E diele, 05.05.2024, 05:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Përse ishe aq e brishtë atë mbrëmje

E diele, 13.09.2015, 03:30 PM


Kristaq Turtulli

 

PËRSE ISHE AQ E BIRSHTË ATË MBRËMJE..?!

 

Poemë

1

 

Të ndjeja, të prekja, si tastierat e pianos,

Muza të pëshpëriste; e ëndërrtë s’je.

Fashë diellore je...

Përse ishe e aq e brishtë prag mbrëmjes,

Me fustanin  e një vjeshte,

Mbështjellë me shallin e puthjes së zbehtë,

Me reflekse të zverdhëlleme.

Perse?!

 

Në lëbyrtat e trotuareve ikja ngecte,

Këpucë të larta të dala mode.

Taka në ziftin e zi ngecte,

Brishtësia shterpë shkiste tutje.

Të lënduan thashethemet, mediokritetet, xhelozitë?

Helmi i kobrës mbillet në errësirë,

Edhe pse ngjan si breshkë...

 

Çdo skërmitje pas shpine është thinjë,

Mos i shiko, ato të shtyjnë në ngasje.

Themelet e kështjellës së dashurisë,

S’mund të ngrihen mbi kënetë.

 

2

Në mundsh, anije shpirti bëj sy dhe qerpikë,

Të shoh me shumë se një galaktikë.

Ti lëmoj yjet si fiçorë,

Të pres me biçak kometa dhe meteorë,

Qiellin e nesërm të pastroj nga retë.

 

Nga harku i yllit të vizatuar në sy më the:

Eja ti bëjmë shkallë,

Të ngjitemi atje,

Ku s’kanë shkuar të tjerë...

 

Por kalit të natës iu ngatërruan këmbët në litarë,

Djersa bie shi i nxehtë.

Hingëllin kafsha, s’mund të ecë në monopate.

Ia çmbështolla litarët, të gjeja një përshëndetje,

Shami hundësh u bë, lëvere.

Në kryqëzim të rrugës, ora e fshehtësive trokëllinte.

 

3

S’ka më simfoni të re,

Edhe nëse pafundësisht ëndërrojmë.

S’mund të lundrojmë në kaike kashte,

Ku përgjojnë njëqind pirate me një këmbë dhe tre dhëmbë,

Mbështjellë me xhamadanët e vjetra të katragjyshërve.

Në xhufkat e këpucëve mbijnë lulëkuqe.

 

Gjumin me dëshirat e sfungjerta ti bashkojmë,

Më lart se kuverta e ajrit s’mund të shkojmë.

As unë, as ti e as ata që ngulmojnë...

 

Mbi pelikanë dhe retë e pambukta është errësirë,

Bën ftohtë, e ngandonjëherë diell i fortë.

Të ngurosura ëndrrat dhe nostalgjitë.

Në xhepa grinden dimrat me ngricë dhe erë,

Bien si breshër i akulltë...

 

4

Ëndrrat e sfungjerta gjenden nën shtjellë,

Nën dallgë, nën perënditë...

Dhe sikur të duam, s’mund ti vëmë nën zgjedhë.

Do vrasim ato që dëshirojmë,

Lindjet, mëngjeset, zgjimet, dashuritë...

S’mund ti përdorim si zare bixhozi, ti zotërojmë.

Ndryshe s’do ishin ëndrra...

Nostalgjitë janë dyshek me kashtë,

Ku bëjnë folenë e pjellin minjtë.

 

Sigurisht ëndrrat s’janë tullumbace,

Por kryqëzohen me naivitet dhe digjen nga rrufetë.

 

5

Të dëshiroj, të ndjej, të prek, e ëndërrtë s’je.

As pendë pulëbardhe,

Balluken e zezë mbi vetull e ke,

Buzët dy qershi varur në degë.

Në liqenin e mëndafshtë ka krokodilë,

S’mund të krijojmë një simfoni të re.

Ndehur në pritje të një puthje të shpejtë.

 

Je ndryshe, je e brishtë,

Prandaj të lutem flake petkun e trishtë,

Largohu nga kryqëzimi i asaj rruge,

Si pragu i ulët i një pendese.

Ka shumë makina dhe ndodhin aksidente,

Loti u pre në tre pjesë.

Dhëmbët mprehin në shkëmb çakejtë.

 

Trishtimi ç’thur dhe çmbështjell litarë,

Stinët e vonuara gogësijnë,

Të mbuluara nga pelena e pistë e hipokrizisë...

 

6

E sikur të mos jetë mbrëmje,

Ngjan muzg vjeshte,

Ku lëpihen dy shtojzovalle dhe dy nuselale.

Lejleku i fundit iku tutje, si pikëpyetje?

Përse mbledh supet, ç’ke?!

Të thashë, je e magjishme.

Sigurisht ato s’janë puthje...

As trëndafila të mbuluara me dëborë.

Puthja e vërtetë është jetë...

 

Ke ftohtë?

Mbërtheje deri në grykë pallton e kuqe.

Dua të jetë mesditë, plot dritë,

Me kordele blu, qiellore.

Fiksoje mirë karficën e yllit në këputje.

 

Mbroje qafën e hollë,

Thëllimi i veriut të pret me thikë.

E sikur të thoshe të vërtetat që s’janë thënë.

Unë përsëri do besoja.

Pse ta fsheh, ngandonjëherë na vjen mirë kur na gënjejnë.

 

Të lëbyrta ishin trotuaret kur ecje,

Unë të thosha: E mrekullueshme je, lule vese je.

Mere këngën time po e deshe.

Mere krahun tim, shkruaj romane.

Kali hingëllin, përpiqet të shkëputet prej lidhjeve...

Përse terri hedh e lidh litarë?!

Në krye të rrugës, thuret rrjeta e magjive.

 

7

E sikur të thoshe;

E ndjeva, por s’e pashë,

Kur u brejt shkalla e argjëndë,

Nga dhëmbët kaçatorë që polli nata e gjatë,

Dhe e xhuxhmaxhuxhëve  të vegjël mistrecë,

S’mund të lëviz, na mbërthyen me zinxhirët e mërive...

 

E sikur të thoshe;

Dëgjova kur u thyen shkallinat një nga një,

Dhe yjet gozhda u këputën, ranë përdhe,

E paduruar pashë ylberin kur në mes u thye,

E rrëmbeu qeni me këmbë pate...

S’mund të them gjë...

 

8

Shpresa të ngjitesha në liqenet e hënës u pre.

Gjithnjë më thua; Atje fshihen mistere,

Gjendet lëngu i pavdekësisë.

Në një shishe të vjetër të njëmijë e një netëve,

Në shpellën e një nizami plak, ikur qindra vjet më parë, prej Shqipërie.

 

Era më tundi më shkundi  si karthje.

Më beso, po të mos isha mbajtur në shkallët qerpikë,

Do isha dërmuar, thyer duar dhe këmbë.

Era do më dërgonte te ty si kartëpostale.

 

Përsëri trishtimi dhe brishtësia jote më mundojnë,

Unë të thashë: S’je e ëndërrtë, je e vërtetë...

Ti heshte, nënqeshe dhe pas pak pëshpërite:

E di o zgjëndërr, rrezikove shumë derisa erdhe.

Mjaft të lutem, bëje reale një puthje...

Dhe mos më hidh tutje...

 

9

Gjithë fshehtësi dhe dëlirësi më ledhatove:

E sikur të fjalosemi gjithë ditën dhe zemrën ta shtrëngojmë,

Përsëri s’mund ta mohojmë:

Djallëzinë e shpallur e kanë komshinjtë,

Nën dritën e hënës mprehin thonjtë...

 

Kur e dimë prej nga fillon pabesia...

Mëria dhe armiqësia...

Le ti lëmë nostalgjitë të theken në diellin e nxehtë,

Mbi retë, mbi një galaktikë, dy, tre....

Të fshehtat liqene le ti gjejmë këtu në tokë

Pse jo dhe pavdekësinë...

 

E sikur të gjejmë të kthjellëta liqene,

Përsëri s’është e lehtë

Në të çmendurën, laviren botë,

Te mbushur me helme, urrejtje, kurvëri dhe mistere.

Erërat ishin ato që i rrëmbyen Odisesë pavdekësinë...

Nizamit plak jetën dhe rininë.

Pas erës fshihen sirenat magjistare.

 

10

Në një qytet që laget nga deti,

Ku këndoi me lirë Homeri,

Jeton vëllai, këngëtari, i bukuri, zemërarti,

Yjet numëron çdo mbrëmje.

Vëllai është Homer dhe Eskil më vete.

Kometën me bisht e lidh në qafë, si kravatë nyje,

Dhe krihet me krehrin e pishave.

Të sjellë të ëmblën, Korçën pranë.

S’ka punë, ka një këngë në buzë dhe vajzën e sëmurë.

Pranë ka një muzë dhe të vjetrën kitarë.

Të çjerrë prej dhëmbëve të ligësisë...

 

11

Nëse gjendet diku ëndrra e purpurt, sigurisht vëllai do ta zgjojë,

Me zërin e bukur çel mijëra dritare.

Por ai s’ka me se të paguajë qiranë.

Krihet në mëngjes pa gdhirë,

Dhe kometën e zjarrtë lidh nyje,

S’do që komshija greke, ta kuptojë s’ka bukë.

Por ajo gjokszbuluar ka dalë në rrugë,

Me turmën gërhet; s’duam të paguajnë borxhet, Evropë.

 

Im vëlla s’ ka borxhe dhe s’ di të ankohet, të urrejë.

Ngjyen bukën në lëngun e sheqertë të mirësisë,

Di vetëm të këndojë dhe të dashurojë...

 

12

U zhgërrye rrugicave ëndrra e mbasur helene,

Se ishte fajtore pa anë.

Hamejtë barkthatë thërresin pazareve,

U ra hunda vendasve, i rrëmbeu rrëkeja.

Komshija greke me penuarin e zbërthyer të vjeshtës, i vërdalloset tim vëllai.

E shpon në veshë një angullimë e mjerë,

Me zë si kukumjaçkë:

Këndomë më mirë të ‘Qerbelasë.’

Por ai s’ ia hedh sytë.

Është krenaria dhe jo mjerimi.

Në dreq të venë, u këputën telat e buzukëve,

Iu thyen kokallat kuajve të lashtë, mbajnë në bark tradhtinë.

 

Im vëlla s’është trojan ta kapërdijë pabesinë, të djegë shtëpinë.

Edhe pse i varfër, është mbi Homerë dhe Eskilë...

 

13

Me dëshirën të qëndroj si Ante, në këmbë.

Mos gënjehem si çilimi kur duan të më mashtrojnë.

Shkova, pëllëmbë më pëllëmbë kërkova,

Larg, shumë larg u degdisa,

Kali i brejti litarët e natës është tok me mua.

Por nata e ktheu në gërdallë...

 

Loti i fëmijës u ndeh në cepin e një briri.

Trishtim, lotim, përmbytje e liqeneve syve.

I turbulluar u tërhoqa prapa,

Me frikën e përpirjes prej erërave dhe dallgëve.

 

14

Siç e di lumenjtë ndryshuan rrjedhë,

E sikur të ishin si më parë, përsëri të turbullt janë, anemikë...

Një rrip i gjerë toke u fut në sqetullën e oqeaneve.

Qytetet janë përmbytur prej morisë së makinave,

Nuk  pastrojnë më sklepat e yjeve.

Grataçielat e hekurta s’ janë qerpikë...

 

Greku është pa brekë.

Komshija e vëllait shet veten për pesë lekë.

Në shtegun e Qerbelasë, karvanët shtegtojnë.

Era e shkretëtirës ka ngecur nëpër oaze,

Çingenetë këndojnë, imamët predikojnë.

 

15

E sikur të premtoj gjithë botën me liqene dhe pyje,

Ti do heshtësh, do mbledhësh buzët, pa thënë një fjalë.

 

U lodha nga ato që pashë e të thashë...

Mos harro, vuajta mezi të gjeta.

Ti ishe aq larg dhe tërhiqeshe në heshtje,

Ndërkohë më thoshe:

S’më ndjen, s’më sheh, jam kaq pranë,

Si flladi që fryn, si era pa anë..!

 

Një hop frymën ndala, shtrëngova zemrën nga e papritura.

Doli ndryshe nga sa mendoja.

S’hyn në punë këtu gënjeshtra dhe marrëzia!

Të fut në kazanin e ëndrrave tradhtia!

 

O Zot, ç’ po shoh, liqene në syve të tu

Vërtet janë kaq të kaltra, të kaltra!

Imazheve duhej tu besoja?!

Pafjalë, prita,

Të dëgjoj i duruar të vërtetën që të kam thënë.

Kur të tjerët duan të përzënë.

Më iku goja, tinëzisht më fton joshja, flladi, jeta.

Plogështinë tutje flaka,

Hutueshëm u zhvesha, u lashë dallgëve të më tretej mençuria...

 

16

Njëherësh besova se bulëza e vesës së ëndrrës,

Pikon mbi karafila, tulipanë dhe zambakë?

Gurgullima e burimeve ngop liqenet e syve.

 

Nuk ka gjë, të them, s’ka gjë,

Mbaje besimin si të vërtetë.

Për të mos të fyer i shkujdesur kërceva, notova,

Ishte ftohtë, mërdhiva, u drodha,

Disa gllënjka të mëdha me ujë piva, por s’u ngopa.

 

17

Beso në  liqenet e syve,

Është freskët dhe endet puhizë e lehtë.

Rruga është e hapur, s’ka hone dhe gropa,

Peshkaqenët kanë ikur oqeaneve,

Balenat u thanë brigjeve.

Nuk i pëlqejnë ujërat e ëmbla.

 

Dita nuk ngjan e zymtë,

Horizontet sigurisht janë të hapura, të kthjellëta.

Unë shikimin tutje mbërtheva,

Atje ku lartohen selvitë e hijshme të qerpikëve.

Në kurorën e qiellit, shumë shpendë dallova,

Lejlekë, thëllëza, bilbila, pëllumba të bardhë, trumcakë.

Dhe një shqiponjë, fluturon ngadalë, hijerëndë...

 

18

Nëse dëgjon, nanurisjen e lashtë, të ujërave të qeta,

Përplasjen e krahëve të zogjve shtegtarë,

Të pulëbardhave dhe këngën e zvargur të peshkatarëve?

Mbi ta endet mjegulla e përhimë.

Dëgjoje llapashitjen e butë të lopatave.

Simfoninë e breznive, ishujt e shumtë,

Lundrojnë si anije të mëdha e të vogla, të gjelbra.

Në ishujt e syve të tu ka kaçube të dendura,

Ku fshihen  lepuj, dhelpra dhe ketra.

Ndoshta luanë dhe tigra.

 

S’di sa larg gjendet gjurma e parë e pavdekësisë...

Më miklon gjiri yt, të çlodhem, të pi sisë...

 

19

Në liqenet e syve, lëbyra diellore

Pasqyrohet thellë, në  ujë,

Ku dallohen gjurmët e varkave të mbytura.

Armët dhe veshjet e piratëve.

Skeletet e botës antike.

Si dhe reflekset hënore.

Dritë hijet e marrëzive,

Kryqëzohen dhe priten skajeve.

 

20

Pulëbardhat përplasin krahët,

Krrakërijnë dhe gjuajnë peshq të artë.

Delfinët besëplotë flenë,

Në tarracën e pasigurisë.

Besojnë se s’ ka më furtuna, uragane, tërmete.

Dhe lenë fëmijët me to të luajnë.

Një kartolinë vjeshte asgjë më shumë...

 

21

Në kalin e ujit është shaluar dinakja sirenë,

Këndon këngën e lashtë të kodoshëve.

Ujërat janë të thella

Doja të kthehesha dhe, heshtas shpresova.

S’do jetë larg dita me diell dhe trëndafila.

U nxeha, në shpinë u rrotullova.

Jashtë ëndrrës pulson jeta.

Bulëzat e vesës pikonjnë mbi selvitë e larta të qerpikëve,

Më ndalet fryma.

Ujërat e syve të tu, ishin të nxehta, të nxehta, të nxehta...

 

22

Mendon të bjerë dëborë e rëndë,

kristalore e mrekullueshme?!

Vërtet ketë e deshe?!

Gabohesh, pas borës bën ciknë,

Ngricë...

Dielli do jetë në ethe,

Do mahiset puthja në buzë.

Liqenet e bukur do ngrijnë,

Gëzohesh që fëmijët do shkasim me patina.

Harron që zjarr s’do ketë,

Por vetëm tym, drutë e pyllit janë me lagështirë..?!

 

23

Pleqëria është dëborë e rëndë,

Dhe jeta një pelerinë e ngrënë!

Kur je në ëndërr ndjehesh i lehtë, pendë,

Por ku zgjohesh, vitet nënqeshin nën dhembë,

Dhe mban mbi supe një deng me kashtë...

 

Një kupë më pak le ta pinë, një kupë më shumë...

Të shenjtëron  një dashuri e urtë.

E sikur dhëmbët e natës të vazhdojnë të gërryejnë.

 

S’ka shkallë të argjënda të ngjitemi në hënë.

Më kot brodhëm dhe kërkuam pavdekësinë...

Por  e trishtë dhe e brishtë ishe atë mbrëmje,

Ndërsa ora e fshehtësive trokëllinte...

 

24

Të mendoj, të ndjej, e ëndërrtë s’je.

Me reflekse qumështore  kur ecje.

Të ndjeja, të prekja, si në tastierat e pianos,

Ishe e brishtë prag mbrëmjes,

Mbështjellë me shallin e puthjes së zbehtë,

Me reflekse qumështore.

 

Mere këngën time po e deshe.

E jotja është toka, bota, ëndrra e portokalltë,

Loti u tha në strehën e avllisë.

Të shenjtëron një dashuri e urtë.

E vërtetë, zemre, në mëmëdhe...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora