E hene, 29.04.2024, 03:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Kujtimit të inxhinierit Myftar Korita

E shtune, 02.04.2016, 08:00 PM


Tati!

Kujtimit të inxhinierit, Myftar Korita!

Tregim

Nga Përparim Hysi

Vjen një kohë dhe tek u referohesh disa të njohurëve, zë e reflekton për ta. Se në memorie disa prej tyre jo vetëm  zënë vend, por dhe është zor t'i heqësh prej  andej.

Kështu ndodh me mua, kur kujtoj Tatin aq të mirë. E kujtoj jo vetëm me mirënjohje, por dhe  me dashuri, se jo vetëm  qemë vërsnikë me të, por qemë dhe kushërinj. Kushërinj unë kam plot, por, në po ndalem kaq gjatë me këtë kushëri timin, jo se më  lidhte gjaku, por ishte njeri i tillë që kudo që punoi, ka lënë gjurmë të pashlyera.

*       *      *

Epo, kështu si unë, edhe Tati (emri i vërtetë  i tij, ishte Myftar), kishte shumë kushërinj, po kështu si  unë, nuk e njeh kurkush. Kjo njohje deri në imtësi të tij, ka ndodhur, se neve, të dyve, na puqeshin "hutat". Filloren, natyrisht, e bëmë bashkë dhe, kur unë vazhdova uniken në vitin 1952, Tati, mjerisht, mbeti vetëm me fillore. Kur vija në fshat (klasën e pestë unë e bëra në Lushnje, sado që isha nga Fieri), bashkë me Tatin tërë natën ruanim dhëntë tona. Këtë punë që e gdhinim tërë natën me dhënë,e bëmë deri në vitin 1959, kur unë  dola mësues. Unë mbarova në qershor 1959 dhe Tati kishte tri vjet që punonte në kooperativë (se në vitin 1956 u bë Petova e re kooperativë). Sado që punonte  në kooperativë, ende kishim ca dhënë, dhe unë me Tatin nga qershori,deri në fungushti, tërë natën me dhënë. Tërë natën me dhënë, por qemë bërë tmerri i fshatit për zarare. Jo vetëm i futnim në arat e botës, por, kur qëllonte që ndonjëri na zinte me "presh në dorë", mos kujtoni se ndaleshim, por si dy gjela, flakë për flakë, i hidheshim në kokë pronarit dhe në këto "përelshje" Tati qe zjarr e shpuzë. Zararet me dhënë u shtuan, kur u bëmë kooperativë: gjënë e tokut  le ta hajë qeni!  Në atë kohë, grurërat qenë korrur, por qejfi ynë ishte, kur dhëntë i futnim në duhanin e kooperativës. Ky"zarar" kishte dy  të mira: në mes të duhanit kishte goxha kullotë dhe, siç thoshte xha Cekja që kishte bashkuar dhëntë me tonat, dhëntë vinë në afsh dhe kjo na gëzonte,  kur ndryshe nga tërë fshati, dhëntë tona filluan dhe ndërzeheshin më parë. Xha Cekja që na kish "instruktuar" për këtë zararin në duhan, hiqej mënjanë sikur nuk qe "pjesëmarrës" në gjynahun tonë, se qe i moshuar dhe i ruhej turpit. Turpit i ruhej, por mirë i vinte kur shihte që dhëntë ngopeshin aq mirë. Qeshte dhe thoshte: " Po të qethesh me shelegë, të zë gërshëra".  Ne, kur thoshte kështu, sikur rriteshim në sytë e tij dhe e merrnin si përkëdheli dhe aq.

*       *       *

Në vitin 1959, kooperativa jonë e vogël u "shkri" dhe anëtarët u lanë të lirë të shkonin ku të donin. Familjet tona ( pra, e imja dhe  e Tatit, por edhe e Xha Cekes) u vendosëm në fermë, në fshatin Mbrostar- Ura dhe, tani dhëntë i hëngri "ujku". Këtu nuk flitej më për dhënë. Tati filloi punën si punëtor dhe unë dola mësues. Një mbasdite, tek rrinim të dy bashkë, Tati më thotë:- Ti tani je mësues, a më gjen një dëftesë sikur kam mbaruar 7-vjeçaren?

-Aha,- i them. Kjo është punë me spec dhe unë, po të veproj kështu, jo vetëm pushohem nga puna, por shkoj  dhe në gjyq.

E pashë që u mërzit.  Megjithatë,- i thashë,- një mendje do të ta jap. U bë sy e veshë. E rekomandova që një dëftesë të klasës së gjashtë bosh, ta plotësonte ( natyrisht, duhet të gjente dikë që ia thoshte për shkrim kaligrafik) dhe, pasi ta plotësonte, për vulë të përdorte   vulën që kishte pesëlekshi i vjetër i asaj kohe. E bëri këtë "gjynah" dhe ma solli që ta shikoja, në do e hante sapunin për djathë drejtori i shkollës së natës në Patos. Drejtori i shkollës së natës në Patos, ishte një mësues i vjetër dhe shumë i nderuar: i ndjeri Nazmi Doko që, tek shkruaj për Tatin, nuk kam se si mos e kujtoj me nderim: ishte nga ata që, mbi ligjin, kur nuk prishte shumë punë, vinte zemrën. Pse vuri zemrën mbi ligjin, e mori si të mirëqenë mbarimin e klasës së gjashtë, dhe Tati filloi klasën e shtatë që, për çudi të drejtorit zemërmirë,  e mbaroi me nota shumë të mira. Që prej këtij çasti, fillon Odiseja më e bukur e kushëririt tim.

*    *    *

Tani faqen e kishte të bardhë dhe u regjistrua në një kurs 6-muajor për elektriçist në Qytetin "Stalin", Kuçova e sotme. Vërtet që kursi qe 6-muajor, pa të drejtë rroge, por Tatit atje, siç  të thuash, i polli kau. Tek u regjistrua si të gjithë bashkëshokët, shefi i kuadrit, duke parë mbiemrin e Tatit që përkonte me  partikaun e parë   të kombinatit të naftës (aty bëhej dhe kursi), e thërret në zyrë dhe  e pyet:- Çfarë  e ke shokun  S...? Tati, duke nuhatur që vetëm të mira mund të priste, pa   e bërë as për pesë, u përgjigj:- Xhaxha! Mirë,- i tha shefi,- për ty do bëjmë një përjashtim. Do të paguajmë sikur po vjen nga puna në naftë, por nuk do t'u tregosh shokëve. Dhe kështu im kushëri, merrte gjatë kursit 6300 lekë në muaj, kokërr për kokërr. Këtë ma besoj vetëm mua dhe askujt tjetër.

Mbaroi kursin dhe doli elektricist. Me punë u caktua në Marinëz. Sado me tri turne, rrugën nga Mbrostar- Ura deri në Fier (gati 4 km) dhe vajtje e ardhje, e bënte për çdo ditë.

- Do regjistrohem në gjimnazin e natës,-  më tha.

Dëgjo,- i them,- gjimazi do punë dhe ty të mungon baza , se shkollën e ke bërë dy hunj e një purtekë.

Jo,- më tha,- atje në turnin e natës kam goxha kohë dhe do mësoj.

Kështu bëri dhe mësuesët e gjimnazit, por dhe drejtori, qenë shumë të kënaqur me përgatitjet e tij. Si kushëri që e kisha dhe, pse njihesha me mësuesët, qeshë interesuar dhe më vinte mirë për përparimin e tij. Në dhjetor, kur po afrohej mbyllja e semestrit të parë, i vjen fletë-thirrja për shërbimin e detyrueshm ushtarak. Shkon në drejtori dhe kërkon që të marrë vërtetim për kohën që ishte i regjistruar aty. Drejtorit i erdhi keq që një nxënës kaq skrupuloz do të largohej dhe, tek bëhet gati  t'i plotësojë vërtetimin, i thotë:- Ore në ç'vit je ti? Epo të të shkojë kështu kungulli mbi ujë? Tati, flakë për flakë, i përgjigjet:- Në vit të dytë?!!! E mori vërtetimin ( fitoi për një vit shkollor për  4 muaj mësim) dhe, si gjithmonë, "gjynahun" ma besoi vetëm mua. Iku ushtar, bëri dy vjet në Durrës dhe,sa u lirua, pa u ftohur pilafi drejt e tek gjimnazi. Filloi vitin e dytë, në semestrin e dytë. Por jo vetëm i mbaroi vitet e gjimazit njëri pas tjetrit, por, kur mbaroi, qe një nga më cilësorët jo vetëm tek nxënësit e natës, por dhe, krahasur dhe me të ditës. Qe martuar dhe nga vullneti për të mabruar të lartën, kishte bërë kërkesë.  Rezultatet qenë të tilla që, pikërisht këtij, Tatit, që  shkollën e bëri lara-lara, t'i dilte e drejta e studimit për në USH në degën matematikë- fizikë.

*     *     *

Filloi universitetin në degën më të vështirë, por Tati as që e kishte problem. Do mundohem,- më tha,- ndoshta gjej ndonjë punë si elektricist në Tiranë. Vazhdoi një semestër, jo vetëm nuk i kishte problem seminaret, por dhe provimet e janarit. Kur u end gjithandej dhe nuk gjeti punë ( në fshat veç gruas me fëmijë kishte dhe nënën), u detyrua t'i ndërpres studimet dhe u kthye elektriçist  në Marinëz. Në Fier,aso kohe, qe hapur filiali i inxhinierisë për naftë dhe Tati filloi filialin, Për 5-vjet me radhë, pa shkëputje nga puna, jo vetëm e vazhdoi filialin, por qe nga më cilësorët dhe u dilpomua inxhinier. Si inxhinier, filloi punën në ndërmarrjen e Gazsjellësit në Patos.

Aty, në atë ndërmarrje, arriti të bëhet kryeinxhinier dhe në vitet e fundit ( kur gjithçka po prishej në  emër të "demokracisë"), Myftar Korita ishte drejtor.  Dhe unë as që do ta bëja këtë shkrim për të, nëse nuk do të haja në një fakt shumë domethënës.

Aty, nga viti 2000, unë ika nga SHqipëria dhe shkova në Amerikë, Gjatë kësaj kohe, kur SHqipëria u vu në trysninë e kaosit dhe kur ndërmarrjet u bënë si  një mall pa zot, Tati, për ca kohë qe  drejtor. Befas, pa u sëmurur kurrë, shtrohet urgjent në spital dhe ndërron jetë. Sapo i kishte mbushur 60-vjetët. Lajmi i zi më gjeti në Florida dhe, nga Florida, u ktheva në mars  të vitit 2012. Natyrisht, që më erdhi shumë keq jo vetëm se e kisha kushëri, por ishte shumë i ndershëm. Sado që ubë kudaro (pra, kishte shumë punë në dorë), hyrjen e kishte në katin e pestë, pa ashensor dhe, sado  që të shoqen e kishte, pothuaj, invalide, as që tentoi të ndërronte statusin e një njeriu që nuk mori qoftë dhe një gjë që nuk i takonte. Ky, njeri që vetëm për arsye subjektive nuk u shkollua në kohën e duhur, jo vetëm mbaroi arsimin e lartë, por në shtëpinë e tij gjeje një bibilotekë ku, veç veprave të profesionit, rafte të tëra me letërsi artistike.

*     *     *

Epilog

Kur u ktheva nga Amerika veç të njohurve të mi të shumtë, takova një koleg timin që kish ndërruar porfesion. Jo vetëm kish  ndërruar profesion, por është bërë biznesmen me  pasje të madhe: shtëpi, vila, toka të blera për një copë bukë apo komidete të tjera. Shkurt: i ka rënë e mira nga qielli. Tek gjerbnim një kafe të"fortë" me të, si njeri që më ha  hunda për sherr, e pyeta:- Ore, po nga mësues ku të polli ky ka i florinjtë ty?

- Të rrojë nafta!- më tha në intimitet. Ato ndërmarrjet e naftës u kthyen në shpella me flori. Gjithë ai hekur! E bleva xhaba!

- Po ç'ne nafta? Kur asgjë  nuk të lidhe me naftën?

- Kisha një mik, ai më mësoi. U bleva "shpirtin" drejtorave. Qenë fukarenj, të shkretët. Pagova pak, por nga një thelë, nxora një pelë. Kur po më thoshte për drejtorat e naftës, mua tak  dhe mendja më shkoi tek Tati. Por miku, entuziast siç qe, vazhdoi:- Vetëm njëri... Ç'nuk bëra, po mezalla se  ra në lak.Ashtu qe dhe ashtu iku. Sado  që e mora me mend për kë e kish fjalën, e pyeta:- Po si quhej ai drejtori që "nuk ra në lak"?

- Myftar Korita!!!

Tati,- bërtita unë. Ti ishe dhe mbete i mrekullueshëm. Të kujtoj, dyfish me mall!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora