E merkure, 30.04.2025, 03:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Grishje për diasporën shqiptare në Turqi

E premte, 15.04.2016, 08:16 PM


Grishje për diasporën shqiptare në Turqi

Dr Fatmir Selimi

“Me shqiptarët e Turqisë” nëpër qytetet shqiptare

Gjilan, 2016

(Promovimi i librit dhe filmit dokumentar)

“Me shqiptarët e Turqisë “ II

Gjilan, 2016

Nga Mehmetali Rexhepi

Lënda e shkruar:“Me shqiptarët e Turqisë” I dhe II, i autorit Fatmir Selimi paraqitet në dy vëllime: i pari përfshin kronologjinë e përurimit të librit “Me shqiptarët e Turqisë”I, që rikthen veprimtaritë përuruese, të kryera gjatë viteve 2009-2010. Këto veprimtari nisin nga 12 tetori i vitit 2009, në Gjilan, për të vijuar në Tetovë, më 4 dhjetor 2009; në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare, më 17 dhjetor 2009; në Viti, më 22 dhjetor 2009; në Shkup, më 22 prill 2010; në Preshevë, më 6 maj 2010; në Vushtrri, më 14 qershor 2010; në Dardanë, më 18 qershor 2010; në Bujanoc, më 14 tetor 2010.

Vëllimi i parë i librit “Me shqiptarët e Turqisë”, i përmbledh veprimtaritë kulturore të gërshetuara me fjalë rasti, takime personash të jetës publike, kulturore e shoqërore, me qytetarë turq të prejardhjes shqiptare,  ansamblesh kulturore-artistike e muzikore nga Kosova, me shqiptarët në Maqedoni, në Kosovën Lindore; shkëmbime muzikore të ansambleve të këngëve e valleve, këngëtarë, larushi veshjesh, folklor shqiptar, vizita, takime e rikthime takimesh e të tjera, këso veprimtarish, përmbushin këtë vëllim prej 79 faqesh. Në këto faqe renditen 54 foto personash të shqiptarëve e të diasporës shqiptare në Turqi, 37 faqe tekst i shkruar, i cili nuk lidhet drejtpërsëdrejti me fotot, por reflekton rreth tyre, shkëputen dhjetë faksimile nga shtypi i kohës, i cili kishte pasqyruar këto veprimtari të larmishme kulturore, përafruese e përuruese.

Vëllimi i dytë kap një hapësirë prej 130 faqesh me lëndë të përzier, kryesisht vizita, shfaqjesh muzikore në ngulimet e diasporës, për diasporën  e shkëputur të shqiptarëve tashmë ende tërësisht të pa asimiluar në Turqi. Përmes ansamblesh, grupesh të valltarëve e këngëtarëve nga Gjilani dhe  Kosova në Turqi dhe ndërsjellash, kryesisht në qytete e vise, ku është më e përqendruar diaspora shqiptare, pothuajse e asimiluar, këngët shqipe, ritmet dramatike, veshjet farfuritëse, kërcimet dhe bubullimat e tupanit, dridhjet e tingujve të hareshëm e të përvajshëm të surles, zgjuan kureshtjen e mallit të fashitur, të një etnie ende të pashlyer në ndërdyje...

Në këndvështrimin historik, etnik dhe aktual, gjithsesi shpirtin tonë e kaplojnë ndjeshmëri të dhimbshme, të zë trishtimi për degdisjen marramendëse, për tragjedinë e heshtur të shqiptarëve, të cilëve u mungoi një avokati madhore për mbrojtjen e qenies, identitetit etnik, fizik, moral e shtet-ndërtues! Edhe historia aktuale është duke na parë, sikurse na shihte më parë: prore duke u marr  me vetveten! Kështu, ndodh përderisa me  çështjen madhore të ripushtimit merren ende pushtuesit tanë.

Le të nënvizojmë se në këto kronika veprimtarish vetëdijesimi, Fatmir Selimi nuk mund të bënte veprimtari tjera konspirative, sado që në këto që bëri, duket se preku përciptazi në dukuri të tragjikes shqiptare, megjithatë ai bëri diçka të vlefshme për kombin e tij të degdisur. Autori, pos ndonjë fjale rasti, dukjes së pashmangshme në të gjitha fotot bardhezi, në këto vëllime të dhënash nuk ka tekst të tij të shkruar. Pra, nuk është autor i shtjelljes së ndodhive. Kësisoj, është për tu habitur se si, ai vetëm citon, nënvizon, vështron, thërret, kërkon, ofron, nuhat pas ngulimeve të diasporës shqiptare gjithandej Turqisë. Ai kënaqet nga veprimet, pohimet, arritja te ndodhia, te burimi nëpërmjet shpalimit të kujtesës së zbehur të tjerëve, qofshin përfaqësues të institucioneve a të komunitetit brenda shqiptar; qofshin pjesëtarë të diasporës, të cilët duan t`i marrin, me ndrojtje, rolet që u takojnë nga sfera e ndërgjegjes së tyre, gjithnjë në atmosferën e përgjimit, të vetë censurimit...

Autori i këtyre kronikave, Fatmir Selimi është tejet i motivuar në këso veprimesh, edhe pse i di mundësitë e veta, megjithatë nuk i mat gjërat me miligramët e arit... Nuk ndalet në ecejaket e tija, bredhjet e lodhshme, bezdisëse, për të shtënë në veprim kaq figura të njohura e të panjohura veprimtarësh, në drejtim të rizgjimit të diçkaje, në dukje pa peshë, por madhore, të një përmase të fjetur, që e tëra  tejkalon vetveten... Ndaj, si do të ndjeheshin shtetet tona xhuxhe në këto mësymje të individëve?! A do të kemi institucione për të tilla mësymje? Fatmir Selimi është autori që i grish ato...

Natyrisht në këso mësymjesh diplomacia shqiptare do të duhej të kishte bashkërenditje programore, jo veprime të shkëputura nga rasti në rast.

Mund të pohojmë se Fatmir Selimi, në këto publikime kronike ka mangësi profesionalizmi, ndërveprime me studiues të marrëdhënieve me diasporën shqiptare në Turqi, ndër-komunikime me specialistë fushash të ndryshme, se paraqitjet e këtilla do të mund të ishin më të korrigjuara, më të konsoliduar në pikëpamje publicistike, më të bindshme, më motivuese për zgjimin e  identitetit, të arritjes së nivelit për të dhëna të pa kontestueshme, duke këshilluar arritjet arkivore, statistikore e të tjera përkatësi të natyrave shkencore. Por, le ta pohojmë zëshëm se ai edhe në këtë mënyrë, pa përkrahje institucionale, solli ritme për zhdavaritje të diasporës shqiptare në Turqi. Ai zhdavariti amullinë e indiferentizmin...

Po ashtu, ritmet organizative, vizitat, njohjet e ndërsjella, këngët, veshjet, muzika, vallet, arti, letërsia, rizgjimi i mallit, të gjitha këto përmasa shpirtërore dhe përdorimi, sado pak, i kapitalit për to, shpijnë drejt faktorizimit të diasporës shqiptare në Turqi, që nëpërmjet formave kulturore, nga periferia të mësyhet brendia identifikuese e përkatësisë.

Andaj, urtia: se heshtja është kapak i argjend, kronika e ngjarjeve të përshkruara në këto vëllime, që kishte për synim prekjen e njërës nga diasporat më të mëdha në botë, e shndërruan Fatmir Selimin në një krye personazh, që i bie ndesh heshtjes, se ajo zotëron vetëm në varre!

Shëndet e mbarësi autorit, librit dhe popullit tij!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx