E hene, 05.05.2025, 01:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamit Taka: Frika

E marte, 01.09.2015, 07:25 PM


Hamit Taka

FRIKA

-tregim-

Atë natë Aleksin e kishte zënë gjumi shumë herët në një divan të vjetër e të ronitur me një revistë mjekësore në dorë. Bashkëshortja e tij, Afroviti, e zgjoi me vështirësi dhe e ndihmoi të shtrihej në krevatin e madh, gjë që ai pothuajse nuk e kishte ndier. Ishte një lodhje kapitëse për doktorin(kështu e quanin të gjithë, të moshuar e fëmijë) dyzetëvjeçar të ngjitej me këmbë në atë fshat malor, ku do të udhëhiqte një aksion për higjienizimin, në zbatim të direktivave të Kongresit. Për atë ditë nuk se i kishte detyrim vizitat, sepse ishte urdhëruar posaçërisht për të drejtuar aksionin higjienik, por ndërgjegjja profesionale dhe mania e fshatarëve, për t’u vizituar sa herë shikonin mjek me sy, ia bënte një obligim moral për situatën revolucionare që kishte përfshirë tërë vendin pas Kongresit të Madh. Nga përvoja e tij e dinte se, në fshatrat e thellë, të moshuarit,  edhe ata që nuk ndienin ndonjë dhimbje ose nuk kishin ndonjë sëmundje kronike, shkonin të vizitoheshin, sa herë paraqitej ndonjë mjek në fshat. Po ashtu edhe nënat kishin merak t’i vizitonin fëmijët, jo vetëm për t’i kontrolluar nga ndonjë ftohje apo virus, por edhe me idenë se mjeku mund t’u jepte ndoca barna, që t’i ruanin në ndonjë sirtar tavoline të vjetër, për më pas, në se fëmijët u sëmureshin papritur. Ama edhe mjekët, kur u gjëndeshin ilaçe në çantën, që mbajnë gjitnjë me vete, për  raste urgjence, ua jepnin me grushta.

Mësuese Afroviti, bashkëshortja e mirënjohur e doktorrit, mbaroi ditarin e ditës së nesërme, lau e sistemoi enët e grënies, i hodhi edhe një sy të fundit rregullit në kuzhinë dhe qëndroi para pasqyrës së madhe të dollapit të rrobave. Veshi rrobat e gjumit, krehu flokët dhe vërejti një rrudhë, që kishte nisur t’ i përvijohej në këndin e syrit të djathtë. A i pëlqej më Aleksit ashtu siç i pëlqeja dikur? Pyeti veten. Dhe iu kujtuan fjalët që i tha ai para se të dremiste në divan: “Më mori shumë malli për ty atje në atë fshatin malor”.

Pasi i bëri një rëntgenografi pamjes dhe feminitetit të saj para pasqyrës, mësuesja shkoi e lëhtësuar në shtratin bashkëshortor. Por, kur pa orën e Aleksit mbi komodinën pranë krevatit, u befasua që kishte shkuar një pas mesnate. Fiku dritën dhe me kujdes, për të mos i prishur gjumin doktorit të lodhur, u fut në rroba. Mirëpo Aleksi e kishte mbledhur gjumin dhe u kthye mënjëherë nga gruaja e tij e dashur, i hodhi krahun në sup, e ktheu prej vetes, e puthi dhe i përsëriti fjalët: “Më ka marrë malli sot për ty”. Mësuesja ia ktheu  puthjet dhe përkëdhelitë si një vashë lozonjare.

-Flëmë tani, se edhe unë ndihem e lodhur dhe kam gjashtë orë mësim nesër, -iu lut me delikatesë doktorit.

-Jo gjithmonë të del gjumi në mesnatë. Ta provojmë një herë, -iu përgjërua Aleksi.

Përmes regëtimave e dihatjeve të sforcuara të tyre, u dëgjua një “bum!” në xhamin e dritares dy kanatëshe. Bashkëshortët u shkëputën vetëtimthi nga njëri-tjetri dhe mbajtën frymën të llahtarisur. Pa kaluar as dy-tre sekonta u dëgjua një “bum!” i dytë te xhami i kanatës tjetër. Bum-i ngjante si një goditje me top futbolli, por më vonë mësuesja e përshkroi si goditje me një lëmsh leckash të ngjeshura fort. Ajo u hodh të ndizte dritën, por Aleksi, frymëmarrur, i thirri me zë të mbytur:  mos e ndiz llambën! Mësuesja mbeti për rreth pesë minuta në një gjëndje të tendosur, me dorën te çelësi elektrik dhe ata “bum”-et ogurzinj i gjëmonin në vesh si një daulle e pakapshme. Ndërkohë, në pikun e asaj frike të llahtarshme në mesin e natës, si një ndjesi e egër, si një trazim apo prishje shpirti, një shtrëngim i egër i zemrës dhe mendimit, ajo filloi të kërkonte shpjegimin e atij fenomeni në dritaren e tyre. Cili ishte motivi dhe kush mund ta kishte bërë atë gjuajtje pas mesnate? E shumta që i shkonte në mëndje, ishte ajo që kishte dëgjuar se disa të rinj, manjakë seksi,  shkonin natën pranë shtëpive me dritare të ulëta, për të vëzhguar çiftet në shtratin bashkëkohor. Kjo e bëri të skuqej. Por nuk shmangte dot edhe mundësinë e ndonjë nxënësi të prapë, për ta shqetësuar e frikësuar nga ndonjë qejfmbetje në orën e mësimit. Kjo e bëri të mendohej, gjë që e kishte të pamundur. Por, më shumë ngulte këmbë tek e para, pasi ai “bum”-i që dëgjuan i ngjau si goditje me kokë. Sipas mendimit të saj duhej të kishin qënë dy persona, pasi goditën dy herë në të dyja kanatat... Kurse për Aleksin nuk gjente asnjë shkak e asnjë arsye të veçantë për hakmarrje…

Pas disa minutash në ato pozicione të ngrira, të pazotë për të lëvizur, për të thënë një fjalë, të ndrydhur nga një panik i patreguar, kur  zhurma nuk u përsërit më, Afroviti e shtypi butonin e çelësit. Por ç’të shikonte! Doktorit i kishte ikur  ngjyra nga fytyra, ishte zbardhur sikur nuk kishte më gjak në deje, i ishin kreshpëruar qimet e kokës, sikur të shikonte një ëndërr të lemerishme. Një çast mendoi se kishte para syve meitin e burrit të vet plot shëndet dhe energji.  Vendosi dhe u fut në shtratin bashkësortor siç futet beli në tokë. U shtri pranë tij dhe filloi t’i fliste e t’i bënte ca fërkime sikur ai të ishte kallkanosur nga temperaturat nën zero.

Në heshtjen e tmerrshme të dhomës së gjumit , ku dukej se ankthi dhe pasiguria ishin ngurtësuar, sa nuk kishte më as ajër e oksigjen për frymëmmarje, papritur, Aleksi hapi gojën, si për të treguar se ishte ende gjallë:

-Ky është paralajmërim.

-Çfarë paralajmërimi?! –tha e habitur Afroviti dhe u ngrit në funde në shtrat.

-Ashtu e fillojnë ata, -iu përgjigj Aleksi me zë të shuar.

-Cilët ata?!

-Ata mund të jenë diku këtu rrotull. Gjithmonë veprojnë në errësirë. Prishje e beftë e gjumit, pikërisht si tani, një dorë e ashpër që të shkund nga supi, një dritë që të sulmon dhe verbon sytë, një rreth fytyrash të vrazhda rrotull krevatit dhe pastaj të rrëmbejnë e të çojnë në makinë. Mund edhe të mos bëhet gjyq fare, mund edhe të mos njoftohet arrestimi fare. Thjesht zhdukej. Dhe përherë natën. Të hiqet emri nga regjistrat, fshihen gjurmët e gjithçkaje, mohohet ekzistenca jote e dikurshme, mandej harrohej. Shkurt, avullon.

Afrovitit i rrihte zemra si daulle. Ajo nuk kuptonte asgjë nga fjalët e bashkëshortit.

-Po flet blasfemira. Duhet të jesh në gjëndje makthi, -I tha me një shqetësim tej çdo emocioni që ajo kishte provuar ndonjë herë.

-Në jetën time kam patur vetëm një makth: do t’më vrasin spiunët, provokatorët…

Mësuesja ndjeu një acarim nervash dhe, padashur, një rrënqethje e fortë i rendi nëpër shpatulla.

-Ç’farë ke bërë, Aleks, që flet kështu përçart?! Aman, më trego, se na more fëmijët në qafë?

Dhe shkoi me ngut në dhomë e fëmijëve. Fëmijët flinin të qetë si lulet në livadh. Aleksi vazhdonte të fliste, sikur e kishte para syve bashkëshorten.

-Asgjë, Afroviti, ti e di që unë s’bëj asgjë të keqe. Por nga na erdhi kjo, nuk e imagjinoj dot.

Nuk e kuptoj ç’duan në këtë orë të natës te dritarja e një nëpunësi të rregullt, që la qytetin me një thirrje, i përkushtuar ndaj punës dhe besnik ndaj mësimeve të Udhëheqjes.

-Burrë i dashur, nuk po të kuptoj se çfarë thua? Flet me vete dhe me nënëkuptime.

-Edhe unë kam një orë që nuk po kuptoj se ç’bëhet e pse bëhet ky provokim ndaj meje.

-Për çfarë provokim flet?! Po të jetë provokim, nuk është vetëm për ty, është edhe për mua edhe për fëmijët.

-Nuk të jap dot përgjigje në këtë çast, -tha doktori.

Me kaq Afrovitit iu duk se u mbyll biseda për atë rast paniku në familjen e tyre. Mirëpo, papritur, Aleksi filloi një monolog portretizues:

-Unë jam shumë i kujdesshëm në fjalë e veprime, kudo që ndodhem. Nuk them asnjë fjalë që mund të merret me dy kuptime. Mardhëniet i mbaj të mira me të gjithë, që nga drejtuesit e deri te fshatari më i thjeshtë, Fshehja e ndjenjave, kontrolli i shprehjes së fytyrës, bërja e asaj që bëjnë  gjithë të tjerët, më është bërë veprim instinktiv.

Për një çast i nguli sytë te portreti i Udhëheqësit në faqen e murit përballë krevatit dhe vazhdoi monologun:

Ky është portreti më i mirë dhe më i përhapur i Udhëheqësit. Bile ma ka falur vetë sekretari i byrosë së kooperativës. Korniza s’ka të sharë. Dikur kishte qënë korniza e fotografisë së babait. E kishte  bërë që në moshë të re në Selanik të Greqisë.

-Ama ato fjalët, që the për fshatarët e atij fshatit malor, nuk besoj t’ia keshë shprehur dikujt tjetër? –e ndërpreu Afroviti.

-Cilat mendime? –u befasua doktorri. Mësuesja gati ia recitoi në ligjëratë të drjtë fjalët e tij:

“Veç vështirësive për të më kuptuar disa këshilla për higjienën dhe si duhej t’i  izolonin gropat e banjave primitive; veç lodhjes nga vizitat e sqarimet e zgjatura për kujdesin shëndetësor; ndihesha edhe shumë i vetmuar. Prapambetja e tyre më kujtoi romanin “100 vjet vetmi”. Një Robinson Kruzo, i vetmuar në një ishull, do ta vinte mëndjen në punë kërkuese dhe nuk do të kishte kohë të budallallallepsej me vetminë e tij, ndërsa atje të budallalleps prania e njerëzve. Naiviteti i atyre fshatarëve të pagdhëndur të ngjall dhembshuri dhe dëshirë për t’i ndihmuar, ama injoranca si shprehje e forcës dhe shejtanzia e kultivuar si shenjë inteligjence, bisedat e tyre pa kripë dhe kërshëria me të cilën të vështrojnë, të bëjnë të ndjesh mallë për njerëzit e dashur. Vajzat dhe gratë e bukura, veçanrisht ato më të rejat, janë të gjitha aktiviste të organizatave shoqërore, ndihmëse të partisë, gëlltitëse të slloganeve. Fillimisht, të shikojnë me bisht të syrit, si spiune amatore, se mos hetojnë shtrembërime në veshje e pamjen e jashtëme apo mos nuhasin devijime nga vija revolucionare në biseda me fshatarët. Eshtë interesante se varfëria e skajshme ekonomike dhe shpirtërore, mënyra arkaike e jetesës, higjiena e dobët dhe mosnjohja e jetës tej kufijve të fshatit, i bën të ndihen optimistë dhe krenarë, bile arrogant, sipas sloganit: të varfërit janë fisnikë, të pasurit  janë shpirtujqër. Propaganda, ky ushqim i shëndetshëm i optimizmit dhe shpresës i bën shpërfillës ndaj të sotmes dhe euforik ndaj së ardhmes. Prandaj atje të merr malli për një njeri të civilizuar, për një njeri të dashur, për nja bashkëbisedues të hapur si bashkëshortja ime”…

Ai u kthye i lemerisur dhe e vështroi me sy prej të çmenduri. Me zë të mbytur e shprehje tepër dyshuese të mimikës e pyeti:

-Po ti pse nuk kishe fjetur kaq vonë?.

Mendimi i parë që i erdhi ishte se mos gruaja e tij ia kishte shprehur ato mendime dikujt tjetër dhe ai i ka çuar atje ku kishin altarin e rrëfimit spiunët vullnetarë. Kur pa se bashkëshortja ishte tronditur shumë nga ajo pyetje, bëri pyetjen tjetër:

-Mos ia ke shprehur dikujt padashur mendimet e mia?

Afroviti edhe u habit edhe dyshoi se Aleksi nuk ishte në vete, pasi ajo pas atyre fjalëve as kishte dalë nga shtëpia dhe as kishte takuar njeri, por pyetja i ra si varre në kokë. Ai po vinte në dyshim besnikërinë e saj dhe ajo e dinte se çfarë lëkundje sjell në familje humbja e besnikërisë bashkëshortore.

-Qetësohu, i dashur, të marrim një sy gjumë. Nesër flasim për këto gjëra, -iu përgjigj me gjakftohtësi ajo dhe i ktheu shpinën.

Bashkëshortët bënin sikur flinin, por secili vërtiste në kujtesë çdo veprim që kishin kryer dhe çdo fjalë, që kishin thënë dhe mund të dyshohej. Analizonin se kush mund të kishte provokuar e cili mund të kishte spiunuar. Kur secili prej tyre gjente ndonjë gjë për të dyshuar, kuptohej me një herë nga lëvizjet e pakontrolluara dhe nga ofshamat e psherëtimat.

Të dërrmuar nga ankthi lodhja, të tharë nga emocionet dhe etja si një shkretëtirë e përvëluar, qelizat e indet nuk mund të funksiononin më dhe ranë në gjëndje pasive, qetësie.  Afroviti u zgjua rreth orës shtatë e çerek. U hodh e tmerruar nga shtrati. Në shtatë e gjysmë duhej të ishte në shkollë. Filloi me ngut të vishej dhe përpiqej të sajonte ndonjë shkak shumë të besuar e të pranuar për vonesën e mundëshme, si përshembull,  vdekja e ndonjë moshatari ne farë e fis. Vendimi i natës ishte se që nga ajo sekontë e prapa duhej të ishte tepër ekzigjente në punë, të kontrollonte gjuhën dhe pamjen e fytyrës, për të mos lënë asgjë të dyshymtë tek vrojtuesit e anës shpirtërore dhe ndërgjegjes shoqërore. Por, kur pa se nga dritarja e “bum”-it kishte depërtuar drita e ditës, ndjeu dëbimin e ankthit e makthit të natës. Nata ishte hon, greminë, pusi, e pabesë, tinzare. Dita kishte dëbuar natën me gjithë ndjesitë e saj. Dita është liri dhe Afroviti ndjeu se ishte e lirë.

Ndërkohë Aleksi, sa i doli gjumi, rendi te dritarja e “bum”-it tronditës. Nën dritare gjeti një shpend të madh të ngordhur. Me vrap shkoi te veterineri, i cili sapo dilte nga shtëpia. Nxitonte për tek një stan, ku kishte ngordhje masive bagëtish nga mungesa e ushqimit. Doktori shqeu sytë, se mos ato fjalë kundërrevolucionare ishin provokuese. Ai vuri buzën në gaz dhe tha:

-Ushqimi nuk i ka munguar gjësë së gjallë tek ne, -por pati një fraksion të sekontës që vështrimet e tyre u puqën. Ishte shkëmbyer një mesazh: Jo me njëri-tjetrin… Një shkëmbim vështrimesh të dykuptimta për një ose dy sekonta, kjo ishte e gjitha. Por në vetminë e madhe, në të cilën njeriu jetonte, sidomos intelektuali,  edhe një ngjarje e tillë ishte mbresëlënëse.

Veterineri i shpjegoi se shpendi kishte qënë sëmurë dhe, në çastet e agonisë, kishte goditur dritaren. Atje iu sosën fuqitë dhe ra në tokë. Duhet varrosur, se kushedi çfarë sëmundje ka, tha  dhe e kapi shpendin me një gazetë nga këmbët…

Doktorri mori frymë i lehtësuar. Nxitoi te bashkëshortja dhe i tregoi çfarë kishte ndodhur. Edhe ajo u mbush me frymë dhe e vështroi në bebëzën e syrit.  Gjitmonë kishte besuar se Aleksi ishte mburoja e padepërtueshme e saj, por tani ky besim u lëkund shumë. Megjithatë asnjë Aleks i vetmuar nuk mund ta sigurojë mbrojtjen e bashkëshortes dhe fëmijëve të saj. Nejse, tha me vete, tani nuk kam  kohë për të humbur…

Dhe jeta familjare u kthye në rrjedhën e vet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx