E diele, 28.04.2024, 04:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Femi Halimi: Epitaf jete për Ekrem Avdiun

E premte, 25.09.2015, 05:56 PM


EPITAF JETE PËR EKREM AVDIUN

Nga Femi Halimi

-Ra kjo vdekje e u pamë – tha plaka, si mbet të përmendet në popull.

Ra vdekja e Ekrem Avdiut, -i ri, -në moshën më të mirë të jetës, - desha të shihemi mes vete për do punë. Ishte Ekremi ish i ndjekur dhe i burgosur politik, me dy vjet burg ato kohë, e që si të gjithë të tjerët edhe ky vetë, e bëri këtë për atdheun dhe kombin. Ishte atëherë ashtu –kështu frymë për liri, si tani po mundohem ta bëj të kjartë përpjekjen për atdhe të gjithsecilit që bëri diçka në këtë.

Tani vështirë kjo të kuptohet më, sepse shumëçka në ndërgjegjen ndryshoi. Ekremi kështu ishte i ndjekur politik dhe këtë desha ta përmendi. Përmendja është nga ndërgjegjja për diçka që duhet të vlerësohet e të mos përbuzet. Në të vërtetë ndërgjegjja ra përtokë kahmos, që pas luftës, e në vend të saj erdhën pika morale tjera dhe tani ka problem që të merremi vesh për të. Thjeshtë edhe pak kush kupton më kur i flitet për ndërgjegjen e përgjegjësinë!

Hiq disa në krye të vendit, të gjithë ish të burgosurit politikë patën një të ardhme pas burgut të rëndë e të mjerueshme. Pjesa dërmuese mbetën si gjithmonë në fund të popullit, në skamje e mjerim.

Zaten gjithë të varfëritë tek ne kanë një histori të gjatë të prejardhjes së skamjes: duke qenë në kundërshti me sunduesit e huaj dhe vendorë shërbëtorë të tyre, kundërshtarët e regjimeve të tilla këtu tek ne u shtypën, varfëruan skajshëm dhe u lanë jashtë kombit e shoqërisë.

Kështu me radhë, edhe në kohën më të re, gjithë që kundërshtuan sundimin monist, u varfëruan dhe mbetën dyerve e strehëve.

Të gjithë kështu ish të burgosurit politikë të Kosovës, hiq tridhjetë e diçka në krye të vendit me të tjerët që vazhduan sundimin që kishin, për kohë të gjatë, të lënë rrugëve dhe pa asnjë të drejtë njerëzore, -një vdekje civile, që ishte dënim që nga koha romake, -u shpërndanë pa gjurmë brenda e jashtë dhe llafin e tyre se bëri më kush.

Kështu edhe tani kemi një qeveri sundimi me sunduesit e moçëm që vazhduan sundimin dhe me një numër sa për performansë të pak ish të burgosurve politikë dhe luftëtarëve të luftës së fundit. Ish të burgosurit politikë kështu nuk janë ama bash kurrkund hiq dhe kurrkah. Ishin këta në të vërtetë që dhanë gjithë forcat e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare, por tani kjo i është ndajvënë tjetërkujt në llogari.

Duke qenë kështu në një dënim të rëndë “me heshtje”, gjithë të merituarit humbën rrugëve kurse në emër të tyre erdhën të tjerë dhe përfituan. Përfituan ata që ishin të pasur dhe që ishin në miqësi me armikun, duke zënë tani vendin e të ndjekurve të tyre dhe duke marrë gjithë vendin në sundim e udhëheqje!

Që u bë e padrejtë dhe krim është e vërtetë se u bë, por për këtë kush thuajse nuk reagoi përnjëmend, dhe as reagon, -kurse kemi gjendjen tani të këtillë në vend, e të cilën tani secili mundohet ta kalkulojë për interes të vet politik dhe pozicional, në vend se të kthehet mbarë e të nisë ndreqjen.

Ish të burgosurit e të ndjekurit politikë për kohë të gjatë pasi u rrëzuan dhe ranë përtokë, pa ndihmë e pa mëshirë tutje të askujt, mbetën pa pikë force dhe vullneti që të bënin më diçka së paku për vetën e tyre.

Me këtë, sidomos që pas lufte, përpjekja për të ruajtur së paku ndërgjegjen në kujtim, dështoi. Ish të burgosurit politikë, nga të cilët dolën luftëtarët e lirisë të kësaj luftës së fundit, sërish u larguan nga skena e ngjarjeve të vendit, pa pasur asnjë të drejtë dhe vend në shoqëri dhe kështu tregimi për ta përfundoi përgjithmonë. Në emër të tyre dhe për ta u radhitën dilerë e kontrabandues që përfituan në emër të ish burgosurve politikë.

Për të gjithë pati vend në këtë shoqëri e komb të pasluftës, përveç për ish të burgosurit politikë. Të gjithë të tjerët u punësuan, u rregulluan, u rrasën fitime e pasuri marramendëse dhe duke pasur edhe të kaluarën të vetën, -kurse vetëm ish të burgosurit politikë mbetën pa asgjë. Ata që të vetmit u sakrifikuan për atdhe e komb gjithmonë, mbetën pa hise.

Për këtë është ky mallkimi që vjen prapa si një llogari, pse tani ky vend nuk drejtohet me asgjë dhe nuk mund të bëhet e të jetë i qetë. Ndërgjegjja e ka këtë të keqe, Krimi dhe padrejtësia nuk e lënë bërësin të qetë dhe ky është një ligj i njerëzimit që prej fillimit. Nëse hahet haku i huaj thotë populli dhe nëse merret hisja e vëllait, nuk do të ketë mbarësi e bekim, por veçse mallkim e fatkeqësi gjithmonë.

Fatkeqësia e mallkimi vijnë kështu vetvetiu nga veprat tona të liga dhe vetëm pendimi e kthimi në fillim duke ndalur vetë të keqën, e ndalin mallkimin. Mirëpo meqë këta tani jo se nuk pendohen (!), -se nuk e kuptojnë as këtë çka është, -por këta tani për më tepër veç çka hedhen fort e më fort në mëkatin e tyre të vëllavrasjes e marrjes së hises pa të drejtë. Kështu pasi kjo punë kështu është dhe kështu do të shkojë, edhe nuk pritet më gjë e mirë këtu...

Gjithë këtë e përmenda, duke përkujtuar Ekremin, që njëkështu ishte i ndjekur politik dhe pa zënë vend kund kurrë. Pa punë e pa sigurim, duke mos pasur ku ta bënte jetën njerëzore së paku si të tjerët rëndom. Duke pasur të mohuar ekzistencën dhe të drejtat nga vetë njerëzit e vet(!) dhe duke mos pasur kurrë tërë jetën një mundësi jetese normale...Si të gjithë të tjerët më ish të burgosur e të përndjekur...

Së mbrami, më kujtohet, punoi në Gjilan taksist te një privat me të njohshëm. Banonte dikund për pak kohë, mandej dilte tjetërkund, -sepse nuk kishte mundësi të plotësonte kërkesat jonjerëzore të dhënësve të banesave me qëra. Dhënësit e banesave me qëra kanë kërkesa marramendëse për ata që kërkojnë banim tek ta dhe çmimet janë sikur në Dubai.

Në atë gjendje si ishte, organizoi shkuarjen në Vlorë për Ditën e Flamurit me grup nga Gjilani! Mori pjesë edhe në shou –spektaklin televiziv të “Oxigen” –it para shkuarjes së madhe pastaj në këmbë për në Bruksel për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës!...Në rrugëtim e sipër për në Bruksel i hodhën pengesë përderisa e ndalën, megjithëse grupi arriti të shkonte...Etj.

Pastaj sërish ngjarja pas punës për mbijetesë ditën e natën dhe me mundësitë e veta. Nuk është lojë me njerëz tanë! Një jetë e ashpër, pa mëshirë dhe pa siguri për çdo ditë...

Kështu Ekremi punonte gjithë ditën sa mundej dhe dyndej andej –këndej me banim. Familjen e kishte në botën e jashtme dhe kishte probleme tjera të shkuarjes në Perëndim që i vinin nga e kaluara e ish të burgosurit politik!

Pastaj së fundmi, disi doli në Perëndim me ndihmën e një bamirësi të njohur për të vetëm. Atje por për pak kohë u sëmur rëndë dhe Ekremi për këtë përfundoi në një spital gjerman, prej nga nuk doli më. Doli trupi i tij i vdekur dhe erdhi në Kosovë, në Gjilan –në vendlindje, që të pushojë përgjithmonë, -në vend të vet.

Kështu si fati i Ekremit është fati edhe i të gjithë ish të burgosurve politikë të këtij vendi, me përjashtim të disave këtu –atje e në Prishtinë. Disa janë edhe jashtë, -dhe mirë për fat që dolën jashtë, se do të kishin mbaruar për së gjalli, për sa ka mëshirë e njerëzi këtu në mes vëllezërve.

Kështu, Ekremin pasi vdiq, e prunë dhe e varrosën në Varrezat e Qytetit. Në aktin faljes së xhenazës si zakonisht në xhaminë e Dardanisë në Gjilan, -arkivoli kishte flamurin sipri. Hoxha i e tjerët rreth tij kërkuan të largohej flamuri gjatë çastit të faljes, me arsyetim se besimi nuk e lejon këtë. Kështu për të mos u bërë e madhe, familjarët edhepse ishin të pakënaqur, nuk insistuan që ta kundërshtonin tutje kërkesën këtë kështu edhepse pa vend dhe tutje flamuri u hoq nga arkivoli e pastaj u bë falja. Pas faljes flamuri u kthy sërish menjëherë mbi arkivol.

Një ndërhyrje shtesë dhe risi në ritin e besimit tani tek ne, pa nevojë, por për dikend kjo sigurisht që bëhet me qëllim. Megjithkëtë është një ndryshim kohëve të fundit në qëndrimin ndaj flamurit të kombit. Dikush, edhepse është shqiptar, e largon flamurin kështu, në këso raste, pa ditur vlerën e flamurit dhe të njeriut që dha gjithë jetën dhe që në fund vdiq mu për flamur, ose që e din por nuk e çmon dhe pranon, për shkak të doktrinës së huaj që ka marrë nëvend të vetëdijes kombëtare të vetën.. Sigurisht se kjo erdhi tani në luftë të ashpër nëmes kombit dhe doktrinës së huaj nëmes nesh.

Ky tregim me këtë përfundon, duke lënë për të menduar, -se ku e kush jemi, si jemi e ku po shkojmë!?!

Një u pa deri tani, -se jemi një komb përbuzës dhe mosmirënjohës deri në ekstrem dhe se jemi të mirë e të butë veç kur jemi ngushtë dhe në frikë. Pasi është kështu, -e sigurisht jemi kështu nga gjitha të dhënat deri tani, -për këtë kemi këtë gjendje siç e kemi, -dhe do ta kemi gjithmonë, me dëm gjithnjë në rritje, -përderisa nuk kthehemi e bëhemi njerëz.

Tanimë shumë e shumë ish të burgosur politikë kanë vdekur pa marrë as edhe një falënderim se lë më shumë këto e ato që u takojnë.

Në të vërtetë kohët e fundit po shpërndahet edhe një “kompensim” për burgun e vuajtur së paku, por që edhe këtë shumë vdiqën e nuk e pritën.

Por edhe ky shpagim sidoqoftë përfundon me kaq dhe nuk realizon kurrfarë të drejte për ish të burgosurve politikë dhe as një rregullon gjë në statusin e tyre.

Të fuqishmit kanë marrë vendin dhe tok me të huajt “miq”, po edhe me armiq qebesa qeverisin. Ata që e deshën vendin dhe dhanë jetët e tyre mbetën edhe më tutje në rrugë dhe në shkuarje gjithnjë, larg e më larg.

Por ne i përkujtojmë, -së paku,-u bëjmë një përkujtim, -dhe mbi të gjitha, -në emër të kombit e këtij vendi, -u falënderohemi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora