Kulturë
Qazim Shehu: Madhështia e Migjenit dhe Puka
E marte, 19.04.2016, 09:00 PM
MADHËSHTIA E MIGJENIT DHE PUKA
Shënohet 85 vjetori i ardhjes së Migjenit në Pukë me bustin e tij..
Intervistë me poetin, aktorin dhe regjisorin e njohur, Fran Vukaj
Bisedoi: Qazim Shehu
Pyetje: Çfarë do të thotë emri i Migjenit për Pukën dhe anasjelltas çfarë i dha Puka Migjenit?
Përgjigje: Migjeni ,gjeniu i letrave shqipe mori nga Puka mjaft subjekte si :Legjenda e Misrit,Bukuria që vret,Zeneli,Qershitë etj.Poeti i madh u frymëzua nga këto realitete të gjalla dhe të dhimbshme dhe shkroi prozat e veta tronditëse që emocionojnë me fuqinë e tyre kreative çdo lexues.Thëniet që mund të shkëpusim nga këto proza janë proverbiale,ato cilësohen të tilla për vërtetësinë dhe sintezën e lakonizmin brilant.Migjeni dhe Puka gjetën njëri tjetrin.Puka i dha Migjenit ajrin e pastër të pishës, ndërsa Migjeni si shpirt i ndjeshëm përjetësoi ato realitete që dihen, duke u frymëzuar e duke dashur madhështisht ata njerëz.Migjeni është një emër i madh,dhe Puka e ka përjetësuar atë në mjaft institucione si shkolla nëntëvjeçare që mban emrin e tij,muzeu Migjeni,Migjeni është shpallur qytetar nderi i Pukës dhe një lajm i gëzueshëm:tani së fundi, me dt.18 prill do të ngrihet në qytetin e Pukës busti i Migjenit,nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj dhe të këshillit bashkiak.Duhet shtuar se ky bust është krijuar nga skulptori Leonard Leka dhe është sponzorizuar nga Fran Gjoka,artist i Kabashit të Pukës, i cili jeton në Miçigan.Është përsëri një pukjan në mërgim i cili kujtohet për vendlindjen dhe në rastin konkret si artist i përtej oqeanit bën një gjest fisnik,një akt të lavdërueshëm kulturor sa human dhe mbresëlënës duke sponzorizuar një vepër të tillë si dhuratë për qytetin e tij ,po edhe si mirënjohjeje dhe respekt për veprën e të madhit Migjen.Kjo ditë,pra 18 prilli , do shënohet si një ditë tjetër e Migjenit duke dëshmuar pavdekësinë e tij;ajo do shoqërohet me aktivitete të ndryshme ku vlen të përmendet edhe veprimtaria promovuese e librit të të studiuesit Idriz Meti me titull:”Zeneli ynë i paharruar”,kushtuar personazhit të Migjenit, Zenel Islami,aktivitet që do zhvillohet në Bibliotekën e qytetit ku drejton Xhovalin Metaj.
Pyetje:Migjeni është një autor shumë i dashur për nxënësit,për të rinjtë dhe gjithë grupmoshat e lexuesve.Ju si ishnxënës i shkollës Migjeni çfarë mbresash mbartni edhe sot për këtë fakt?
Përgjigje:Poezitë e Migjenit ndoshta më nxitën të zbuloj talentin tim.Ato ishin aq të kuptueshme, aq të ngrohta, aq tërheqëse, sa mësoheshin lehtësisht përmendsh dhe të çonin peshë në ëndërrime .Poezitë e tij, po edhe mësuesit Xhemal Meçi dhe Xhemal Smaja , u bënë shkas që unë të konkuroja në Akademinë e Artit dhe të fitoja.Juria më vlerësoi me pikët maksimale dhe ndoshta ishte Migjeni ai që më ndihmoi.Një artist gjenial ndërton shpirtra të rinj dhe krijon afeksione të paparashikuara.I tillë është Migjeni.Kujtoj se kur dola në jetë dhe ushtrova kaq vite jetën artistike në cilësinë e regjisorit, kam zhvilluar sa e sa veprimtari për Migjenin.Kështu është zhvilluar Teatri i poezisë migjeniane,me mësuesen Angjelina Perloka,simpoziume nga Muzeu me drejtimin e Mjeshtrit të Madh Xhemal Meçit e sa të tjera veprimtari në shkolla.Kështu emri dhe vepra e tij bëheshin si pjesë e jetës së përditshme kulturore në Pukë.
Pyetje:Ardhja e Migjenit në Pukë është natyrisht ardhja atëhere e një mësuesi të zakonshëm,e një kryemësuesi që nuk dihej se çfarë do bëhej më vonë.Po një njeri kur ikën nga ai vend natyrisht lë shenja pas.E sidomos një njeri i madh.
Përgjigje:Ka gjithnjë fakte të bukura.Ai la pas një përshtypje të jashtëzakonshme tek njerëzit dhe një dhimbje të madhe kur u njoftua lajmi i vdekjes së tij.Migjeni, sipas bashkëkohësve ishte një njeri i butë i urtë,i thellë, mjaft i përgatitur ,me një dashuri të jashtëzakonshme për vocrrakët.Edhe sot në shkollën “Migjeni” janë akaciet që ka mbjellë dorë e tij.Ato ruhen me kujdes si një shenjë e gjallë dhe një kujtim i bukur lidhë me imazhin e tij madhështor e njerëzor.Migjeni ,siç theu tabutë në letërsi i theu ato edhe në jetë.Haxhi Afiz Elez Hoxha për të hapur shkollën e thyer konceptet e kohës çoi i pari motrën e vet në shkollë.Nuk e dimë sa ishte ndikimi I Migjenit për këtë, po edhe ky Haxhi ishte i përparuar.Në oborrin e shtëpisë së Haxhi Elez Hoxhës ishte një qershi nën të cilën Migjeni pushonte dhe hante kokrrat e saj.Migjeni ishte anemik dhe shëndetlig.Aty ai u frymëzua për të shkruar prozën e shkëlqyer “Qershiat”.Kjo qershi ,në fshatin Zezë është edhe sot si kujtim natyror që do jetojë gjatë për kujtim të Migjenit.Migjeni ka sot edhe nxënësit e tij,natyrisht të plakur siç janë Ramadan Shkreli,kushëri i Zenelit,Qamil Morina,Eqerem Rusta e tj.Migjeni është shëmbëlltyra e mësuesit ideal,ai ishte kryemësues dhe punonte me mësuesit Filip Ndocaj e Idriz Çanga.Njerëzit e kujtojnë se ai, ndonëse shëndetlig punonte vetë për meremetimin e shkollës,siç e thamë ,ishte mjaft i kujdesur dhe nuk reshte të rrinte afër vocrrakëve që i donte aq shumë duke u ndezur edhe stufën me qymyr.Ai organizonte ekskursione me fëmijtë në malin e Tërbunit, realizonte shfaqje artistike dhe teatrale në shkollë.
Pyetje:Gjithë këto kujtime të bukura, natyrisht ta krijojnë imazhin e një njeriu të mirë dhe të madh.Gjithë këto shenjime bartin transpozueshëm një projeksion të portretit të tij që shënohet më së shumti përmes veprës së tij e cila është një perlë e ndritshme ,një nga kurorat eletërsisë shqipe.Ç`mendon Fran Vukaj për këtë?
Përgjigje:Unë nuk jam studiues, po kam lexuar punime të studiuesve të ndryshëm për veprën e Migjenit, e cila është një vepër që dihet, njihet nga të gjithë..Kadareja e ka cilësuar një uragan të ndërprerë Migjenin,ndërsa edhe personalitete të huaja kanë vënë në dukje madhështinë e tij dhe forcën e gjenisë së Tij.Migjeni na mëson ta duam jetën dhe ta duam njeriun, veçmas kur ai është i pambrojtur.Duke shpalosur realitete të trishta dhe fate njerëzish në zgrip të ekzistencës së tyre,ai kërkon të afrojë drejtësinë sociale dhe nuk pranon mëshirën.Njeriu dhe vetëm njeriu ngrihet madhështisht në lartësinë më të mundshme në veprën e tij të madhe.Njeriu i lirë,njeriu europian,njeriu që thyen tabu ,që i shkatërron idhujt pa krena,siç thotë ai,që nuk do të mbetet i fundit ,që do të jetë “një thumb në trutë e njerëzisë”;prandaj Migjeni rron se ai është humanist brilant dhe,kuptohet, me fuqi të jashtëzakonshme të artit të fjalës.
Petje:Po të vinte Migjeni sot në Pukë çfarë do thoshte.Migjeni i tjeshtë,a do e pranonte gjithë atë shpenzim për bustin apo do bënte thirrje që paratë t`i jepnin një të papuni?
Përggjigje:Supozimet gjithnjë janë të bukura se japin raste për të shtjelluar ide.Unë e thashë se Migjeni kurrë nuk ka lypur mëshirë,po vetëm drejtësi.”mëshirë,bijë bastarde e etnve dinakë…”,shqiptonte ai në poemat e veta.Migjeni nuk ka nevojë për buste,bust dhe monument është vepra e tij.Por bustet dhe monumentet që ngrihen për të janë shprehje e sinqertë e komunitetit pukjan dhe bijve të tij,për të respektuar një njeri të madh siç është Migjeni.Njerëzit e Pukës e duan artin,këngën,vallen,poezinë.Puka ka ncxjerrë njerëz të shquar ,ku spikat Ndue Shyti,e sa e sa artistë virtuozë poetë,shkrimtarë si Ndrec Mustafa,Prend Ukaj,Ton Zmali,etnokoreografi i talentuar Riza Hoxha etj që nuk po i përmend, por që dihen.Madhështia e Migjenit dhe e Pukës vijnë në sintoni,sepse një vend që nuk respekton artistët, nuk mund të ketë kujtesë,nuk mund të respektojë veten.Po të vinte sot Migjeni në Pukë do shihte realitete të reja ,do gëzohej dhe do lumturohej kur ta gjente shkollën më të mirë,ndonjë nxënës të tij më të gjendshëm që nuk ka më “tollumbat”e Lulit,ai do shkonte sërish nën hijen e qershisë dhe do shtrohej në një bisedë nën akaciet e rritura të shkollës, me vocrrakët e tij,ai do shikonte se ka ende Zenelë apo Lulë të Vegjël,dhe do ngrinte sërish zërin,sepse Migjeni ishte artist i madh antikonformist që nuk e shiti kurrë frymëzimin e vet hyjnor ,po e shpërtheu atë”pa frikë e pa zori…”
Pyetje:Dihet që ngritja e bustit të njeriu të madh,siç është Migjeni përbën një ngjarje kulturore,po njëherit ky bust ngrihet në një qytet që është emblematik në aspektin turistik.Puka është një Zvicër e vogël,po edhe monumentet,bustet, sjellin edhe një tërheqje turistike.
Përgjigje:Për këtë mund të pyetet më mirë Gjovalin Alia i cili është kryetar i shoqatës ekoturistike të Pukës,por unë mendoj se kjo ka rëndësi të madhe,për sa i përket atraksionit turistik.Turisti gjithnjë e kërkon një aspekt ndryshe,siidomos kur është fjala që, bukurive të natyrës u shtohen edhe shenjëzime kulturore,si ato të lashta, ashtu edhe ato të reja.Figurat e shquara të një kombi ,gjithnjë ka nevojë të vihen në spikatje të vëmendjes,të investohet për to,sepse ato sjellin atë anë përmbajtësore të rigjenerimit të ideve të reja.Kështu,me ngritjen e bustit të Migjenit, Puka,qyteti i saj, merr një vlerë të re,krijon një përmasë kulturore që në të vërtetë e ka.Madhështia e Migjenit i jep shumë këtij qyteti,po edhe Puka nuk mund të harrojë atë çfarë bëri Migjeni për të duke ngritur në art të pavdekshëm mjaft pjesë të jetës që i mori nga kjo trevë,motive, subjekte etj.Kështu, pranë bustit të tij mund të bëhen aktivitete poetike rajonale dhe kombëtare,turistët vendas po edhe të huaj mund të marrin një kujtim fotografik nga ky bust,sepse ngritja e tij jo vetëm që përjetëson një lidhje të hershme të njeriut me qytetin ,po ripërmason një nxitje estetike dhe idepore për të ardhmen.Sot, të gjitha bashkitë duke kordinuar iniciativat me mbështetjen e donatorëve të ndryshëm, mund të bëjnë më shumë në rivendikimin e së shkuarës kulturore,sepse kjo sjell vetëm gjëra të mira.Ndaj inivciativa e Bashkisë, Pukë është një shembull i mirë,një motiv i madh nxitës,për ta shikuar në të ardhmen këtë edhe shumë bashki të tjera të vendit,sidomos bashkitë që ndodhen në riformatim dhe rikonceptim të tyre pas ndarjes teritoriale.Mendoj se ngritja e bustit të Migjenit në Pukë do gëzoj çdo pukjan dhe dashamirës të letërsisë,çdo shkrimtar apo artist të vërtetë;kjo ditë është një akt i madh human,estetik,patriotik,kulturor dhe jep një shembull inkurajues në këtë kohë kur artistë janë të çliruar po edhe të uzurpuar nga dilemat që krijohen prej shoqërisë ,kaosit dhe mungesës së vëmendjes ndaj tyre.Pra është një akt i shkëlqyer….