Kulturë
Ilinden Spasse: Meri Lalaj - Duke u kthyer në shtëpi
E marte, 05.04.2016, 07:19 PM
Meri
Lalaj - “Duke u kthyer në shtëpi”
Nga Ilinden Spasse
Lexova librin me tregime me titullin kuptimplotë, “Duke u kthyer në shtëpi” Është titulluar “Tregime”, për mendimin tim, mbase më mirë do të ishte “skica e tregime”, sepse disa tituj janë skica. Kjo ka të bëjë me formën. Kopertina është mjaft e goditur: Dy vajza të reja me syze dielli, që lë të nënkuptosh se ky libër u dedikohet pikërisht këtyre dy vajzave... Më vonë mora vesh se njëra nga ato është vajza juaj dhe tjetra, mbesa: Janë shumë të bukura. Paçin fat në jetë. Përmbajtja: Të gjithë zërat janë shkruar me një frymë dhe me mesazhe të qarta për lexuesin, për çdo lexues të çdo moshe: në këto mesazhe përfshihet bota juaj e brendshme, por edhe psikologjia e kohës, e kohës tonë pra edhe e kohës time, ndaj librin e lexova me një frymë duke i përjetuar të gjitha ngjarjet që zhvillohen në të.
“Vogëlushja dhe kali”, një tregim intim, edukativ, që për mendimin tim, bashkë me dy a tre skica të tjera, si “As zogjtë nuk lejohen të fluturojnë”, “Flamur lufte, flamur dasme”, “Lea dhe balona”, e ndonjë tjetër...mund të përfshihen në ndonjë vëllim më vete për fëmijë...
“E diel mbrëma”: tregim i bukur psikologjik, me botë shpirtërore, më duket se është tregimi më i bukur i këtij vëllimi dhe ndoshta nga më të bukurit e vëllimit.
“Ambasadori i nonës”: Është tregim jetësor, që ndodh në shumë familje, që e heqin veten të kulturuara ose me kulturë dhe që i venë njerëzit, në rastin tonë pedagogët, në situata të vështira.... E pikërisht, që këtu e ka zanafillën, atë që ne sot i themi korrupsion, e që ka marrë përmasa të tilla galopante, sa që ka shkatërruar shtetin...- tregim i mirë.
“Shoku im Dori”: Edhe ky tregim më pëlqeu mjaft. E keni shkruar me dorë të lirë duke skalitur mjaft mirë një personazh, siç është ajo e Inës, shumë aktuale dhe e kudondodhur... Këtu, mesazhi negativ është shumë i qartë...
“Bashkëshortë”, tregim jetësor, shkruar me realizëm.
“Mamin tim nuk e ndërroj me asgjë në botë”: Temë disi e veçantë, por bindëse, që ndodh në jetë. Mua më preku shumë. Brenda ka mjaft botë shpirtërore...
“Ndodh edhe kështu”: Dhe vërtet ndodh edhe kështu. Tek ky tregim hidhet një ide të madhe, se dashuria nuk fillon e mbaron me një njeri. Ajo është fshehur në shpirtin e çdo njeriu dhe vazhdon përjetësisht deri në fund të jetës, por me “ndërrime stacionesh”, sot do njërën apo njërin, nesër vlerëson një tjetër dhe... e harron të parën a të parin...Dhe nuk është ndonjë thagmë e madhe të dashurosh sa më shumë partnerë... Fundja jeta çfarë është?! A nuk është më mirë të merresh me dashurira se sa me intriga, të qeshësh më shumë se sa të vuash, e aq më keq të vrasësh veten për dashuri......Më pëlqeu tregimi, për mesazhin që jep...
“Xh. E vogël e shtypit”: Tregim intim, i bukur, tërheqës. Është copëz jete nga jeta e studentëve nëpër konvikte. Ata që kanë bërë jetë konvikti e ndiejnë më shumë...
“Gjyshja e të dashurit”: Skicë tërheqëse...
“Ndodhi në mars”: Është e treta herë që e lexoj këtë skicë. Së pari si kapitull të parë të librit tuaj të parë, që më keni dhuruar; së dyti në një gazetë dhe tani së treti këtu...Skicë që të tërheq gjatë të lexuarit.
“Duke u kthyer në shtëpi”: (E ku mund të ktheheshim tjetër veçse në shtëpi?!)...Tregim jetësor, tërheqës...
“Kur rriten vajzat”: Copëz jete e shkruar me dashuri, art e psikologji...
“I pamëkati”, më pëlqeu mjaft. Një temë mjaft e goditur...
“Mos u bëfsh për skaner”: skicë aktuale. Vërtet mos u bëfsh për skaner, për gjykata, për shkollë e për shumë “për-a” të tjera..., se të gjitha të dhjetëfishohen duke të shkurtuar jetën...
“Nënat nuk mund të flenë kur fëmijët janë të uritur...” - temë që përfaqëson më miri aktualitetin shqiptar...
“Lino”: Skicë e goditur..., por e shpejtuar...Nuk argumentohet artistikisht kthesa e tij...
“Kukulla e vërtetë”: edhe kjo skicë për mua është mjaft e njohur...Në mos gaboj, e kam lexuar në romanin tuaj autobiografik...
Të kthehem pak te tregimi i parë, “Vogëlushja dhe kali”, ku e paraqitni veten si “nënë... (Vanessa vinte ...te nëna e saj), që unë si lexues e kuptoj se kjo nënë është gjyshja Meri, që flet për mbesën e saj...Që këtu më lindi edhe ideja e ngritur pak më sipër, që tregimet për fëmijë nuk duhen futur në një vëllim me ato për të rritur: I tërë libri juaj “Duke u kthyer në shtëpi” flet për “dashuri rinie e jo dashuri “nënash a gjyshesh”...Ndaj Merin në këtë vëllim nuk dua ta shoh as si nënë e as si gjyshe, por dua ta shoh gjithnjë të re, të freskët, me shpirt të ri, ashtu siç paraqitet në shumicën e krijimtarisë së saj artistike.
Suksese të tjera...