Kulturë
Kadri Tarelli: Një jetë mes arkeologjisë dhe historisë
E diele, 10.04.2016, 03:33 PM
Vështrim
mbi librin “Historia e Durrësit”
NJË JETË MES ARKEOLOGJISË DHE HISTORISË
“HISTORIA E DURRËSIT”, i autorëve Hava dhe Sali Hidri
Nga Kadri Tarelli
Durrsakët e vjetër dhe të rinj e pritën shumë mirë librin “Historia e Durrësit”, punuar mjeshtërisht nga prof. as. Dr. Hava Hidri dhe dr. Sali Hidri, dy qytetarë të Durrësit dhe bashkëshortë të dashuruar me historinë e këtij qyteti 3000-vjeçar, njëkohësisht edhe me pasuritë arkeologjike që ndodhen me bollëk si askund tjetër, aqsa Pjetër Bogdani thotë: “…. dheu i Arbërit është ndën qytet të Durrësit”.
Vetë titulli i librit flet, pa qënë nevoja të hallakatemi se ç’ka brenda. Vetiu na shtyn të zhytemi në tërësinë e ngjarjeve që kanë shoqëruar qytetin e Durrësit, si një portë e madhe dhe e rëndësishme e botës mesdhetare antike në brigjet lindore të Adriatikut. Ky qytet-port, njëkohësisht me shumë emër e famë, njihet si qendër ku është ndërthurrur edhe e gjithë historia e trojeve ilire e më pas arbërore dhe shqiptare. Mbase këto fjalë duhen thënë në fund të leximit, megjithatë duke u nisur nga materiali dhe kënaqësia, po ngutem të përmend se historia e Durrësit është pjesë e pandarë e historisë së shoqërisë shqiptare në të gjitha etapat e saj, që nga fillimi i jetës e deri në ditët e sotme.
Në fillim duhen përgëzuar autorët e librit, të cilët janë historianë e arkeologë të njohur në mjediset shkencore brenda e jashtë vendit, me punime, referate e kumtesa mjaft serioze, duke sjellë prurje me interes për literaturën e historisë kombëtare, përfshirë këtu edhe gjykime e trajtime të reja. Fjala “përgëzuar”, po e zëvendësoj me përshëndetje, sepse janë treguar “kokëkrisur” kur kanë vendosur e nisur të shkruajnë histori, pasi ata dhe vetëm ata e dinë se ç’ heq një historian kur ulet të shkruajë. Ajo që përmendet që në krye, është që të kenë kulturë historike, pasi pa këtë “pasuri” intelektuale vetiake mund të shkruhet gjithçka, por zor se shkruhet histori. Duke vazhduar në këtë hulli, mendoj se çdo autor i përmasave të tilla duhet të ketë kujtesë, sy e kurriz të fortë, durim e vullnet të jashtëzakonshëm, sepse duhen çfletuar e mbajtur shënime për qindra e mijëra dokumenta arkivore dhe libra, studimi i të cilave, në vetvete kërkon disa vjet punë, mos të themi një jetë. Në vazhdim, historiani apo arkeologu lipset të dijë, të dallojë e interpretojë çdo fjalë e fjali, madje edhe një gërmë, apo shenjë në çdo dokument apo gjetje. Ka edhe gjëra të tjera që ia “nxijnë” jetën historianit, sepse duke studjuar literaturë të shumtë që nga antikiteti e deri më sot, të botuar brenda e jashtë vendit, ndeshet shpesh me kundërshti analizash, mendimesh e përfundimesh, për të cilat i duhet të mbajë qendrim, duke dhënë gjykimin më të drejtë, duhet thënë më të argumentuar. Dhe në fund të punimit, autori përplaset edhe me kritikët, kolegët historian, por edhe të tjerë që medemek mbahen për historianë, që në këto raste nuk janë pak, të cilët të përvishen me “argumenta”, jo rrallë të sajuara, të shtrembëruara apo subjektive. Në të gjitha rastet kërkohet guxim, dije dhe forcë bindëse. E këtu nuk bëhet fjalë për artin e të shkruarit bukur, as për gabime ortografike, as për paraqitjen e librit, sepse edhe këto duhen, në fund të fundit janë pjesë e tij. Dhe në përfundim të të gjithave, është lexuesi që ndan në heshtje formën nga përmbajtja, thelbi i të cilës mbetet trajtimi historik dhe shkencor.
Nuk e teproj kur them se historiani i “burgos” emocionet e tij. Është gjakftohtë në gjykim, pavarësisht nga ndjesitë vetiake, i pëlqen ose jo, është i detyruar të jetë i vërtetë. Kjo është udha e vështirë nëpër të cilën kanë ecur edhe autorët Hava e Sali Hidri, për të na sjellë këtë vepër të çmuar historike, sa të bukur e tërheqëse, aq të nevojëshme për lexuesin e interesuar për histori, po aq të domosdoshëm për historianët që hartojnë leksione, tekste e punime shkencore, e ca më shumë për mësuesit, pedagogët, nxënësit dhe studentët.
Unë jam i detyruar t’i shmangem tregimit të përmbëjtjes, duke i lënë mundësi lexuesit të vrasë mendjen e të shprehet duke nxjerrë vetë përfundimet e tij. Veç më duhet të ndalem në disa analiza e gjykime interesante të autorëve, lidhur me historinë e Durrësit, që na shtërngon ne dhe historianët vendas e të huaj ta pranojmë se Durrësi dhe e gjithë jetgjatësia e tij, janë pjesë dhe gur i rëndë në themelet e historisë sonë kombëtare.
Autorët, nëpërmjet librit na bëjnë të njohur edhe bindjen e tyre shkencore se Durrësi, apo Dyrrahu i lashtë është themeluar nga dy mbretërit Epidamni dhe Dyrrahu, (mbretër të “barbarëve” të këtij vendi), shumë vite më parë se të dukeshin grekët në brigjet e tij. Një pëfundim i saktë dhe tepër i dobishëm, ku kemi parasysh idenë mbizotëruese dhe historinë zyrtare që na thotë se qyteti i Durrësit u themelua në shek. VII-të, p.e.r. (viti 627), si koloni e Korkyrës. Kam përshtypjen, se edhe lexuesi më i pakualifikuar dhe më i pabindur do ta kundërshtojë këtë ide, duke bërë pyetjen: A mund të themelohet një qytet në një vit?
Me shumë interes është gërshetimi i përkryer i studimeve arkeologjike në trevat e Durrësit dhe rrethinat e tij, ku autorët kanë drejtuar vetë ekspedita kërkimore me shumë vlerë, që bashkëngjitet me shkrimet dhe studimet e shumta historike të tyre dhe të autorëve të ndryshëm vendas dhe të huaj. Përshkrimi kronollogjik i ngjarjeve ndiqet me korrektësi, duke dhënë tabllonë e jetës të pandërprerë në shekuj, që nga fillimet e banimeve të para pellazgo-ilir e deri në ditët tona. Aty dëshmohet vazhdimësia e mbijetesës së qytetit, me uljet dhe ngritjet nëpër tallazet e historisë, që e kanë shoqëruar këtë qytet në shekuj, duke mbajtur edhe lidhjet me qytetet të tjerë bregdetarë të Mesdheut, njëkohësisht duke mbështetur shpatullat në trevat e prapatokës së vendit.
Me të drejtë theksohet se pozita gjeografike e favorshme, si port në gjirin e bukur të Durrësit, është shkaku kryesor që ky qytet të njohë lulëzim të jashtëzakonshëm ekonomik e kulturor. Madje të fitojë emër si qendër e madhe tregëtare dhe ushtarake, por edhe të ngjallë admirim e lakmi për t’u sulmuar e pushtuar, të cilat sollën shpesh edhe zbehjen, tkurrjen e rrënimin, por jo zhdukjen e tij. Autorët me të drejtë pohojnë se Durrësi është ringritur e mëkëmbur edhe pas çdo shkatërimi edhe kur “armik” ishin tërmetet e fuqishëm.
Me finesë, bukur letrarisht e historikisht janë paraqitur për lexuesin kapitujt që flasin për Durrësin, pas viteteve 1900, ku figura të ndritura të qytetit janë pjestarë aktiv në jetën politike që kishte përfshirë vendin, duke u vënë në ballë të përpjekjeve për pavarësi. Vërtetësisht autorët i analizojnë ngjarjet e kohës, duke e vënë Durrësin në qendër të përplasjeve politike për mbijetesë, si vend i pavarur dhe si shtet. Në fakt kjo është historia e popullit dhe e vendit tonë edhe në kohët e reja, por që çuditërisht të gjitha tallazet vijnë e përplasen në Durrës. Janë shumë ngjarje, disa shumë të renda në historinë tonë kombëtare, ku qendër është përsëri ky qytet, ndërkohë që autorët servirin material të qëmtuar bukur, për të mos e lodhur lexuesin me hollësi të panevojshme. Përmendim jo pa qëllim pritjen e Ismail Qemalit, ardhjen e Princ Vidit dhe Durrësi kryeqytet, pushtimi nga ushtritë serbe, rrebelimi i Haxhi Qamilit, rezistenca e armatosur kundër pushtuesit Italian ku bie heroikisht Mujo Ulqinaku me shokë, më pas boshatisja e gjithë qytetit nga gjermanët, deri në përfundim të luftës së dytë botërore. Ajo që bie në sy në këtë libër dhe që përcillet plot delikatesë, është qëndresa dhe mbijetesa, ringritja nga rëzimi, dhe më shumë akoma shpirti i gjallë i durrsakut për punë, zhvillim, përparim, mirëqënie, dije e kulturë. Mjafton vetëm pak qetësi e paqe, që shkëlqimi të rikthehet sërish brenda pak kohësh, pa zhurmë e bujë.
Krahas vlerave të shumta që gjejmë në këtë libër të rrallë për Durrësin, jo për t’i bërë qejfin, por është meritë e autorëve, që duke anashkaluar mburrjen, kanë nxjerrë në pah edhe një ndër cilësitë më të mira të qytetarisë durrsake, bashkëjetesën paqësore mes njëri-tjetrit, aqsa për të ardhurit, asnjëherë nuk përdoret fjala “jabanxhi”, e duke vazhduar më tej për harmoninë mes besimeve fetare në këtë qytet. Këto dhe të tjera, përbëjnë një vlerë të shtuar për shpirtin fisnik të durrsakëve, që ka mbajtur gjallë qetësinë dhe frymën e mirëkuptimit qytetar, veçori e lindur dhe e trashëguar ndër shekuj e që mbetet simbol krenarie edhe në ditët e sotme.
Fjalët e mia nuk i shtojnë asgjë vlerave të librit, veç theksojnë se ai është një punim shkencor mjaft serioz, një gur i rëndë që i shtohet literaturës historike shqiptare. Bindemi lehtë, mjafton të ndalemi në gjashtë faqet e fundit, ku përfshihet bibliografia e librit, e do të gjejmë një numër mjaft të madh referimesh të arkivave, të librave, kumtesave, studimeve dhe botimeve të shumë personaliteteve që merren me histori.
Lexues i nderuar! Është e pavend të mendoni pyetjen për autorët: Ç’i shtyn t’i hyjnë kësaj rruge plot mundim? Sepse përgjigjen e gjeni dhe e ndjeni nëpër fjalë e nëpër rreshta, ku pena është ngjyer në kaltërsinë e detit dhe spërkatur me kripë deti. Është profesioni dhe pasioni për shkencat arkeologji dhe histori, si dy burime që rrjedhin prej jetës dhe rrëfejnë jetën. Këtu do të zbuloni edhe diçka më shumë, dashurinë për qytetin e Durrësit, si një xhevahir i rrallë i trojeve arbnore, që zoti i dha bukuri dhe durrsakët madhështi.
Urime autorëve të nderuar znj. Hava dhe z. Sali, duke pritur edhe punime të tjera, po kaq të arrira sa “Historia e Durrësit”.