E hene, 05.05.2025, 01:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Namik Selmani: O dëshira shkodranishte

E merkure, 02.09.2015, 07:07 PM


NAMIK SELMANI

 

O DËSHIRA SHKODRANISHTE

 

Kush më jep një lule Shkodre

T’ia vë syrit edhe gjirit?

Do t’i fal thesarë bote

Do t’i fal mjaltin e shpirtit.

 

Kush me jep një jare Shkodre

Për të gjethit hesht bilbili?

Të më lërë pa gjumë sonte

Të përqafur me agimin.

 

Kush më jep një fllad prej Bune

T’i kreh flokët si ujëvarë?

Gjithë parajsën marr mbi supe

Nga dashnia bëhem zjarr.

 

Ballëdjersitur do hedh hapa

Ta pres ditën në Kala.

Të pi qumësht tek Rozafa

Ta bëj zemrën shegë të çarë.

 

Kush i bie fort këmbanës

Dhe ezan të ligjërojë?

Do të bëhem zog mes dallgës

Dhe për Shkodrën do këndoj.

 

Kush ma shtron një tavë krapi

N’breg liqeni ku loz vala?

Le të dehem gjithë nga gazi

Të flatroj si pulëbardha.

 

Ndë kangjella ta mbjell këngën

Si kurorë trëndafilishte

Ja, këtu do bashkoj ëndrra

Do të bëhem far për brigje.

 

Kush më jep një muzg liqeni

Ta bëj shall për miken time?

E të marr urti kuvendi

Si gjerdan me xhevahire

Dhe në gjunjë të ulet bota

Pranë Bunës, pranë gurit

Për një jare që ka Shkodra

Le ta vrasë syrin e gjumit.

 

Kush më merr ngadalë për dore

Të më bredhë në Tarabosh?

Do të marr një rreth kurore

Si një mbret do mbretëroj.

 

Kush ma qet kafenë e ëmbël

Në Zall t’Kirit ku flet hëna?

Zot, o zot, më fut në ëndërr

Për një peng që dot s’e bëra!

 

Shkodranisht të flasë Bota

Pranë sofrës dritëmagjie

Për atë zemër që ka Shkodra

Të thurë këngë vetë Perëndia!

 

Tiranë, 21 korrik 2015

 

 

BAJAMET E  ÇAMËRISË

 

Mund të mos kishte dhe aq shumë  rrënjë domate në bahçe.

Mund të mos kishte shumë sheqer, libra dhe shkronja.

Mund të mungonte dhe pak bukë në magje

Mund të mos kishte dhe aq relike të vjetra në oda.

 

Mund të kishte pak më shumë këngë kurbeti

Mund të kishte pak më shumë saze Çamërie.

Po ëndrra çame buiste dhe bëhej në çast si deti.

Ca eho gjoksi ndiznin dhe gurët nëpër brigje.

 

Veç kurrë, kurrë, nuk mungonin lulebajamet.

Mes gëzimit të syve e gëzimit të zemrave.

Aty Çamëria gdhendëte kujtesën prushane

Si të ishte amaneti që zgjon fjalët e pathëna të brezave.

 

Aty pranverën si dashurinë e parë e prisnin

Dikur mbushnin prehërin e  gjysheve mes urimit.

Me ca tinguj këngësh, si rruaza pranë gjirit

Me ta prisnin dimrin  dhe i hapnin dyert gëzimit.

 

Kanë mbetur jetime, bajamet,  mes mjegullës.

Lulëzojnë e bëjnë kokrra sërish për duart e vajzave.

Kush, kush, do ia heqë gurët e gjëmbin e ferrës?

Kush, kush, do i shtrojë sërish në tavolinën  e dasmave?

 

 

AH, JU SY!

 

Ah, ju sy kaq lakmitarë,

Det ku zemra ime tretet.

Ç’me gremiset shpat me shpat

E më bëtë të flas me vete.

 

Do ta hedh në hon lavdinë ,

Pasurinë do ta shkrij.

Futmëni thellë në qerpikë

Të shoh turmën që mërdhin.

 

Futmëni thellë o në qepalla

Të prek shqotën dhe behar!

Te një këngë që hap kanatat

Të ndez gjakun, ta bëj zjarr.

 

Ah, ju sy kaq lakmitarë,

Derë ku zemra nxjerr të fshehtat.

Në u futsha thellë në varr

S’do më tresin amanetet.

 

Amanetet do t’ia lë birit

Të më marrë në valë e brigje

Nënë flatrat e pëllumbit

Mes zilisë së gjarpërinjve .

 

Herë barinj e herë kosëtarë,

Cep me cep t’i biem botës

Ah, ju sy kaq ëndërrimtarë,

Si s’u ngopët mes kullotës ?

 

Ah ju sy, kaq durimtarë,

Hapni dyer, shponi mure!

Jepni zemrës ditë të bardhë

Mbase enden përmes tyre.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx