E hene, 05.05.2025, 09:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Kur shkëmbejmë librat tanë

E enjte, 10.09.2015, 07:00 PM


Nga e majta: S.Harka, Xh.Mjeku, V.Kona e M.Gecaj (Tiranë, 5 shtator 2015-Foto nga: Mario Hatibi)

Skicë:

KËNAQËSIA, KUR SHKËMBEJMË LIBRAT TANË…

Nga Murat Gecaj

Të gjithë krijuesit e njohin një përvojë të tillë, për të cilën po shkruaj këtu pak radhë. E kam fjalën pikërisht për një takim të ngrohtë, që kishim në lokalin “Ulqini”, në qendër të kryeqytetit tonë. Nismëtar i tij ishte kolegu e miku ynë i përbashkët, publicisti, poeti e shkrimtari nga Prishtina, Xheladin Mjeku. “Sa herë vij në Tiranë ose në qytete tjerë të Shqipërisë,-tha ai buzagas,-nuk mund të kthehem në vendlindje, pa u takuar me ju. Se kemi miqësi të kahmotshme e të sinqertë, që na e kanë forcuar gjithnjë e më tepër botimet tona…”.

Ndërsa fliste Xhela, sillja ndërmend takimin tonë të parë, në mjediset e Akademisë sonë të Shkencave,  ku u përurua antologjia “Bedri Dedja, në kujtesën tonë”(Tiranë, 2010). Në atë përmbledhje, me mjaft  kujtime e mbresa të poetëve, shkrimtrarëve e dashamirëve të këtij personaliteti të shquar të arsimit, shkencës, letërsisë e kulturës mbarëkombëtare shqiptare, për të cilën pata kënaqësinë të punoja afër një vit, kishte një shkrim të bukur edhe nga Xheladin Mjeku. Prandaj dhe ishte i pranishëm ai, në atë ngjarje me rëndësi në jetën e kryeqytetit tonë.

Ndërkaq, në bisedën tonë të këndshme ishin pjesëmarrës edhe kolegët e miqtë tanë të pandarë, Viron Kona e Sejdo Harka, të dy publicistë, shkrimtarë e studiues të njohur. Secili nga ne kishte se çfarë të tregonte për botimet e tij. Por ne nuk u mjaftuam vetëm t’i flisnim Xheladinit për botimet tona më të reja. Kështu, i sollëm atij dhuratë me nënshkrimin tonë, por dhe për të njohur tjerë, disa botime të muajve të fundit. Ja, psh, Vironi i dhuroi X helës librin kushtuar Sadulla Zendelit-Dajës, nga Gostivari e me banim tash 50 vjet në Suedi, botuar me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së tij. Aty Xhela ka një kujtim, ashtu si dhe poetja e re nga Vushtrria, Ermira Jusufi. Por edhe Sejdo u dhuroi atyre librin e ri, “Modernët e kohës”, i cili ka dalë në qarkullim disa ditë më parë.

E lashë për në fund të flisja për librat, që i dhashë Xheladinit për miket e mia, motrat Gesa dhe Edona Gashi,banuese në Prishtinë, njërin me titullin “Me shpirt atdhedashurie” e tjetrin “Për ju, krijuese”. Këtë të fundit ia dashë atij edhe për miken Shadije Hotnjani, e cila jeton familjarisht në Gjermani dhe aty, në një shkrim të veçantë, flitet për krijimtarinë e saj.

Ndërsa miku ynë i përbashkët, Xhaladini kësaj here nuk kishte ndonjë libër të ri, të cilët gjithnjë na i ka dhuruar me dashamirësi. Kujtoj këtu  librin me tregime për fëmijët, “Nëna e lirisë”(Prishtinë, 2012) dhe “librin me poezi, “Në kopshtin e muzave”(Ferizaj, 2013). Por ai na tregoi se, së shpejti, do t’i dërgonte në shtyp edhe dy libra të tjerë, në vazhdim të krijimtarisë së tij të mëparshme. Ndërkaq, unë e Vironi i shprehëm mirënjohjen atij se, kur më parë i kemi dhuruar libat tanë, ai ka shkruar e publikuar në shtyp e internet recensione mjaft të bukur e vlersues. Ndoshta, kur ta lexojë librin e ri të Sejdo Harkës, “Modernët e kohës”, po kështu, ai do të shprehet në shtyp rreth tij.

Siç mund ta kuptojnë lexuesit e kësaj skice, në bisedat tona të ngrohta zunë vend edhe disa krijues të tjerë, si nga Shqipëria e Kosova, për të cilët kemi njohje e vlerësime pozitive rreth librave të tyre.

Me mikun tonë Xhaladin Mjeku u ndamë, kur mbrëmja ra në kryeqytet dhe ai shpejtoi të kthehej në plazhin e Durrësit, ku ka ardhur t’i kalojë disa ditë pushimi, me bashkëshorten e vajzën. Tashmë, ai mbante në dorë një qese me disa libra të dhuruar, siç i shohim rëndom dhe shumë nga krijuesit tanë. Se ajo është një pasuri shpirtërore e përbashkët, të cilën e ruajmë si një gjë të shtrenjtë. Ndërkaq, ai na premtoi se do të shihemi përsëri këtu dhe, ndoshta, kjo do të ndodhë nga mesi i tetorit të këtij viti. Shkaku i ardhjes do të jetë pjesëmarrja në një veprimtari tjetër letrare. Por ai dëshironte edhe të recitonte një poezi të tij për prof.Bedri Dedjen, që ia ka kushtuar atij në 85-vjetorin e lindjes, që e ka më 20 nëntor 2015, nëqoftëse për atë do të organizohet ndonjë veprimtari përkujtimore.

Ndërsa këtë krijim të tij do ta përfshinte edhe në njërin nga librat e tij, të cilin pret ta shohë të botuar, së shpejti.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx