E hene, 05.05.2025, 05:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Zyba Hysa: Amaneti

E enjte, 27.08.2015, 07:56 PM


AMANETI

(BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË)

TREGIM NGA ZYBA HYSEN HYSA

Kisha kaluar nëpër plumba e s’kisha marrë asnjë të gërvishtur, më ishin ngritur disa herë kurthe, s’më kishin vrarë dot, por si duket, burgjet u mësuan me mua, ose unë kisha lindur për të jetuar nëpër burgje...

Kam studiuar librat e shenjtë, letërsi, filozofi e ç'nuk kam lexuar e nuk e vë në dyshim që shumë më kanë mësuar, por nga fjalët e një njeriu, mësova kuptimin e jetës, se mbi çdo gjë në botë, përveç adhurimit të Zotit, vlen dashuria për atdhe, se me një atdhe të robëruar nuk mund të mbrosh as nderin e familjes tënde, as pasuri, jo vetëm kjo, po kurrë nuk e ndjen veten të qetë në robëri.

Ndaj kur mora vesh lajmin e vrasjes së tij, doja të isha unë e vetëm unë ai që do ta rrëzoja për tokë gjeneralin italian, por si duket lotët e mi dhe betimi im atë ditë para shumë luftëtarësh, bëri të dyshojnë dhe të përhapnin lajmin sikur e kam vrarë unë dhe ja, sot mbaroi dhe gjyqi italian, ku pretenca ndryshonte nga herët e tjera: dënim me vdeje, pushkatim.

Nuk më vinte keq që dënohesha me këtë motivacion, por më vinte keq që pse nuk arrita ta kisha vrarë unë që të isha i qetë, që mora hakun e mikut më të mirë, luftëtarit dhe patriotit të madh, që tek unë kishte vendin e një një babai të dhemshur...

- Hajt, zbrit! Arritëm... Shpejt! Nuk po shkon në dasmë, po drejt vdekjes… - më foli me të egër njëri nga policët që më shoqëronin në makinë.

- Ne, shqiptarët, e presim vdekjen me këngë, kur e kemi kryer detyrën ndaj atdheut… Do vdisja i qetë nëse do e kisha kryer unë atë vrasje…

- Kriminel! Kriminel! Cili vrau e tha "Unë e vrava!" Shtërngoja prangat më fort e hidhë për tokë! - urdhëroi shokun tjetër që ishte më shtatlartë se unë dhe me krahë gjithë muskuj.

Sapo u mata të nxjerr fjalën tjetër, veçse kur u gjenda plasur për tokë. Mbeta shrirë përmbys e ndjeva shijen e gjakut mbi buzë. Për herë të parë humba shpresat dhe vetëm në atë çast kuptova që isha dënuar me pushkatim, aq i pafuqishëm isha sa dhe lëvizja më e vogël më dukej sikur më fundoste, por një shqelm në ijë dhe mbërthimi nga krahu i policit trupmadh më drejtoi dhe pashë që isha para derës së një burgu që nuk kisha qenë ndonjëherë, dukej që ishte i sigurisë së lartë.

Ndryshe nga rastet e burgosjeve tjera, sot nuk më dorëzuan tek personeli i burgut, po ashtu i shoqëruar nga 2 policët e nga pas erdhën edhe ata që gjetëm aty.

Ecëm nëpër një korridor të gjatë, më pas zbritëm disa shkallë që të dërgonin në bodrum, i cili mund të ishte disa metra nën tokë. Ato shkallëi m'u dukën sikur po më dërgonin drejt varrit. Aqsa më shumë zbrisnim poshtë, po aq më shumë fillova të besoj fundin e jetës.

Arritëm dhe përsëri u kthyem drejt një korridori, joaq të gjatë, deri nga mesi dhe më ndaluan. Dikush nga policët e burgut, doli para dhe hapi hekurat e një qelie, më pas derën e blinduar dhe më shtymë mbrenda duke rënë përsëri plasur në tokë. Mbeta sërish ashtu siç më hodhën nga makina dhe me ato ndjesi.

Kur dëgjova përplasjen e derës dhe çelësin që u rrotullua tri herë, me vështirësi u ngrita dhe dallova një burrë që rrinte ulur në një shtrat të drunjtë. Nuk lëvizi, nuk foli, vetëm m'i nguli sytë sikur të kishte përballë njeriun e tij më të dashur.

Për një çast mendova se mos ishte ndonjë nga bashkatdhetarët e mi dhe fola shqip, por ai vertëm nëqeshi dhe I ngazëllyer erdhi dhe më përqafoi fort duke folur me gjuhën e tij.

- Të paktën do jesh ti këtu kur unë të pushkatohem... dhe negashëreu mbi supet e mi.

- Jo, nuk do të pushkatohesh, ne do dalim që këtu, - i thashë më shumë për ta qetësuar, se as që kisha ndonjë ide se si mund të ndodhte një gjë e tillë.

- Nga këtu cili është futur i gjallë, ka dalë vetëm i vdekur, ose ditën e pushkatimit. Edhe tunel të bësh këtu, nuk shpëton dot…

- Ne të vdekur se të vdekur jemi, por do mendojmë se si mund të shpëtojmë... - thashë dhe shkova pranë shtratit, që për çudi ishte komod për ambjentin përrreth, kur them komod, kishte dyshek e batanije, se më ka ndodhur të fle më net të tëra në dysheme.

U shtriva dhe as vetë nuk po e kuptoja se si po u besoja fjalëve që i thashë italianit për ta qetësua dhe seriozisht po vrisja mëndjen se si mund të dilja. Çdo gjë tjetër u fshi nga truri im, vetëm punonte se si mund të shpëtoja nga ai varr i nëndheshëm që do më varroste përgjithmonë, kur të dilja nga ai ditën e pushkatimit.

Kaloi ajo natë, pa asnjë ide, pa asnjë sekond gjumë. Të nesërmen sollën mëngjesin dhe për çudi më hoqën prangat. U desh gati një orë që të vinte ngjyra duarve, vendi i prangave ishte nxirë, vende - vende i gjakosur. Fillova të ha dhe mendja përsëri fluturonte në mundësinë e arratisjes.

Kishim të drejtë të takonim të afërmit për t'u ndarë dhe mendoja se çfarë t'i thosha vëllait për ndonjë gjë që mund të më ndlihmonte, po çfarë mund të sillte ai? Po thuaj i humba shpresat dhe u binda fatit. Më mirë të kisha qëndruar në Atdhe, atje përsëri do pushkatohesha pa gjyq e do pushkatohesha se doja atdheun...  Nuk kisha fuqi të mendoja më gjatë. Kur njeriu ka përpara vdekjen i fshihen të gjithë ç'ka në këtë botë dhe mua ashtu më ndodhi, isha vetëm dhe më duhej të shpëtoja veten.

Kaloi dhe kjo ditë, mendova gjer vonë dhe më në fund më kishte marrë gjumi. Kisha fjetur shumë, se u zgjova vonë, nuk kisha dëgjuar as ardhjen e mëngjesit. Nëpër agoninë e zgjimit, ku shpesh mendojmë se jemi zgjuar, por vazhdojmë të flemë, dëgjova një zë gruaje që fliste italisht. Fshiva sytë se mos isha në ëndërr, por atje tek shtrati i shokut të dhomës të përqafuar e të përlotur ishte ai, shoku i dhomës me të. U ktheva në anën tjetër që të mos i shqetësoja dhe mendja më fluturoi atje ku nuk doja kurrësesi të shkoja në këto momente të fundit të jetës sime dhe për herë të parë mendova që familja ime do të jene më mirë se sa unë, do të jenë gjallë e i gjalli do mbijetojë, por unë isha i gjallë i vdekur që nga çasti në çast mund të hapej dera dhe të shënohej data e fundjetës sime.

- Shqiptar, - dëgjova të thërriste shoku i qelisë, - kjo është ime shoqe... Po ju e keni gruan në Itali që të vijë të takojë?

- Jo, - thashë duke u kthyer nga ata dhe për respekt u ngrita për ta përshëndetur.

Ajo u ngrit në këmbë dhe më zgjati dorën. Ajo dorë aq delikate vetëm mund të puthej, ndaj e mora dorën me delikatesë dhe e putha. Nuk kam puthur dorë të mëndafshtë si ajo në jetën time, ku përveç butësisë së saj ajo kishte një lëkurë të freskët, si petale trëndafili erëmirë. Nuk e pashë në sy, por e ndjeva që ishte një grua shumë e bukur, shumë e re, e magjishme… Ajo veç bëri bëri një përpukle të lehtë dhe qelia u pushtuar nga aurora. Mbeta i shtangur nga ajo bukuri që solli dritë në atë qeli të nëndheshme.

Nuk kaloi shumë dhe gardiani thirri se kishte mbaruar koha e takimit. Kam parë njerëz që qajnë të vderkurit, por në fund pushojnë dhe mbledhin mendjen, por të qajë njeriu të gjallin se do vdesë e nuk do ketë mundësi të shikojë dhe trupin e ta varrosë, kjo ishte jashtëzakonisht e tmerrshme. Nuk kam fjalë të përshkruaj atë moment ndarjeje të 2 vetave që duheshim dhe nuk do shiheshin më përjetë. Ne qemë më fatlumët se do vdisnim e nuk do shikonim gjë, po të gjallët si do ta përballojnë këtë lloj vdekje?

- Amanet djalin, rritma me eduklatë e mësoi të mos merret me politikë si unë, se ajo është si një femër e rrugëve që sot është me ty, nesër me tjetrin dhe sado i nderushëm të jesh ajo të tradhëton...

- Me të do e mbyll jetën, do ta rris me gjithë të mirat...  - tha dhe u kthye prapë dhe u derdh në qafë, por gardiani hyri mbrenda dhe e tërhoqi me forcë duke e nxjerrë jashtë.

Të qarët e saj u dëgjuan derisa ngjiti shkallët e nuk u ndjenë më as hapat e saj...

- Do arratisemi! - thashë atij me vendosmëri, sikur unë ta kisha gjetur mënyrën.

- Jo… kurrë! Po tentuam të arrtatisemi, do t’na vrasin qysh sot, të paktën do shtyjmë dhe disa ditë këtu...

- Nuk të vjen keq që lë atë grua si ëngjëll vetëm? Po djali kë do të ketë baba?

- Qenke vërtet kokëshkretë, po rri dhe shijo këto ditë që kanë mbetur... Të paktën ti flet italisht dhe do të bisedojmë bashkë për të harruar fundin tonë…

- Përherë njeriu duhet të përpiqet për një mundësi, se edhe në pamvundësi gjendet një mundësi, nëse njeriu e kërkon…

- Qenke djalë i mençur, po këtu nuk hyn në punë zgjuarsia, ndaj afrohu të hamë këto që ka sjellë ime shoqe... - tha dhe hapi një çantë ku nuk mbaronin ushqimet, aty kishte të haje një javë e nuk mbaroheshin.

Në fund të çantës ishte një qeskë me diçka të bardhë, që unë mendova se ishte karipë, por ai u gëzua kur e pa, se vuante nga stomaku dhe përdorte sodë buke me ujë.

- Do shpëtojmë! - thirra me entusiazëm fëmije.

- Mos po të lë mëndja e kokës e flet përçart? - tha ai dhe shtangu kur dalloi ngazëllimi tim.

- E kapërcejmë sodën menjëherë dhe bëjmë sikur po vdesim e kur të sjellin ushqimin do shikojnë duke u dridhur nën ethe dhe shkumë nga goja, sigurisht do t’na dërgojnë në spital e që andej arratisemi.

- Në asnjë mënyrë, kurrë nuk mund të arratisesh se je nën vëzhgim të përhershëm.

- Mirë atëherë, - i thashë pas shumë diskutimesh, - nesër në mëngjes unë do ta pi sodën e thuaju rojeve që po vdes.

- Nuk më kanë zënë sytë njeri më të zgjuar dhe trim si ti, - tha ai.

Më hodhi sodën në prehër dhe vetë filloi të hante ushqimet e së shoqes. E mora dhe menjëherë e fsheha, se mu duk sikur u ndodha një hap larg arratisjes. Më pas hëngra dhe unë bashkë me të e verrtet nuk kisha ngrënë ushqim më të shijshëm në jetë. Dukej që gatuante mirë, më shumë e kishte gatuam me dashurinë e saj për të shoqin, se ai tregonte që i kishte sjellë çdo gjë që pëlqente të hante.

Atë ditë biseduam gjatë me shokun e dhomës dhe në darkë vonë nxori një fletë dhe nisi të shkruante, mbase kujtime, mbase amanete, por vonë erdhi tek shtrati im e më dha një zarf duke folur me lot në sy:

-  Nëse shpëton e një ditë do kesh mundësi, do të plotësosh një amanet: këtë zarf do t’ia dërgosh sime shoqeje tek fabrika e aluminit...

- Sigurisht, - i thashë, - vetëm po vdiqa.

Ai më përqafoi sikur po ndaheshim për herë të fundit dhe më pas u shrimë secili në shtratin e tij, po as unë e as ai nuk fjetëm gjithë natën.

Erdhi mëngjesi dhe para orarit të ushqimit hodha gjithë sodën në ujë dhe e piva me një frymë dhe u shtriva në dysheme. Për një here doli shkumë nga goja dhe vërtet u ndjeva shumë keq, dëgjova italianin që filloi të thërriste fort. “Po vdes... Po vdes... Ndihmë! Ndihmë!”

Dëgjova bravën e derës dhe asgjë nuk mbaj mend më, veç kur u përmenda isha në spitalin e kishës, ku në anë të krevatit dallova kryemurgeshën, një grua e gjatë shumë elegagnte dhe e bukur. Kur unë hapa sytë ajo buzëqeshi me një hir hyjnor aqsa unë harrova ku isha e përse isha aty.

- Faleminderit Zot! - thirri ajo me ngazëllim, por në moment kuptoi që kishte gabuar, se kishte përpara një kriminel të dënuar me vdekje.

- Faleminderit ju, që u kujdesët për mua… - i thashë dhe buzëqesha.

- Zoti më faltë, po kurrë nuk e besoj që ju jeni kriminel. Ju keni një fytyrë engjëlli. Nuk kam parë burrë më të bukur në jetë... - foli ajo duke harruar që ishte në kishë dhe aq më shumë, kryemurgeshë.

- Faleminderit… Unë nuk e kam vrarë gjeneralin tuaj... Unë dënohem kot dhe kjo është mëkat... Të lutem shpëtomë!

- Si mund të shpëtoj, kur jashtë tek porta janë policët? Është e pamundur kjo, nëse unë të ndihmoj të arratisesh, pushkatohem pa gjyq.

- Kur të vinë për kontroll, thuaju që nuk është përmendur që të mendojmë se si mund të dal…

- Vërtet unë jam e bindur, mbase Zoti kështu më thotë, që ju jeni i pafajshëm dhe do të ndihmoj, por problemi qëndron se cili do të presë jashtë që të arratisesh shpejt me makinë.

- Të lutem telefonoi vëllait se vjen ai e më merr... - fola me zë përgjërues e njëkohësisht mirënjohës ndaj saj.

- Atëherë në darkë, para se të fle, do hap dritaren e banjos dhe këtë letër jepja kryepeshkopit të kishës me atë adresë...

Kërcitja e derës i dha fund bisedës me kryemurgeshën. Dëgjova bisedën e rojës me të, e cila e njoftoi se ende nuk isha përmendur. Dera u mbull shpejt dhe në dhomë ra heshtja. Hapa sytë dhe u ndesha me vështrimin e saj, në të cilin dallova sytë një gruaje të lënduar nga jeta, një grua që mbase dhe mund të kishte mëkatuar (ishte shumë e bukur), por ajo që dallohej dukshëm, ishte vendosmëria për të më shpëtuar jetën.

Pasi i dhashë adresën e vëllait dhe telefonin e shtëpisë, ajo u ngrit dhe doli e nuk e pashë më. Pas pak erdhi një murgeshë më e re se ajo, por shumë e heshtur. Asnjë fjalë nuk shkëmbeu me mua, po nuk kishte faj, unë bëja sikur isha në koma.

Nëse doni të kuptoni sesa ngadalë ecën koha duhet të provosh çaste të tilla, e sesa shpejt fluturon duhet të jesh i dashuruar. E megjithatë, pas disa orë - vite, erdhi ora ime. Murgesha shkoi të flinte, dhe pritej pas pak të vinte ndonjë tjetër, por si duket kryemurgesha kishte porositur që do të vinte ajo, se akush nuk erdhi.

Dy ndjenja kacafyteshin në shpirt dhe bënin të isha herë i vdekur, herë me krah sikur fluturoja dhe po prisja çastin të isha me këmbë në tokë për t’u arratisur. Tashmë koha ecte fluturim, isha i dashuruar me jetën!

Brofa nga shtrati, mora këpucët në dorë dhe si një balerin eca në majë gishtash deri tek dera e banjos që ishte në fund të korridorit. Dritarja ishte hapur. Jashtë ishte errësirë, por kurrë nuk kam parë aq dritë të bardhë sesa sonte që më ndillte të hidhesha dhe të vrapoja drejt lirisë sime, drejt shpëtimit…

U mundova të mbaj peshën e trupit në krah, për të mos u ndjerë shumë zhurmë kur të bija, por në këtë qetësi varri edhe fluturimi i lakuriqve ndjehej si të kalonin aeroplanët, ndaj qëndrova pak çaste ashtu kruspull tek rashë, mbase qe vetëm një sekont, por filloi përsëri koha të dukej e rëndë, me peshë e s’ecte dot, por isha unë që duhet t’i thosha “ec”, ndaj u ngrita ashtu zbathur renda pa drjtim, vetëm të ikja larg kishës, por nuk kaloi shumë e nga pas një trungu peme del një hije dhe më mbërthen për krahu. Shtanga, ndjeva fundin tim! E tmerrshme, sapo m’u dha rasti të shpëtoj dhe…

-           Këtej, - dëgjova të më fliste hija e njeriut që më shtërngonte fort.

-           Pse nuk e ke sjellë makinën? – u hakërreva vëllait afër veshi.

-           Mos deshe ta sjell tek dera dhe të prisja të dilje? - foli ai gjithë nervozizëm.

Herë me të shpejtë e herë këmbadoraz, dolëm tek vendi që ishte pakuar makina. Po më dukej vetja si nëpër beteja, ku nga çasti në çast mund të ndeshesh me armikun, po për çudi kurrë nuk kam ndjerë frikë në vijën e parë të zjarrit, si vallë më pushtoi ku angth dhe nuk nxorra asnjë fjalë me vëllanë gjatë rrugës, përveç se kur i thashë “drejt kishës…”

Udha drejt jetës qënka më e vështirë, se udha dret vdekjes. Këtë gjë sonte po e kuptoja; në luftë shkohet me një ngazëllim të papërshkruar e kurrë nuk e llogarit se mund të vritesh, sonte që po shkoj drejt lirisë, drejt jetës… pse gjithë ky shqetësim?? Kurrë s’e kam njohur frikën, por nuk po e kuptoj se çfarë është kjo që më ngushton fytin dhe më merr frymën? Mos vallë është shqetësimi i dëshirës për të jetuar, mos vallë vetëm përmes shqetësimit kuptojmë dashurinë për jetën? Po, po, shqetësimi është barometri që mat dashurinë.

Me këto mendime të çuditshme për momentin që po kaloja, arritëm para kishës që kishim adresën. Doli roja dhe hapi derën, i dhamë letrën për kryepeshkopin dhe përsëri koha filloi të rëndojë hapat e saj.

Nuk kaloi veçse pak çaste, sipas kohës, dhe erdhi sërish roja dhe tha që të hynim mbrenda.

Kryepeshkopi ishte në këmbë dhe kur u ndeshëm përballë, në vend që të përshëndeste, u ul si pa fuqi dhe nuk na bëri asnjë shenjë që të uleshim. “Nuk i paskemi punët mirë” - mendova.

-           Kjo gjë është e pamundur… Të strehosh një të dënuar me vdekje, do të thotë të hysh vetë në

varrin e tij, ndaj e kam të pamundur të të strehoj këtu.

-           Ne jemi në dorën e Zotit, - ndërhyri vëllai, që as unë nuk e di se si foli ai, se asnjëherë nuk

ndodhte të fliste para meje.

-           Gjithsesi unë duhet të mbroj kryemurgeshën që u ka ndihmuar, ndaj sonte do rrini këtu, për

nesër të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë, po jemi futur në mes të zjarrit. Nëse ju kapeni, do të ekzekutohet kryemurgesha e kjo është e rëndë për kishën…

Koha filloi hapat e saj të zakonshme. Ajo filloi të ecte me hap të lehtë, por të dridhur… ashtu siç dridhen gjethet e pemëve nga flladi. Tani jeta dukej se po merrte frenat në dorë, por rruga ka të papritura…

Për të mos e zgjatur e për të mos u bërë i mërzitshëm në rrëfimin, të nesërmen u arratisa drejt Francës, në një kishë që më rekomandoi kryepeshkopi. Isha i çliruar tashmë nga dënimi me vdekje. Shërbeja në këtë kishë aqsa për të justifikuar ushqimin duke sistemuar bibliotekën e saj dhe një ditë tek po rrija në dhomë, u kujtova për letrën që e kisha vendosur mbrenda astarit të xhakëtës ngjitur me xhepin e brendhshëm. U ngrita nga shtrati dhe e nxora letrën. E mbajta disa çaste në dorë dhe kalova nëpër mend gjithshka që kishte ndodhur në burg e me vete thashë “Duhet t’a kenë vrarë!”.  Zarfi ishte i mbyllur dhe përsipër ishte shkruar italisht: “Rozanës në dorë”. E vendosa letrën - amanet në raftin e librave dhe fjeta duke përfytyruar prtretin e asaj gruaje që nuk mund të ishtë më shumë se 27 - 28 vjeç.

Puna në kishë po më jepte kënaqësi të jashtëzakonëshme. Mes librave ndodhesha mes miqsh. Humbisja nën shoqërinë e tyre dhe mrekullohesha me lexime pa fund. Kishte kaluar muaji dhe nuk i kisha ndjerë hapat e kohës ajo kishte nxjerrë flatra…

Në bibliotekë kisha dhe një radio të vogël, nga ku merrja lajme për Shqipërinë. Çfarë të dëgjoja; arrestime, varje, vrasje, internime… E kalova stacionin në Itali dhe po dëgjoja përsëri lajmet: “Falen të gjithë të dënuarit me pushkatim!” Siç isha u ngrita me vërtik në këmbë dhe me vrap nga dera, po kur mendova se kujt do i tregoja këtë, u ktheva pas.

Në jetë njeriu duhet të ketë dikë pranë për të ndarë edhe gëzimin, edhe hidhërimin, edhe lumturinë, ndryshe të bëhen vadhë e papjekur e të mbesin në grykë. Kështu u ndjeva në ato çaste dhe gjëja e parë që më erdhi në mend; të kthehem në Itali tek vëllai.

Të nesërmen dorëzova bibliotekën dhe bëra gati valixhen, ku pjesa më e madhe e sendeve personale, ishin libra. Mora dhe letrën - amanet dhe e vendosa në mes librit që po lexoja. Koha filloi të ecte njësh me mua!

Vëllanë e gjeta në shtëpinë nga ku u arrestova unë. Në vend që të gëzonte për takimin tonë, m’u hakërrye:

-           Si shkove në Francë pa më marrë mua me vete?

-           Jo, vëlla, ti bëre shumë për mua, unë nuk e dija si do më vente filli, të paktën të

shpëtoje ti…

-           Harrove ti amanetin e nënës që më thosh: “Kurrë mos iu ndaj vëllait, sikur dhe të vdesësh?”

-           Nëna do ishte e lumtur të mos vdisnim që të dy, ndaj e shkela amanetin e saj…

Ai u ngrit dhe m’u hodh në qafë më ngashërim. Qanim të dy. Sot kishim të drejtë të qanim. Trishtimi kishte nevojë për lotë që të shkrinte damarët e mallit dhe të qarkullonte lirshëm gëzimi…

Kaluan disa ditë me miq e shokë e teksa po bija të flija, mora librin që kisha lënë në mes që në Francë. E hapa dhe zarfi ra. U përkula dhe e mora “Rozanës në dorë”.  E vura zarfin mbi komo dhe në vend që të lexoja kalova nëpër mend burgun e nëndheshëm deri më zuri gjumi, nën ngashërimin e Rozanës dhe trokun e hapave të saj që për çudi, aqsa më shumë largohej, aq më shumë dëgjoheshin.

Të nesërmen, në mbrëmje, u vesha me kostum e këmishë të bardhë, siç bëja kur shkoja në një prezantim studimi, apo në provimet në Universitin e Sorbonës, mora zarfin dhe vendosa të kryej amanetin e shokut që pata në burgun e vdekjes.

Shkova tek shtëpia e saj, por porta ishte e mbyllur. Pyeta dikë dhe më tha që kishin një festë familjare në një lokal aty afër. Një mendim më tha që të kthehem në shtëpi e të shkoj një ditë tjetër, por vendosa për ta kryer këtë detyrë që të kisha kohë të interesohesha në vazhdim për të gjetur ndonjë punë. Nuk eca shumë, ngjita shkallët dhe u gjenda para derës së sallës ku bëhej festa. Ishte një lokal tepër luksoz. Hapa derën dhe u ndesha me vështrimin e të gjithë pjesmarrësve. Unë i vështrova të gjithë me radhë e më në fund dallova atë, Rozanën, gruan e shokut të burgut me djalin e saj 5 vjeçar pranë. Nuk kaloi shumë dhe pranë më ardhi një djalosh elegant që sipas veshjes mund të ishte kamarieri.

-           Zotëri, lokali sonte është i rezervuar...

-           Ju lutem mund t’i dërgoni zonjës Rozana këtë letër…

-           Po, - tha ai dhe e mori letrën.

Unë u ktheva prapë dhe zbrita shkallët me një lehtësim në shpirt, por në kohën që po merrja kthesën, dëgjoj një zë.

-           Zotëri… zoteri…

-           Urdhëro, - u ktheva unë.

-           Ju lutem, zonja Rozana u fton të merrni pjesë në festë…

U ktheva dhe tek dera më priste ajo, Rozana. Veshur me një fustan rozë të hapur si ngjyra e petaleve të trëndafilave që mbillte nëna ime, të cilët kishin dhe shumë aromë, flokët e verdhë me onde dukeshin si të Ofelisë tek “Hamleti” e sytë blu si detet që më rritën në vendlindje, me një buzëqeshje që i ngjante harkut diellor kur dilte mbi mal e rrezet puthnin detim. Nëse në burg m’u duk që gjithshka ndriçoi prej saj, këtu gjithshka u errësua nga bukuria e saj dhe unë shikoja vetëm atë. Nuk ndjeja gjë, por ndodh që njeriu kënaqet edhe me sy!

-           Zotëri, - foli ajo me tinguj si të dilnin nga violina e Moxartit, - urdhëroni…

-           Faleminderit zonjë… Unë jam shoku i burgut të burrit tuaj…

-           E mora me mend, - tha dhe nga sytë e qielltë i rrëshqitën lot e mua m’u duk sikur dy sytë e

saj u shndërruan si dy detet e mi kur ngrejnë tallaz e për çudi më dukej se tek kjo grua shikoja tipare të vendlindjes sime dhe më lindi dëshira t’i fshija lotët…

Ecëm përmes sallës dhe vendi im u rezervua pranë babait të saj. U prezantova dhe më pritën mjaft mirë. Dukeshin që ishin jovetëm të pasur, por edhe fisnikë. Kështu kaluam një mbrëmje të jashtëzakonshme, por unë nuk u ngrita të kërcej, as Rozana. Ajo rrinte e rrinte dhe merrte letrën në dorë e përlotej. Kur mbrëmbjes po i vinte fundi, dëgjova sërish tinguj e violinës së Moxartit:

-           E dashur mama, i dashur baba, të dashur njerëzit e mi më të dashur që jemi mbledhur sonte

për të festuar përvjetorin e 30 të martesës së prindërve të mi, më lejoni të ndaj me ju, sonte amanetin e tim shoqi para se të vdiste, - tha dhe filloi të hapte letrën duke u dridhur duart.

“E dashura ime e shtrenjtë dhe e shenjtë!

Nuk e di nëse do të bjerë në dorë kjo letër, ndaj nuk po të shkruaj gjatë, por nëse e merr, po të lë një amanet: Martohu me letërprurësin! Ai është një njeri me shumë vlera dhe jam i bindur që do sillet mirë me ty, e dashur, dhe ajo që më shtyn më shumë, është siguria që kam se ai do ta rrisë djalin me kulturë të lartë!

Të puth me frymën time të fundit,

Yti deri në vdekje

Aberto”

Aqsa më shumë lexonte, veniteshin tingujt e violinës deri më në fund u duk sikur në sallë plasi një bombë si ato në luftrat me armikun dhe ra heshtje varri.

Unë shtanga për një çast dhe më pas u ngrita, mora fuqi e thashë:

-           Unë u dënova me pushkatim se dyshohej që kisha vrarë gjeneralin italian, por në fakt nuk

e kam vrarë unë…

-           Ti mbetesh kriminel për ne! - u hodh e tha mamaja e Rozanës.

-           Jo vetëm kaq, unë jam i martuar dhe kam fëmijë në Shqipëri, ndaj më lejoni të dal nga

kjo sallë e ju të vazhdoni festën. Natën e mirë! - thashë me ton serioz.

U ngrita e dola. Nuk më shoqëroi asnjë, as kamarieri. Shkova në shtëpi dhe rashë të flija. Sonte isha i tëri në shtëpinë time, tek nëna ime, tek gruaja ime, tek fëmijët e mi… se për herë të parë i përmenda me zë të lartë dhe qava si fëmijë. Sonte nuk kujtova as burgun, as vuajtjet që vetëm unë i di e nuk dua t’i rrëfej, le të hyjnë në varr me mua kur të vdes, as për atë bukuri që me magjepsi sytë para pak orësh. Të qashë si fëmijë në moshën burrërore e të mos kesh mundësi të ndihmosh familjen tënde, kjo është vdekje për të mbetur gjallë si kufomë. E kufoma jeton si kufomë.

Fillova punë në bibliotekën e kishës që më shpëtoi nga pushkatimi. Aty humba për të mbetur gjallë. Punoja dhe lexoja, shkruaja dhe krijoja, dhimja më bëri ta kërkoj ilaçin nëpër rreshtat e librave të shenjtë dhe të mendimtarëve të mëdhenj.

Kishin kaluar gati 2 vjet dhe teksa lexoja në bibliotekë, vjen një murgeshë e më thotë që po të kërkojnë. Pa e ngritur kokën nga libri, i thashë që të vinte në bibliotekë.

-           Mirëdita, - dëgjova tingujt e violinës së Moxartit.

-           Mirdita, - fola instiktivisht dhe hoqa sytë nga libri për të dalluar mos isha në ëndërr.

Përpara meje, me djalin përdore, ishte ajo që kishte tiparet e vendlindjes sime, por nuk kishte gjakun e saj, Rozana.

-           U mundova gjatë për të mos zbatuar amanetin e tim shoqi, por besomë, çdo natë më dilte

në ëndërr dhe më qortonte, derisa një ditë u thashë prindërve që do martohem me ju. Ata nuk pranuan kurrë. Në fund vendosa pa bekimin e tyre, por ata më përjashtuan nga çdo e drejtë në pasurinë tonë dhe nuk duan që unë të shkel më në shtëpi. Unë i pranova të gjitha dhe erdha…

-           Të lutem, unë jam i martuar dhe pres që të më falet jeta, siç m’u fal në Itali dhe do të

kthehem atje...

-           Më lejo të jem shërbëtorja jote derisa të vijë ajo ditë që të falet jeta dhe unë do jem ajo

që do të them, kthehu në familje, se nuk e përballoj angthin e çdo darke, ku Alberto më shfaqet në ëndërr dhe ngrihem e llahtarisur…

-           Po të them edhe një herë, unë nuk mund të martohem me ty!

-           Të thashë…  edhe shërbëtore, vetëm të jem pranë teje, të shpëtoj nga makthi… - tha dhe

u ul në gjunjë si të ishte para Jezu Krishtit.

U ngrita nga tryeza dhe e zura për supesh për ta ngritur. Djali i saj më shtërngoi njërën këmbë sikur donte të më mbante që të mos ikja.

-           Zonjë, eja t’u dërgoj në shtëpi, por të lutem, mos më kërko të martohem me ty, unë e

dua familjen time dhe ashtu siç je ti me makthe, edhe unë përpëlitem darkave e shpesh nuk vë gjumë në sy…

-           Më lejo të qetësojmë njëri - tjetrin, po Zoti e di se çfarë do të bëjë me ne…

-           Eja, - i thashë dhe i futa krahun e në anë tjetër mora djalin përdore dhe shkuam në shtëpi…

Nga ajo ditë, u bëmë një familje e madhe; unë, vëllai, ajo dhe djali. Unë dhe vëllai flinim në një dhomë, ajo me djalin në një dhomë tjetër…

Kaluan disa muaj kështu dhe marr lajmin nga disa miq që të gjithë shokët e mi që qëndruan në Shqipëri ishin pushkatuar dhe unë isha dënuar me vdekje dhe kurrë nuk më lejohej kthimi në Shqipëri…

-           Do të iki nga Italia, - thashë një natë tek po hanim darkën e përgatitur me mjeshtëri nga Rozi.

-           Do ikim të gjithë…  do vij edhe unë me ju… unë nuk jam ndonjë femër e ligë që të mos jem

e denjë të rri krah teje, jam gati të rri pa kurorë…

-           Vëlla, - u drejtua vëllai im, - Rozi është grua shumë e ndershme, punëtore, e bukur… kthimi

në Shqipëri është i pamundur, ju mund të martoheni pa kurorë, të shohim çfarë do na sjellë jeta…

Rozi u bë gruaja ime, shoqja ime, mikja ime dhe kurrë nuk më tha që të vinim kurorë, apo të më vinte kushte tjera, ajo thjesht u bë bashkëshorte me shortin tim në mërgim…

-           FUND -



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx