Kulturë
Dea Halimi: Baleti
E diele, 03.04.2016, 11:11 AM
Dea Halimi
Baleti
Blertës i kishte blerë mamaja një palë pupa të baletit. Ajo e lumtur shtrëngoi në dorë pupat dhe menjëherë u nis të vinte tek unë.
- Dea, eja të vallëzojmë balet, - tha Blerta.
- Oh, Blerta, por unë ende nuk i kam përfunduar detyrat e shtëpisë, - ia ktheva.
- As unë, por ngaqë mami më kishte blerë pupa të baletit dua të vallëzojmë pak, - tha ajo e i mbathi pupat dhe filloi të bëjë ca hapa. Ajo e dinte se dhe mua më pëlqente baleti.
- Mirë, - i thash, - do të bëjmë balet për gjysmë ore e pastaj, dua t`u kthehem detyrave të shtëpisë.
- Unë do të bëj balet si një mjellmë e bardhë, - tha Blerta. - Ja dhe pupat i kam të bardha. Shikoji se si shkëlqejnë.
- Shkëlqejnë ngjyrë rozë dhe pupat e mia, - ia bëra, - ashtu siç ndrisin pupat e Zhizelës...
- Pse? Ti do të jesh Zhizela?!
- Po, dua të jem Zhizela.
- Ajo, Dea, ndoshta ke harruar... ka përfundim tragjik!
- Unë do t`ia dal ta mund mbretëreshën e borës dhe të akullit!
Lëshuam muzikën dhe filluam të bëjmë balet.
- Ti lëshove muzikën e Zhizelës, - tha Blerta.
- Bëjmë balet më të përsosur me këtë muzikë.
- Jo. Lëshoje muzikën për mjellmën e bardhë, për Odetën. Atë e dua unë, - tha Blerta.
- Nuk kam muzikë tjetër përveç këtë, të Zhizelës, - ia ktheva.
- Si nuk ke?!
- E pëlqej këtë, Blerta dhe nuk lëshoj muzikë tjetër.
Ajo largoi pupat nga këmbët dhe iku me hidhërim.
- Çfarë pati, pse iku kështu, - tha mami nga po hynte në dhomën time.
- Ne po bënin balet dhe ajo iku pa shpjeguar asgjë!
- Kam një befasi për ty, - ndërroi bisedën mami.
- E, ç`është ajo?
- Javën e ardhshme do të fillosh me orët e baletit te “Mjellmat”.
- Tash mund të bëhem një balerinë e vërtetë, mami.
- Po, e dashur, - tha ajo dhe unë e përqafova fort, pastaj iu ktheva detyrave të shtëpisë. Duhej të ushtroja shkronjën B- të shkrimit.