Kulturë
Hamit Taka: Ngjarje nga e kaluara
E shtune, 12.09.2015, 04:57 PM
NGJARJE NGA E KALUARA
-tregim humoistik-
Nga Hamit Taka
E pamatë, e verdhë akoma, fusha me grurë e Vurgut shtrihej pa rënë në sy, si uji i detit, kur nuk fryn erë. Ishte një nga ato ditët e kthjellëta të fillimit të Marsit, me një të ftohtë të mprehtë e të hidhur, sa ai dielli i ëmbël i mesditës të dukej vërtetë jorgani i fukarait. Gratë kooperativiste të fshatrave kodrinore në juglindje të pellgut të Vurgut, zonë ku banojnë kryesisht minoritarë grekë, ishin ngjeshur në faqen e një pllaje, ku e kapte mirë dielli dhe prisnin drejtoreshën e një shkolle të lartë, shkolla më autoritare në vend. Të urta, fjalëpakë, punëtore dhe fisnike, skllave të punës, gratë minoritare arnonin, endnin me shtiza e çfarë t’u vinte doresh, për të mos e humbur atë kohë të çmuar, që nuk do të punonin në arat e kooperativës. “Kini inatin, faluni hakun, tha një burrë i moshuar, gratë vurgare janë një lloj zejeje e gjallë për punë artizanale”. Herë-herë kooperativistet ngrinin kokën, mos dukej delegacioni lumturues dhe përsëri ua ngulnin sytë punëdoreve.
Rreth podiumit, të improvizuar me tavolina dhe karrige të sjella me një makinë GAZ 51, silleshin rrotull të shqetësuar, në pritje të delegaconit më të rëndësishëm, që kishte parë ajo zonë, kryetari i Frontit Demokratik të kooperatvës së bashkuar, shoku Sokrat, përgjegjësi i sektorit, shoku Lefter, kryetari i këshillit të bashkuar shoku Gaqo dhe kryetarja e organizatës së gruas për kooperativën e bashkuar, shoqja Janulla. Ç’është e vërteta e Zotit, drejtoresha e shkollës së lartë më autoritare në vend, nuk kishte ardhur me ndonjë mision partie apo qeverie. Ajo po bënte praktikën e studentëve në terren, në gjirin e masave.
Më në
fund, pas një pritjeje të gjatë plot ankth, u shfaq drejtoresha me studentët
dhe suitën drejtuese të kooperativës, që e shoqëronte. Midis tyre ishte edhe
sekretarja e komitetit ekzekutiv të rrethit, shoqja Mari. Gratë u ngritën në
këmbë, sepse dikush nga
Pasi drejtoresha i përshëndeti dhe u bëri me dorë të uleshin, gratë zunë vendet e tyre mbi shtresat që kishin vendosur në tokën e lagësht, futën lëmshet e gjalmit në futat e zeza të palosura, që i përdornin në vend të çantave, kaluan fillin në qafë, morën shtizat e gjilpërat në duarr dhe filluan zanatin e tyre të trashëguar prej qindra e mijra vjetësh. Drejtoresha e shkollës së lartë, sekretarja e komitetit ekzekutiv, sekretari i byrosë së partisë së kooperativës së bashkuar dhe një mësues i gjuhës shqipe zunë vend në podiumin e improvizuar enkas.
I pari e mori fjalën sekretari i byrosë së partisë të kooperativës së bashkuar. Ai i uroi mirëseardhen drejtoreshës së shkollës së lartë, më autoritarja në vend dhe e falënderoi në emër të atyre grave të heshtura, por heroina në punët e kooperativës, që lumturisht e kishin mes tyre. Një heshtje varri, që kishte rënë, e prishën duartrokitjet e të pranishmëve, sepse një shok i podiumit përplasi duart. Shoku që prezantoi drejtoreshën ia dha fjalën drejtoreshës. Ajo u ngrit në këmbë nën një rrebesh duartrokitjesh, ashtu si në një banjë të akullt, pasi një shok tjetër i podiumit duartrokiti hareshëm. Drejtoresha i përshëndeti të pranishmit në emër të partisë e të qeverisë. Dua t’ju them që në fillim, tha ajo, se nuk dua të zgjatem me fjalën time, pasi nuk kam ardhur t’ju jap mend, por të dëgjoj mendimet tuaja rreth aksionit rrevolucionar të rinisë për prishjen e kishave dhe xhamive.
Gratë e veshura me të zeza, gjë që, siç u muar vesh më vonë, e kishte paragjykuar drejtoresha, gremisën kokat sikur të ishin në mort. Ama, mekanikisht, duart vazhdonin punëdoret. Disa syresh, andej nga fundi, të fshehura pas shoqeve, nxirrnin kryqin nga gjokset dhe e puthnin. Nja dy-tri vajza të reja nuk shikonin fare nga podiumi dhe nuk dëgjonin oratoren, se nuk ua shqisnin sytë ca djelmoshave studentë, të bukur e të shëndetshëm. Ato seç ndienin ca drithërima e ca flutura në tërë qënien e tyre. Kur rastiste të kryqëzonin vështrimet, ndodhnin dhe shkrepëtima erotike Nuk linin pa vështruar edhe ndonjë studente të re me atë zilinë, që i bren vajzat ëndërrimtare të fshatit, duke lakmuar veshjet e bukura dhe karrjerën e atyre pispilluqeve nga qyteti. Në fakt studentët kthenin shpesh kokën, jo për të pare vajzat, por për të vjelur ndjeshmëritë e fshatareve.
Drejtimin e mbledhjes, pas përshëndetjes së drejtoreshës e mori krytari i Frontit Demokratik të kooperativës. Edhe ai shprehu lumturinë e tij dhe të organizatës së Frontit Demokratik për qënien e drejtoreshës së shkollës së lartë mes tyre. Pastaj ftoi gratë të shprehnin opinionet e tyre për problemin madhor të luftës kundër paragjykimeve fetare e zakoneve prapanike.
Gratë minoritare ndiheshin vërtetë në mort. Ndonëse në radhët e para ishin ulur aktivistet e organizatës së gruas dhe të organizatave të tjera të masave, të dëndura me slogane, asnjë nuk guxonte ta merrte fjalën. Me gjithë atë dukej sheshit se aktivistet donin të thonin diçka, por nguronin nga mallkimet e masës së madhe të grave besimtare ose kishin frikë nga ndëshkimi i të Plotfuqishmit.
-Hajde, shoqe, flisni. Thoni ç’ju thotë zemra, -i nxiti kryetari i Frontit.
Për habinë e podiumit, asnjë nuk e kërkoi fjalën. Më shumë të habiste qëndrimi kokulur dhe zymtësia e tyre.
-Hajdeni, shoqe, flisni!... Hë, ku janë ato kryetaret e organizatave të grave të nëntë fshatrave, -vazhdonte kryetari. Prapë inisiativa nga poshtë mungonte. Akush nuk çohej. Një mesogrua u ngrit me përtesë, nisi diçka të thoshte, por iu muar goja dhe u ul në shesh sikur do të alivanosej.
-
-Flisni ,
moj shoqe. Ç’qini që s’e hapni gojën, sikur e qeni të vulosur me bukë, -tha
drejtuesi.
-Mori gra, ç’qini që nuk flisni. U vjen keq për Perëndinë e për Krishtin? Sot Krisht e Perëndi kemi partinë e Udhëheqësin… -vazhdoi kryetari. Ata të podiumit ishin bërë mavri nga surrati.
-Ju lutem, shoqe të nderuara, flisni, pse nuk flisni! Keni ndroje nga drejtoresha?! Shoqja drejtoreshë është anëtare e Komitetit Qëndror, është gruaj e shokut…–ndërhyri sekretarja e komitetit ekzekutiv, por nuk e la ta mbaronte fjalën drejtoresha.
-Flisni, shoqe kooperativiste. Thoni ato që mendoni e që ndjeni, -u tha ajo grave me një ton autoritar. Gratë e vështruan në sy, por, sa e ndërpreu fjalën, gremisën kokat mbi punëdoret e tyre. Drejtoreshën egoiste e torturonte kjo mospërfillje, që e konsideronte edhe mospërfillje ndaj saj. Ndërkohë një vajzë, sekretarja e rinisë së kooperativës, një pëllumbeshë e bukur, i buzëqeshte një studenti. Drejtoresha e vështroi vëngër studentin dhe ai uli kokën si pulë e lagur.
-Hajde shoqe flisni, pse nuk flisni. Flisni pa frikë. Ju këtu qini sekretaren e komitetit, që është vajza jonë , minoritare si ne, qini udhëheqjen e kooperativës, qini drjtoreshën, anëtare e Komitetit Qëndror, -e rifilloi fjalën më me zell kryetari i Frontit. Drejtoresha nga e kuqe, u bë e zezë sterrë. Pjesëmarrësi shqipfolës mezi mbanin gazin. Nja dy mësuese dhe një infermiere shtrëngonin buzët të mos shpërthenin në të qeshura histerike me fjalët e kryetarit të organizatës së Fronit Demokratik.Sërish asnjë kooperativiste s’e ngriti kokën, asnjë s’e hapi gojën, asnjë s’e deshit fjalën.
-O Jezu Krisht! -ia bëri kryetari i Frontit Demokratik, duke bërë kryqin. E kishin lëshuar fare nervat dhe thirri me zë të lartë:
-Moj gra, mos qini frikë as nga Perëndia as nga Jezusi. Ju këtu qini udhëheqjen e kooperativës, ju qini shoqen drejtoreshë, ju qini partinë, ju qini Udhëheqësin e madh, shokun…
Në këtë çast drjtoresha s’u përmbajt më, e kapi nga krahu e ndërkryer dhe e uli në karrige. Ndërsa bëhej gati të çohej e të merrte fjalën, që një Zot e dinte se çfarë do thoshte, mësuesi i gjuhës shqipe i afroi kokën te veshi dhe i tha me zë paqësor: “Mos u keqkuptoni, shoqja drejtoreshë, janë greqishtfolës, nuk e flasin mirë shqipen. Disa shkronja nuk i shqiptojnë dot. Në vend që të thonë “keni”, thonë “qeni”. Në vend që të thonë “kini”, thonë “qini”.
-Mos e bëjnë me qëllim këto greket e dreqit? –i tha drejtoresha, por u pendua per ato fjalët “greket e dreqit”..
-Nuk e besoj, -iu përgjigj mësuesi, por edhe atij iu zverdh e iu mpak fytyra...
Studentët, kur kuptuan shpjegimin e mësuesit të gjuhës, nuk përmbaheshin dot nga gazi. Kot s’thonë, e qeshura është paqësore, por është edhe grevëthyese. Misioni i drjtoreshës së shkollës së lartë dështoi plotësisht. Gratë u ngritën këmbëpira, i kthyen shpinën podiumit dhe bënë kryqin, duke iu përgjëruar Shën Marisë.