E shtune, 27.04.2024, 09:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Rovena Xhili: Ekzistencë

E enjte, 24.09.2015, 07:33 PM


Ekzistencë

Nga Rovena Xhili

Ti ekziston në këtë botë fshehtësish, si pjesa më e pafajshme. Ekziston në një kafaz imagjinar, të qelqtë, të ftohtë nga frika e të lënduarit, e kontaktit me njerëzoren, me dëshirën, me shpresën, me humbjen. Humbja, pika ku të gjithë ekuinokset dhe solsticet e botës tënde takohen për të të tërhequr më poshtë. Nuk është humbja, është frika nga humbja që si një hije misterioze të tërheq drejt botës së errët të pritjes. Ti pret që ajo të zhduket e ndërkohë e vetmja gjë që zhduket është shpresa për të jetuar pa frikë.

Njeriu, kjo qenie e çuditshme, e kupton që nuk ka fund, atëherë kur arrin fundin. Kur ka prekur gjithçka, kur nuk mund t’i ndodh më asgjë më e keqe se ata që ka përjetuar. Kështu çdo njeri rilind.

Shpresa nuk është diçka utopike. Të rilindësh do të thotë të kesh shpresë. Të rizgjohesh, të shohësh shkëlqimin e diellit dhe t’i premtosh vetes se dhe ti do të ndikosh në rritjen e këtij shkëlqimi, me çdo buzëqeshje, me çdo fjalë, me çdo heshtje.

Të rilindësh do të thotë të thyesh çdo kufi që të mban lidhur me të shkuarën dhe t’i premtosh vetes një të ardhme më të bukur. Të  thyesh botën tënde prej akulli dhe të lejosh veten të njohë një botë të re dhe bota të të njohë ty.

Të dalësh nga kafazi imagjinar dhe të prekësh realitetin. Të mësosh të ëndërrosh sërish pa patur asnjë frikë mbi regresin, mosrealizimin, dëshpërimin dhe veçanërisht mbi humbjen. Kur njeriu ëndërron mëson të shohë pemët se si zhvishen nga rrënjët për të ecur në të njëjtën mënyrë siç mund të ecin njerëzit. Mëson të shohë yjet të zbresin, të dehen të përhumben si njerëzit. Mëson të shohë se si nata dhe dita i lënë vendin njëra-tjetrës si miksimet e një ylberi dyngjyrësh. Këto gjëra nuk i bën logjika. Ajo të çon nga pika A në B me një saktësi ekstreme. Imagjinata është diçka tjetër të çon kudo, pa qenë nevoja të kesh dy pika standarde. Mund të ndjesh shpirtin e një njeriu pa qenë e nevojshme të njohësh atomet dhe molekulat. Mund të shohësh aureolën që mban çdokush në kokë pa qenë e nevojshme të dish materien dhe ligjet universale.

Ndonjëherë duhet të pranosh humbjen dhe të lësh disa gjëra të shkojnë, nëse vërtet duan të shkojnë, të shkojnë sepse nëse diçka nuk mund të ecë nën ritmin tonë duhet të shkojë. Herë të tjera duhet të mësojmë të falim. Të falim dhe të kërkojmë falje çdokujt që është e nevojshme; të tjerëve, vetes, Zotit.

Lind dhe njëherë. Pa mëkate dhe e pastër. Mos u pendo për mëkatet që ke, çdo mëkat të rrit, çdo gabim të forcon, çdo dhimbje të jep guxim, çdo ëndërr të bën të shpresosh. Rilind, shndrit dhe lejo të tjerët të shohin dritën tënde, por pa lënë askënd në hije. Shndrit duke ndriçuar gjithçka dhe çdokënd  rreth vetes.

Jashtë perandorisë tënde të ftohtë ka gjëra të bukura. Ka njerëz që dinë të buzëqeshin, të duan, dinë të jenë të lumtur. Jashtë perandorisë tënde ka lule që çelin në çdo stinë. Lejo të pushtojnë dhe perandorinë tënde të akullt. Disa lule mund të çelin dhe mbi dëborë. Këta lule mund të jenë ata më të bukurat... Po, ndoshta mund të ketë dhe bekime mbi mëkatet. Disa buzëqeshje mund të dalin mbi lot . Mund të ketë fjalë mbi heshtje. Mund të ketë bukuri në vende ku shkretëtira ka gllabëruar gjithçka. Mund të ketë forcë në vendet ku mbizotëron dobësia. Po mund të ketë diell, dritë, emocione. Ndoshta duhet të dalësh nga perandoria jote, të ecësh, të rrëzohesh, të çohesh sërish. Të mësohesh të vraposh. Atëherë mos e lejo veten të ndalesh...

-Per ZemraShqiptare, nga Tirana, 16 Shtator 2015-



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora