E marte, 06.05.2025, 08:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Pali Shtembari: Lyrashi

E hene, 14.09.2015, 07:13 PM


LYRASHI

Tregim nga Pali SHTEMBARI

E takoja shpesh, thuajse çdo mëngjes, në këtë lokal përbri detit, gjithnjë i ndjerë i vetëm, me një pamje të ngurtë në atë fytyrë të hequr, ku i shquanin sytë e hirtë që, çuditërisht më bënin përshtypje për të keq, përsa  e ndiqja ngultas. Ndaj dhe shkarazi, të mos i ndillja në vetvete ndonjë ngacmim psikologjik, tërhiqesha, gjithnjë me mendimin për ta ngacmuar më tej në këtë drejtim, kur më kishte ndodhur që me të tjerë të rropatesha së koti, pa u marrë vesh për një kohë së bashku.

Herë më bëhej se për  të përjetoja një farë përbuzjeje, kur vëreja që ai nuk denjonte të rrinte gjatë me mua, të më përgjigjej për sa e pyesja, kur nguronte të më kthente përgjigje.

Me të kisha një njohje të largët.

Në kohë të diktaturës e ëma e tij kishte punuar me mua në fabrikën e prodhimit të llampave elektrike, mirëpo, gjatë një kohe kur u gjend shtatëzanë, si dhe tjera shoqe të saj, unë, në kundërshtim me ligjin në fuqi, që i lehtësonte në drejtim të orarit të punës që duhej të bënin, i lija ato të largoheshin para kohe, duke parë se mezi lëviznin vendit…Për këtë veprim, nga drejtoria kisha marrë vërejtje, por çuditërisht nuk më bënin përshtypje, kur ndihesha i vetdijshëm se bëja një veprim më se të pranueshëm, edhe pse…

Më bënte përshtyje se ky djalë i njërës nga këto gra, sa gjente rastin më gjendej pranë, duke më befasuar të pinim bashkë ndonjë gotë…Gjithshka bëhej përpos njohjes që kishim.

Mirëpo shpesh më bëhej se atij nuk i pëlqente biseda që kërkoja të bëja, kur ndihej i tërhequr dhe nuk debatonte gjatë  përsa bisedonim. Largohej nga unë në heshtje, duke e çuar njërën dorë lart vetes në shenjë përshëndetjeje.

Për çastin mbyllesha së veti.

Por shpejt ndihesha i qetësuar. Mendoja se…reagimi i tjetrit që ke përballë, së shumti ka të bëjë me genin e tij, kur gjithçka e quan të papranueshme në mënyrë arbitrare!...

Kështu mendoja tek e ndiqja të largohej nga unë në heshtje.

Kisha zënë vend jashtë lokalit dhe ndoqa për një kohë plazhistët, si dhe dallgët tek përplaseshin egër me bregun shkëmbor. Më tej, vështrimi më mbeti tek ishulli i Sazanit kredhur në mjegull. Çuditërisht më erdhi pranë koha e kaluar në të si zborist së bashku me shokët dhe shoqet e punës gjatë kohës së Diktaturës. Ndërsa tashti, me sa kisha mësuar, në të nuk banonin më familjet e oficerëve që shërbenin atje, pasi u mungonte gjithçka, që nga buka e gojës…

Një ishull mbetur shkretë!...

Ndër këto çaste, tek ndiqja humbtas në vetvete pamjen e mjegullt të ishullit, ballë meje u shfaq njeri nga çunat që shërbente kamarier në këtë lokal. Ishte i ri në moshë, me një kokë të rrumbullt të qethur zero.

Nuk ma ndante vështrimin. Diçka që më bëri përshtypje, sepse unë, për sa kisha porositur dhe kisha paguar në kohë.

- Ti…ke të bësh me atë lyrash që e qas pranë?!...

E ndiqja këtë djalosh tkurrur krejt në vetvete.

- E kam fjalën për atë që ishte pak kohë më parë me ty…

- Një Lyrash?!

- Po, dhe më keq akoma!...

Heshta. Natyrisht që u zura ngushtë për sa më akuzonte, se ndjeja pranë vetes dikë që ishte..një lyrash, dhe më tej, në drejtim të ..moralit.

- Unë ... me të të bëra një bisedë që… ty nuk të intereson se ç’bisedë bëra. Se fundi, kur bëhet fjalë…ti nuk ke të drejtë të më kërkosh llogari se me kë unë hyj në biseda (!)…

- Hëm, t’u qasa pranë të ndihmoj, të mos!... Me që e di se kush je si njeri…Ndryshe nuk kisha pse të ndërhyja në …

- Ti…pse e quan lyrash, apo dhe më tej?

- Nuk i them unë, por gjithë fshati…

Ai çoi vështrimin në faqen e kodrës përreth ku shtrihej me sa dukej fshati i tij.

U kthye mbrapsh tek pa një grua të moshuar veshur me rrobë banje që trokiste në derën e xhamtë që t’i shërbenin, pasi brenda lokalit nuk lejohej të gjendeshe me veshje të tillë.. Në kohë pranë saj u gjend një kamarier tjetër që u mor me të dhe ky djalosh u ndje i qetë.

- Përsa më pyete se kush…ky lyrash…unë po të përgjigjem…

Ai e mbajti për një kohë vështrimin përreth vetes, ndoshta me mendimin se dikush e ndiqte përsa më shprehej. Kështu më bëhej kur frymëronte rëndshëm, si të ngrinte një peshë që nuk e përballonte dot ta çonte më tej vetes.

E ndiqja në heshtje, pa i ndjellë ndonjë ngacmim përsa përjetonte, gjithsesi me mendimin se nga çasti në çast do më “zbrazej”, kur themi ne këtej nga Jugu për dikë që mban brenda vetes diçka tejet ngacmuese përpos karakterit.

Ai e largoi vështrimin nga hyrja për në lokal dhe u kthye nga unë i ngurtë në pamje.

- Unë!... Unë e dija që ai ishte i implikuar me krim, me trafik droge, desha të them… edhe pse bashkë kemi një farë njohjeje, që…

Heshti, heshti për një kohë, pa e larguar vështrimin nga gjëndja përreth.

- Dhe unë…mendoja se ai, si kushdo, tejet i ndërgjegjshëm në vetvete, bënte një punë e cila, me të ardhurat që i sillte mbante familjen dhe jo se!...Sepse ka shumë nga ne që, kur shkojnë jashtë shtetit amë, mendojnë se andej do bëhen bosa, një farë hamendësimi që gjen shtrat tek puna e pistë dhe jo tek ajo e ndershme. E them këtë sepse me shumë shokë që kam biseduar, shumica janë bërë bosë…këtë rrugë kanë ndjekur…atë të pisllëkut!...

Sërishmi ai frymëroi rëndshëm.

- Të kthehem atje ku desha të dal…Një natë, i gjendur përbri Kalit të Trojës, tek prisja një mikun tim të fshatit të më çonte në shtëpi…kthej kokën përbri trotuarit ku ishin parkuar disa vetura dhe atje, për çudi pikasa këtë…i cili, sa më pa mua, bënte sikur rregullonte çorapen në njërën këmbë, pasi i kishte vënë nën të veturës tritolin, siç mësova më vonë. Kaq bënte, sepse të tjerë merreshin me shpërthimin e tij.

Ika më tej në heshtje, gjoja se nuk e kisha parë se kush ishte. Ndoshta dhe ai për çastin kështu ka menduar se isha thjeshtë një kalimtar dhe aq.

Dhe ashtu bëra.

Nuk denoncova asgjë përsa kisha parë. Vonë mësova se e kishin thirrur në polici, duke dyshuar se ky ishte njeri nga ata që bënë këtë punë, përpos lekëve që merrte kur gjithçka shkonte së miri… Mirëpo nuk gjenin fakte të sakta, ndaj dhe e linin të lirë…

I gjendur në një pozitë të tillë survejimi, ndoshta ndaj dhe ndihej i tërhequr në biseda, edhe me një të afërmin e vet, në përkatësi gjaku…

Kaq mësova se bënte, ndaj dhe u ndjeva keq së brendshmi; një gjendje hamullt e cila më mbajti humbtas për një kohë, sa ndihesha çuditërisht larg me këdo që kisha përballë vetes.

Qysh nga ajo ditë, mundohesha të mos i gjendesha pranë. Djaloshi u largua nga unë, pasi ballë hyrjes për në lokal pikasi dikë i cili kërkonte medoemos t’i hynte së brendshmi, kur ishte veshur me rrobe banje.

***

Ndihesha disi i përhumbur në vetvete tek ndiqja pamjen përballë, zhaurimën e dallgëve e cila çuditërisht më joshte, dhe nuk më ngjallte ndonjë ngacmim psiqik, siç ndodhte me time shoqe, kur pretendonte të përjetonte në bregdet një qetësi të plotë; diçka jashtë logjike, kur…

Lyrashi…u gjend ballë meje dhe zuri vend në karrigen bosh, pasi ime shoqe ende nuk po dukej. Ndoshta merrej me të nipin që ende nuk ishte zgjuar nga gjumi.

- U ktheva pranë teje sepse…ju shkrimtarët nuk e bëni punën e fëlliqur të një spiuni, sepse nuk ngatërroheni me politikë…Kur ndodhesha në Itali…Atje shkova me mendimin se do të vija ndonjë lekë mënjanë dhe do të bëja jetë të qetë, por ndodhi ndryshe…U bëra pre e një bande trafikantësh shqiptarë, pleksur me vendas, kur trafikonin drogë!...U dorëzova ndaj tyre, sepse pas koke ndjeja pistoletën!...

Fillimisht mendova se u gjenda në një fole bletësh, kur ato ishin grerëza!”…

Ai heshti, heshti për një kohë i gjendur krejt i mjegulluar në pamje.

- Megjithatë, kur thonë këtej nga fshati i time mëje: “Gomari nuk e mban gjatë frerin, por e këput!...”

Sërishmi u tkurr, u tkurr së keqi, dhe unë mendova: “Vallë, do e “këpuste frerin me të cilin ishte lidhur”?…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx