E merkure, 19.02.2025, 02:55 PM (GMT)

Kulturë

Xhevahir Shtupa: Ngritja e flamurit ne Deçiç

E enjte, 21.04.2016, 08:03 PM


NGRITJA E FLAMUNRIT NË DEÇIÇ NË VITIN 1911

TABLO E PIKTORIT AGIM ZAJMI

Esse vlerësuese e medituese

NGA XHEVAHIR SHTUPA

Një kompozim epik. Një epikë heroike. Për një ngjarje të vërtetë historike. Deçiç, më 6 prill 1911. Një luftë e një heroizëm i rrallë që Piktori i Popullit Agim Zajmi e ka përjetësuar në këtë tablo simbolike e identitare në përmbajtje e në formë. Ajo ngjan edhe si një grup skulpturor monumental; me protagonistë gjithë luftëtarët rreth Dedës, me bazament Kalanë (qëndresa shekullore) e flamurin, lart në majë, fitorja e tashme. Por janë aty edhe dëshira, qëllimi, krenaria e qenësia janë kombëtare. Ngjan ajo si skena finale e një spektakli dramatik. Këto  e të   tjera vlera  e bëjnë këtë tablo një vepër arti të rrallë.

Luftëtarët vazhdojnë të shtien. Tre nga ata po ngrenë flamurin. Flamuri i Parë i Lirisë. Në murin e Kalasë, pranë themeleve të saj, skuq gjaku i valë i trimave që sapo ranë…

Eh, or Baca Dedë! Si e durove dhimbjen për djemtë që ranë njëri pas tjetrit me flamurin në dorë?!... Ah, po! Forcën ta dha dëshira e amaneti i tyre që flamuri shqiptar të ngrihet aty mes tymit e flakëve të barutit. Djemtë trima të Malësisë që luftuan aty, në krah të njëri-tjetrit e që ranë njëri pas tjetrit , në pranverën e jetës , në atë ditë pranvere…të dhanë forcën për të duruar dhimbjen e për të vazhduar luftën deri në plotësimin e qëllimit. Ata të dhanë nderin e krenarinë ty e  krejt Malësisë. Luftuan e ranë për Shqipërinë.

Vështrojmë pikturën. Luftëtarët vazhdojnë të shtien. Tre nga ata po ngrenë Flamurin e Parë të Lirisë…aty, në majën e Bratilës (vëllai Ilë, shqip ?), në Deçiç. Një luftëtar i ri me pushkën lart, po i gëzohet fitores. Ajo solli fitoren. Deda po përshëndet flamurin e po lajmëron Malësinë e Shqipërinë me të shtëna revolveri. Vështrojmë grupin e luftëtarëve. Ngjajnë si shkëmbinj mbi një shkëmb. Të gjithë së bashku, si kala mbi Kalanë. Ja, muri i Kalasë…

Pranë Dedës, në të majtë të tij, një luftëtar me xhamadanin zjarr. Pranë zemrat. Pranë i kanë edhe armët. I patë? Ja, dhe daulltari e daullja që orë më parë dhanë kushtrimin.

Ne, edhe “nji tash “, sikur dëgjojmë thirrjet: “Mbi ta ! Mbi ta, burra! Bini bij të këtij vatani!” E bijtë u bien. Krisna armësh që s  rreshtin. Zëra luftëtarësh. Ofshama. Daullja që gjëmon e jehon larg …Një ropamë lufte. Erë baruti. Gjak i vale e flamuri që kalon dorë më dorë…Shqiptaria në provë. Që shqiptaria të mos humbet. Lufton “trimnia” me pushkë me dorë e bie aty në fushën e nderit . E flamuri… u ngrit.

Në këtët çast, daulltari e ka ndalur  shikimin tek revolja e Dedës e është gati të shoqërojë e të përhapë, me oshëtimën e daulles, lajmin e fitores. Edhe njëri nga mbajtësit e flamurit aty e ka ndalur shikimin, tek gryka (flaka) e revoles së Dedë Gjon Lulit. Shikime (vetëtimë) që takohen në një çast , tek një dorë që s u lodh nga të shtënat për Lirinë, tek një revole që po lajmëron Lirinë.

Në të majtë të tablosë , një luftëtar i ri, i treti, mbase më i riu , po vështron  në qendër luftëtarin pranë Dedës, më saktë, xhamadanin e tij të kuq e më tej flamurmbajtësin pranë tij. Flamurmbajtësi me xhamadanin e hapur, (po ia flladit gjoksin era e Lirisë) dorën e djathtë e ka takuar me atë të bashkëluftëtarit tjetër e shikimin tek flamuri që sapo ngritën. Zemrat rrahin një. Lum kush përjeton çaste të tilla!

Edhe unë, në këtë çast, tek ai xhamadan, në qendër të tablosë po shoh e po meditoj…Hedh sytë në të katër cepat e tablosë. Po sikur t’i bashkoj ato me anë të diagonaleve, ku mendon, ti lexues i dashur, se do të jetë pika e takimit ? Ja, veprojmë. E sheh se ku u takuan? Në zemrën e këtij burri. Aty është qendra e tablosë, si matematikë, si pikë referimi e kompozimit, por më shumë si kumptimësi. Aty kalon edhe vija e simetrisë që fillon (nga poshtë-lart, nga baza) tek luftëtari tjetër po me xhamadan të kuq, kalon në qendër, pastaj tek duart e dy flamurmbajtësve, “Tok, or Maratonomak!” (F.S.Noli, “Rend, or Maratonomak!”) tek flamurtari e përfundon tek shqipja në flamur.

Malësori shqiptarinë e ka në zemër.

“ Por nuk u shuejt edhe, jo, Shqyptarija:

Lodhun prej hekrash qi mizori i njiti,

Lodhun prej terri ku robnimi e qiti,…”

(N.Mjeda, “Liria”, vargjet 71-73)

Heroizmin e ka në gjak. E zemra që  s tutet, zemra heroike, ve shpirtin , mendjen e dorën në veprim… E dora pastaj ngre lart flamurin, aty në majë e zemrat e luftëtarëve gëzojnë. Gëzojmë edhe ne. Vlerësojmë sakrificat e heroizmin e nderojmë në përjetësi gjakun e tyre.

Sa herë që jam i pranishëm në dollitë mokrare, kur pihet, në mbyllje të saj , për flamurin tonë kombëtar, më kujtohet , nga “ Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, edhe lufta e Deçiçit, Dedë Gjon Luli e trimat që ranë aty me flamur në dorë… “Flamuri valoftë, në duart  e shqiptarëve qëndroftë!” Ky urim, që shpreh esencën e shpirtit , të identitetit dhe të idealit tonë kombëtar ,më sjell para syve,  veç të tjerave, edhe këtë tablo , këtë skenë të rrallë heroizmi e ngadhënjimi.

Përqëndroni, ju lutem të gjithëve, edhe një herë, shikimin tuaj mbi të gjithë luftëtarët, ngadhënjyesit e kësaj beteje historike ! Tani…fokusohemi tek flamurngritësi: Sa i bukur! I bukur është heroizmi. I bukur është ideali. E bukur është rinia. E bukur është Liria. Vështrojmë xhamadanin e tij; gjak i kuq, me gajtanë të zinj, si një përsëdytje e flamurit. Kënga popullore: “Xhamadani kuq si gjaku , kuq si gjaku”.

Gjaku e flamuri. Gjaku e liria. E aty, në Deçiç, derdhën gjakun shtatë trima , shtatë djem të rinj, shtatë djem të mirë (“O  i meri i nanës, oh!...”, si shtatë Omera“ N Lugje  t Verdha q kan ra.”) Shtatë dëshmorë , që i teti trim të  ngrejë, aty në majë, “flamurin fitimtar”. Prandaj, gjaku i tyre është i shtrenjtë, është i shenjtë dhe, mot e jetë, është i paharruar. I paharruar qoftë!

Flamurngritësi; një luftëtar i ri, krahëhapur mbi Kala, mbi shkëmbinj e gurë, sikur do të përqafojë Lirinë. Me vështrimin plot dashuri mbi maja malesh, mbi Kështjellën legjendare e mbi Shkodrën Loke. Si një shqiponjë në fluturim…Bukuri e Madhështi. Madhështi  e heroizmit. Poeti (Ndre Mjeda) që i këndoi Lirisë, i ngazëllyer, do të thoshte : “Bukuri madhore !”

Ne nuk mund të largohemi pa u përshëndetur me Dedën që, më 1911, u bë drejtuesi kryesor i Kryengritjes së Malësisë së Madhe. “ Dedë Gjon Luli , i cili për më shumë se 50 vjet ishte zemra, mendja dhe shpirti i të gjithë atyre shqiptarëve që për atdhe “e banin deken si me     le ”. ( Ndue Bacaj , Koplik :  “ Një portret i vogël për të madhin atdhetar Dedë  Gjon Luli”. Referat në 100-vjetorin e rënies. Revista “Fjala” , Nr.24, Nëntor 2015, faqe 6) Edhe ai, vështrimin tek ne e ka, tek e ardhmja. Po revolja e Dedës ? Ajo vazhdon të nxjerrë flakë…

Shumica e luftëtarëve me pushkën mbështetur në sup e syrin në shënjestër vështrojnë “Mbi ta” …, të tjerët njëri-tjetrin, prijësin e flamurin. Flamurtari sheh para horizontin e Deda qëndron aty, mes malësorëve me revolen në dorë e shikimin tek ne.

Po ne, a po e kuptojmë çfarë po na thotë? A po i vlerësojmë ato sakrifica, atë luftë e atë gjak? Po.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora