Kulturë
Pali Shtëmbari: Bunkeri
E hene, 02.05.2016, 05:00 PM
Bunkeri
Tregim nga Pali Shtëmbari
Pas përfundimit të protestës, një pjesë e manifestuesve të papërmbajtur në vetvehte iu sulën bunkerit ndërtuar jo më shumë larg ndërtesës së kryeministrisë, për ta shkatërruar atë, si!...
Me sa kisha mësuar, ky bunker ishte njëfarë simboli i së djeshmes komuniste, për të mos e larguar atë kohë nga kujtesa e të majtës në pushtet!...
Njëfarë!...
Sa u gjenda pranë tij së bashku me shokë të mijë policë, si dhe police që i rrinin në distancë turmës se mos ... fillimisht bëra ç’munda t’i shmangja ata nga sa po bënin, për ta shpërbërë këtë ... simbol që ende mbetej si përfaqësues i së Djeshmes... Mirëpo gjithshka ishte e kotë, pasi protestuesit ndiheshin të papërmbajtur duke duke mbajtur nër duar flamuj të PD-së apo edhe të tjerë, me bishtat e të cilëve mundoheshin të shkatërronin betonin, me të cilin ishte ndërtuar bunkeri, si të ishte i djeshmi, kur !...
Së fundi, protestuesit mundën të zbulonin pjesën lart të bunkerit, hekurat,gjersa së brendshmi i vunë zjarrin, nga filluan të dilnin flakët...
Nër këto çaste munda t’i shkel syrin shokut tim Beso, të largoheshim nga bunkeri, mirëpo ai nuk më dëgjoi.
Dikush që thuajse lartohej me trupin e hequr të tij pranë bunkerit e qëlloi disa herë Beson në kokë, dhe ai u gjend përtokë, pa ndjenja. Njëra nga shoqet police që iu gjend pranë bëri ç’mundi ta tërhiqte larg protestuesve, gjersa pranë saj u gjend një djalë i ri nga Garda.
Ndërsa ballë meje, krejt i revoltuar në pamje, u gjend sërishmi ai që qëlloi rradhazi Beson me bisht të flamurit, dhe më tha:
“Edhe ti, o biri i Qazos këtu ?!...Kur ne bashkë përjetuam vite burgu në Spaç?!...”
U tkurra, u tkurra keq brenda vetes, dhe iu largova mbylltas bunkerit, sic bënë edhe shumë shokë të mij, dhe mora udhën në drejtim të mureve të Kryeministrisë, për ta mbrojtur atë nga vezët dhe bombat tymuese që nuk ndaleshin së hedhuri ndaj saj.
Jo shumë larg meje u gjenda ballë shefit tim; sikur më thoshte
“Hajde, se të rregulloj unë ty!...”
***
Gjatë natës bëra një gjumë të trazuar me ëndrra të pështira, si rrallëherë, sa time shoqe e gjeja të kaplluar nga një gjendje frike se mos unë…isha shpërbërë nga mentë, dhe…
Sidomos më dilte në ëndërr bunkeri…si dhe shoku i tim eti, me të cilin kishte vuajtur vite në burgun e Spacit. Dhe më tej, pranë më qasej koha e shkuar në ishullin e Sazanit, kur im at u transferua atje si ushtarak i vetëm, sepse më vonë, përpos alarmeve që jepeshin në dukje mësimorë, kërkuan që edhe familja e tij të ndodhej atje. Dhe kështu u bë. Ne u vendosëm familjarisht në ishull.
Kur jepej alarmi, në ishull vinin me urgjencë zboristë apo zboriste, të cilët ankoheshin më kot, se nuk i dëgjonte njeri, kur i kishin lënë të pjellët e tyre nëpër fqinj, pasi nuk u gjendeshin njerëz të tyre pranë.
Kur alarmi zgjaste në kohë, herë me javë, i vëreja të zinin vend pranë çadrave ngritur përfaqe të kodrës, edhe pse kishte ditë që shiu nuk pushonte së rëni.
Paqsi përfundonte alarmi, këta zboristë dhe zboriste ktheheshin në qytetin e Vlorës me anijen DETART, krejt e ndryshkur në pamje, e cila thuajse përditë furnizonte me ujë të pijshëm ishullin.
Ndërtesa ku banonin ushtarakët ndodhej në majë të ishullit, si dhe kinemaja, apo dhe më tej këtyre ndërtesave vëreheshin disa mure të lashtë, për të cilët flitej se ishin ilire.
Çuditërisht këto mure nuk i trazonte njeri.
Veç një reparti marine, poshtë ishullit nga lindja nuk kishte forca të tjera, veç atyre xhenjere, që nuk bëheshin me njëra-tjetrën.
Shpesh në kundërshtim me sa më qortonte im atë, me një shokun tim i zbrisnim ishullit poshtë nga perëndimi, dhe gjendeshim në një vend të hapur që shërbente si plazh, për të cilin flitej se dikur atje bënte banjë fashisti Musolin me të bijën...
Tek i gjendesha ishullit përqark më bënin përshtypje tunele të futur në brendësi të tij, ku mbaheshin të fshehur topat OBUZ, të cilët dilnin nga këto tunele vetëm në raste alarmi.
Më vonë tim atë e arrestuan, si armik të pushtetit dhe ne familjarisht shkuam me banim në kryeqytet, pranë Kodrës së Diellit, tek njëri nga xhxhallarët e mi.
E gjitha pse im atë, në një ambient shokësh u shpreh se Mao Ce Duni kishte shkarë nga trutë...Ciao Cini ia ulte dorën kur i mbetej ngritur, tek gjendej para masave që...
Gjithçka tha im atë ia morën për një aludim, në se shprehem qartë, që bënte fjalë për udhëheqësin tonë, kur edhe ai kishte...
Kohëve të fundit përsa kisha mësuar, Nexhi e mbante udhëheqësin pranë, sikur ta kishte “motak”...
Njëri nga shokët e tim eti, për të cilin edhe nuk po dimë saktë se kush është si identitet...pasi edhe nuk po hapen dosjet, e denoncoi për ç’ka tha se ...aludonte për...
Atë kohë, me sa më kujtohet, ndodhesha në Shkollën e Bashkuar, për të dalë edhe unë oficer, mirëpo sa mësuan se im atë kishte..., më përjashtuan nga kjo shkollë dhe unë mbeta udhëve për një kohë të gjatë, të ushqyer vetëm me rrogën që merrte nëna.
Me kthimin e sistemit, kur në pushtet u gjend e djathta, unë zura punë si polic, por shpejt u braktisa nga kjo punë kur në pushtet erdhi e majta dhe unë pësova...
Mbeta sërishmi rrugëve...
Në këto vite im atë ndihej sa i moshuar dhe i rëgjuar fizikisht në vetvehte, sa nuk mund të më ndihmonte që unë të shkoja në vendin e punës që më takonte, dhe jo të.....
***
Edhe pa u çuar nga shtrati ku flija, dikush nga shokët e mi, krejt i shpërbërë në zërin e vet, kështu m’u bë,më thoshte se më kërkonin urgjent në komisariat. Për çudi, celularin e mbylli dhe unë u ndjeva krejt i turbullt në vetvehte përsa më kërkonin me urgjencë, kur dhe mund të ishte ...
Parasysh më dilte shefi, i cili një ditë më parë më tha me të rreptë
-Hajde se ta rregulloj unë ty!...
Sa u gjenda në hyrje të ndërtesës së komisariatit, pasi lashë pas rrugën “Myslym Shyri”, një police e cila bënte detyrën e dezhurnit, krejt e mugur në atë fytyrë të ngjallme, më dha një zarf të hapur dhe unë, pasi e lexova se ç’kishte së brendshmi ... mësova se isha pushuar nga puna. Krejt i indinjuar në vetvehte kërkova të takoja shefin, mirëpo ajo më tha se ndodhej tek ministri, si dhe të tjerë, pas asaj që u përjetua një ditë më parë nga protestuesit.
Ika nga Komisariati tejet i i indinjuar në vetvehte dhe mora udhën me autobus për në spitalin ushtarak, ku ndodhej Besua i shtruar, i pavetëdijshëm, për sa më kishin thënë shokët.
Sa u gjenda ballë hyrjes së dhomës ku ishte shtruar, mësova se përjetonte një gjendje kome. Infermierja më ndali t’u hyja dhomës së brenshmi.
Ndenja një copë herë pranë hyrjes, duke ndjerë njëfarë dhimbjeje për të, kur nuk mund t’i flisja si ishte me shëndet, pasi përjetonte atë gjendje kome që ...
U largova prej tij kur mendja më shkonte për të keq për të, kur edhe infermierja zgjati njërën dorë ballë vetes dhe nuk më la t’i shkoja dhomës së brendshmi, pasi ai ndihej ...
E lashë pas spitalin, e lashë pas Beson krejt i kredhur në dhimbje për të, edhe pse desha ta ndihmoj kur ai ndihej i i papërmbajtur të përballonte protestuesit që kërkonin të shprishnin bunkerin dhe u gjenda në trotuarin përballë ndërtesës së kryeministrisë, duke hedhur vështrimin pak më tej kësaj ndërtese, punonjës të Bashkisë që mundoheshin të pastronin bunkerin nga gjurmët që kishin lënë flakët mbi të, pas zjarrit që i vunë këtij ... simbolit të betont, kur vetëm se një pjesë e lartë e tij ishte shkatërruar dhe vëreheshin paq shufrat e hekurta, si të ishte ai që kishte qënë në kohë të Diktaturës!....
Nuk po e merrja vesh se ç’bënin këta punëtorë me të! ...
Mos kërkonin ta ringjallnin! ...
Bunkerin e lashë pas vetes.
Ecja, ecja tejet i qetë në vetvehte, në udhën para ...