Kulturë
Habazaj: 100 vjetori i albanologut Qemal Haxhihasani
E diele, 17.04.2016, 09:51 AM
100 VJETORI I LINDJES SË ALBANOLOGUT TË NDERUAR QEMAL HAXHIHASANI
Konferencë shkencore në Universitetin "Ismail Qemali", Vlorë
Nga MSc. Albert HABAZAJ
Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë i Universitetit "Ismail Qemali", Vlorë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, Tiranë, organizuan një Konferencë shkencore për figurën e respektuar të Qemal Haxhihasanit (1916-1992). Konferenca, që u zhvillua në mjediset e Universitetit, më 31 mars 2016, ishte dhe një plotësim i amanetit të babait të Folkoristikës shqiptare nga kolegët e pasardhësit e tij diturorë të fushës, vëzhgues të punës në terren e kërkues shkencorë, nën mbështetjen financiare të familjes dhe veçanërisht të së bijës së tij, përkthyeses së njohur Jeta Haxhihasani. Veprimtaria u zhvillua në nderim të 100 vjetorit të lindjes të Qemal Haxhihasanit, këtij personaliteti të shquar të arsimit dhe folklorit shqiptar. Koha, që lamë pas, edhe pse ai kishte kontribute titanike në etnokulturën shqiptare dhe arsimin mbarëkombëtar, e pa atë, (njërin nga fatosat e albanologjisë), bardhë e zi, saqë, ende vigani tallazitet në horizontin tonë me dritëhije.
Qemal Haxhihasani u lind në qytetin e Elbasanit më 16 shkurt 1916 në një familje nëpunësi të vogël me tradita atdhetare dhe u nda nga jeta më 1 shkurt 2002. Ai pati fatin të ishte normalist i Elbasanit dhe fatin në katror të ketë mësues shkencëtarin Aleksandër Xhuvani, një nga personalitetet e mirënjohura të kohës. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Firences, në Itali. I pajisur me dije të thella, i mbushur me kulturë perëndimore, i dalluar për integritet dhe forcën e intelektit, me identitet kombëtar dhe edukatë pune, ai do të bëhej një folklorist i spikatur, një nga etërit e folkoristikës shqiptare të pasçlirimit, tok me prof. Zihni Sakon; si vijues të plotësuar të të parëve të tyre të linjës e sidomos të mbledhësve të hershëm shqiptarë të krijimtarisë folkorike të mirëfilltë, si De Rada, Jubani, Mitko, Dine, etj. Ai ishte prudent (i matur e i urtë), por nuk lëshonte pè, nëse bëhej fjalë për ndonjë krijim që nuk përmbushte kriterin e hyrjes në qarkullim folkorik. Qe kërkues i saktë për autenticitetin folkorik, për ruajtjen e vlerave autentike
Nuk kemi ndërmend të shkruajmë jetëshkrimin e tij shkencor, por vlen të theksojmë se ai dha ndihmesë të çmuar edhe si historian i folkloristikës shqiptare. Haxhihasani konsiderohet si një ekspert i letërsisë popullore shqiptare (në Sektorin e Prozës e të Poezisë Popullore), eksplorues, gjurmues, hulumtues i pasionuar i terrenit, udhëheqës i ditur dhe i palodhur i fushës, thelluar ngushtësisht në poezinë popullore me të tri ndarjet e saj të veçanta: epike, lirike dhe epiko-lirike apo liriko-epike. Ndërkohë, mund të cilësohet vërtet heroike puna e Qemal Haxhihasanit si profesor e folklorist i shquar, si hartues i veprës madhore “Epika legjendare” (I, II), një nga personalitetet me vlerë programatike për studimin e trashëgimisë sonë kulturore. Njohja, përhapja, vlerësimi, gjykimi saktë e i thelluar i veprës së tij janë domosdoshmëri në praktikën e një trupe akademike, në mbështetje të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Me këtë synim u zhvillua dhe Konferenca shkencore e Vlorës kushtuar kontributit të tij të dukshëm albanologjik. Pasi çeli punimet e Konferencës dr. Ermir Xhindi, shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit të Vlorës, nisi seanca e parë, ku prof.dr. Agron Xhagolli, folklorist, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë (QSA), shpalosi personalitetin e prof. Qemal Haxhihasanit dje dhe sot. Prof.dr. Nexhip Mërkuri, gjuhëtar, Universiteti "Ismail Qemali", Vlorë mbajti kumtesën: “Qemal Haxhihasani për të folmet e fshehta të Përmetit dhe prirja e tyre si pasuri gjuhësore”. Dr. Vilma Bello kumtoi materialin për të folmen e Çamërisë, si një hulumtim i thellë e krahasues i dialektologut Qemal Haxhihasani. (Kumtesa qe përgatitur së bashku me dr. Migena Balla [të dyja pedagoge të Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të universitetit tonë]). Ardhur enkas për këtë nderim nga Tetova, prof.dr. Hamit Xhaferi (pedagog i Universitetit të Europës Juglindore, Tetovë) trajtoi ndihmesën e Q. Haxhihasanit për arsimin shqiptar në Tetovë. Dr. Leka Skëndaj, gjuhëtar e pedagog i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Universiteti "Ismail Qemali", Vlorë, shtjelloi sfidat e kristalizimit të metodologjisë në kërkimet dialektore dhe ndihmesën e prof. Qemalit. Gjatë kësaj seance u fol edhe për pikëpamjet mbi origjinalitetin e Eposit Heroik Shqiptar, temë të cilën e kishte prof.dr. Zeqirja Neziri nga Universiteti i Shkupit; si dhe mbi rolin e prof. Haxhihasanit si përudhësues i sociolinguistikës shqiptare, punim i prof.dr. Valter Memisha (QSA), të cilët në pamundësi pjesëmarrjeje, kishin dërguan materialet, që, si çdo kumtim i radhës, u dëgjuan dhe, për to, u bënë pyetje a diskutime.
Seanca e dytë nisi me kumtesën e studiueses Arjana Seiti (QSA): “Metodologjia e prof. Qemal Haxhihasanit si kërkues shkencor. Dr. Gladiola Elezi, pedagoge e Universitetit "Ismail Qemali", Vlorë, shprehu idetë e saj për vëzhgimet morfologjike të prof. Haxhihasanit në të folmen e Vërsulovës. Dr. Edlira Çekrezi, gjithashtu pedagoge e Universitetit "Ismail Qemali", Vlorë, paraqiti veçori të përmbledhjes “Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun” të Qemal Haxhihasanit. Pegadogu tjetër i Universitetit "Ismail Qemali", dr. Artan Xhaferaj u ndal te e folmja e Çamërisë dhe kontributi i Haxhihasanit. Kumtesën vijuese e paraqiti dr. Enkelejda Billa, pegagoge e Universitetit të Vlorës për Epikën historike nën vështrimin e Qemal Haxhihasanit. Studiuesja Orjona Shegaj (QSA) u ndal në klasifikimin e lirikës popullore sipas prof. Haxhihasanit. Kumtesën e radhës e mbajti studiuesja Ermela Broci (QSA), ku ftilloi hapësirat etnografike të këngëve rituale sipas prof. Haxhihasanit. Në vijim, shprehu dy fjalë dashamirëse Agron Xhaho. Në emër të familjes, përshëndeti Jeta Haxhihasani, e cila komentoi edhe një bllok me fotografi të atij titani, që ka shkelur trojet shqiptare pëllëmbë për pëllëmbë (brenda dhe përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë së sotme, në ato hapësira ballkanike ku kanë banuar shqiptarë). Albumi fotografik i Haxhihasanit (me komentin për to) përbën një atlas etnografik dhe arsimor më vete, model për mësuesit dhe studiuesit e sotëm. Më tej, u lexua përshëndetja e prof. dr. Vebi Bexheti nga Universiteti i Europës Juglindore, Tetovë; si dhe kumtimet e Prof. Zymer Nezirit nga Universiteti “Hasan Prishtina”, Prishtinë-mbi studimet e Qemal Haxhihasanit për “Ciklin e Kreshnikëve”; të studiuesit Agim Leka, po ashtu nga Universiteti “Hasan Prishtina”, Prishtinë-mbi personalitetin shkencor të Qemal Haxhihasanit; si dhe të pedagoges së Universitetit të Vlorës, dr. Evis Hudhëra. Referatin përmbyllës “Profesor Qemal Haxhihasani, albanologu ynë i shquar” e mbajti prof.dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh.
Meqë qëlloi të jem përgatitësi i relacionit për Konferencën shkencore “Qemal Haxhihasani, personalitet i shquar i arsimit dhe i folkorit shqiptar”, kumtesën time (unë, Albert Habazaj) e vendosa në fund të kësaj parashtrese, që, në fakt është një relacion përmbledhës dhe kujtesë e dokumentuar e kësaj veprimtarie shkencore të institucionit tonë. Po e botoj me shkurtime, pa e publikuar të shkëptur si material). Mbajta kumtesën: “Qemal Haxhihasani, një Gjolekë i Folkoristikës shqiptare”. Trajtova ndihmesën shkencore në rrafshin e raporteve histori-epikë historike për Luftën e Vlorës, 1920 të profesorit të pashpallur, por profesor të profesorëve të fushës, Qemal Haxhihasanit. Në hartën folkorike të Shqipërisë Mbijugore, në krahinën e Labërisë ka mbi një shekull e gjysmë, afro dy, që është kënduar, dëgjuar e (kur u futën në përdorim aparatet regjistruese) regjistruar edhe kjo njësi foklorike: “U trete, Gjolek’, u trete,/ po sos u trete për vete,/ po për gjithë vilajete…/ - Pse lëfton, a derëzì?! - As për mua, as për tì,/ po për gjithë Shqipëri…”. Kjo këngë i kushtohet bëmave heroike të njërit nga bijtë e shpatës shqiptare, njërit nga kryetrimat e kryengritjeve popullore kundërosmane, kapedan Zenel Gjonlekës (Gjolekës me këngë e me histori). Në një trajtë tjetër, vështruar në kontekst, kjo këngë i rri mirë e bukur profilit të profesorit të madh, të paharruarit Qemal Haxhihasani, që është një Gjolekë i etnologjisë, një kapedan i folkorit shqiptar, një Dhaskal Todër i shkronjave shqip e arsimit ndër shqiptarë (Theodor Haxhi Filipi i viteve 1830 - shën. im: A. H); që një jetë të tërë, si ai, ia kushtoi arsimit dhe etnologjisë shqiptare. [ ... ] Vetëm për Luftën e Vlorës, 1920, në rrafshin folkorik, kontributi i Qemal Haxhihasani është fillimtar dhe i jashtëzakonshëm. Nën kujdesin e Zihni Sakos, ai ka zgjedhur e pajisur me shënime vëllimin “Këngë popullore historike”, botim i Institutit të Shkencave, Tiranë 1956, me 408 faqe. Bashkë me prof. Sakon, në 40 faqe, kanë përgatitur hyrjen e këtij libri. Vëllimi ka një aparat të pasur bibliografik, me fjalorth, indeks të personazheve dhe toponimeve, me burimet e lëndës, etj. Në tekst përfshihen 43 njësi folkorike kushtuar Luftës së Vlorës, e cila ndryshe quhet dhe Lufta e Njëzetës. Po kështu, vëllimi më i plotësuar “Epika historike, 3” (EH, 3), i formatuar sipas standarteve akademike, botim i Akademisë së Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1989 [1990], me 774 faqe, është përgatitur nga Qemal Haxhihasani e Miranda Dule, me recensentë prof. Gazmend Shpuza e prof. Agron Xhagolli. Edhe ky tekst ka një aparat të pasur bibliografik, me fjalorth, tregues të vendeve ku u mblodhën këngët, tregues të emrave të njerëzve, të vendeve etj., me pasqyrën e këngëve të incizuara, burimet e lëndës, pasqyrën e shkurtimeve, shënimet për redaktimin, me shënime në fund të çdo njësie folkorike të botuar, etj., ku ndihet, duket, se kuptohet, dora e mjeshtrit erudit të folkoristikës shqiptare, Qemal Haxhihasani. Folkloristi i mirënjohur shqiptar Qemal Haxhihasani, për ciklet e këngëve popullore që trajtojnë periudhën 1913-1939, të asaj epike historike, që sot klasifikohet “këngë të periudhës së shtetit të pavarur shqiptar”, duke vlerësuar edhe informacionin historik që japin nëpërmjet përjetimit emocional, vëren se nuk mund të vihet shenja e barazimit midis këngës historike dhe dokumentit historik. Kënga, sipas tij, është në radhë të parë një krijim poetik popullor. Ai thotë se ato “janë vazhdim i këngëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare si në brendi ashtu edhe në formën e tyre artistike. Studiuesi përcakton nëncikle të luftërave, nëpërmjet të cilave, sipas tij, bashkohen pjesë të veçanta të historisë së lëvizjes lokale në tërësinë e jetës historike kombëtare. Sipas tij, sistemimi i këngëve brenda vëllimit është organizuar sipas kriterit kronologjik, duke i grupuar në tre kapituj: I. Këngë për ngjarje historike të viteve 1913-1919; II. Këngë për ngjarje të viteve 1920-1924 dhe III. Këngë për ngjarje të viteve 1925-1939. Kjo ndarje është bërë edhe sepse për secilën prej këtyre fazave ka zotëruar një ide kryesore e veçantë. Brenda përbrenda secilës ndarje ka edhe një farë grupimi të këngëve sipas kriterit tematik në mënyrë që të mos krijohet një shkapërderdhje, përhapje pa rregull, e hallakatur e materialit. Për tre periudhat historike të shek. XX, janë 500 njësi folkorike të përfshira në EH, 3. Nga këto, 159 i kushtohen ngjarjeve që zhvillohen e personazheve, që veprojnë brenda 2-3 muajve të stinës së verës së vitit 1920. Po të bëjmë një krahasim për të tri periudhat, kur për periudhën 6 vjeçare 1913-1919 janë regjistruar 183 njësi folkorike, për periudhën 14 vjeçare 1925-1939 janë shënuar 78 këngë, në raport me kohëzgjatjen e ngjarjeve historike të ndodhura, del që Epika Historike e Luftës së Vlorës (EHLV) është shumë më e pasur me njësi folkorike (si nënperiudhë brenda periudhës me ngjarje historike të viteve 1920-1924). [… ]
Qemal Haxhihasani punoi për të tjerët, për Shqipëri një jetë të tërë e bëri volume e volume të tëra, të botuara e të pabotuara ende. Skedat dhe dorëshkrimet e pabotuara, (që ndodhen në Arkivin e Folkorit Letrar të QSA, Tiranë: në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit si dhe në Institutin e Gjuhësisë), janë thesar i paçmuar dot, që ai na la. Trashëgimia popullore që kemi nga prof. Haxhihasani përbën një opus albanologjik më vete, me 100 e ca vëllime dorëshkrimesh, prej rreth 25 mijë faqesh të daktilografuara, në të cilat ai s’ka harruar të shënojë edhe emrat e daktilografistëve. Nga këto, 82 vëllime janë të lidhura, të klasifikuara, të pajisura me një aparat të pasur shkencor. Ato vepra folkorike që përgatiti, janë visare të vërteta të kombit që presin botimin, por pasi shteti shqiptar të zgjohet nga gjumi i ariut polar, që e ka zënë qyshkur, ... nëse bëhet fjalë për thesaret e trashëgimi kulturor të popullit shqiptar. Subjektet nga Dibra, Luznia, Opari, Vithkuqi, Leminoti, Plovishti, Kolaneci, Sul-Bilishti, Dardha, Korça, Devolli, Tetova, Gostivari, Çermenika e Bardhë (e Sipërme), Çermenika e Zezë (e Poshtme), me Martanesh e Shmil, Qerret- Shmili, Gryka e Zhullimës, Mokra, Shpati, Krraba, Rajca, Prrenjasi, Fusha e Domosdovës, Derveni me Xhyrë e Dardhë, Bërzheshtë-Babje, Dragostunja, Pishkashi, Linasi, Selita, Elbasani, Sharra, Tomadhe-Tirana, Përmeti, Shalësi, Rehova, Barmashi, Leskoviku, Polisi-Librazhd, Bezhani, Kaltanji, Qafëzezi, Shalës-Kolonja, Vermoshi, Kelmendi, Konispoli, Dukagjini, Skrapari, Tomorri, Zagoria, Shkodra, Lura, Banja, Brasniku, Jança, Tunja, Sulova, Gramshi, Zerqani, Kalaja e Dodës, Prilepnica, Istogu, Kosova, Margëlliçi, Çamëria, Nikaj-Mërturi, Batra, Mati, Lezha, Durrësi, Puka, Kukësi, Morava, Pulaj-Dukagjini, Fieri, Vlora, Himara, Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Piluri, Kudhësi, Delvina, Gjirokastra, Tropoja, Tepelena, Mallakastra, Labëria, Malësia e Madhe, Çeremi, Malësia e Gjakovës, malësitë shqiptare, Gegëria, Toskëria e mbajnë mend dhe e kujtojnë me nderim profesorin e dashur, etnologun, folkoristin, shkencëtarin pasionat, humanist e patriot, demokrat të kulluar e me virtyte të larta morale Qemal Haxhihasanin, nga të cilët, për gjysmë shekulli kërkime në terren, ai mblodhi perlat e gurrës popullore. Ato margaritarë të popullit të tij, bashkë me miqtë e tjerë të shkencës së re të folkoristikës shqiptare, i përgatiti dhe i botoi në vëllimet e përfshira në pesë seri të korpusit “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar”, ku përfshihen krijime nga proza dhe poezia popullore shqiptare. Katër seri të këtij korpusi: I- Proza popullore (përfaqësuar deri tani me 6 vëllime); II- Epika legjendare (2 vëllime); III- Epika historike (3 vëllime); IV- Lirika (4 vëllime), janë ndërtuar mbi bazën e kritereve të mirëfillta shkencore, duke u selitur kështu brezave krenarinë kombëtare të shpirtit të pasur të krijimtarisë popullore përgjatë shekujve, se, edhe sipas tij, që kur bota është zënë edhe shqiptari këtu ka qenë, në trojet e tij. E vlerësojnë vitalitetin e tij model si një shembull të përkryer të punëtorit të jashtëzakonshëm. Në punën e tij kërkimore-shkencore spikati për sensin e qartë shkencor, për saktësinë e regjistrimit, duke respektuar parimin fonetik të bartësve në terren, si dhe për skrupulozitet të shkallës së lartë. Ai përbën një rast tipik dhe u ngrit në rangun e figurës enciklopedike, jo si mizëri gjithologësh sot ndër ne, me tituj e grada, që i tundin si stoli venitzëna. Bota e njihte, e vlerësonte dhe i fliste “PROFESOR”. Ndërsa ndër ne, në Shqipëri, mbeti me të njëjtin titull deri sa vdiq, “BASHKËPUNËTOR I VJETËR SHKENCOR”… Bota e kërkonte në Austri, Itali, Gjermani, Rusi, SHBA, Kopenhagen-Danimarkë, Bullgari, Bukuresht, Kajro, Grac, Paris, Romë e … ne nuk i jepnim leje(!) As për ekspedita në Kozencë, as ndër shqiptarët e Maqedonisë, ndër arbëreshët e Greqisë, të Malit të Zi apo të Italisë (!) As telefon në shtëpi nuk lejonim të mbante (!) I shpiknim ca njolla në biografi, që edhe pse s’pinin ujë, (se ai kullonte i tëri dritë e bardhë e mirësi intelektuale), prapë diçka ngelej tymnajë turmave.. Ishte arsimuar në Itali ai! Dinte shumë gjuhë të huaja ai! Kur fliste frëngjisht, s’kuptohej fare në ishte shqiptar apo francez … Komunikonte si i barabartë me kolegët e huaj ai. Bënte krahasim të etnokulturës e folkorit tonë me folkorin dhe kulturën popullore të të tjerëve, me mënyrën e jetesës të banorëve të vendeve të tjera në siujdhesën e Ballkanit, të Mesdheut, të Europës, të vendeve të Lindjes apo të Perëndimit, merrej me studimin e sjelljes shoqërore, strukturës ekonomike dhe fetare të popujve apo, sipas rastit, të grupeve të popujve, të cilat merrnin strukturën e vështrimeve antropologjike të përfillshme. Nuk ishte i mendimit me ne që “vetëm Shqipëria është fanar ndriuçes në botë, që vetëm ne dimë të këndojmë, të bëjmë histori, të kemi trima, këngë e valle trimash…” e gjepura të tilla karafile të kohës. Haxhihasani e nderonte intelektualisht Shqipërinë ta quaje etnolog. Edhe si folklorist të nderonte. Edhe si filolog. Edhe si albanolog. Tri qenë fushat e tij kryesore të studimit dhe të prodhimit shkencor: gjuhësia, folkoristika dhe bibliografia. Jo më pak kontribute studimtarie dha në etnografi, letërsi, pedagogji, mësimdhënie dhe përkthim letrar e shkencor. Formatimi i tij shkencor tërhoqi vëmendjen e personaliteteve europiane të fushës, si Lamberc, Foki, etj. Mendimi i tij merrej si pikë reference në studimin e kulturës së popujve të Europës Juglindore. Ai qe i veçantë. Si ata burrat e rrallë të antikitetit, të rëndë nga dituria. Qemal Haxhihasani iku si një Nestor i pambarimtë për etnologjinë, folkorin shqiptar e albanologjinë. Nga Qendra Ndërkombëtare e Bibliografisë me qendër në Gjermani, ai njihet dhe është vlerësuar si bibliograf i mirëfilltë shkencor në fushën e kulturës popullore. Bibliografia e botimeve të tij arrin shifrën 275 tituj apo zëra brenda periudhës 53 vjeçare 1938-1991. Ai është gur themeli e gur qosheli për ndërtimin e korpusit të folkorit tonë sipas gjinive.
Miqtë e tij, nën kujdesin e prof Agron Xhagollit, si një tufë me lule të freskëta mirënjohjeje për kontributet e çmuara që ka dhënë për edukimin, artin, kulturën dhe folkoristikën shqiptare, botuan në Tiranë, më vitin 2010 përmbledhjen me 20 artikuj të kolegëve, në 254 faqe, në librin titulluar “Qemal Haxhihasani, folklorist dhe mësues i rrallë”, nga ku do të shënonim shkrimet e profesorëve të nderuar Sefedin Trungu, Jup Kastrati, Mark Tirta, Mahir Domi, Andon Berisha, Kujtim Bevapi, Esat Braho, Abedin B. Qafjani, Jorgo Panajoti, Mustafa Gërcaliu, Agron Xhagolli, Ali Muka, Fazli Syla, Rrustem Berisha e Shaban Sinani. Nderim veprës albanologjike të atij pishtari të pafikur!