Kulturë
Namik Selmani: Luan Maloku dhe kodi i heshtjes
E diele, 12.07.2015, 10:21 AM
LUAN MALOKU DHE KODI I HESHTJES SHQIPTARE
Nga Namik Selmani
Në flakën e heshtjes së Luan Malokut kemi nevojë që të digjemi të tërë. Duke ndjekur jetëshkrimin e këtij poeti të talentuar, më bëri përshtypje koha e botimit zyrtar të poezive të tij që nga libri i tij i parë që shënon vitin 1996, e që këtë vit shkon afër dy dekadave krijimtarie letrare, pa folur për fillimet e tij letrare që i përkasin rinisë së tij atje në atë fshat me një emër shumë të bukur e të lakmuar për të gjithë: Miratoc. Këto vite të krijimtarisë stij poetike tashmë të njohur e të lexuar me kaq dashuri nga lexues të brezave të ndryshëm në të gjithë trojet amtare si në Preshevë, në Kosovë, në Diasporë. Në Shqipëri në Rumani e në SHBA ku i përket antologjive që janë botuar vargjet e tij e kanë bërë më të dinjitetshme dhe më më të respektuar atë si thurrës të vargut e si tribun të fjalës shqipe kudo që ajo flitet.
Malli i Itakës sime
Më i rëndë se bjeshka
Fortë të godet shpirtin
Të prishë gjumin të lëndon
Të kall zemrën në gji flakë
Të rëndon hapin kurbetçar
Libri i radhës së Luan Malokut të befason së pari me metaforën e titullit. Është tashmë dhe shqiptare dhe botërore zbërthimi i Kodit të Heshtjes që shqiptari e ka thënë me shumë urti në çdo cep të fjalës shqipe. Kur nuk ke për të folur një gjë të mençur më mirë hesht! Ose me këtë libër na vjen në sinorët e fjalës urtia konicianne që thotë pwr ne e për mbarë shkronj shkruesit shqip e të botës: “O Zot, na jep fuqi të heshtim kur nuk kemi se çfarë të themi!” Jo, poezia e Luan Malokut vjen në kohën e në vendin e duhur. Ai tashmë nuk është ai poet i ri që vrapon gati në rrugë në kafetetri (po citoj një fjalë të marra nga leksiku i Kosovës) për të treguar se ka bërë libër. Sa vjen e më shumë, fjala e tij peshohet shumë më saktë dhe shumë fisnkërushëm në peshoren e lavdisë. Është Kodi i Botës se lavdia nuk i vete pas atij që kacavirret shumë në Murin e saj, madje dhe gjakos duart në këtë kacavirje gati donkishoteske. Lavdia iu shkon atyre që nuk mendojnë për të, por janë modestë, të urtë dhe shumë punëtorë në vargun e tyre. Luan Maloku e di këtë. Ai e di se futet në radhën e librave me poezi në një konkurencë numërore, po ai hyn në këtë botë poetike mbarëshqiptare, e cila, për të qenë të sinqertë, është shumë e madhe në numër me një dinjitet poeti. Kjo ndikohet dhe nga organizimi nga mënyra e poraqitjes së librit nga miku i poetëve të mbarë kombit, nga promovuesi i këtyre vlerave poetike e më gjërë Baki Ymeri. Ai duke u futur thellë në këtë botë poetike ka bërë dhe një gërshetim të bukur të dy kulturave duke e dhënë edhe në gjuhën rumune. Me këtë rast dua që të kujtoj atë gërshetim si të ishte riti i pjergullës me një lis të lartë ku ajo rri për të jetuar, për të nxjerrë bistak e më vonë vishet me gjelbërim. Më vjen sërish në këtë bashkëpunim dhe tradita 100-vjeçare e botimeve shqiptare nw Rumani. Duket se në këtë bashkim gjuhësh me kaq tradita në Ballkan, na vjen edhe fryma lasgushiane, edhe saktësia gjuhësore e Naum Veqilharxhit, pse jo dhe tradita e një dramaturgut të madh rumun me origjinë shqiptare, si Viktor Eftimiu.
Kam kohë që e ndjek shumë kënaqësi dhe me respekt krijimtarinë poetike të Luan Malokut. E ndiej brenda qelizave të shkronajve të mia. Ai është tërë meditim për jetën dhe ka një aftësi gati të papërsëritshme për të prekur motive, për të gjetur detaje në Detin e Metaforave poetike që përdor në poezinë e tij. Motivi i Mallit është përherë i pranishëm në poezinë e tij. Shikoni stacionet ku ka ecur poezia e tij! Është ngjizur në Miratoc, në Preshevën legjendare dhe djep i kulturës së një pjesë të madhe të kombit tonë aq sa është dhe një djep qëndrese (shumë poezi të tij kanë këtë gjeografi qëndrese). Kjo poezi shkon më tej në Tetovë dhe në Zvicër, ku tradita çajupianë ka bërë dhe bën punën e vet për secilin poet shqiptar që jeton qoftë dhe për pak kohë atje. Kjo natyrisht që e bën atë të mallshme, të trishtueshme.
Ja tek jam unë prapë
Dhe s’kam më kthim
Netët e pagjumta
Ma ndrydhin shpirtin
Ma plagosin rëndë trupin
Më hajnë e grimcojnë
Çdo damarë të gjakut
Më shkundin trurin
Më mplakin para kohe
Kodi i poezisë së çdo poeti në atë mesazh universal që duhet të jetë ai, është në fjalëkyqet e saj. Të gjithë poezitë e tij mblidhen rreth fjalëve zog, njeri, zabel, jetë, vendlindje, mall. Kaq mjafton që ta kuptosh se ku do që të dërgojë autori me poezinë e tij të ëmbël, shpesh rebele për atë që nuk i shkon. Fjala e tij ia kalon tribunave të politikanëve që nuk janë kurrë më të besueshëm se sa fjalët e preshevarit tone, të sinqerta të ëmbla, të ngrohta, mëmëdhetare. Kur e mbyll librin, pasi e ke lexuar dhe rilexuar, ndjen i tëri atë peshë dhimbjeje që klithmon brenda gjoksit të poetit dhe brenda teje.
Atdheu i copëtuar
Brigjet e ëndrrave
Po humbin në errësirë
Dhembje të rënda
Në trup e shpirt
Rrugët e përgjakura
Dielli pikon gjak
Liria s`vjen e s`vjen
Presheva ime e mjerë
Ne presim e presim kot
Në flakën e heshtjes
Vështirë që të mos bëhemi pjesë e FJALËS SË HESHTJES në këtë kexim libri që na bën më shqiptarë, më të ndershëm, më fisnikë, më estetikë në poetizimin e jetës e më mirënjohës ndaj kontributit të Shtëpisë Botuese për promovimin e këtyre vlerave letrare. Kishim dëgjuar se HESHTJA është mençuri, është qetësi para dialogut me të mirën e të keqen, me mikun e armikun. Sot me librin më të ri poetic, na vjen në mendje motivi FLAKË. Një fjalë, që, për çudi, nuk të djeg por të ngroh, të ngroh bukur mirë në këtë botë të ftohtë ku ka pjesën e vet jo vetëm Zemra jonë, por edhe ajo jetë që të pret pas pragut ku shkelim apo dhe kur avionë të mëdhenj e na ulen në gjunjë si kuaj të shaluar për udhë të largëta. Kostandini në kërkim të një Dhoqine Mirësie ku poetë si Luan Maloku të bëjnë më të lehtë e më të bukur. Dhe nuk ka se si të mos marrë mirënjohjen e lexuesve shqipfolës dhe ata evropianë kur ia lexojnë çdo varg sikur të shihnin nga afër si në një pasqyrë magjie çdo drithërimë të shpirtit të tij miratocas, tetovar, preshevar dhe zviceran.