E hene, 14.10.2024, 09:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Pali Shtembari: Gruaja me cigare

E diele, 17.04.2016, 08:17 AM


Pali SHTEMBARI

Gruaja me cigare

Tregim

Bashkë me tim shoq u ndodhëm tek bija jonë, prej disa ditësh, e cila banonte përfund Unazës së Re, midis një sërë pallatesh shumëkatësh, ndërtuar kohëve të fundit, ku kryesisht banonin veriorë.

Na ftoi vajza që ta ndihmonim, pasi lindi djalin e dytë dhe e vetme nuk i përballonte shërbimet që mund t’u bënte, kur i shoqi ishte punësuar në një firmë të huaj ndërtimi, larg kryeqytetit.

Gjithçka në këtë drejtim mbetet për mua më se e pranueshme, në se si prind mund t’u gjendesh pranë, të bësh sat ë mundesh.

Thuajse çdo mëngjes unë merrja nipçen e madh si moshë dhe e çoja në kopsht. Kur kthehesha zija vend në klubin poshtë pallatit ku banonte ime bije dhe për një kohë rrëkëlleja një kafe turke, kur shpesh më gjendej pranë dhe im shoq.

Fillimisht më bëri përshtypje prezenca e shumë grave të reja në moshë në këtë lokal, të cilat përpos kafes, thithnin disi të përhumbura në vetvete cigaren. Më bëhej se këto të reja e pinin cigaren për tangërllëk, dhe aq!…

Jo shumë larg meje, thuajse përditë, vëreja një grua të ngjallme, me sy të bruztë në ngjyrë, si dhe të tjerat, dhe kjo nuk e ndalte cigaren së thithuri; gjë që më vinte njëfarë pështirosje për të.

Vëreja se ajo shpesh nuk ma hiqte vështrimin, ndoshta dhe kërkonte të më fliste, mirëpo tërhiqej, për mungesë njohjeje ndaj meje.

Vështrimin e çonte në sheshin përpara lokalit, ku luante i biri, që mund të ishte rreth katër vjeç a më pak, por tejet levarash, kur shokët apo shoqet që kishte përreth nuk i linte të shkonin të qetë në punë të tyre. Shpesh ai i humbte nga sytë dhe ajo çhej në këmbë, pasi linte cigaren në tavëll, krejt e tërhequr në pamje se mos ai kishte pësuar ndonjë gjë nga ana fizike.

Mirëpo ai, gjendej pranë duke gulçuar rëndshëm, për sa kishte bredhur, i thoshte gati i zënë në  përvajë:

“Mami, ku është babi?...”

Ajo tkurrej keq në pamje, pra nuk i kthente përgjigje, dhe ai, ashtu largohej prej saj, gati i zënë në përvajë.

Ndërsa unë…çuditërisht, duke përjetuar për të një farë dhimbjeje, kur i biri kërkonte të kishte pranë të atin, nuk e di pse u shpërbëva shpirtërisht për çastin, kuptohet: duke ndjerë dhimbje për të, për sa …

E çuditshme!...

Ajo më ndiqte me vështrim pjerrtazi. Ndoshta dhe mendonte keq për mua që nuk po denjoja t’i flisja e para, për t’u lidhur më tej bashkë. Gjithnjë ruaja në vetvete mendimin se ajo, tek thithte cigaren si … ishte një femër tangërllëku dhe aq.

E gjitha sa hamendësoja në vetvet ndoshta ishte shtysë e profesionit që kisha ushtruar deri sa dola në pension, si infermiere, në shumë poliklinika të qytetit tim ku unë dhe banjo, kur pacientët, tejet të shqetësuar përsa përjetonin fizikisht së keqi, më ngjiteshin pranë, t’i ndihmoja në njëfarë mënyre për të larguar nga vetja atë që i mundonte…kur këtë punë e bënte mjeku. Kishte prej tyre që më zgjatnin ndonjë kacidhe, të cilën edhe e merrja, ndjekur nga vështrimi qortues i mjekut.

Kjo grua, mugur krejt në pamje, nuk ma hiqte vështrimin.

Ashtu kalimthi i buzëqeshëm njëra-tjetrës, ngrohtë, si të ishim bashkë të njohura prej kohësh. Gjë që më bëri përshtypje.

Unë i thashë të zinte vend pranë meje dhe ajo pranoi pa shfaqur asnjëfarë ngurimi.

Më falëndroi.

Ndoshta tek unë pikasi një grua të pastër shpirtërisht, atë që jam…Për këtë nuk dua t’i bëj qejfin vetes, por ashtu kam qenë.

Heshtëm, heshtëm gjatë, të dyja me vëshrim nga i biri i saj që tashmë ishte pleksur me një vogëlushe thuajse të moshës së vet, e cila kurrsesi nuk zinte dot vend në biçikletën që mbante fort për dorë. Djali i saj bëri ta ndihmonte, të zinte vend mirë në biçikletë, kur ajo sërishmi rrëzohej përtokë dhe humbiste për një kohë në të qarë.

Djali, i papërtuar në vetvete i qaste biçikletën pranë të niste gjithçka nga e para.

Thuajse të dyja në një kohë e hoqëm vështrimin nga sa ndiqnim ç’ bënte djali i saj me atë vogëlushen, që …

Nuk e dipse përjetova për të njëfarë dhimbjeje, tek e ndiqja qetë në dukje, kur nuk e ndalte së thithuri cigaren, disi e përhumbur në pamje, kur dhe ime bijë nuk dinte saktë se çfarë i kishte ndodhur për të keq brenda familjes.

E vetmja gjë që më kishte thënë se, kohëve të fundit nuk ishte parë të dilte mbasditeve me të shoqin, siç bënte zakonisht.

Diçka të tillë, duke dalë xhiro së vetmi, e bënin edhe ca gra të tjera, ndaj ajo nuk binte në sy për të …keq.

U ndjeva tejet e këndellur kur ajo vendosi dhe, pa nguruar m’u gjend pranë tavolinës ku kisha zënë vend dhe rrëkëlleja në heshtje kafen, si çdo mëngjes.

Për një kohë e ndoqëm njëra-tjetrën gjithë mirësi, edhe pse unë e qortova të birin e saj, sepse ndihej shumë i përkëdhelur, kur bënte disa veprime për të dalë para shokëve të vet, për sa luanin së bashku.

Mirëpo ajo, butas më kundërshtoi duke thënë se fëmija i parë, sidomos djali përkëdhelet, gjë që nuk e kisha jetuar, pasi kisha vajza.

Shpejt u mbyll së brendshmi kur unë e pyeta, pa ndonjë mendim të keq për të shoqin…pse nuk shoqërohej më me të, duke i zënë në gojë edhe time bijë, kur më tha se…

Pasi mbajti përvditur ata sy të bruztë, shtoi se ai ndodhej në burg, për…

Më erdhi keq për atë çka e tha me dhimbje, kur dhe bëri një frymëmarrje rëndshëm dhe…heshti, heshti për një kohë.

Tashmë ajo ndiheje vetme, edhe pse kishte të birin pranë, që e lehtësonte disi, e largonte nga mërzia që përjetonte.

Ndonjëherë mendoj se, gjithçka në jetë lidhet me fatin, edhe pse lufton sa mundesh, për sa ë më mirë, papritmas gjendesh pranë “greminës”…

Unë falënderoj Zotin në këtë drejtim, kur ndihemi më së miri!

Për çudi, ajo më fliste motra.

Unë kisha vite që kisha dalë në pension, por nuk e ndalja së bëri tualetin, kur lyhesha aq shumë s aim shoq më fliste ashpër, të mos bëhesha si…

Më bëhej qejfi që më fliste motra, sit ë ishim të një “gjaku” bashkë…

Në këto ditë gushti të nxehta, njerëzia rrinin gjatë në këtë klub, duke patur ballë vetes gotat me pije të ndryshme.

Megjithatë, secili prej tyre shikonte punën e vet.

Papritmas, jo shumë larg nesh ndali motorin një djalë i ri në moshë. Në duar mbante një bllok të errët në ngjyrë si dhe një stilolaps. Pasi ndoqi për një kohë të gjatë gjendjen shkoi dhe u drejtua tek kamarieri. Foli me të dhe u drejtua tek ne.

- Juve jeni zonja…?

Kështu iu drejtua ai Landës, gruas tashmë që kisha përballë, të cilës i mësova edhe emrin shkurtimisht, diktuar prej tij.

- Unë jam…

Landa i tha emrin e plotë të saj.

- Duhet të firmosni këtu!...

Ai i zgjati bllokun që mbante në duar, si dhe stilolapsin.

- Unë?! Ç’lidhje kam unë me…?! Përse do të paraqitem në gjykatë, kur nuk ndihem e ?!…

- Nuk e disi e ke hallin…Unë bëj atë që më kanë ngarkuar të bëj, si…

Djaloshi i mori firmën Landës dhe, shpejt i hipi motorit dhe u largua nga ne.

Landa mbante në duar fletën e letrës ku kishte firmosur. Herë ndiqte mua habitshëm dhe herë të birin që tashmë i gjendej pranë.

- Unë?!...

- Landa, si është puna?...

Mirëpo ajo nuk m’u përgjigj. Bëri të merrte një cigare, por e la atë, pa e nxjerrë nga paqeta.

Nuk e ngacmova më tej se ç’hall e brendte brenda vetes, për të mësuar se…

Ajo vazhdonte të ndiqte të birin, i cili e kishte gjetur fjalën me vajzën e moshës së vet, kur ajo i kishte dhënë biçikletën të hipte dhe ai ndihej i kënaqur prej saj.

Landa, turbull në pamje, u kthye nga unë.

- Kësaj i thonë!...

Papritmas Landa pësoi tkurrje në atë fytyrë të ngjallme dhe unë, e përmbajtur në vetvete, i thashë qetë se nuk kishte pse të më shfaqej mua, të hyja së brendshmi në hallet familjare që e shqetësonin…

Mirëpo ajo, e ndjerë e qetë në pamje, u shpreh se unë nuk isha nga ato gra që merresha me llafe, siç bënin shumica e grave në pallatin ku banonte, siç më tha, kur ndodhte dhe nuk i zinte gjumi për dikë që kishte!...

Me një pamje të dhimbshme në fytyrë, shtoi:

- Im shoq!...Jo, kurrsesi tashti nuk mund të flas keq për të, për sa mësova se …kishte ndodhur në vendin e tij të punës, që ai me pronaren…të bënte atë punë…të pistë, siç më thanë fillimisht gojazi…E mallkova tim shoq, e mallkova së keqi, kur nuk kishte menduar dhe…kishte shkuar në një udhë të pistë, për të na prishur familjen (!)…Mirëpo gjithçka më thanë fillimisht nuk doli e vërtetë!…

Pronarja ku ishte punësuar, një grua… e përdalë, edhe pse burri vdekur dy vjet më parë ikishte lënë dy fëmijë dhe ajo, për të shkuar më tej biznesin ndiqte një udhë… të qelbur, po them, kur një pjesë të punonjësve nuk u jepte siguracionin, sa, kur vinte kontrolli, gratë i mbyllte në banja!… Im shoq ia kishte thënë hapur se, rruga që ndiqte ishte e papranueshme, mirëpo ajo kurrësesi nuk e dëgjonte atë, edhe pse ishte i punësuar si ekonomist dhe merrej me gjithçka shtetërore. Ndaj ajo, siç tha një shoqja ime e ngushtë, motër po e quaj, përderisa sakrifikoi vendin e saj të punës…kishte filmuar me celularin  esaj një skenë të fëlliqur, kur kjo pronare shtrirë në krevat thuajse lakuriq nga gjysma e trupit e lart, e kishte thirrur atë, gjasme të bënte atë punë, kur kishte vënë dhe ajo një punonjëse të saj të bënte filmimin, në se im shoq i shkonte më tej asaj ç’ka kishte kurdisur!...Mirëpo ai, krejt i befasuar, shtyu derën me rrëmbim dhe doli jashtë dhomës, kur ajo kishte bërë njoftim në polici, se ai…

Ndryshe, ndryshe ajo nuk kishte si e sikterriste tim shoq nga vendi i punës ku punonte, pasi, me njerëzit e burrit të saj kishte njohje. Kjo… prostitutë…kështu po e quaj, nuk i shkoi atje ku mendonte marrëzisë së vet!...

Falënderova shoqen time krejt e përlotur, kur tim shoqi nuk i kisha shkuar më parë në burg, ta shikoja, kur mendoja se…

Të nesërmen, për sa mësova për tim shoq se nuk kishte faj…mora tim bir dhe u gjenda pranë burgut ku ai mbahej i arrestuar, si!…

Ndërsa, nesër, nesër më duhet të paraqitem në gjykatë si…dëshmitare, kur dhe e tillë nuk kam qenë (!)…

Sërishmi ajo zgjati njërën dorë në drejtim të paqetës së cigareve, mirëpo për çudi nuk nxorri prej saj asnjë, që ta thithte si më parë, kur unë mendoja se ishte femër…që këtë veprim e bënte për tangërllëk, dhe jo se… përjetonte së keqi një fatkeqësi…, një kurth, desha të them!...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora