Kulturë
Milazim Kadriu: Selim Obrança - atdhetar llapjan
E diele, 03.04.2016, 11:12 AM
SELIM
OBRANÇA - LUFTËTAR, KËSHILLTAR, PAJTIMTAR, HUMANITAR E ATDHETAR LLAPJAN
Monografia “Selim Obrança” e autorit Faik Hoxha, botoi SHB “Faik Konica” Prishtinë, 2016
Nga Milazim F. KADRIU
Botimi i një monografie për një personalitet të njohur në Llapsiç ishte Selim Shabani, ishte nevojë e kahershme dhe sidomos pas vdekjes së tij ngase është mirë që gjeneratat e tashme dhe të ardhshme të dinë më shumë për personalitetin e Selim Shabanit apo si njihej Selim Obrança. Ky personalitet si gjatë Luftës së Dytë Botërore ashtu edhe pas lufte ishte i përkushtuar në punët atdhetare . Andaj ai në Llap e më gjerë mbetet një personalitet i respektuar përjetësisht. Kontributin e tij shumë familje llapjane nuk mund ta harrojnë sepse ai shpëtoi shumë të rinj të asaj kohe nga torturat dhe vrasjet e çetnikëve serbo -malazez të ndihmuar edhe nga forcat ushtarake bullgare të asaj kohe.
Monografia “Selim Obrança” i autorit Faik Hoxha hedh në dritë mjaft kujtime për aktivitetin atdhetar të këtij personaliteti dhe heq pluhurin e kohës nga biografia e Selimit. Kjo monografi e ndarë në dy pjesë si personifikim të vetin ka atdhetarin, humanistin, luftëtarin, gjyqtarin, deputetin, këshilltarin dhe pajtimtarin e njohur që ishte një njeri me trup jo aq të madh , por ishte dhe mbeti shumë i madh me punë dhe vendosmërinë për të mirën e popullit dhe atdheut. E kjo dëshmohet edhe nga deklaratat e shumta të qytetarëve të ndryshëm që i kanë ofruar autorit dhe janë të përfshira në libër. Ai me të drejtë cilësohet si burrë i fjalës dhe i besës, i afërt me njerëz të kombit të vetë e i ashpër me armikun. Ai cilësohet edhe si njeri stoik që qëndroi disa vite edhe në burg dhe pati qëndrim që edhe pas burgut pushtetit të atëhershëm të mos i nënshtrohet dhe të mos pranoi nga ai as punën e ofruar.
Në libër autori përmend disa nga kontributet Selim Shabanit si janë meritat e veçanta si organizator dhe pjesëmarrës i Luftës së Dytë Botërore 1941-1944, meritat si bashkëthemelues i institucioneve të Këshillit të Rrethit në Llap 1945, meritat në shpëtimin e qindra dhe mijërave shqiptareve nga dhuna dhe terrori i serbo çetnikëve dhe ushtarakëve bullgarë kah fundi i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945, kontributin dhe meritat si gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë , kontributi si deputet i Këshillit të Llapit, meritat si këshilltar në Kuvendin Komunal të Podujevës i zgjedhur në vitin 1967, kontributi i tij në pajtimin e gjaqeve , në rajonin e Llapit dhe Gollakut dhe më gjerë në Kosovë.
Për këto dhe shumë aktivitete të Selim Shabanit, autori na i sjell në pjesën e parë të librit që ndahet në 14 kapituj, ku fillon me vendlindjen e tij Obrançën që tash quhet Kastrat, jetën e vështirë fëmijërore të Selimit që herët mbeti pa babën dhe një pjesë të jetës bashkë me nënën dhe motrën i kalon në shtëpinë e dajave në fshatin Letanc, për tu rikthyer sërish në moshën rinore në fshatin e lindjes në Kastrat.
Angazhimi i tij në Luftën e Dytë kishte një rëndësi të madhe për këtë trevë ngase ai ishte kudo që paraqitej nevoja dhe u kujdes për popullatën të cilën tentonin ta keqtrajtonin serbo çetnikët dhe ai shpëtoi nga pushkatimi një numër të madh të rinjsh të fshatrave të ndryshme të lokalitetit të Llapit.
Edhe sot në Llap njerëzit e kujtojnë Selim Obrançën për angazhimin e tij kur shpëtoi shumë të rinjë, gra e pleq nga vdekja e sigurt nga paramilitarët serbë dhe çetnikët e kamufluar në rroba partizane. Kështu përmenden rastet ku ai i shpëtoi të rrethuarit dhe kur ishte në pyetje edhe pak kohë që ata të ekzekutoheshin, Selimi arrinte aty hipur në kali dhe i lironte të lidhurit nga çetnikët që përgatiteshin për ekzekutim. Kështu përmenden rastet si në fshatin Revuq, Peran, Gllamnik, Kastrat, Llapashticë, Bradash, Bajçinë, Podujevë etj.
Më pas në libër flitet për kontributin e Selimit pas Luftës së Dytë Botërore e sidomos për punën e tij si gjykatës në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ku shumë shqiptar të akuzuar nga sistemi i atëhershëm ai i liroi me dënime me kusht apo edhe si të pafajshëm në mungesë të provave materiale . Kjo nuk mbeti pa u vërejtur nga ata që e kishin në shënjestër punën e tij e sidomos nga rrjeti sekret i OZN-ës, ngase ata edhe pse i kishin vu kurthe edhe gjatë luftës dhe nuk ia kishin arritur ta likuidojnë Selimin, tani e ndiqnin dhe pas shumë përpjekjeve të tyre nuk arritën ta likuidojnë fizikisht por në vitin 1948 arrijnë me një gjykim fals ta dënojnë me pesë vite burg të cilin mbajti në Serbi. Pas burgut ai nuk deshi me atë sistem kurrfarë bashkëpunimi dhe nuk pranoi asnjë punë të ofruar nga ai sistem. Kështu vazhdoi deri në vitin 1967 kur zgjidhet këshilltar komunal në kohën kur në krye të komunës së Podujevës vjen Ramush Rama një personalitet që edhe sot mbahet mend nga llapjanët për punën e tij të drejtë dhe në interes të popullit shqiptar.
Më pas Selimi u angazhua në pajtimin e ngatërresave dhe mosmarrëveshjeve në Llap e më gjerë. Në këtë mision humanitar ai u angazhua edhe në Lëvizjen Gjithëpopullore të pajtimit të gjaqeve , në vitin 1990, edhe pse në moshë të shtyrë dhe shëndetligë, u vu në ballë të aksionit të rinisë, duke qenë një ndër anëtarët më aktiv të Këshillit të Pajtimit. Ai në këtë Lëvizje Gjithëpopullore shkëlqeu më madhështinë e një pajtimtari të pashembullt. Aktivitetit humanitar nuk ju nda asnjëherë deri në ditët e fundit ët jetës së tij. Vdiq në vitin 1998 kur ishte shumë afër liria e shumë pritur por që nuk arriti ta jetoi, por me fillimin e luftës çlirimtare ishte i bindur se liria dhe pavarësia e Kosovës do të vjen së shpejti sepse ai kishte besim të plotë në djelmoshat që u radhitën në radhët e UÇK-së, dhe ashtu edhe ndodhi.
Në pjesën e dytë të librit që ka vetëm një kapitull,autori na sjell disa opinione të miqve dhe atyre që e njohën për së afërmi por edhe të tjerë që për Selimin kishin dëgjuar nga baballarët e tyre e që shumicës ju kishte ndihmuar qoftë gjatë luftës , pas saj apo edhe në vitet e fundit si pajtimtar i familjeve . Opinione të tilla autori sjell nga Shefki Sejdiu, Bajram Blaku, Rifat Hoxha, Nazmi Sejdiu, Mustafë Rusinofci, Baki Statofci, Shaban Shabani, Sheqir Zeneli, e shumë të tjerë.
Ndonëse për personalitetin e Selim Shanabit autori në këtë monografi siç u shpreh edhe vetë nuk ka arritur të sjell të gjitha ato që është dashtë të shkruhen për te. Por kjo monografi është një libër i mirë bazë për historianët që ndoshta në të ardhmen do të merren me ndriçimin e plotë të jetës dhe veprës së Selim Shbanit – Obrançës.