Kulturë
Eshref Ymeri: Mesazh urimi për Prof Rasim Bebo
E hene, 18.04.2016, 06:14 PM
Prof.dr. Eshref Ymeri
Mesazh urimi për Profesorin Rasim Bebo,
me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij
(14 prill 1926 - 14 prill 2016)
Profesor Rasimi, ore i uruar,
Katërmbëdhjetë prilli, kjo ditë e bekuar,
Kur të lindi Nëna, me zemër gufuar,
Të solli në jetë natyrëgjelbëruar,
Kur shpërthente gjethi, bari i harbuar,
Ia thoshte bilbili dhe s’kish të pushuar,
Turreshin ujëvarat drejt detit lëshuar.
Erdhe dhe u rrite, duke hedhur shtat,
Por në moshë të njomë të iku yt atë,
Të la me vëllanë dhe nënën e ngratë,
Të dy për të rritur, fëmijë njomëzakë.
Nëna hallemadhe mundohej nga pak,
T’ju ushqente mirë se kishte merak
Të rriteshit shpejt, djem porsi zambakë.
Edhe ti u rrite, hodhe shtat përpjetë,
U bëre i zoti për veten e vet,
Për nënën e shtrenjtë, edhe për vëllanë,
Me shpirt të brengosur që s’kishit babanë.
Asokohe vendi kokën e kish varë,
Se lirinë e tij tjetri ia kish marrë.
Ndaj rrëmbeve pushkën bash kundër dushmanit,
Lirinë për t’ia kthyer tej e mbanë vatanit.
Me pushkën në sup në çdo mal e breg,
Armikun e ndoqe kudo, shteg me shteg,
Gjersa, më në fund, liria trokiti,
Nëna e malluar ty mezi të priti.
E fillove punën, thjesht si oficer,
Kudo qe model, me faqen me nder.
Por lëvizën ujërat. Njëshi pat menduar
Të shpikte armiq për t’i pushkatuar,
Se shikonte ëndrra, si i kërcënuar,
I sëmurë nga trutë, krejt si i verbuar.
Edhe zhveshi pallën, fare prej marrisë,
Shfrehu krejt urrejtjen kundër Çamërisë:
Gjeneralin Sejko pse e pushkatoi?
Mos vallë djalli vetë, greku, e mësoi?
Familjen e shkretë me zi ia mbuloi.
Ndaj dhe ty të thanë: shko, dil në lirim!
Je bir Çamërie, nuk kemi besim!
Shkove u shkollove, dole historian,
Punove n’arsim, por jo në Tiranë.
Të dërguan larg, deri në Delvinë,
Se nga vetë pushteti kishe marrë mërinë.
Punove tre vjet, me familjen larg,
Me dyshim rrethuar, kudo, rreth e qark.
Kur tre vjet më vonë kthehesh në Tiranë,
Ty t’u sul pushteti, sa gjete belanë.
Të thonin: të ikësh andej nga ke ardhë!
S’të lanë të shijoje një ditë të bardhë.
Të lanë pa të drejtë dy vjet të papunë,
Gjersa thjesht punëtor, për diku të shpunë,
Dhe pse historian dhe me gjuhë të huaj,
Të thane: e ke tepër dhe këtë, mos luaj!
Kur ra poshtë sistemi, erdh demokracia,
The: po lavdi Zotit! Plot hare shtëpia.
Por jo, burazer, nuk qenkej e thënë,
Neokomunistët kryet kishin zënë,
Dhe po të shikonin me fytyrë të vrarë,
Se ishte rreshtuar si opozitar.
Ndaj dhe u largove për në Amerikë,
Për të mbrojtur djemtë nga soji i lig.
Dhe prandaj punove me mendje të qetë,
Se këtu i thonë: shtet e deli shtet.
Më në fund erdh dita, dole në pension,
Kohë pleqërie që të rehaton.
Gjezdise me penë, gëzonte shtëpia:
Nga publicistika, gjer te historia.
Dhe botove vepra, të vërteta shkruar,
Për trojet amtare, vendin e bekuar.
Mbarë veprat e tua vetëm fakte thonë,
Prandaj janë thesare për kulturën tonë.
Nëntëdhjetëvjetori, ditë e lumturuar,
Të gjen kryelartë për çka ke jetuar,
Me djem me fëmijë, nipër, mbesa plot,
Kur kthen kokën prapa nuk përmbahesh dot:
Të gjithë rreth e rrotull lezetojnë shtëpinë,
Me nënë Zenepen, porsi gjeraqinë,
Në sy të shikojnë, me pamjen plot mall,
Të kanë kapital, kapital të rrallë.
Kam veç porosinë që mos ta harrosh:
Për njëqindvjetorin mua të më ftosh,
Një dorë muhabet ta bëjmë me dëshirë,
Ndoshta dhe një gotë bashkë për ta pirë.
Sinsinati, Ohajo
14 prill 2016