E marte, 06.05.2025, 10:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Petraqin e kemi në shtëpi?!

E diele, 13.09.2015, 01:49 PM


Petraqin e kemi në shtëpi?!!!

(Homazh për një  NJERI të MIRË!)

Nga Përparim Hysi

Isha në "Llixha" në Elbasan kur në telefon më erdhi  një mesazh. E hapa mesazhin dhe u trondita kur mikja jonë e përbashkët, zonja MERI LALAJ, më njoftoi lajmin tronditës për ikjen e beftë të të mirit,PETRAQ  ZOTO!

Ishim miq me të dhe rrallë ndodhte që të kalonin 10-15 ditë pa shkëmbyer ndonjë kafe. Herë tek "Taiwani", herë tek "GRANDI" dhe herë tek "Ulqini". Zakonisht, vinte me zonjën e tij të nderuar, Tatjanën, dhe, ndonjëherë , edhe vetëm. Takoheshim dhe gjuha shkonte atje tek dhëmb dhëmbi: tek letërsia ku,mes nesh, padyshim ai ishte MJESHTRI. Unë Petraq Zoton e kam quajtur "dekan" të prozës. Ka një penë perfide. Këtë titull "honorofik" nuk ia kam dhënë për pekule, por se më pëlqen proza e tij. E rreshtoj pas Paskos dhe siç pëlqej tregimet e Naum Priftit dhe tregimet (theksoj tregimet!!!) e Dhimitër Shuteriqti, pëlqej dhe tregimet e Petraqit. Këtë gradën e "dekanit" ma kundërshtonte me politesë dhe,ai, Urtësiavet, mundohej t'u bënte bisht

superlativave që i meritonte.

Sado që qe gati, 6 vjeç më i madh se sa unë, as që mërzitej, kur e sulmoja për ndonjë huq (e ku ka njeri pa huqe). Unë, zakonisht, dal nga shtëpia në orën 6 të mëngjesit dhe kafen e pi pas klinikës 9, tek rruga e  Kavajës. Petraqi  i mirë, më thoshte:

- E, mo Përparim, a do ta pimë kafen aty nga ora 11?

-Po ç'njëmbëdhjetë, mor Peço, unë në atë kohë e mbyll "shtrungën e dhënëve" se m'i zë vapa.

-Opo lëri dhëntë, po kështu siç të them unë. Bëji zë edhe Merit (Lalajt),edhe Ilos (Ilinden Spasses).

Po si mund t'ia prishje atij? Pinim kafe dhe përsëri tek shkrimet. Unë, impulsiv, që kam nevojë për fre, ai i urtë si një"Urtak" që ka nevojë për shtyrje. Dhe vëretet që kafja kishte një lezet tjetër.

Kur fliste, të vriste me pambuk. Skuqej më shumë vet ai,se sa unë, kur më jepte ndonjë këshillë aq të vlefshme.

Unë, sado që e shihja veten të mundur nga këshilla e tij, bëja ta kaloja me të qeshur dhe e sëmboja me të folurën e tij korçarçe:- Ce, o Peço?!!! Dhe, natyrshëm, që qeshnim. Do  qeshnim me domosdo, se kokëshkëmb siç jam, më bie hunda copë kur e kujtoj fjalën e tij:- Po ç'ngutesh, sikur të ndjek dikush me shkop? A e di ti që unë iks-tregimi i jam kthyer disa herë.

-Po lëre, o Peço,- kundërshtoja unë,- nuk ndreqet kurrizi i gungaçit. Unë jam si derri i egër, "sulmoj" dhe nuk kthehem mbrapsht.

Dhe ai as që ndjehej. Kur i pëlqente ndonjë nga shkrimet. Vinte plot entusiazëm:-Ja, aty, je krejt vetevetja. Kështu të shkruash.

-Dëgjo,- më tha një ditë, sado që Tana(Tatjana, e shoqja e Petraqit) më këshilloi që të mos të them, po nuk rri dot, bre për t'i thënë dy fjalë. Këtë radhë (skuqej Tatjana, mësuese letërsie) dhe unë, prisja me buzë të qeshur, ato që më thoshte.

Kur fliste për shkrimet e tij, mendja i ngelte sidomos  në ato tregime me temë historike.Kish shfletuar aq shumë,sa, po të lexoje tregime të tij me temë historike, ishe njësoj sikur kishe dhënë një provim në fakultetin e historisë. Veç faktit historik tregimi kish fituar vlera të vërteta nga një penë e kultivuar si e Petraq Zotos.

***

Jeta e tij nuk kish qenë një fushë  me lule. Lindur e rritur në Ziçisht, me babanë prift nuk qe i përkëdhelur i regjimit. Ai, nëse drejtoi për disa vjet një teatër dinjitoz si ai i Korçës nga kanë dalë një plejadë  artistësh të mëdhenj, kjo ndodhi në saj punës me përkushtim dhe penës aq cilësore të PETRAQ  ZOTOS.

Disa nga veprat e tij kanë fitura çmime dhe, tek e mbyll këtë shkrim homazh për të Ndjerin PETRAQ ZOTO, nuk kam  se si mos e referohem një pohimi të një nëneje nga  Elbasani, atje, në "LLixha".

Tek u trondita nga mesazhi i Merit, doja ta hiqja pak të keqen nga supet, dhe po i thoshja sime shoqeje:- Më njofton Meri Lalaj se ka vdekur  Petraq Zoto?

-Cili, cili?- pyeti  nëna nga Elbasani.

-Petraq Zoto,- pohova unë.

-Po ne Petraqin e kemi në shtëpi,- tha nëna FERIE BUNGO (BYLYKBASHI). Po, moj nanë,- ndërhyri nusja e nënë Feries, Mbaresa. Është ai , moj nanë, që ka shkruajt ato librat...

Dhe nuk vazhdova më tej. E dija që aludonin për ato librat, që ai, PETRAQ ZOTO, ka shkruar për fëmijë. Po të deshën fëmijët, të do vet Zoti. Nuk mund që të vazhdoja  më për  miku tim të ndjerë,  se pohimi i asaj nëne qe nota më e lartë për mikun tim të ndjerë. Ka ndodhur në Rusi që kur po varrosnin poetin e bukur ESENIN, një nënë doli nga turma dhe iu afrua arkivolit. Atje tha fjalët:- Lamtumirë përralla jonë! Kurse mikut tim të ndjerë, PETRAQ ZOTOS; unë nuk i them dot lamutimirë. Po si mund t'i them, me të vëretetë, kur"PETRAQIN e kemi në shtëpi?!!!"...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx