E diele, 09.06.2024, 09:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Ylli Hoxhaj: Daut Gumeni - “Bletë dhe fishekë”

E diele, 06.09.2015, 11:41 AM


Shënime për romanin e Daut Gumenit, “Bletë dhe fishekë”

”Një popull i tërë e ka trurin në rrezik!”

Nga Ylli S. Hoxhaj

1. Letër për autorin:

I nderuar Daut Gumeni:Si jeni dhe si i kaluat pushimet e verës? Qofshi mirë me shëndet dhe na gëzofshi përherë me krijime e vepra të mëdha si “bletë dhe fishekë “.…

Kujtimet e largëta të rinisë shkollore, si një “copëzë” e humbur e asaj kohe, bukuria e rrëfimit tënd, mesazhet e mëdha që sjell romani yt; si lexues e bashkënxënës, më çuan tek këto shënime të thjeshta, të cilat nuk pretendojnë ndonjë analizë të plotë të veprës, (veç ca mendime të copëzuara), por që dëshiroj të jenë: një bashkëbisedim miqësor me Autorin dhe një ftesë për lexuesit, të cilët nuk duhet të humbasin rastin pa e lexuar këtë roman të mrekullueshëm:

Kristiansand: 20 gusht 2015

* * * *

2. Ç’do të meritonte romani “bletë dhe fishekë”:

Nëse do të kërkoja që me një fjalë të vetme të përfshija të gjitha konsideratat dhe vlerësimet për këtë libër të pazakontë, do të thosha, që në fillim: “Bravo!…Bravo!… Bravo!”… I nisa kështu këto pak mendime, me këtë fjalë që e shqiptova realisht, me plot gojën , në momentin që mbarova së lexuari romanin.

Nuk kam lexuar deri më sot një roman si ky, o Daut Gumeni, me të gjitha kualitetet: I thënë më qartë: a. i vlefshëm, të paktën, për një titull akademiku; b. roman i denjë për çdo konkurs: shqiptar, ballkanik, evropian, pse jo dhe për jurinë e Nobelit. Dikush që mund të dëgjojë këto mendime, pa lexuar librin, mund të befasohet nga “superioriteti” i vlerësimeve të mia, por, kur të ketë lexuar romanin si unë, dhe në qentë specialist e dashamirës i artit, ndoshta, ka për të thënë edhe më shumë se kaq…

3. Një roman i veçantë, e i mrekullueshëm:

Autori që bëhet një me veprën e tij: Shkrimtari, poeti , publicisti dhe përkthyesi, tanimë është një personaliet i mirënjohur dhe i mirëlexuar në tërë trojet shqiptare. Disa vëllime poetike, disa libra publicistike, disa romane, ese e intervista mbushin nga viti në vit kolanën e veprës së tij të gjerë e të shumëllojshme. Krijimtaria e tij vjen kryesisht nga qelitë e të burgosurit politik, ku për më shumë se 24 vjet, jo vetëm që nuk u mposht e nuk reshti, por, mori më shumë shkëlqim e dritë, më shumë art e humanizëm, më shumë dhimbje e forcë, ( apo eshtër ,- siç thotë vetë autori).  Brumosur me qelizën e strallit të Labërisë, personaliteti dhe krijimtaria e tij janë mishërimi i qëndresës , e i revoltës ndaj diktaturës komuniste dhe ideologjisë së saj, ndaj padrejtësive; është mishërimi i shpirtit të lirisë dhe të përparimit shoqëror e kombëtar, i sakrificës dhe i përballimit me inteligjencë e guxim, i tërë dhunës e masakrës, i terrorit shtetëror e Partiak, i absurditetit dhe injorancës së administratës së periudhës së socializmit enverian; e barasvlefshme kjo periudhë në jetën dhe veprën e tij, me një “skllavëri të vërtetë.”   Krijimtaria e tij artistike është unikale. Unikale për nga problematika, nga mesazhet , nga mënyra e të shkruarit dhe teknikat krijuese, nga talenti e zhdërvjelltësia e të kompozuarit dhe e rrëfimit alegorik e satirik, nga një gjuhë e pasur, jo vetëm me njësi të panumërta e të reja leksikore, e një gjuhe gati metaforike , alegorike e sarkastike , që nuk ia gjen shoqen. Dhe është aq e saktë dhe e qartë kjo gjuhë, aq shprehëse dhe e bukur, sa të duket se në çdo rresht gjen e lexon sentenca filozofike, etike , morale, sociologjike…Ky stil të shkruari: me qartësinë, bukurinë, befasinë, me thellësinë e peshën e mendimit, me deduksionet e analizave, e të përgjithësimeve të tij, na çon te Russoi, …te Dikensi, …te Konica…     Krijimtaria e Daut Gumenit është një hapësirë e re , e pasur, e begatë dhe ende e panjohur plotësisht, që na thërret e na fton, por edhe që na mëson me shembullin e saj se si bëhet arti i vërtetë, jashtë skemave dhe shablloneve, dhe, se si autori jetën e tij e bën njësh me artin dhe krijimtarinë:

4. Po le të kthehemi tek romani:

Jemi në fund të viteve ‘50-të. Banush Gjini, djaloshi 14-vjeçar, nga Ujëmira e Labërisë, pasi ka mbaruar shkëlqyeshëm shkollën në vendlindje, dhe fillon studimet e mesme në degën e mësuesisë, në Shkollën e Mesme të Bashkuar të Kështjellasit. Qyteti i lashtë do t’i strehojë nxënësit e largët dhe ata të rretheve të tjera në “një konvikt shtetëror”. Këto konvikte ishin ndërtuar sipas përvojës sovjetike, ala-makarenko, me rregullore e kërkesa si të kazermave ushtarake. Drejtor i këtij konvikti, edhe këtu, ishte emëruar Kuqua, një ish- oficer i lartë i Sigurimit të shtetit… Ky konvikt, së bashku me mësimin dhe edukimin në Shkollën e mesme të bashkuar, do të ishin vatrat e farkëtimit dhe të edukimit të “ njeriut të ri socialist”. Mësuesit e rinj që do të dilnin që këtej, do të ishin “ komisarët e kuq” të Partisë. Djaloshi, energjik e inteligjent, që në fillim ra ndesh me përgjimet dhe përndjekjet e rrjetit të sigurimit të shtetit, që, si kudo, ishin aktivë edhe në kokën e Drejtorisë së konviktit të Shkollës së Bashkuar të qytetit. Banushi i vogël, vinte, gjithashtu, i shoqëruar edhe me një dosje të fshehtë përndjekjeje nga Sigurimsat, sepse ai ishte biri i një familje të pakënaqur me Pushtetin Popullor: me babanë e vëllanë e madh të demaskuar e të dënuar si armiq të partisë. “Forco eshtrën”,- e kishte porositur Babua,- kur u nis në shkollë! -Të qëndrosh më këmbët e tua, këta ta zënë si fajin më të rëndë!…Po, djali i babës, po. Mos u çudit… na hëngri dhe neve bisha…Se nuk bëmë atë që duhej e atëherë kur duhej…Ja djalin e madh… na e kthyen në shtëpi pas shtatë vjetëve …Pritëm në grykë të llomies gjersa…na mori lumi siç na sheh!… Mbase pa faj nuk është dhe bota, që priste se ç’do bënte paria jonë..Faj kanë si derri dhe ata lumëmëdhenjtë e parisë sonë, por fajin më të madh e kemi vetë!”

Banush Gjini, shkëlqeu që ditët e para, si nxënës i shkëlqyer, si shok gazmor e me humor, si nismëtar i kundërshtimit, demaskimit dhe i revoltës ndaj sjelljes policore e poshtëruese të kuadrove drejtuese të konviktit dhe të shkollës. Dhjetëra episode, të përshkruara në roman, janë hedhur me një bukuri e fantazi të lakmueshme, me një dashuri e romantizëm të brishtë, si një ëndërr e bukur e tretur në një terr; ndoshta më bukur se sa të ruajtura në ndonjë magnetofon. Dhe ishte “saktësuar” mendimi që : kudo ku kishte ndonjë shqetësim a prapësi, në konvikt a në shkollë, autori do të ishte Banush Gjini: “…përherë do të na kesh prapa, në çdo hap!”- i thonë ata hapur e herëpas-here… (f.9)…U morë disa herë masa ndëshkimore; i thyen edhe notën e sjelljes, i ndërprenë edhe bursën disa muaj,… e ai “qëndroi më këmbë”, siç e kishte porositur Babua. Me pasion e letërsisë , shkruan poezi, mban edhe një ditar të fshehtë, për kohën, tepër i rrezikshëm. Me një ironi të hidhur, me sarkazëm e inteligjencë kapërcen tërë kurthet e përndjekjes katër vjeçare, jo vetëm nga “ syri i kuq i Kuqos” e rrjeti i tij, por edhe nga pedagoget mediokër e të doktrinuar. E provokojnë kur jepte provime. Nuk duan t’ia jepnin edhe Diplomën me tërë notat shkëlqyeshëm… I ka filluar një dhimbje e vazhdueshme koke, një dëshpërim, pagjumësi e lodhje nuk po i ndahet, por ai e nuk jepet. Edhe një dashuri, me emër diellor, (Diella: quhej shoqja e klasës, me të cilën kërceu për here të fundit ”Valsin e Danubit”, f .383),edhe ajo nuk ia qetësoi shpirtin…“Do të na e japin diplomën e lehjes “në shërbim të socializmit,-mediton ai,- … e do të na lëshojnë udhëve. Jo në male natën kundër ujkut, po në udhë të madhe e në mes të ditës e kundër njëri-tjetrit. Kundër njeriut!”…(f.24). Dhe diku më tej Banushi shkruan për Drejtorin:.. “Dashke të më mbash dhe dëftesën?! Mbaje e piji lëngun, se ato pesa dhe mua më duken tani më keq se kartmonedhat lëpushka të luftës…Janë dëshmia e nënshtrimit tim dhe ato pesa mangëre!…Por mos kujto dhe zotrote se do të rri tërë jetën sus, që të më bëjnë qull me pështymë të qelbur derrat si ti!” (faq.27).

I zhgënjyer e i fyer nga “provimet e shkollës”, i përndjekur kudo nga “njerëzit e shtetit dhe të Kuqos, me protokoll të hapur”, Banush Gjini kishte vendosur të hidhte dhe provimin e parë jashtëshkollor. Një provim të vështirë , ku ishte njëherësh nxënës e mësues. Provimi që nuk do t’i ndryshonte shkallën e arsimimit, por jetën e tij. Nuk e dinte nëse do të merrte pesë dhe aty si në provimet e shtetit. Vizita në Butrint e maturantëve pas mbarimit të provimeve i jepte vetëm shpresë për të marrë një notë të mirë dhe në provimin e ri. Po vetëm shpresë…(f.378). Dhe ashtu bëri.

Por rojet kufitare e ndoqën, e kapën, e torturuan, dhe,… e vranë maturantin.

Trupin e masakruar, policia, e nisi në Ujëmirë…Atë ditë, kur arkivoli i mbyllur me plumb kishte arritur në Gjinaj ,shokët e organizatës bazë të partisë ( “Azatja Bazë “ e teto Files) qenë mbledhur në klubin e fshatit dhe ia kishin mbërthyer këngës: /Fol Enver, të lumtë goja!/ Fol e mbro të drejtat tona!/…

Më tej kuja e Nënës, rrëqethi tërë hapësirën:…/ S’ të pashë dot as të vdekur,/ Biri i mirë i nënës-o!/ Të prunë mbyllur në hekur,/ Biri i mirë i nënës-o!”, f.411

Ishte koha kur shteti vriste djemtë e vet, vriste edhe maturantët e shkëlqyer…

5. Letër: “O i zoti i vështit të shkretuar nga filloksera!”

Ditari i fshehtë ishte bërë i vetmi altar ku shpirti i trazuar i djaloshit gjente siguri dhe paqe të vërtetë. Po ai ishte i fshehtë e i strehuar larg syrit të të gjithëve. Vetëm ai e dinte strehën e sigurt të tij. Dhe ishte aq i rrezikshëm!?… Tanimë që kishte marrë vendimin e prerë për t’u larguar, duhej pastruar nga mjaft shënime, që mund të ktheheshin në telashe për të tjerët. Dhe e nisi me një ”letër” që “kishte gjetur” dikur në stolin ku rrinte gjatë i Marri Fisnik i Kështjellasit, të cilën ai e kishte përdorur si temë të lirë në një hartimi, me mësuesin e adhuruar të letërsisë. Sa herë i kthehej të Marri fisnik, kujtonte vërtetësinë e atij emision radiofonik të huaj në gjuhë shqipe, dëgjuar fshehurazi në pushimet e janarit: ”Një popull i tërë e ka trurin në rrezik!”- thoshte ajo radio e huaj”…(faq. 324.). Po sa mijëra të tjerë “Të Marrë”, si Fisniku i Kështjellasit të tij, kishte ky vend?! … Sa herë që mendonte kështu, i vinte i dridhur zëri i Mësuesit të letërsisë, Argjendit: ”Do t’ju lutesha ta matni mirë çdo fjalë e çdo veprim tuajin… Në det nuk ecet më këmbë!”…

Banush Gjini e dinte mirë që ajo letër nuk mund të rrinte më në ditarin e tij të fshehtë.

Tek i Marri Fisnik i Kështjellasit, Banushin e çonte Trilli artistik i shëmbëllimit të tij me atë inxhinier atdhetar e të talentuar, që e kishin çmendur e torturuar për idetë e tij demokratike e properëndimore, dhe thoshin se ishte roitur nga dashuria, dhe se donte gurët e kalasë për të bërë një urë mbi det që: ”të lidheshim edhe ata, si të tjerët me botën.” E lexoi dhe një herë “hartimin”përpara se ta griste. Monologu alegorik lëshonte dhjetëra herë thirrjen britmë :“O i zoti i vështit?”( f. 392)   Cili është Vështi dhe kush është i Zoti, kuptohet lehtësisht: “Vështi” ka qenë një “Vresht” i begatë dhe i dëgjuar, por…Zoti i ri i tij e ka kthyer në “vësht”. Prodhim i “Vështi” të tij është filoksera, ”Kuqua, Drejtori i shkollës,… e tërë skota e verbër e injorante që komandon e skllavëron këtë vend. I Marri Fisnik është viktima tragjikomike, një prej qindra intelektualeve të vërtetë e të pamposhtur që janë goditur, persekutuar,terrorizuar e përndjekur, përçmuar, janë quajtur “të marrë”, për idetë progresive, pro hapjes me Botën dhe përparimit të vendit…Alegori e sarkazëm kaq të fuqishme i gjen rrallë në letrat tona: E fuqishme, e një nga kulmet e veprës, me një gjuhë me anatema herë si te Apologjia e Sokratit, e herë si monologu shekspirian i Mark Antonit. Në më pak se dhjetë faqe, ( f.68-78), autori sjell një kryevepër që, sa qëndron më vete, aq edhe lidhet organikisht me romanin, një perlë , që pret aktorët dhe regjisorët dramatik, më fatmëdhenj , për ta interpretuar e skanuar monologun dhe veprën edhe për lavdinë e tyre. I Marri Fisnik, me anë të “Letrës” i vë përpara pasqyrën “Zotit të Vështit” dhe ia shfaq para syve të gjitha krimet e marrëzitë, që i ka sjellë Ai vendit:

“O i zoti i vështit!… Merr mundimin e pakët dhe urdhëro të më japin gurët e kalasë, që të bëj me ta një Urë të Madhe mbi det! Që të mos mbetemi tërë jetën të ndarë nga bota! Një urë në det, nuk është marrëzi, o i zoti i vështit….Këta mëkëmbësit e tu në Kështjellas, më quajnë të marrë. Mbase nuk jam dhe aq i mençur, por këta mëkëmbësit e tu më duken më keq se të marrët…. Më fal o i zoti i vështit, po këta mëkëmbësit e tu këtu, më duken ca budallenj, që ç’të të them?!…E do populli, se është pasuri e popullit kalaja,’-thonë… Po populli, more lyrashë e lamashë mendjefyçkë, ha bukë e nuk ha dot myshnjë në muret e kalasë! Nuk ha histori populli, po ha bukë! …pse nuk lidhemi me botën dhe ne , si gjithë bota, që të kemi më shumë bukë e më shumë të mira…Tërë jetën dashkan të na qeverisin budallenjtë me dhjamë në vend të trurit…O i zoti i vështit! Mos nuk je aq mirë nga fiqiri dhe zotrote?…Se qysh lihet Kështjellasi ynë i mirë në dorë të ca çapaçulëve…Gardianët e burgut të zi të kalasë e rrahin njeriun për qejf…e rrahin njeriun sikur englendisen… O i zoti i vështit! Nemi mua gurët e kalasë… Dhe fitimet e këtij vendi, dihet që janë të gjitha të tuat… O i zoti i vështit! Ruajna Zot! Më bën të dyshoj mos je dhe zotrote një copë budallai nga ata që kërkojnë me lakmi t’u ndizet qiri e t’u ngrihen faltore përsëgjalli!.. O i zoti i vështit! E di zotrote që, …më ngulte thonjtë në fyt një turijeshiltë…O i zoti i vështit! … Nemi ata gurë, që të lidhemi sa më shpejt me botën, se u qelbëm e kutërbuam kështu veç dynjasë!..sikur bota do t’i hajë?..Mos është jotja gjithë ajo frikë nga bota … Fitimet po të tuat që të tuat. Se të gjitha fitimet e këtij trualli t’i jep ligji që ke nxjerrë vetë për vete. Eshtë gjynah i rëndë të rrojmë kështu sikur jemi të sëmurë të pashërueshëm?…Të jetojmë të urët e të trembur, e të mbyllur si në vathë, vetëm për një urë të shkretë mbi det? Po të ishim ndonjë racë kukudhësh, e po hajde de!..

O i zoti i vështit të shkretuar nga filoksera!…Nuk jemi kukudhë që të trembemi nga bota, e marrtë e mira e marrtë!… Se një urë në det është puna e parë që do bërë në këtë vend të pasur.”…

Letër, proklamatë, promemorie, hartim, thirrje, ….apo çdo gjë tjetër, që mund ta quajmë ketë krijim, ajo ka forcën e sarkazmës, e të akuzës së guximtë që i drejtohet Diktatorit, për atë gjëmë të llahtarshe kombëtare, që aq shkoqur e thoshte ajo radio e huaj: “”Një popull i tërë e ka trurin në rrezik”.

(Shënim: U cituan disa fragmente nga letra e te Marrit Fisnik për të sjellë sado pak para lexuesit bukurinë e poezinë e kësaj krijese artistike.

6:  Fryma e  Murtajës së Kuqe: Edhe bletë,…edhe fishekë:

Sa e merr ne duar romani, titulli i tij të intrigon e të mundon me kuptimin metaforik: “edhe bletë, edhe fishekë…? ” E kërkon dhe e gjurmon gjatë leximit dhe vetëm aty nga fundi e zbulon metaforën aq të goditur të mesazhit të romanit.

Mësuesi i historisë, një ish-prift, para provimit të shtetit i çoi maturantet në një takim me një veteranin të Luftës Nacionalçlirimtare.(Faqe 301). Ai veteran i luftës qenkej vërtet i çuditshëm. As nuk gënjente për shokun e vrarë e as nuk pështynte mbi të mundurit,… sikundër bënin shumica e veteranëve.(f.302) Maturanti dëgjonte zërin e hidhëruar të veteranit dhe i kishte mbetur vështrimi mbi lagjen e shkollës….Nga kodra e lapidarit, çatia e shkollës së mesme të Bashkuar dukej si një automatik kallashnikov me tytë të drejtuar në qendër të qytetit!… Shkallët e mëdha të hyrjes kryesore i takonin mu tek gusha e mbushjes me fishekë…ballkoni i drejtorisë dukej si shënjestra… e të dalat e tjera krijonin krejt trupin e një automatiku të shtrirë për qitje!…

Ja, në atë gushë fishekësh kishte hyrë dhe ai gjithë ngutje katër vjet më parë… Nga ajo gushë fishekësh do të dilte pas pakë ditësh …Nuk e dinte sesi do të dilte pas pakë ditësh nga shkallët–gushë fishekësh të shkollës–automatik kallashnikov…” nëse do të dilte nga ajo shkollë si bletë e ngarkuar me nektar, apo si fishek kallashnikovi!”.. (f.396-97).  Fantazia e shkrimtarit merr krahë. Dhimbja e kokës i sjell një gjumë të trazuar e ai “sheh” i tronditur njëra pas tjetrës skena nga më fantastiket e më brilantet e romanit: Skena të një surealizmi brilant: Terrori i administratës shkollore, na jepet , me një alegori sarkastike të mahnitshme, nën vizionin surrealist të sallës së llahtarshme të provimeve: Ishte rreshtuar gjithë shkolla nën komandën e Drejtorit të shkollës dhe Nëndrejtorit-sekretar partie ,ish-oficer i lartë në Sigurimin e shtetit. … rreshtat e nxënësve ishin të mbërthyera në një shkallë lëvizëse betoni që i çonte drejt sallës makabre në një kat lart. Edhe Rilindasi i Fundit, Mësuesi plak, i gjuhës shqipe, që u jepte ende mësime metodike, nxënësve të pedagogjikes, shtrëngohej të lëvizte në këtë darë betoni vdekjeprurëse…Dhe… u përmbys i përgjakur, Mësuesi Rilindës… E ngritën përgjysëm shtatin e rënduar të plakut… Fytyra fisnike e tij dukej tani si një qiri i madh i shuar!…Rilindasi i fundit i Kështjellasit po vdiste duke lotuar me gjak!…(f. 396).  – ”Një abetare… bijtë e mi!…Një a-b-e-t-a-r-e! “– u tha me zë të shuar. Sa e shtrinë mbi abetare, mësuesi i vjetër i shqipes dha shpirt!… E vranë edhe Rilindasin e Fundit:

-Hiqeni prej shakllëve se na pengon ecjen! – bërtiti drejtori i shkollës, pa u kthyer fare nga i vdekuri.

– Vazhdoni veprimet! – urdhëroi në krahun tjetër nëndrejtori-sekretar partie me zërin e tij të prerë . Në atë sallë-shpellë bëheshin provimet.. …Ushtrimet e gjata të shkruara me thëngjill të zi, mbulonin muret e mugët. … Mureve të bërdhylët po rrjedh një bojë mavi e thellë!…Një mavi që kthehet udhës në të kuqe me erë të rëndë…Mbi muret e asaj salle-shpellë, nxënësit shkruanin me gjak! (f.396)…

Brenda, e në plotësim të vizionit të “provimeve shtetërore”: (nënkupto: shkatërrimit të arsimit, të kulturës, të historisë, personaliteteve të historisë kombëtare,…), autori, po me aq forcë e fantazi, na sjell alegorinë e bletëve dhe të fishekëve: Autori përdor metaforën mashtruese të kohës, duke i quajtur ( bletë…!), por ato nuk janë as arëza e as grenëza … Ato janë të papara e të panjohura, janë vetë Kolera e Kuqe. Po, ç’ është Kolera e kuqe?! Autori na e parathotë me shqetësim llahtarinë e saj: Ajo sëmur e zhduk gjithçka: edhe jetën e brezave edhe historinë, edhe lavdinë e heronjve, e dhe Rilindësit, edhe monumentet edhe shkollën e kulturën, edhe ëndrrat e brezave edhe këngët edhe dashurinë… Dhe Ai na paralajmëron me klithmën: Ato po sulmojnë e do të shkatërrojnë edhe Diellin: … Ktheu më në fund kokën prapa dhe pa që gjendej në qendër të qytetit …Paskej shkuar atje duke fluturuar tok me një luzmë bletësh!..( f. 396)….Tani, në qendër të qytetit, bletët nuk lëshonin më atë gumëzhimën e tyre të njohur!…Bletët tani lëshonin një si vërshëllimë të ndezur metali!… Fluturojnë më tepër si plumba e jo më si bletë!…Thyejnë tjegullat e çative dhe gërryejnë suvanë e mureve…Ja tek i lëshohen dhe shtatores së hijshme të luftëtarit të lirisë!….Shtatorja e luftëtarit të lirisë sikur po nis të lëvizë nga vendi!…I del gjak nga plaga shtatores së bronztë!…Plumbat-bletë po e grijnë shtatoren e bukur të zemrës së qytetit!…Pas pakë mbeti më këmbë vetëm piedestali prej mermeri…mbeti pa shtatoren e luftëtarit Kështjellasi i lashtë…

Thërrmija e bronzit i morën me vete bletët-plumba

-Vazhdoni veprimet! – jehoi zëri i prerë i Kuqo-Sekretarit të Partisë. Jehona e zërit të tij urdhërues bëhej njësh me jehonën e vërshëllimës së egër të fishekëve-bletë. E rreh ajo jehonë dhe piedestalin pa shtatore, si për ta futur nën dhe’. Ato re me fishekë-bletë po shtrihen të mbulojnë gjithë vendin!…Retë e dyndura të plumbave–bletë po mbyllin horizontin!…Po mblidhen atje më të aguar, që të sulmojnë dhe diellin”…

-”Lirinë e kemi të gjallë! … Hani lirinë e plumbave dhe bëhuni të fortë si bronzi i shtatoreve! Bëhuni të fortë si plumbi! Bëhuni të shpejtë si plumbi! Të vendosur e të drejtuar në shenjë si plumbi!”… f. 396.

Alegoria-sarkazmë është mbretëresha e ligjërimit artistik në këtë roman.

Risi të tjera në roman:

Romani ka shumë risi interesante, jashtë skemave dhe shablloneve, që ia vlen të diskutohen nga njerëzit e letrave. Kompozicioni është i lirë dhe elokuent: diku sipas episodeve, diku sipas “personazheve”, diku sipas meditimeve etiko-filozofike, të autorit, etj. Rrëfimi, sa rrjedh natyrshëm, fluturon atje ku del maja e ajsbergut, zhytet e del atje ku autori shpërthen me të papritura të reja…

Gjuha e veprës është një nga vlerat e tjera, të mëdha të autorit: e pasur me bukuri dhe begati shprehëse: sa e butë , romantike dhe e brishte , aq edhe e rrepte: alegorike e sarkastike… Autori shfrytëzon me shumë finese edhe njësitë dialektore , madje me shumicë edhe fjalët e reja që i krijon në ligjërim e sipër. Gjuha e veprës dëshmon për mundësitë e larta shprehëse, që ka shqipja , për përdorimin e e saj brenda normës letrare, por edhe të folmet dialektore, pa dëmtuar e penguar njëra-tjetrën, dhe në rastin konkret, me shumë sukses, në dorë të një krijuesi serioz e të talentuar. Ligjërimi libror, në tërësi, ngrihet në sintagma dhe sentenca filozofike, që i japin veprës shijen e krijimit sociologjik. Autori nuk lë rast t’i shpëtojë, këtij këndvështrimi. Kështu e laton edhe dialogun e papritur e inteligjent…Linja e dashurisë me Diellën, është pjesa e vetme e më e brishtë, më romantike dhe më me diell në këtë hapësirë të jetës së maturantëve… Diella e Dielli janë kaq afër në ndjesinë poetike e njerëzore të Autorit…. Kujtesa e Autorit për të sjellë, pas më shumë se 55-vjetësh, në mënyrë sa më precize, ngjarjet e lumoret adekuate, me pedagoget në mësim e jashtë klase, me personelin e Konviktit, me shokët, me familjen, etj, është e admirueshme…

Romani, është libër që duhet lexuar, ngase çfarëdo komentesh, apo diskutimesh, nuk arrijë atje ku i pret autori… Ne këtë vështrim, shënimet e mia janë modeste, ashtu si i përjetova gjatë leximit të romanit.

Gjykimet e vërteta dhe vlerësimet le t’i japin vetë lexuesit e specialistët, të cilët , edhe në këto çështje, mund të bëjnë studime të thelluara.

8.   Një peng i hershëm…

E prisja me kureshtje dhe isha i qetë e i qartë shpirtërisht e mendërisht që, në romanin e Daut Gumenit, shokut të bangës, do të gjeja pjesën më të bukur të rinisë e të shoqërisë sonë në të katër vitet e shkollës Pedagogjike të Kështjellasit, të hedhur në një vepër arti me të gjitha truket, teknikat e mundësitë që të jep arti i të shkruarit, e veçanërisht romani, për t’i thënë të gjitha ç’ mendon e ç’ dëshiron autori, në shërbim të rrëfimit artistik. Kështu, romanin e lexova dhe e përjetova në radhë të parë si lexues, por edhe si dëshmitar i tërë atyre ngjarjeve, të dhimbshme, sa të brishta e diellore, aq serioze e fëminore. Dhe: u malla e u çmalla, u kënaqa e u trishtova, meditova, e rikujtova: Dy 14-15 vjeçarë, ardhur nga dy krahina jugore, nga familje me simpati ideore e botëkuptimore të kundërta; nxënës të mirë, shokë të një bange, miq e ëndërrimtarë të letërsisë, diskutojnë, debatojnë e mbrojnë pikëpamje të kundërta ideologjike, duke mbetur: “miq e shokë të bangës së parë” të klasës së tretë A”. Ata “marrin përsipër” punët e mëdha të dy kampeve armike të botës. Në roman, me shumë modesti e humor, Dauti e quan atë grindje “gjelucësh e karafilesh.”Dhe më tej: … Kemi aq mall t’i kujtojmë prapë e prapë vitet tona të ikura, t’i shohim prapë të gjallë si zogjtë, si bletët, si fluturat, si lulet e si gjethet e blerta! Duam t’u flasim me mall viteve tona të ikura, t’i flasim vetes tonë të dikurshme, vetes tonë të humbur me ato gjethet ngjyrë ndryshku që i merr përroi.” F.202

* * *

Pas gjithë atyre ngjarjeve që kanë ndodhur në jetën tonë në këto 55 vjetë, romani: “ bletë dhe fishekë”, i Daut Gumenit, na rikthen të malluar,… edhe me brengë e trishtim, në vitet e rinisë sonë të largët; të trishtuar për atë peng , që na thërret vazhdimisht, e që, ne, dhe disa breza pas nesh, besuam verbërisht tek “ca ëndrra në diell..” dhe nuk arritëm ta kuptonim, nuk gjetëm dot informimin e nevojshëm dhe nuk e bëmë dot, atë që duhej bërë, siç e bëri, i vetëm deri me sakrifikim, shoku ynë i klasës… Le t’i përgjigjemi edhe zërit të këtij pengu të largët, të paktën,… me refleksionet tona:

Faleminderit, i nderuar Daut:

Urime për romanin dhe suksese në krijime të tjera!

Ylli S. Hoxhaj, gusht 2015

Shënim:   Shkrimi është botuar edhe në gazetën:

Tirana Observer

30.08.2015; 31/08/2015 11:54



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora