Kulturë
Dibran Demaku: Letër burrave të vendit dhe kuvendit!
E marte, 15.09.2015, 06:50 PM
Dibran Demaku
LETËR E HAPUR BURRAVE TË VENDIT E TË KUVENDIT!...
Unë e di se më nuk është asgjë si më parë!
Unë e di se fjalët burrërore nuk vihen më në kandar!
Unë e di se traditave më të mira kombëtare u janë shkaktuar plagë e varrë!
Unë e di se pothuajse nuk na ka mbetur asnjë grimë e vogël që të ndihemi krenar!
Unë e di se po na përpinë nata e zezë!
Unë e di se sytë e mendjen na i ka mbuluar një krahnezë!
E liga ka lëshuar rrënjë në trojet tona,tek pragu!
E liga ka lëshuar helm tek mishi e tek gjaku!
E liga na është ulur këmbëkryq në mendje e na e ka errësuar mendimin!
E liga e ka stërkequr edhe burrin më të menqur e më trimin!
E liga e ka turbulluar edhe ujin e detit e të lumit!
E liga na i ka prishur edhe ëndrrat e gjumit!
E liga ka hyrë si mikrob dhe ka shuar çdo shpresë
E liga po bren çdo fjalë burri e çdo besë!
Nuk po mund të dallojmë më të riun as të vjetrin!
Nuk po duam ta shohim më as njëri-tjetrin!
Krizat politike,ekonomike e morale,
kanë lëshuar rrënjë si në det koralet!
Veç për krizat politike e morale kujdeset ngapak shteti,
Për krizën morale nuk qanë kokën as i pari,as i dyti e as i treti!
Kriza morale po na e ndryshon mishin e gjakun!
Kriza morale po na e shkatërron familjen e pragun!
Kriza morale po i sulmon gjakun,zemrat,
Kriza morale po na e ndryshon embrionin dhe emrat!
Zgjohuni burra të vendit e të kuvendit!
Dhe dilni zot kombit e vendit!
E kryeni ca punë si burrat e motit!
Të mos koritemi në këtë kohë të sotit!...