Kulturë
Poezi nga Lana Anna Dembo
E enjte, 27.08.2015, 07:02 PM
LANA ANNA DEMBO
MË KA MARRË MALLI
Më ka marrë malli për një rrugicë,
Dhe për një portë që qëndron hapur.
Për mbrëmjen e embël që me patericë,
Shkonte e heshtur me hap të matur.
Më ka marrë malli për ngricën,
Kur futej në trup dhe më dridhte.
Për puthjen tënde që më hiqte frikën,
Dhe ngrohtësinë trupit ma mbillte...
Dimri mbillte ftohtë dhe dëborë,
Ne digjeshim zjarr në kraharorë.
Më ka marrë malli për tu dredhur
Nga një puthje e turpshme vjedhur.
KUJTIMET
Shumë kujtime mbajnë sytë,
Shumë kujtime mbaj në buzaë
Kujtime kur zërin ma mbyt,
Me krahët e tu si tërkuzë.
Vite kam, jam lidhur e tëra,
Në shpirt thellë e në zemër.
Trupin tim burim e bëra,
Dhe të lava si nëpër ëndërr.
E di, puthja jonë skuqte frutat,
Pastaj i vjelnim nëpër stinë.
Vjeshta e vera i mbushte butet,
E nëpër dimra neve i pimë...
Më pas të deheshim me lumturinë!
TE KY STOL
Te ky stol, i dashuri,shumë vite më parë,
Duart kryqëzuan dhe në sy duke u parë!
Lexuam thellë tyre dëshirën dhe ndjenjen,
Kurrë si bëmë teatër për të mbushur skenen!
Lexuam në sy, por lexuam dhe në zemër,
Të dashurisë së thellë me të vetmin emër.
Tani stoli dikurshëm mbuluar nga gjethet,
Qëndron i vetmuar e dridhet nga ethet...
Ne në Amerikë, dhe stoli në Korçë endërron,
Por prap dashuria jonë në preher i qëndron...
Kjo e bën të ndihet mirë, sa herë dielli agon!
E MBAJ MËND PUTHJEN E PARË
Më dridhet pemë e trupit,
Sa herë që kujtoj atë ditë.
Flokët si degët e shelgut,
Sytë e ëmbël si kullumbritë.
Frymëmarrja e thellë-thellë,
Buza e etur nëpër pritje,
Si një lule me kujdes mbjellë
Që qëndron dhe pret vaditje...
Ti, hodhe përmbi të jetë,
Derdhe lumenj dashurie,dritë,
Flet lumturinë çdo ditë...
Lulëzimi flet si flasin poezitë!
KUR MORËM VIZËN PËR AMERIKË
E mbaj mënd atë ditë kur erdhe i gëzuar,
Me letrën e bardhë që shtërngoje në duar.
Më thirre që larg, e dashur, na erdhi letra,
Ëndërrat e bukura për ne po bëhen vepra.
Në Amerikë do kemi një jetë më të mirë,
Për vete,por dhe filizat tanë që kanë mbirë.
Unë e kuptoja gëzimin tënd në buzë e në sy,
Por unë lumturinë e kam që kur të njoha Ty...
BLUZA IME E SHKOLLËS
Bluza e zezë me gusdhoren e bardhë,
Si dallëndyshe që nga mërgimi ka ardhë.
Fluturoja me krah në rrugë e në parqe,
Me dëshirat e mëdha, si mbante një lagje!
Zogjtë i adhuroja që lart puthnin qiellin,
Më endërra të mëdha e shikoja diellin...
Tani që jam larg, shumë larg prej teje,
Dashuria për ty, moj bluzë rrjedh në deje...
Radhën tjetër kur të vij atdhe deri në Korçë,
Do të të përkëdhel e do të të fus në shportë...
Do shtegëtosh dhe ti me mua këtu në Amerikë,
Në dasmën e madhe të mërgimit të kam prikë...
Nga nusërimi jot nuk heq as presje dhe as pike!