Kulturë
Rovena Xhili: Lojë shahu
E shtune, 12.09.2015, 05:22 PM
“Lojë shahu”
Nga Rovena Xhili
Kjo loje shahu është e pafund. Ti me kë luan? Me të tjerët, me veten, me Zotin? Me kë? Dhe unë endem nën këtë tabelë të stërmadhe bardhë e zi të shpëtoj nga eliminimi. Ç’të bëj unë nuk u linda mbretëreshë, por thjesht një ushtar i pafuqishëm, me ata lëvizjet robotike njëkutijëshe. Kam frikë jo se do të dal jashtë kësaj loje, por përse do të luajnë të padrejtët. Ata që çdo ditë ndërrojnë kutitë e tyre, të bardha, të zeza, të bardha përsëri. Do të mbeten në këtë lojë ata që ishin ushtarë dhe më pas u çuan në çdo pozicion tjetër, torë, kalë, mbretëreshë, mbret. E di kush do mbetet tjetër në këtë lojë, ata që me disa buzëqeshje të shtirura më kanë dalë çdo ditë para, ata që çdo ditë këmbejnë maskat e tyre, ata që mbajnë kokën poshtë, por nuk e mbajnë nga modestia,por nga frika se nëse çojnë kokën lart do t’ju bie fytyra dhe do mbeten pa një të tillë. Keni dëgjuar për njerëzit e pafytyrë, unë nuk i urrej ata, unë urrej ata me shumë fytyra . Një miqësore, një armiqësore, një të lumtur, një të trishtuar, një besnike, një tradhtare, një të betuar, një të pabesë, një të humbur, një të gjetur, këta kategori janë më të urryera. Unë vazhdoj të përpiqem me lëvizjet e mija nga një kuti dhe disa herë kthehem pas ndërsa këta njerëz përshpejtojnë dy kuti më tepër, lëvizje të pjerrëta, kthesa. Dhe ata më dalin para, majtas, djathtas duke pyetur përse unë nuk po bëj ndonjë lëvizje, përse kam mbetur në vend, përse jam bllokuar. E di përse? Sepse unë jam mësuar të lëviz vetëm në mënyrë të drejtë, por nuk po gjej ndonjë rrugë që të lëviz në këtë drejtim. Prandaj kam ndaluar, ndoshta një ditë një rrugë e tillë do të hapet përpara meje. Ndërkohë endem në tabelën time bardhë e zi duke pritur, ç’më ka rezervuar fati, Zoti, fuqia hyjnore, nuk di ç'emër t’i vë. Disa gjëra në jetë janë të paemërtueshme, disa njerëz janë të paemërtueshëm, disa ngjarje janë të paemërtueshme.
Ndonjëherë mendoj ndoshta nuk do t’ia arrij, fundja dhe të dështosh është një formë fitoreje sepse nëse dështon do të thotë që kjo humbje erdhi nga përpjekja për të fituar diçka. Ndoshta duhet të heq dorë, shumë shumëfaqësha do të ishin të lumtur, kështu nuk do të lodheshin të fshihnin fytyrat e tyre, por do t’i shfaqnin më natyrshëm, më hapur. Shumë të tjerë do të ishin të lumtur sepse do të ishin më të lirë të shfaqnin paaftësinë e tyre. Një grup tjetër do të ishin të lumtur thjesht duke parë dështimin tim. Por e di çfarë mendoj të mos heq dorë, ndoshta do endem me nga një kuti tërë jetën por e di që lëvizjet e mia do bëhen ndershmërisht. Ndoshta do t’i lodh fytyra ime duke e parë tërë jetën, por të dihet unë vetëm këtë kam. Ndoshta mund t’i lodh dhe serioziteti im, por unë nuk kam një buzëqeshje të shtirur për raste krizash, ndoshta mund t’i trishtojë e vërteta ime, por ajo do të jetë e sinqertë. Kështu më mirë nuk do heq dorë, nuk mund t’jua ofroj këtë kënaqësi atyre që e dëshirojnë, fatkeqësisht…