Kulturë
Kristaq Turtulli: Morevesh, mora thuaj
E premte, 22.04.2016, 08:16 PM
KRISTAQ TURTULLI
MORE VESH, MORA THUAJ...
Tregim
Kur hyra në hollin e hotelit të gjeja një dhomë dhe të flija një natë. Pashë një grua plakë me tualet të rëndë, të veshur me një rozë të ndezur, si koketë, vërtiste një tufë çelësash në duar dhe i fliste ashpër një vajze të re:
-Dëgjo çupë e mbarë, unë s’ paguaj të vish vërdallë, more vesh mora thuaj. Ndryshe merr xhaketën dhe hajt...
- Zonjë, jam shtatzënë dhe djali juaj..,- mërmëriti vajza.
-Ou, djali juaj, djali juaj. Ai për momentin s’ është këtu,- e ndërpreu plaka:- Tani këtu jam unë, more vesh, mora thuaj, hajt shko.
Vajza pa thënë gjysmë fjale u largua duke qarë. Seç më kujtonte dikë kjo fytyrë e rrudhur, ky zë i ashpër gruaje dhe thënia acaruese: ‘More vesh, mora thuaj’.
-Dhomë doni zotëri,- mu drejtua gruaja plakë me zë të bezdisur dhe më gërmoi me sy.
-Po. Ju jeni pronarja e hotelit?- e pyeta me qëllim.
Ajo mblodhi buzët me bezdi të hapur nga pyetja ime dhe mërmëriti:
-Unë...djali, ç’ rëndësi ka. Doni dhomë apo jo!?
Kjo plakë me tualet të rëndë dhe veshur me tesha rozë të ndezur, dikë më sillte ndërmend. Ajo më tha çmimin e dhomës. Pa ja ndarë sytë plakës i dhashë lekët dhe mora çelësin. Ngrita valixhen dhe bëra të largohesha. Befas u ndala dhe u ktheva nga ajo.
-Më falni zonjë, më lejoni të pyes,- i thashë dhe pa i dhënë kohë të përgjigjej vazhdova:- Mos jeni Keti Gjylaneti?
- Po, unë jam,- ia bëri ajo zë grindur:- Ju kush jeni?
- Altin Madhi, ish nxënësi juaj...
-Ah!- ia bëri ajo, picërroi sytë e plakura dhe instinktivisht shqiptoi: -Ti je ai, Madhi...i...i...i!
Ashensori i hotelit s’ punonte. U detyrova të ngjitesha në këmbë. Hyra në dhomë. Ambienti ishte i ftohtë, i huaj, muret e lyera me ngjyrë rozë të shpëlarë. Një shtrat, një tavolinë e ngjeshur pas murit dhe një stol. Përballë dritarja. Lëviza perden e trashë. Qiell i vrenjtur, kishte filluar të rigonte shi dhe qyteti më ngjau ngjyrë gri. Aty përtej në atë grumbull të dendur shtëpish, me tjegulla të kuqe, ngjeshur njëra pas tjetrës, ku mezi dallohen rrugicat e kalldrëmta gjendet ish shtëpia ime. E shita përpara se të merrja rrugën e kurbetit. Vështrova sheshin, mu duk tmerrësisht i vogël dhe makinat si breshka. Dreq o punë, vij si jabanxhi në qytetin ku u linda u rita dhe fle në hotel, ku është pronare ish mësuesja, plakesha Keti...
-Do them një sekret:- me pëshpëriti Dea sa u ula në bankë. Topolakja Dea ishte e zgjedhura e ëndrrave të mia. E doja me shpirt.
- Pa hë,- i thashë i llastuar e buzagaz. Eh, kush s’ i do sekretet.
-Di vijë Keti si mësuese kujdestare. Sa qejf,- ia bëri ajo dhe largoi me delikatesë krelen e flokut të verdhë që i harlisej në ballë.
Buzëqeshja mu tret. Isha gati ti thosha: ‘Ç’të keqe ke parë nga mësuese Julia që na u gëzuake kaq shumë me ikjen e saj!’
- Ketin mami im e ka shoqe,- shtoi ajo.
Flokët e mrekullueshëm të Deas më ngjajnë si të ngrira në niseshte, siç ngrin nëna ime kortinat, mbulesat e tavolinave dhe shportat e vezëve të punuara me grep
- Po mësuese Julia?- E pyeta me gjysmë zëri.
-Ajo do lindë bebe.
Pa ditur ç’ ti thosha vështrova tavolinën e mësueses dhe përnjëherë mu duk e largët, me tis të mjegullt përsipër. Mësuese Julia ma kapi sakaq shkëndijimin e syve dhe kuptoi dëshirën, ndaj hoqi nga banka Bertin shalëgjatë dhe, më vuri pranë të ëmblën, topolaken, bukuroshen Dea. Unë me vete e quaj Dea e Butrintit, erdhi u ul pranë meje gjithë naze, si kotele. Ajo është vajzë vetme mes katër vëllezërve, bija e shoferit të Kryetarit të Komitetit të Ekzekutiv të rrethit, më parë ati punoi shofer në ambasadë të një shteti të madh. Dea gjithë naze më vendosi doçkën në sup dhe më pëshpëriti:
-Jam vajza e pleqërisë dhe mami im është modhistër në rrobaqepësi. Pas pak më pyeti:-Po ti?
Unë ngrita supet dhe i thashë:
- Jam më i vogli nga vëllezërit.
E ëma e vesh Dean me palltoçka e fustanka të prera e të qepura me shije e ngjyra të forta ku më shumë spikat e portokallta. Dea dallohet mbi të gjitha vajzat, është kukulla e klasës. Flokë artë, me onde si valë deti, lëkurë bardhë, delikate si lëmesa e qepës. Hunda e bukur i harmanizohet me gojën e vogël si kuti dhe sa herë qesh i formohen dy gropka të mrekullueshme, i bëjnë fytyrën si kartolinë e ndonjë artiste e huaj të cilat i ruan nëna me kujdes në sëndukun e vjetër. Dea ka doçka të vogla e gishta të plotë, ku ndrisin si alabastër thonjtë e vegjël. Delikatesa e Deas më detyroi të mbahen pastër, të krihem dhe të pres thonjtë rregullisht. Pantallonave me arnave dhe bluzave të vjetra s’ kisha ç’ tu bëja, ishim të varfër, babai i sëmurë dhe familja jonë me shumë fëmijë vërtetej vetëm me rrogën e vëllait të madh.
Në orën e vizatimit kur po mprihte lapsin, Dea zhvoshki lëkurën. Ajo klithi dhe vështroi sy shqyer vendin e lënduar ngjyrë portokalli që pas pak buisi një bulës gjaku. Sytë e saj të bukur u rrëmbushën nga lotët. Ndërsa mua gati sa s’më pushoi zemra, prej frikës mos i ndodhte Deas sime ndonjë hata e paimagjinueshme. Mësuese Julia e qetësoi, i mjekoi plagën, pa i nderë sytë nga fytyra ime e zverdhur si limua.
Një ditë shkova me vonesë në orën e mësimit, shtruam babanë urgjent në spital. Futa çantën prej pëlhure poshtë bankës dhe kur nxora me nxitim librat dhe fletoren e leximit, më ra përdhe një fletë fletoreje. Mësuese Julia u ndodh aty, u përkul ngriti fletën e rrëzuar dhe e lexoi me kureshtje çfarë ishte shkruar në të. U mblodha në bankë si esh prej turpit, ishte vjersha ime sekrete dhe nuk doja të lexonte kush. Mësuese Julia vështroi buzagaz pështjellimin tim. U përkul pranë meje dhe më foli në vesh të mos dëgjonte kush:
-Bukur Altin, vazhdo shkruaj. Mësuesja e di kujt ja ke kushtuar vjershën.
U bëra lulëkuqe dhe mallkova veten për pakujdesinë e pafalshme. Por mësuese Julia më ngushëlloi.
-Përse mërzitesh. Shpirti i bukur i këndon së bukurës.
Prania dhe fjalët e ngrohta të mësuese Julias më mbushën shpirtin, unë e adhuroja atë. Mungesa e saj më krijoi angështi në shpirt, do gjeja në klasë boshllëk. Por e qetësove veten kisha Dean dhe mësuese Julia do bëhej me bebe të mrekullueshme siç është vetë.
Mësuese Keti më së shumti punon në sekretarinë e shkollës dhe nuse e shefit të degës së punëve të brendshme. Dy herë i kam hyrë në zyrë më ka mbërthyer shikimi i akullt dhe më ka gozhduar tonin e zgjatur, acarues i zërit të saj kur shqipton mbiemrin tim:
-Ah, ti je ai i Madhe... v...e...e...e...e, kështu!
Mësuese Keti hyri në klasë me hap të rëndë, duke mbajtur regjistrin në gjoks me të dy duart e shëndosha. Ajo qe veshur si zakonisht, me këmishë ngjyrë kaki mbërthyer deri në grykë si kinezët. Mbasi ishte koha e revolucioneve kulturore kineze dhe ne u bëmë si ata e, me pantallona po kaki. Ne u ngritëm në këmbë si me komandë. Ajo u ndal në mes të klasës me shpinë nga dërrasa e zezë. Përfshiu me një vështrim të rëndë gjendjen dhe bëri:
-Hëm...m...m, - të zgjatur dhe lëvizi krahun në shenjë të uleshim.
La regjistrin në tavolinë.
-Më njihni, jam Keti, do zëvendësoj mësuese Julinë. Morët vesh, mora thoni,- heshti një hop dhe lëshoi një pasthirrmë të zgjatur. Dea e gëzuar më kapi për dore, lëvizje që syri vigjilent i mësuese Ketit e kapi në çast dhe tha:
-Me sa shoh, mësuese Julia nuk ka punuar mirë. Në interes të mësimit do të bëj disa lëvizje të nxënësve nëpër banka. Ja, për shembull, me nxënësin Madhi kush ka qenë më parë në bankë?
-Me mua,- kërceu Berti shalëgjatë dy banka më pas.
-Shumë mirë. Ngrihu ti vajzë dhe shko në vendin e atij djalit dhe ai të vijë këtu,- urdhëroi mësuese Keti:-Hajt, lëviz shpejt mos na ikë ora e mësimit.
Largimi i Deas dhe ardhja e Bertit shalëgjatë më trishtoi. Çuditërisht me kaq ndryshimet u bënë në klasë. Mësuese Keti u rehatua në karrige dhe vështroi klasën e kënaqur. Vendosi me ceremoni syzet e mëdha optike dhe me zë kumbues nisi të bënte apelin e nxënësve. Kur erdhi radha te emri im, zëri iu bë i rëndë dhe me ton zgjatur si oshtimë:
-Altin Madhi...i...i...i!
-Këtu,- brofa unë në këmbë.
Ajo rrëzoi syzet mbi hundë, më këqyri sikur më shihte për herë të parë dhe mërmëriti:
-Ah, je ti bankës! Ulu.
Unë s’ e kuptoja përse mësuese Keti kërkonte të grisej me mua, kur isha nxënës i rregullt, me nota shumë të mira dhe jo si Berti shalëgjatë që fuste gishtat në hundë, i bënte qyret topka të vogla dhe gjuante pas shpine shokët e klasës.
Dy orët e para mësuese Keti bëri pyetje të shpejta, kontrolli. Unë ngrija dorën, por ajo as i hodhi sytë fare nga unë, pyeste nxënësit e tjerë, vinte nota të mira dhe ia mërmëriste e kënaqur:
- Shumë mirë, shumë mirë.
Me thënë të drejtën fillova të ndjehesha disi i shkujdesur se më në fund më la të qetë. Në pushim Dea mu afrua pranë, mu lut të përsëritnim së bashku, si zakonisht mësimin dhe më tha të mos mërzitesha që iku, fundja dy banka më tej qe. Unë bëra një lëvizje me dorë gjoja i shkujdesur. Në orën e tretë, në lëndën e leximit kishim për detyrë të komentonim një skicë të një tregimtari të realizmit socialist që fliste për të varfrit dhe të pasurit.
Mësuese Keti, hapi librin e leximit, mëshoi me dorën e mbledhur grusht mbi faqen e hapur dhe lexoi me zë të ulët emrin e autorit dhe tha:
-Ky është shkrimtar i madh,- pastaj mori shkumësin, shkroi në dërrasë emrin e mbiemrin e autorit dhe titullin e skicës. U kthye nga klasë dhe foli me ton solemn:
-Kush do na flasë për këtë skicë të bukur, ku flet për realitetin e hidhur, hë, kush!?- shikimi i saj brodhi në klasë, u ndal te unë:- Ja ti Madh...i...i...i për shembull ç’ mund të na thuash.
Me shumë dëshirë brofa në këmbë. Unë e kisha mësuar me shumë qejf skicën, e doja me shpirt letërsinë, adhuroja shkrimtarët dhe poetët. Nisa të flisja me pasion për autorin, jetën e tij, për temën dhe idenë.
-Mirë, mirë,- më ndërpreu mësuese Keti:- E shoh, e ke mësimin, qenke dhe nxënës i mirë. Por dua të dëgjoj nga ty më konkretisht, pa ta ilustrojmë në mënyrë të dalë kuptimi më i plotë. Si mendon përse kanë qenë të ligj borgjezët që i pinin gjakun popullit fukara, hë?!
Ngrita supet dhe mërmërita.
-Se ishin borgjezë...
-Shumë mirë, ishin borgjezë. Me sa di unë edhe familja juaj ka qenë borgjeze, apo jo? More vesh, mora thuaj.
-Nuk e di mësuese.
-Nuk e di! Duhet ta dish mirë që dhe prindërit e tu kanë qenë borgjezë si të tjerët, të ligj, të pamëshirshëm.
Unë s’fola, klasa heshte. Gjendje e nderë ishte, apo më dukej mua ashtu. Mësuesja përfshiu klasën me një shikim të rëndë dhe vazhdoi:
-Pa më thuaj një cikë, ti Madhi...i...i...i, si ja pinte gjakun popullit fukara, familja juaj?
Mu tha pështyma në fyt. Nuk di që prindërit e mi të kenë pirë ndonjë herë gjak! Babai i sëmurë, nëna shpirt njeriu, i vjen keq të vrasë një vizë. Familja ime është e këputur s’ka ku të vejë! Ku dija përse fliste mësuesja, unë linda i varfër dhe s’ kisha pirë qoftë e një herë një pikë qumësht dhe të haja një fetë bukë të bardhë me gjalpë dhe reçel si Dea dhe Berti shalëgjati. Prej varfërisë e mjerimit u sëmur babai dhe motra. Kaq të keq paskësh qenë borgjezët xhamën, kur babai im çuditërisht mburrej me të shkuarën e familjes sime, thoshte: ’Në do të quhet qyteti ynë qytet me fytyrë evropiane, merita në radhë të parë i përket familjes sonë për dhuratat e shumta që i bëri. I dhuroi qytetit spitalin për tu kuruar, liceun për tu arsimuar dhe bibliotekën për të kulturuar...’
-Fol!- dëgjova shungullimën e zërit të saj:- Tregoji, thuaji klasës, ndryshe do vë një njësh të madh.
S’ flisja. Më vinte të bërtisja, të qaja me të madhe. S’ duhej të bërtisja dhe as të qaja. Klasa më sillej rrotull dhe fytyrat e shokëve dhe shoqeve të klasës sa vinin dhe deformoheshin gjithnjë e më tepër. O zot, vetëm zali mos më bjerë. Nuk dua të qeshin me mua. Më dridhej i gjithë trupi, por s’ dija se çfarë të thosha. E kuptoja që ajo shpifte. Le të vinte njëqind njësha, një milion, një miliard. Prindërit e mi janë më të mirë e zemërbardhët në botë. Një lëmsh i madh më ishte mbledhur në fyt. Përse më torturon kaq keq kjo mësuese Keti me uniformë kaki, çfarë i kam bërë?
-Nuk dashke të flasësh, hë!- zëri i saj u bë tmerrësisht i ashpër:- Për mua je nxënës i dobët, po të vë një njësh të madh. More vesh, mora thuaj. Ulu.
U mata ta kundërshtoja, por ndjehesha i pafuqishëm. Se më vuri njësh nuk u përmbys bota. Nuk e di ku u ula, Berti shalëgjatë me shtyu me forcë, gati sa s’u gremisa. U ktheva nga ai, e pashë me egërsi. Koka më gjëmonte, më vinte për të vjellë, s’ më rihej në klasë dhe zilja vononte të binte. Më në fund ra zilja. Rrëmbeva çantën prej pëlhure dhe pa parë majtas dhe djathtas u turra jashtë. Zemra rrihte me furi, më dukej sikur do shkulej prej gjoksit dhe do binte përdhe ne korridorin e pistë të shkollës. U ndala një moment të mbushesha me frymë. Pas meje dëgjoj hapa të shpeshta, dikush në kapi nga bërryli. Ishte Dea sytë i kishte të përskuqura.
-Ua sa turp moj nëne! Qenke borgjez i keq dhe unë se dija! S’ jemi më miq, ta dish, - tha zë holluar, më ktheu shpinën dhe iku.
Uh, dhe Dea më duhej tani. Mu bë sikur mu dha e fshikullimi i fundit e ndëshkimit. Doja të qaja, më dukej do vdisja po mos nxirja dertin, por s’ duhej të qaja...