Kulturë
Dijana Dukaj: Takimi me mërgimtarë
E shtune, 22.08.2015, 09:55 PM
TAKIMI ME MËRGIMTARË
Nga Dijana Gj. Dukaj
Për të dymbëdhjetin vit me radhë u mbajt takimi me mërgimtarë i organizuar nga misioni Françeskan i Tuzit, në krye me p. Pashko Gojçaj. Në këtë mbrëmje, tashmë tradicionale të cilën e moderoi gazetari Gjok Dukaj, ishin të pranishëm studiues dhe krijues të shumtë, në mesin e të cilëve ishte studiuesi i mirënjohur, aktualisht ligjërues në katedrën e gjuhës dhe letërsisë pranë Universitetit të Kalabrisë, prof. Dr. Anton Nikë Berisha. Pastaj gazetari i mirënjohur, prijësi i shtypit demokratik në Shqipëri dhe njëri nga luftëtarët më të spikatur për lirinë e shtypit Zef Pergega.
Organizatorët për këtë manifestim, tashmë tradicional, nga viti në vit organizojnë përmbajtje të ndryshme, gjë që e bën edhe më interesant këtë takim, kushtuar mërgimtarëve tonë që jetojnë anë e mbanë botës.
Në
fillim, organizatori i këtij manifestimi p. Pashku Gojçaj përshëndeti me fjalë
të zgjedhura gjithë të pranishmit. Pastaj mbrëmja vazhdoi me promovimin e
librit “Drita e Françeskanëve në Malësinë e Madhe”, të autorit Zef Pergega.
Libër ky i cili përfshin një materie mjaft domethënëse, i cili ofron të dhëna
dhe dëshmi të shumta për veprimtarinë e françeskanëve në botën shqiptare, në të
gjitha periudhat në trevën e Malësisë së
Madhe. Françeskanët pavarësisht halleve të shumta me sakrificë të madhe i
qëndruan çdo herë afër njeriut tonë. Autori, e vlerëson lart punën e
misionarëve të rregullit Françeskan të cilët ruajtën dhe kultivuan vlerat e trashëguara nëpër shekuj.
Mbrëmja pasoi me pikën kryesore e që ishte recitimi i PSALMEVE të përgatitura nga teatri i Shna Ndout,i cili vepron pranë misionit françeskan në Tuz.
Në fund për të gjithë të pranishmit kishte pije freskuese dhe muzikë argëtuese. Urojmë që kjo traditë të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në mënyrë të tillë që të shoqërohemi me bashkë vendasi tonë që jetojnë në mërgim.