aksident... Dukshëm u shfaq preokupimi edhe kur njëri nga ujqërit kaloi nga pylli suedez në atë norvegjezë...Pas disa ditësh, ujku parapëlqeu të kthehej përsëri në vendlindje... Sikurse, përmendej shpesh herë gëzimi i madh i banorëve të Borås-it kur nëna arushë e parkut zoologjik më në fund...lindi. Ato ditë parku zoologjik i qytetit, pati vizitorë, kameramanë dhe fotografë si asnjëherë tjetër. Ishin me qindra ata që shkonin t`i shprehnin gëzimin dhe urimet nënës arushë që lindi dy vogëlushë topolakë e simpatikë, ndërsa nuk munguan as tortat e urimit...Teksa, në qytetin fqinj me Borås-in, banorët dhe autoritetet përdorën motopompa të fuqishme me ujë të ngrohtë për shkrirjen e akullit të liqenit, në mënyrë që të krijohej hapësira e nevojshme e ujit që patat dhe rosat të notonin sa më lirshëm, të ndiheshin sa më mirë...

Ndihem i përfshirë nga emocioni, ndërkohë që ndjej së brendshmi edhe një gëzim të pa-rrëfyer e shpresëdhënës kur sjell ndërmend që, edhe në vendin tim, tashmë ka më shumë vëmendje e kujdes për gjallesat, për kafshët e shpendët, për qentë, macet, për zogjtë, pëllumbat, lejlekët, mjellmat...Kur ra zjarr në malin mbi qytetin bregdetar të Shëngjinit, zogjtë e pyllit të alarmuar nga flakët dhe tymi morën arratinë. Disa u vërtitën mbi Ishullin Lezhë dhe, një tufë, qëndruan mbi çatinë e shtëpisë së mikut tim, gazetarit të njohur  Fran Gjoka. Frani i kishte vënë re dhe, bashkë me ushqimet që shpërndante në oborr për shpendët e tij shtëpiakë, kishte “ftuar” në ato vakte edhe zogjtë e malit. Në fillim me ndrojtje dhe frikë, pastaj me më shumë guxim, ata u afruan dhe nisën të çukisnin ushqimin  bashkë me shpendët shtëpiakë.

Kështu vazhdojnë edhe sot, kurse, miku im i mirë Frani, i mirëpret dhe i gostitë me gëzim e kënaqësi... U  shqetësuan shumë edhe banorët e Llakatundit të Vlorës kur çifti i lejlekëve që vinte për vit në lisin në qendër të qytezës, ngaqë foleja e tyre u shkatërrua nga një stuhi e fuqishme, ata u larguan dhe s`po dukeshin të vinin. Atëherë, disa nga banorët më të pasionuar dhe më të merakosur për lejlekët, ndërtuan një fole me dru e kashtë, atje ku kishte qenë e mëparshmja. Mëngjeseve dhe mbrëmjeve dilnin te qendra e qytezës dhe me shikim nga lisi prisnin me ankth gjersa çifti i lejlekëve erdhi dhe u vendosë në folenë e re, duke gëzuar fshatin, banorët e  tij e veçanërisht fëmijët... Edhe pelikanët kaçurrelë të Karavastasë nuk vriten më me çifte e pushkë si përpara disa vitesh...

Kemi të drejtë edhe ne të gëzohemi me shenjat që po shfaqen për kujdesin ndaj kafshëve dhe shpendëve. Njerëzit kanë filluar të tregohen më miqësorë. Tashmë, askush nuk habitet kur zogjtë dhe pëllumbat na ngatërrohen nëpër këmbë, fluturojnë afër nesh, veçanërisht pranë fëmijëve, marrin ushqime dhe ledhatime nga duart e tyre të vogla, përzihen dhe luajnë...Zogjtë kanë filluar të mos kenë frikë...

1) Sköna Nätter (net të qeta).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora