E hene, 05.05.2025, 09:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Me miliona njerëz

E premte, 21.08.2015, 09:17 PM


Adem Zaplluzha

 

Pesë poezi nga libri “Sytë e gurtë të erës”

 

ME MILIONA NJERËZ

 

Me miliona njerëz

Punëtorë krahu dhe poet

Latojnë ekzistencën e një ngjyre

 

Pastaj

Të gjithë këta

I përngjajnë kokëfortësisë

Shndërrohen

Në pastele prej trishtimeve

 

Sa e vockël

Më duket kjo tokë në shuplaka

Sa që e fsheh

Mes përrallave të fëmijëve

Kur i dëgjohet klithma e erës

Ajo qan si një kërthi

 

Me miliona njerëz

E ustallarë të gurëve

Dhe poet endacak

Shtrydhin nga shpirti i ylberit

Bukurinë

E një grimce pluhuri

 

 

EPITAF

 

Ata nuk kanë vdekur

Jo

Jo asnjëherë nuk vdesin

Sfinksat e mishtë

Mbase do të ndodh një ditë

Një çudi

Që në çdo pëllëmbë

Të atdheut

Të rilindin sërish

 

 

SI SHTËRZIM I NJË GRUAJE

 

Një vashë qante mbi një dallgë

Mendja i degdisej në thellësinë e lotit

Qante edhe era

Një fëmijë diku e kishte humbur

Dashurinë e vet

Dhe të zotit

 

Si valë detit

Mendimet vinin  vërdallë

Stoli i vjetër

Nuk dukej më nën bli

Ajo flokarta

Si në magji shndërrohej në përrallë

 

Ishte një ditë

Që i humbi të gjitha alternativat

Nga zbrazëtira e rrjetave

Peshkatarët fatkeq

Kthehen te një mol i harruar

 

Era si nëpër legjenda

Mbylli në një shishe të kristaltë

Njeriun e dehur

Si shtërzim i një gruaje

Dëgjohej

Gjëma e detit të trishtuar

 

 

VETËM ZOGJTË E PIKËLLIMIT

 

Si zemërimi i pashpirt

Po më ngufat kjo qetësi

Përreth meje

Asnjë mushkonjë

Askund dritë

Të shoh një njeri

 

Si kuajt e harlisur

Vrapojnë hijet

Dhe të padukshmit

Nuk kanë të ndalur sonte gjëmat

Në sytë e mi si luleshpatë

Çelin trishtimet

 

Kalojnë e nuk ndalen trenat

Asnjë njeri në horizont

Vetëm një qyqe

Po i përngjajnë  kambanës

Vetëm zogjtë e pikëllimit

Sonte mund të këndojnë

 

 

SI DISA ZËRA TË TRISHTUAR

 

Si disa zëra të trishtuar

Po bie sonte shi

Ajo iku tejpërtejmes

Iku

Me një shami lotësh

 

Unë dhe vetmia e erës

Trokasim dyert e mbyllura

Mbase as Ferri e as Parajsa

Nuk hapen në këto çaste

 

Një qyqe edhe ajo e vetmuar

Këndon diku në një degë

Dënes si mjaullima e një mace

Kjo dunë

Që rri e paprekur te stoli

 

Nata po i përngjan

Tmerrësisht po i përngjan

Vetmisë së mjegullave

Shiu edhe sonte

Nuk zbriti te flokët e erës

 

Një vegim prej makthi

Si një shigjetë e ngrehur

Pret në dritare

Askund asnjë njeri në këtë vetmi

Ora te stacioni i harruar

I numëron vonesat e trenave

Që askurrë nuk mbërrin me kohë



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx