Kulturë
Ndue Dedaj: Ngjarje dhe figura historike
E enjte, 14.04.2016, 08:56 PM
NGJARJE DHE FIGURA HISTORIKE TË RIDIMENSIONUARA
- Vështrim në monografitë e studiuesit Nikollë Loka -
NGA NDUE DEDAJ
Nikollë Loka është ndër emrat e elitës së çerekshekullit të fundit, në rrafshin e shkrimeve dhe studimeve historike, gjithnjë aty, në botën e librave, këmbëngulës në kërkim të profilit të tij studimor, letrar e publicistik. E sendërton atë me vullnet të madh, me sprova interesante, duke debutuar me një monografi kushtuar vendlindjes së tij, “Fani del nga muzgjet” (1996). Publikon pesë libra poetikë rradhazi, nga frymëzimet “djaloshare” (për të huazuar një metaforë nga Kadare) te lirikat e emigrimit, si kushtime malli e atdhedashurie, e ato të sotme. Në njëzet vjet boton një varg monografish për figura kombëtare e lokale, ku dhe spikat më fort kontributi i tij.
Diplomuar për kimi - biologji në Universitetin e Shkodrës, me specializim pasuniversitar për kimi në Universitetin e Tiranës dhe disa kualifikime të tjera brenda dhe jashtë vendit, së fundi me studime doktorale në fushën e historisë së arsimit, Nikollë Loka, mund të kishte qenë një punonjës shkencor i shkencave të natyrës, por në kushtet e reja që u krijuan pas 90-s, problematikat e patrajtuara në lëmë të historisë për shkaqe ideologjike, tërhoqën jo pak studiues të fushave të tjera, të cilët me kalimin e viteve u bënë profesionistë në historiografi, duke fituar dhe tituj e grada shkencore. Shto këtu dhe faktin se studentë si Loka në krye të herës ishin dërguar jo në degët e preferuara prej tyre, por aty ku kishte qenë më shumë nevoja, në mësuesi. Më këtë shpjegohet ky profil studiuesish relativisht të rinj në lëmë të historisë, që me studime të thelluara dhe të çliruar nga (ç’)orientimi ideologjik, sjellin përherë e më shumë monografi me vlera.
Sa i përket historisë së Mirditës, ku Loka këto vite ka një rol të ndjeshëm, kanë shkruar artikuj studimorë, libra monografikë e dorëshkrime autorë të përmendur si Dom Ndoc Nikaj, Dom Nikollë Kimza, Zef Mark Harapi, më pas Pal Doçi, Simon Prendi, por pa mundur të kemi një manual të mirëfilltë të historisë së kësaj treve. Kur kanë pushuar tashmë këta autorë të vjetër, në rreshtin e parë të studiuesve për këtë trevë dhe më gjerë është Nikollë Loka, veprimtar i dalluar shoqëror e politik pas 90-s, emigrant në Zvicër e Belgjikë, mik i pandërprerë i bibliotekave dhe arkivave, pa e lëshuar penën për asnjë çast nga dora, si poet, publicist e sidomos si studiues me vullnet të palëkundur, autor shumë botimeve. Ai është hartuesi i një korpusi librash të karakterit enciklopedik mbi dinastitë ilire me famë botërore, Ilirinë biblike etj., si dhe i mjaft artikujve për figura të shquara nga Mirdita dhe jo vetëm, si profesorët Ndue Paluca, Prengë Kaçinari, Zef Nekaj, që gjithashtu vijnë të ridimensinuar. Nikollë Loka është shembulli i studiuesit që fillimisht ka arritur të bëjë të tijën fushën e historisë si “autodidakt”, për të qenë ajo më pas muza e tij e pandërruar. Ata që e kanë njohur prej vitesh atë, qysh nga jeta studentore, e dinë pasionin e tij të pashterrur ndaj librit, zellin e kërkimit arkivor, prandaj punët e tij kërkimore - shkencore nuk janë një befasi. I pajisur me një erudicion historik të lakmueshëm, ai është dhe një polemist për problematikat kombëtare në rrafsh historik dhe jo vetëm.
Këtë studiues, që konsultohet në disa gjuhë e huaja, e kanë tërhequr prej kohësh shëmbëlltyrat e origjinës ilire-shqiptare, të perandorëve, shenjtërve, mbretërve, princërve, krerëve tradicionalë, prelatëve kishtarë, intelektualëve kombëtarë, burrave të shtetit, ashtu si dhe dyert e para, kuvendet e dheut etj. Ndër botimet e tij është dhe vëllimi i parë i përmbledhjes me studime historike e reçensione.
Për të krijuar një mendim më të plotë te lexuesi rreth studimeve monografike të këtij autori, po ndalemi shkurtimisht në disa nga librat e tij studimorë më të rëndësishëm.
“Principata e Arbërit”, ndriçimi i shtetit të parë të shqiptarëve
Studiuesi Loka nuk iu trembet temave të guximshme, ai për herë të parë bën objekt të një studimi monografik Principatën e Arbërit, si shteti i parë i shqiptarëve, tashmë 800-vjeçar, me një përcjellje të avokatit të dhënë pas historisë, Alfred Duka. Themelues i Principatës ishte Progoni, kurse i biri Dhimitri shquhej si politikan dhe diplomat i kohës. Autori me këtë vepër ndriçon e konturon shtetin e arbërve, duke lënë të kuptohet se shqiptarët janë një popull shtetformues, paçka se historia nuk ka qenë në anën e tyre me pushtime të pandërprera për pesëqind vjet deri në gjysmën e shekullit XX. Këtë tipar të tyrin identitar ata e realizuan dhe përmes vetëqeverisjes tradicionale, kur nuk kishin asnjë mundësi tjetër. Studiuesi merret me arbërit dhe shtrirjen e tyre, ipeshkvinë e Arbërit (midis ortodoksisë dhe katoliçizmit), manastiret benediktine, si vatra të pashuara të katoliçizmit. Ai e kërkon qendrën e ipeshkvisë së Arbërit, mes të tjerash, dhe në Ndërfanë, duke u mbështetur në kërkimet dhe pohimet shkencore të mëparshme, si të Injac Zamputit, i cili shkruan se “qendra e Arbërit në fillim nuk ishte në Mirditë, por u zhvendos aty në fund të sundimit të Dhimitrit”. Autori mbështetët në burimet e shkruara që kanë të bëjnë drejpërdrejt apo tërthorazi me këtë Principatë në zë, shkrime të autorëve të njohur Kristo Frashëri, Dhimitër Shutëriqi, Kasem Biçoku, Aleksandër Meksi, Pëllumb Xhufi, Gjon Berisha, Gjon Marku etj., duke analizuar dëshmitë autentike të Ndërfanës, si stemën e shtetit të Arbërit, mbishkrimin epigrafik të Gëziqit, bazilikën e Shna Premtes, marrëdhëniet diplomatike etj. Ai shkoqit rrethanat që çuan në lëvizjen e shtetit të parë të shqiptarëve, nga Durrësi apo Kruja, në Mirditë, për tre vjet, në një nga territoret më qendrestare shqiptare. Dhimitri në këtë inkursion të pazakontë shtetshpërngulës mori më vete në ngulimin e ri dhe titullin e pajtores së qendrës së mëparshme të shtetit të Arbërit, Shna Premten. Në atë kohë, siç dihet, indetiteti i shtetit ishte i njëjtë me atë të kishës dhe bazilika e Shna Premtes do të ishte katedrale, që do të thotë dhe qendër ipeshkvie. Një kishë e tillë ishte për Princin dhe oborrëtarët, jo për murgjit dhe banorët, por rrethanat erdhën në atë mënyrë, që bazilika të mos shërbente si kishë princërore, por pas largimit të selisë qeveritare nga Ndërfana ajo të përshtatej si Abaci, siç dhe kishte qenë më parë, bashkë me atë të Malit të Shenjtë (Orosh), Shpalit, Rubikut etj.
Preng Bib Doda, dritëhijet e një burri shteti
Në punët studimore historike të Nikollë Lokës spikat monografia kushtuar njërës prej figurave më të përfolura, me “hije”, si ajo e kreut tradicional të Mirditës, Preng Bibë Doda, i përfshirë dhe në strukturat e larta qeverisëse të shtetit shqiptar, kandidat për fronin mbretëror të Shqipërisë, dy herë zëvendës-kryeministër dhe dy herë ministër. Autori ka mundur ta rilevojë këtë figurë komplekse, përmes gjurmimit nëpër dokumentet dhe dëshmitë e kohës, të japë një profil të këtij princi-pasha, me tiparet e një burri shteti. Më saktë mbase do të ishte të thuhej se Princi i Mirditës, për vetë pozitën që kishte, “fronin” princëror që mbante ishte një nga protagonistët e historisë shqiptare, si para krijimit të shtetit shqiptar, ashtu dhe pas krijimit të tij, ndonëse në këtë fazë të dytë funksionet kombëtare që i jepen ngjajnë më shumë honorifike, ose thënë ndryshe, si një kompensim i pozitës si kryqeverisës i një treve, që nuk mund të mos përfillej seriozisht në procesin e shtetformimit shqiptar.
Autori Loka prej dy dekadash na kishte paralajmëruar se do t’iu kushtohej princërve të Mirditës, kur kishte nisur të botonte dhe portretet e tyre në shtyp. Ai ka munduar të qartësojë një histori për të cilën është shkruar pak dhe sidomos në mënyrë të njëanshme, o bardhë, o zi. Përkundrazi i ka marrë me radhë punët e historisë që lidhen jo vetëm me princin Prengë, por me mbarë Gjomarkajt, duke i parë ata në histori e gojëdhëna, nga origjina, si erdhën duke zënë vend në qeverisjen e Mirditës. Po ashtu ata janë parë dhe në raport me Kanunin, kishën, krerët e tjerë tradicionalë, valinjtë e Shkodrës, bajrakët dhe bajraktarët etj. Me interes është kreu mbi kapidanat sundues në Mirditë, nga Marka Kol Gjoka tek Bib Doda e deri në fundin e dinastisë mbas Luftës II Botërore.
Në pjesën e dytë ai ndalet te figura e Preng Bibë Dodës, duke e kundruar atë si një dukuri në jetën politike shqiptare. Autori na shpie hap pas hapi në të gjitha ngjarjet kryesore politike të kohës, duke treguar se si është sjellë në to Princi i Mirditës, deri në vitin 1912. Këtu sikur nis një tjetër kapitull në jetën e këtij burri shteti, me hijet e veta, si përgjithësisht shtetarët shqiptarë të njëqindvjetëve. Studiuesi i përvutë Loka e ka konfiguruar profilin e këtij individi me përmasa historike, që megjithatë mbetet një figurë enigmatike, kur mendon se më shumë se gjysmën e jetës së tij e çoi jo aty ku kishte emrin, titullin e nderimin (në Mirditë), ku pritej të kthehej me vite, po ai më shumë nuk mbërrinte. E pazakontë do të ishte dhe vrasja e tij, në vitin 1919, për çudi e lidhur me Kanunin.
Dom Nikollë Kaçorri, Imzoti i Pavarësisë
Nuk mundej që në 100-vjetorin e Pavarësisë, figura madhore e Dom Nikollë Kaçorrit të mos i nxiste studiuesit që t’iu jepnin dorën e fundit veprave që mund t’i kishin prej kohësh në tryezë. Pas monografisë dinjitoze të Hajderin Isufit kushtuar Kaçorrit, fill do të vonte një tjetër monografi e zgjedhur, ajo me titull “Imzot Nikollë Kaçorri – burrështetas shqiptar në altarin e Atdheut”, në cilën Nikollë Loka është bashkautor me studiuesin Angjelin Shtjefni. Autorët e kanë rilevuar gjithë historinë e tij, Lurën e vendlindjes dhe larmanizimin e saj të çuditshëm, ravën e jetës së Imzot Kaçorrit dhe veçanërisht rolin e tij si njëri nga krijuesit e shtetit shqiptar. “Duhet theksuar, shkruajnë autorët, se Nikollë Kaçorri ishte me fat, pasi e identifikoi veten me flamurin dhe Atdheun”, duke shtuar se “Ai mbeti njëri ndër etërit themelues të shtetit shqiptar”, krahas Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit etj. Shprehja aq e vlertë jo vetëm shqiptare e kohës përsa i përket raportit mes jetës dhe vdekjes për liri, nuk gjen askund një sintezë më domethënëse se në fjalët e tij proverbiale: “Në qoftë se duhet të vdesim për lirinë, atëherë të vdesin sot dhe jo nesër”. Nuk mund të ishte ndryshe personaliteti i një tribuni të tillë, mes altarit të shenjtë dhe armëve të kryengritjeve antiotomane. Autorët këtë qendrim “radikal” për një prelat të lartë kishtar, ashtu si dhe Gaspër Krasniqi, Prend Doçi, Shtjefën Gjeçovi, Mark Vasa etj. e kanë shpjeguar dhe argumentuar me pozitën specifike të kishës katolike gjatë mesjetës, ku ajo mbeti e vetmja qendër rezistence dhe kulture arbërore, deri në periudhën e Rlindjes kombëtare. Ata që njohin sakrificën sublime të Imzot Pjetër Bogdanit dhe një plejade klerikësh të salvuar si askund tjetër në Europë nga sundimtarët sulltanorë e kuptojnë se ka një vazhdë të pakëputur qendrese kombëtare, që nuk rresht dhe në kohën e dikaturës komuniste.
Monografia “Imzot Nikollë Kaçorri” e autorëve Shtjefni e Loka është mjaft e pasur dhe në lëndën arkivore, faximilet, fotografitë, që i vjen lexuesit të sotëm në ndihmë, veçanërisht nxënësve dhe studentëve. Imzot Kaçorri kishte qendruar i mbështjellë me flamurin kuq e zi dhe në varr, në Vjenë, për më se 90 vjet, deri sa të rikthehej në Atdhe. Një gjë mund të thuhet së fundi, nëse ka burra shteti që dhe e kanë shkelur flamurin, ani se duke u betuar e përbetuar mbi të, Nikollë Kaçorri është nga ata burrështetas që e ruajti të panjollë simbolin kombëtar, si një model dhe për breznitë e nesërme. Ai mbetet udhëheqësi që i pari kreu aktin e dorëheqjes në qeverinë e parë shqiptare të Pavarësisë, që ende sot nuk ndodh me vullnet të lirë.
***
Monografi të tjera të spikatura të studiuesit të historisë Nikollë Loka janë: “Prengë Marka Prenga - Flamurtari i Mirditës”, “Kuvendi i Fanit dhe Pamundësia e Piemontit Shqiptar”, “Dinastia e Shpanëve” nëpër histori, në proces botimi etj. Nisur nga formimi, stili sa shkencor, aq dhe divulgativ, në mënyrë të veçantë nga librat e marrë në shqyrtim në këtë trajtesë, Nikollë Loka do të ishte ndër të paktët autorë të mundshëm për të shkruar një manual bashkëkohor të historisë së Mirditës, aq i nevojshëm për lexuesit, nxënësit, studentët, të huajtë, turistët etj., sipërmarrje që sigurisht kërkon mbështetje nga institucionet vendore dhe akademike.