Kulturë
Qazim Shehu: Muzgu i asaj mbrëmjeje
E hene, 14.09.2015, 07:11 PM
MUZGU I ASAJ MBRËMJEJE
TREGIM NGA QAZIM SHEHU
Në orët e
vona të mbrëmjes më pëlqen të dal diku nga qendra e qytetit dhe të futem në
ndonjë tymtore , aty, para një gote me
raki, të hap një libër, të lexoj pak ose të takoj ndonjë njeri që më
pëlqen. Më duket se në këto çaste prek atë të mbërritshmen që nuk mbërrin
kurrë, po më ngjan se po vjen. Është një
ndjenjë jete që zhytet në qetësi. Në lokale të tilla që mbeten gjithnjë një
kënaqësi e imja, shoh sesi
-
-Je i
dënuar të pish, thotë ai dhe porosit për
mua dopio, një meze të vogël. E di se Aliu nuk ka para, është i papunë, po shpirtin e ka xhevahir. Në këto lokale nuk
mund të ketë heshtje. Mungesa e saj është limfa e tyre. Vërtitet dhe vërtitet
biseda dhe doli, si doli nuk e di, tek
vallja e Rrajcës.
-Ajo valle, thotë ai është tremijë vjeçare, pse do thoni ju?Sepse ajo kërcehet me vendosjen e plotë të këmbës në tokë. Më vonë e prishën e stilizuan dhe e kthyen në majë të gishtave.
-Pikërisht këtë nuk e di, tha dikush.
-Si nuk e di?Jo. Ja ta them unë?Aliu u ngrit dhe filloi të demonstronte vallen. Demonstronte bukur. Tjetri duke e parë të pirë kërkonte një farë spektakli.
-Unë nuk e kuptoj këtë, tha ai, as nuk mund ta honeps…
-Si, ti di valle dhe nuk e kupton.
-Kam qenë edhe unë valltar, tha tjetri.
Aliu u ngrit sërish dhe filloi të demonstronte. Kësaj hereë ai , në mungesë të muzikës, filloi të imitonte ritmin duke e shoqëruar me lëvizje të përkryera:tup pa pa tup, tup pa pa tup. Tjetri , një burrë i parruar me një dhëmb ne gojë, qeshi me ligësi dhe kërkonte të zbavitej. Aliu nuk e kishte mendjen tek ai, atë e kishte rrëmbyer shpjegimi. Pastaj u ul dhe filloi të shikonte gotën dhe kur kuptoi se nuk kishte mëe përplasi me një forcë të lehtë mbi tavolinë. Tjetri, me dredhi duke e parë këtë, i çoi një gotë. Aliu u mat ta refuzonte duke thënë se ishte i ngarkuar, po dhëmbgojsi ia solli vetë gotën duke i thënë:të bëftë mirë…Aliu është njeri pranues. Njeri i mirë dhe i ditur, ndërsa tjetrin nuk e njoh , po , me sa kuptova, ai kërkonte që të zgjaste kjo gjë, Shpesh ka njerëz që duan të argëtohen me të pirët , me të çmendurit, njerëz bosh që u pëlqen shëmtimi se vetëm me atë mund të jetojnë. Jo rrallë nëpër rrugët e Tiranës shoh të tillë që venë mes tyre ndonjë nga ata që quhen endacakë, rapsodë popullorë apo tipa të tjerë dhe kundrejt disa lekëve i detyrojnë të mbajnë ligjërata dhe të këndojnë. Ky argëtim gri u sjell atyre një lehtësim, një kalim kohe, një dalje nga rutina. Kazanzaqi thotë diku tek Zorba se fshati ka nevojë për një të çmendur, edhe po të mos ketë ai e sajon. Kësaj i thonë të honepsesh nga fatkeqësia e tjetrit. Po Aliu nuk është i tillë. Unë e njoh mirë . Aliu është njeri krejt normal, i përgatitur, i zoti, por i sinqertë, artist. Me vallen e tij ai ka shkëlqyer në sa skena. Veçse sot jeta e ka hedhur në krahët e papunësisë. Nuk e di ç`bën, po nuk ma ha mendja që ai të rrijë kot. Njoh një koreograf që udhëton shpesh në Itali , një studiues të mirë që më ka folur disa herë për të. E afroj në tavolinën time dhe Aliu vjen. Sërish ai tipi i ulur me dy të tjerë në tavolinën përballë e kupton. Ai çohet dhe pyet:më qafsh si kërcehet ajo vallja se po fiksohem pas saj.
-Tani më duket se po e tepron , ndërhyra…Tjetri më pa vëngër.
-Më pëlqeu, tha. Ky qenka mjeshtër. . O zot, mërmëriti burri.
-Ja, ta pi këtë gotë, dhe po çohem e ta ribëj, tha Aliu.
-Gjak e dhjamë…, mërmëriti burri dhe u ul në tavolinën e tij. Aliu më foli për Rrajcën e tij. për një lule, emrin e së cilës ma tha në latinisht e që rritej vetëm në malin e Rrajcës, ajo lule shëronte verbërinë. Ishte e rrallë. Pastaj Aliu filloi të recitonte vargje poezish me një deklamacion habitës.
-
-Ti këtë valle e ditke me prefeksion…
-Se mos këtë valle?Dhjetra, qindra, mërmëriti Aliu dhe e ngriti gotën duke më sjellë një urim të gjatë me fjalë popullore të njohura. Urimet e tij dilnin nga shpirti. Bëra pagesën dhe tani i thashë se duhej të iknim. Ne po çoheshim , ndërsa burri na zuri derën.
-Jo, tha, nuk ikën pa ma shpjeguar edhe një herë.
-Qenke nxënës i vështirë , mërmëriti Aliu. Shtyhu tutje.
Burri bëri prapa.
-Vendosi këmbët mirë…
Burri mbajti drejtpeshim dhe vuri këmbët puthitshëm në dysheme.
-Ja, më shiko…Aliu filloi të rrotullohej duke e sjellë vallen me një ritëm mbresëlënës. Tjetri nuk dinte asgjë nga të lëvizurit. Lëvizjet e tij ishin të ngathta dhe të plogta. Ato nuk sillnin asgjë të ngjashme me lëvizjet e Aliut. Befas burri filloi të qeshte. Pse qeshte vallë?Ndoshta për të shpëtuar nga turpi , apo pse po argëtohej. Nëse vallja i interesonte aq sa duhej për t`u argëtuar me një të dehur si nuk i vinte turp?A nuk e dinte se Aliu ofendohej dhe kjo nuk ishte mirë për të?Mua s`më pëlqejnë lojra të tilla po nga tymtore të tilla çfarë nuk pret. Vura re se Aliu ishte i lodhur. I dhashë çantën .
-Më kënaqe, tha burri, a vjen nesër mbrëma?
-Me ymër të zoti po, tha Aliu. .
Dolëm jashtë, shiu kishte pushuar.
-Ai burri sikur donte të na vinte në lojë, thashë , ti nuk bëre mirë , Ali , që ia zgjate aq shumë. E njoh mirë atë grindavec që shet mend. Aliu që i kishte dredhur këmbët duke i mësuar tjetrit vallen tani ndjente si dridheshin ato. Ai më shkoi dorën në krah. E mirëkuptonte fjalën time, apo donte ta kalonte atë thjesht me gjestin e shkuarjes së dorës.
-Jo, tha Aliu, është injorant dhe injorantit i duhet shpjeguar diçka…
-Po ai nuk bindet se është injorant…mërmërita. Mirëpo sa injorante ka shoqëria jonë?A gjenden dot aq njerëz me nerva të qeta që t` i mësojnë dhe a marrin vesh ata?
Vura re që Aliu tundi kokën me një kërcënim të lehtë. Nuk e kuptova , këtë e shprehte ndaj fjalëve të mia apo i vinte nga një përpjekje për tu lehtësuar prej rëndimit të pijes. Por pas pak ai u qetësua.
-Ska ndonjë qamet këtu…Edhe pse u përpoq të bënte një lojë, ai, me siguri , do ketë kuptuar diçka, se vallja e Rrajcës e ka futur në mendime, pavarësisht se nuk është i zoti ta luajë… Ai do ta mbajë mend këtë gjë për shumë kohë. Do të mbajë mend lojën e tij djallëzore , apo ato lëvizje që i mësojnë një valle. Nëse do i thërrasë mendjes do ketë kohë të zgjedhë. Besoj se do zgjedhë për mirë…Aliu ishte njeri i kthjellët edhe pse ishte rënduar nga rakia; fjalët e tij më bënë të besoj në diçka tjetër. Duhej duruar. Njeriu i ditur gjithnjë duron. Veçmas një artist i vërtetë….