Kulturë
Tefik Selimi: Një vepër e rrallë poetike
E premte, 01.04.2016, 08:20 PM
Një
vepër e rrallë poetike që rrëfen shumë ngjarje të jetës rugovase ...
Çun Lajçi: “Fjalës nesër i bëhet vonë”, botoi ShB. “Buzuku”, Prishtinë.
Nga Tefik Selimi
Ditë
më parë doli nga botimi vepra “Fjalës nesër i bëhet vonë” e autorit, Çun
Lajçit, artist e recitator epik kosovar. Është kjo vepër poetike origjinalej, e
cila rrëfen “karierën” e autorit si aktor e krijues arti. Vepra në fjalë është
një art i rrasllë poetik në vargje, e cilat rrëfen jo vetëm jetën e krijuesit,
por ajo rrëfen edhe ngjarjet e ndryshme e të dhimbshme të Rugovës. Andaj, edhe
Çun Lajç, poet, pas shumë angazhimeve si aktor, artist e recitator epik, më në
fund, artin e bukur e kurorëzoi me një vepër artistike, në të cilën ka
përshfaqur dashurinë e tij ndaj Rugovës e njerëzve të kësaj ane. Andaj, në
hyrje të veprës së Çun Lajçi “Fjalës
nesër i bëhet vonë”, lexojmë vargje të lira poetike të autorit: “Ty, këngë e
bukur/ Poeti si gurrë e Shkrelit/ Sa këlthita në vaj/ E thashë/ Dil nga ajo
kronikë e zezë/ Nuk lind i tillë edhe një tjetër/ Maestro/ Dua të rrëfehem”. Pra, me këto vargje “hyrëse”,
autori, Çun Lajçi, ka prekur simbolikën e veçantë të shqiptarit origjinal
rugovas, të anës së Shkrelit e të Kosovës. Këtu pati kronika të zeza e të
dhimbshme të jetës së popullit të nëpërkëmbur nga okupuesit e huaj. Autori,
nëpërmjet të vargjeve, ai ka rrëfyer
ngjarjet, njerëzit, kohët, personalitetet historike e atdhetare etj. Kjo
histori e kënduar në vargje mbeti si gurrë e Shkrelit apo e anës së vendlindjes
sa autorit, ku pati këlthitje e zëra vajtues për ato ngjarje sa tragjike, po aq
edhe tronditëse për popullatën e kësaj ane të Rugovës. Pra, vepra e Çun Lajçit,
“Fjalës nesër i bëhet vonë”, sikur reflekton tek secili njeri për t’ia
përkujtuar ato zezona e zhvilluara në këto anë. Ai me këtë vepër ka treguar
përkushtimin e tij si krijues i denjë i artit poetik. Pse jo? Këtu është merita
dhe fuqia e tij si artist, i cili me këto vargje të lira lirike po tregon se
është adhurues i madh i artit jo vetëm atij skenik, por edhe artistik. Vepra e
tij “Fjalës nesër i bëhet vonë” është një vepër mesazh, e cila në vete ngërthen
vargje që artikulojnë zërin e rugovasve. Secila poezi e kësaj vepre rrëfen
ngjarje të një kohe. Kjo është një poezi e “gjallë”, e krijuar me ngjarje, me
aktorë kohe, me emra vendesh, me unin e rugovasve, që aty, në vargje, e gjen
autorin duke kënduar për njeriun rugovas me atë shall të bardhë, e cila ka
simbolikën e saj. Kjo poezi lirike artistike ka “zjarmi” nga brenda, por ka
edhe ejte, ndijesi, përjetim, fuqi e vrull për qëndresë e fitore. Në poezinë
“Portreti im”, poeti shton:”Gishtat i kam Isë e duart Boletin/ Lahutën e mbaj,
koburen n’brez/ Kosovë është lëkura e rudhur/ n’trupin tim/ Në shpirt mbaj
Vraçevë e Çakorr/ N’qafen time peshon amaneti për dheun/ Që s’falet as shitet
(f.7). Ai (poeti) e shpreh traditën e rugovasve: “Azem zemrën e kam, e kokën
Rugovë/ e shallin qefin mbi vetulla e mbaj/ Gishtat në bisht lahute/ Thurin
epitafin tim!”(f.7). Kjo është poezi simbolike që e identifikon qytetarin e
Rugovës. Ai i shpreh në vargje traditat e popullatës që posedojnë shallin,
lahutën, koburën, lëkurën e rudhur dhe, në qafën e tij peshon dheun, i cili nuk
falet e as nuk shitet! Ky është këngëtim simbolikë. Rugovasi dallohet nga meset
tjera. Ai është njeri i besës, i trimtërisë, zemër gjerë e fjalën pushkë. Po
kështu, në poezinë “Hija e hamallit”, poeti këndon si i madhi Migjeni,
duke përkujtuar ky, Çuni hijen e
hamallit, njeriut që punon për të jetuar, por edhe tek Migjeni e përshkruan
femrën me jetë të rëndë, e cila detyrohet të shes qymur dhe, për pak lekë, ku
pasaniku i vërdiset asaj. Ajo kthehet e lodhur me kali për në shtëpi, por edhe
hamalli rugovas i Ç. Lajçit, e kaloi jetën e rëndë, ku shton: “Tërë jetën
hijezeza e ndoqi të gjorin/ dhe asnjëherë kokën s’e ktheu”(f.11). E tillë ishte
jeta e rugovasit, por, edhe pas kësa jete, ky rugovas nuk iu nënshtrua askujt.
Ai qëndroi stoik gjer në fitore. Ky popull rogovas qe dem baba dem i këtij trolli,
i cili pati burra, trima, heronj e pishtarë të tjerë të dijes, të cilët, edhe
në kohë të rënda të luftërave, ai qëndroi dhe e ruajti trollin dhe qenien e
tyre si komb shqiptar. Siç dihet, ky popull ka pësur keq nga regjimet e egra
sllavo-malazeze. Autori në poezinë “Fjalë të akullta”, të cilën ia kushton
Bajraktarit të Rugovës”, pos tjerash, shton: Së pari vdes Rugova pastaj
Shqipnia Avdyl Bej/ Për Plavë e Guci:
tri herë vdesim, njëherë lindim“/ Dera e bajraktarit nuk dergjet n’shtrat/ po
vdes duke u pre me cubat e Knjazit/ Ke harrue se Rugova flamur e qefin/ Mban
mbi vetulla (f.16). Në poezinë e këtij autori vëren edhe entuziazmin e tij që
atdheu ka ruajtur rrënjët e të parëve. Ai shprehet” Lumi unë për ty Atdhe/
Që ruajte rrënjët e mia”(f.23). Poezia me
të cilën titullohet vepra e Çun Lajçit “Fjalës nesër i bëhet vonë”, është, para
se gjithash, një sintezë e fortë e krijuesit, ku autori qahet e vajton, sepse,
siç thotë: “Mustaku im i thinjur flet/ Më shumë se një gjeneral/ Në pension pa
epoletë”! Pra, asgjë s’dos të duhej të lihet për më vonë. Populli thotë “Punën
e sotit, mos e lë për nesër”! Çun Lajçi s’ka mundur t’i ikë ndikimit nga
thesari popullor. Poezia e tij “Martesa e Mujit” është njëra nga poezitë që
është e hijezuar nga eposi ynë. Ja si shton autori: “Ma rrethoni Krajlin e
Kotorrit/ O sot Tanushën e grabis/ Nuse e bëj me duvak/ O s’kollitem më n’Klladushë! (f.26).
Pra, vetë natyra e recitatorit epik e ka “kapur” këtë “fenoment”, i cili
tingëllon bukur edhe në formën lirike të tij. Poezia “Gjeneral u vonove”, ia ka
kushtuar Isa Boletinit, heroit të kombit, i cili, në momentin e shpalljes së
pavarësisë, ai është vonuar: “Ata po nguteshin nga frika/ Ti po vonoheshe se
Boletini/ E Kosova po digjej flakë!/ Ata u ngutën s’të Zbraz kobure e kall barot/ Ne këtu po bëjmë
Shqipëri!”(f.29). Një poezi i është kushtuar Majlinda Kelmentit, sportistes
pejane. Poeti i gëzohet fitoreve të saj të mëdha, e autori këndon: “Të dua ty
flakë e vedhë/ E Kelmendit, Majlindë e
shkrepit/ Që ndrite fisin e
dhetut tim” (f.50). Ndërsa, në poezinë “Marigonçe”, sikur poeti rrëfen ngjarje
si te poema e N. Mjedës “Andrra e jetës”, ku poeti rugovas, shton: “Për
rrëfamën me dy qershi/ Dy çikat me një nënë/ Të ngujuara diku n’Gegë! Marigonçe
t’i qëndis në këmbë” (f.57). Kjo poezi na tregon përkushtimin e Marigonës për
të qëndisur flamunin kombëtar. Edhe lufta e vitit 1999, ka zënë vend në poezinë
e autorit në fjalë. Poeti në poezinë “Ikje çlirimtarësh”, flet për ikjen e
popullit në dhe të huaj. Ai (poeti), shton: “Më mirë me tokën shtrojë/ Qiellin
mbulojë n’Atdhe/ Se të tretur rrugëve t”Evropës/ Kthehuni se nesër bëhet
vonë”(f.61). Në 9-vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, autori në poezine e
tij “Gur e lëkurë”, ngre në vargje shqetësimin e tij e të popullit kosovar pas
vdekjes, kur shton: “Në lahutën time 9 vitet t’i vajtova!/ Mos u shqetëso, mos
pyet për ne/ Tani ngrimcojmë ankthet tona/ Ato s’na lënë t’i harrojmë kurthet/
Që shumë herë t’i vumë n’pritë/ Pusho e mos pyet për ne Ibrahim/ Ne jemi
mbyllur në zgafellën e gurëve/ Po hamë gur e po shesim lëkurë/ Atdheun po e
rrudhim pa fjalë/ Në fyt na ka ngelur liria”(f.66-67). Në poezinë “Shpirtra të
pastër”, autori flet për femrat e dhunuara gjatë lutës së fundit 1999. Ai
(autori) i përkrah femrat shqiptare dhe ju drejtohet me këto fjalë: “Harrojeni
ëndrrën e keqe për farën e zezë/ Hapni krahët e buzagaz na përqafoni/ Ju
heroinat qe na lindët nga zemra”(f.69). Po ashtu, autori i ka kënduar Rugovës
së tij të dashur. Ai në poezinë “Ruvgova” me patetikë ngre zërin dhe shpreh
mallin e dashurinë ndaj vendilindjes. Ai shton: “Rugovë, rrahja ime e fisit/ Sa
pak mbetëm sot/ Sa shumë ishim dikur/ Bukë e kripë kur kishim/ Ishim ma të
pasun se tash” (f.118). Autori ka trajtuar edhe jetën e mërgimtarëve. Ai shton
e pyet: “Më thoni: ku e keni Atdheun/ Ju, mërgimtarë të djegur/ Që jetën e
tretni rrugëve”(f.127). Poeti, Çun Lajçi, nuk e la pa e përmendur lahutën,
mjetin më të mirë të artit të tij. Ai poezi ua kushton Rugovës dhe trimave të
kësaj ane, si: “Im at më tha: Jeto e vdis
për kangë/ Ngjalle Oson e Vraninë/ Zhuj Selmanin në kullë/ Ali Pashën në
Janinë”(f.133). Por, dr. Ibrahim Rugovën, presidentin e parë të Kosovës, me
pietet i ka thurur poemën lirike, dhe këndon: “Bukur të rrika hirësia jote në
bronz/ Ti urtaku i urtë i Ukë Rugovës/Ti sugari i Rugovës me shall të bardhë/
President i Dardanisë që kokëlart rri në shtatore”(f.135). Çun Lajçi i këndoi
edhe Agim Ramadanit, heroit të popullit, dhe ia thotë në vargje: “Agim malesh
me lisa halorë që s’thahen/ Pushkë e zbrazun n’agimet e para/ Unë jam rreze
dielli në sytë e fëmijëve jetimë/ Ja ku jam, mes jush, në lëndinë mbuluar me
dhe/ Me Rifatin, Avdylin, Salihu, Bashkimin.../ Jemi vetëm emna
harrimi, asgjë
tjetër/ Jemi lulet e Kosharës që ua sollëm Pranverën/ Zgjohemi sa herë Atdheu
të ketë nevojë për ne”(f.144). Në veprën e autorit janë shumë personazhe
historike, që këndohen edhe në këngët popullore kreshnike, si: Abdyl Bej, Mark
Milani, Knjazi, Kadria i Bajri, Tanusha, Isa Boletini, Dervish Shaqa, Guri i
Kuq, Zhujë Selmani, Bajram Bej Gjakova, Sali
Mani, Marigona, Ali Pasha, Marash Uçi, Rexha i
Avdisë, Ali Pash Gucia, Majlinda Kelmendi, Rushja e Rexhës, Gjer Elez
Alia, Uka, Rustemi, Bajram Curri, Oso Kuka, Ismajl Bej Vlora, Zana, Ali Tafili,
Adem Syla, Ali Osmani, Hava, Kelmedi, Dedë Gjon Lulil, Galë Selmani, Hysen
Bajra, Smajl Hajdari, Agim Ramadani, Ramë Bajrushi, Rizë Zymberi, Qorr Ilazi,
Agim Vinca, Kuteli, Lasgushi, Azem Galica etj. Gjuha e kësaj vepre poetike
është ajo e rugovase e stilit popullor, por ka edhe poezi me vargje të lira që kanë
gjuhë të bukur letrare e artistike. Veprën e ka botuar SH.B. “Buzuku” në
Prishtinë, ka 190 faqe tekst.