Kulturë
Prend Buzhala: Dekalog për Skënderbeun
E hene, 06.07.2015, 08:06 PM
DEKALOG (SHKRIMOR) PËR
SKËNDERBEUN, HERO KOMBËTAR
Nga Prend BUZHALA
1.
Vula e Skënderbeut: nuk ka simbole fetare, por është e mbështetur në traditën autoktone iliro-pellazge-arbërore. Edhe simbolet tjera të shtetit të Skënderbeut, janë të mbështetura në këtë traditë. Shqipja dykrenore, është simbol antik, pra simbol i lashtësisë dhe i trashëguar nga arbërit (Flamuri i përdorur nga Pirroja). Ylli me tetë e me gjashtë cepa është simbol i diellit (simbol ilir a i besimit ilir). Vetë Fan Noli e dëshmon këtë, kur shkruan te Historia e tij për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, ashtu sikundër e sintetizon këtë tek vargjet e tij proverbiale (poezia "Hymn i Flamurit").
Skënderbeu kishte një vetëdije të fortë autoktone për lashtësinë (shih edhe simbolet te përkrenarja e tij)...
2.
Edhe në vula e shkresa zyrtare , në letrat e kancelarive të huaja që i janë drejtuar atij si kryetar i shtetit arbëror/shqiptar, haset titulli zyrtar i Skënderbeut: “Zot i Arbërisë" (Dominus Albaniae)”, Arbëria është emër etnik shqiptar e shtetëror e jo emër fetar, sado që Perandoria otomane arbërorët i identifikoi me krishterimin...
3.
Kujtesa popullore ndër shekuj e ka ruajtur emrin e tij si simbol harmonie, uniteti dhe guximi, si shenjë mbrojtëse të etnisë, të shqiptarisë. Prandaj janë krijuar nga kjo kujtesë popullore edhe gojëdhëna, tregime e këngë popullore, pa dallim feje. Madje, figura e tij, pa dallim feje, është trajtuar nga shkrimtarët e të gjitha trojeve, e jashtë tyre, si te arbëreshët e Italisë.
4.
Gjergj Fishta thotë: “…Skanderbegu me at trimni e rreptsi me t’cilen luftoj kundra turqve, qi ishin mysliman, luftoj edhe kundra venedikasve qi ishin t’krishtenë. Prandej t’gjith shqyptarët e vërtetë, pa ndërlikim partiet e besimit, do ta nderojnë Skanderbegun si nji fatos t’komit e do t’u bahet nam me kremtue emnin e punët e tij. Skanderbegu asht ideali i liris e i pavarsis s’Shqypnis”.
5.
Në ushtrinë e tij Skënderbeu kishte luftëtarë të besimit të krishterë, katolikë e ortodoksë, si dhe të besimit mysliman. Mysliman ishte vetë Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai. Të gjitha dëshmitë e kohës flasin për Familjen Kastrioti (të Gjon Kastriotit), si simbol e shembull të unitetit arbëror-kombëtar (le të themi: etnik, pra), ku fëmijët e pjesëtarët e familjes së tij kishin emra katolikë, ortodoksë, myslimanë. Kurse ambasadorë në vendet e shtetet katolike, ai dërgonte edhe arbërorë ortodoksë. Si shembull i kësaj harmonie, ai ruajti emrin e krishterë (Gjergj) dhe emrin me prejardhje myslimane (Skënderbe) për ta ruajtur unitetin arbëror të popullit të tij. Do theksuar se te shembulli i unitetit e harmonisë etnike, popullore (e kombëtare) arbërore, ai përfshinte edhe pjesët jashtë shtetit të tij (si arbërorët e islamizuar në pjesë të madhe kah Manastiri)...
6.
Mjafton të lexohet Fjalimi i tij i ardhjes në Krujë (nga Barleti, Noli e nga gjithë historianët), ku nuk mban një Fjalim Fetar (sikur të kishte qenë ashtu, atëherë Barleti prift do ta kishte shënuar me devotshmëri). Por, në përfundim të Fjalimit përmendet së pari fjala FLAMUR e mandej vjen fjala Perëndi:
"Ngrehni pra flamurin përpara, dhe rrëfehuni burra si ngahera. Perëndia, si gjer tani, ashtu edhe paskëtaj, do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë. 0 Burrani!" (Përkthimi i Nolit).
7.
Skënderbeu, me një vetëdije të fortë autoktone-etnike, u ngrit mbi dallimet fetare. Vetë Perandoria otomane kishte përbërje fetare të ndryshme (vasalët e krishterë bizantinë e sllavë në kuadër të Perandorisë otomane, që luftonin kundër Skënderbeut). Dihet se aleatët më të ngushtë të sulltanëve otomanë ishin krerët e kishave greke e e sllave, mbasi gëzonin privilegje e të drejta juridike, fianciare e fetare nga sulltanët.
8.
Skëndërbeu ka luftuar edhe kundër ushtrive të krishtera. Kështu , në vitet 1447-1448 ai luftoi kundër ushtrive veneciane dhe më 1460-1461 kundër trupave të princit të Tarantit në Italinë e Jugut.
9.
Prandaj, për shkak të vizionit të tij UNIK HSITORIK, ai mbetet figura më përfaqësuese shqiptare... para të cilës përkulen kombet, shtetet, personalitetet ushtarake, intelektuale etj.
10.
Koncepti për heroin, në CIVILIZIMIN EVROPIAN, ka traditën e vet të përdorimit (ndryshe se ç’e trajtojnë këtë koncept vendet e Lindjes që qëndron krejtësisht i ndryshëm e që krijon moskuptime). Në frymën e konceptit antik, evropian, kombëtar dhe modern, Skënderbeu është hero kombëtar.
SHTOJCË DEKALOGU PËR SKËNDERBEUN
(në dhjetë pika të tjera):
a)
Ndodhi islamizimi, por nuk ndodhi braktisja e figurës së Skënderbeut, nuk ndodhi braktisja e flamurit të Skënderbeut; shqiptarët e islamizuar e morën pikëpamjen europerëndimore të ndarjes së fesë nga shteti, kur i krijuan shtetet e tyre (Shqipërinë më 1912 e Kosovën më 2008).
b)
Islamizimi masiv i shqiptarëve nuk e zbehu kujtesën historike për Skënderbeun për pesë shekuj rresht, ani se emri i Skënderbeut, po të përmendej nga arbërori a shqiptari, dënohej edhe me heqje koke, nga regjimi despotik sulltanor.
c)
Ashtu si te çdo komb, edhe tek shqiparët ka ekzistuar ndërgjegja etnike e përbashkët e që është vatra e kombit shqiptar. Madje, vetë krijimi i i "fesë së shqiptarit - shqiptaria" e konfirmon këtë, kur u krijua realiteti i ri historik i copëzimit fetar nga ana e Perandorisë, apo copëzimi administrativ-politik me anë të vilajeteve.
d)
Kronikat otomane (si kronikani otoman Kevëm), kur e nisën ushtrinë e tyre kundër Skënderbeut, thonë se e nisën me "flamurin e islamit për në vendin e shqiptarëve" (shih librin "Ludta shqiotaro-turke në shk XV: burime osmane", Tiranë 1968, fq 112), pra, përmendet si emërtim i perbashkësisë gjeo-politike e etnike. Kronikani tjetër otoman i viteve 1439-39, thotë se "ai sulltan vullnetmadh...duke i qëndruar besnik ajeteve të zotit dhe lartësimit të flamujve, ka pasur për qëllim që të mposhtë të pabindurit dhe të pafetë kokëfortë, dmth popullsinë shqiptare" (po aty, fq 149), pra përdoret emërtimi etnik "popullsi shqiptare". Në letrat e sulltan Mehmetit flitet për "të pafetë shqiptarë", dmth përdor emërtimin etnik; këso kronikash (nga vetë taborri armik), ka sa të duash, që dëshmojnë me forcë këto të vërteta, ashtu si ka edhe nga arkivat evropiane.
e)
Pra, arbërorët kishin një vetëdije të përkatësisë së gjuhës, të territorit, të përbashkësisë, të gjakut, të fesë së përbashkët, të identitetit të përbashkët evropian me popujt tjerë evropianë, (si përkatësi e përbashkët civilizuese). Skënderbeu mbajti Kuvendin e Lezhës (morën pjesë përfaqësues edhe nga Kosova e Maqedonia e sotme), ku u bashkuan te kjo VETËDIJE E PËRBASHKËT krejt princët arbërorë, pra kishin edhe VETËDIJEN SHTETFORMUESE kastriotiane.
ë)
Ka ekzistuar një VETËDIJE E PËRBASHKËT ETNIKE, një vetëdije e pëbashkët për lirinë. (Koncepti për LIRINË, është koncept evropian që dallon nga ai në Orient)... Islamizimi ndodhi në krejt tokat shqiptare, pra te krejt popullata, e jo në mënyrë të parcializuar (dmth tek klanet, fiset etj etj), Perandoria otomane i veçoi shqiptarët si bashkësi unike që i takon krejt një hapësire nacionale shqiptare, kundër të cilëve dërgoi ushtrinë dhe ideologjinë e saj me anë të shpatës.
f)
Mjafton të shihen kronikat e kohës (veprat historiografike, dokumentare, letrare etj) se si e kanë quajtur Skënderbeun... Ka prirje antihistorike që të paraqitet Skënderbeu si figurë jokombëtare SOT (dhe dje), mbasi nuk paska pasur në atë kohë komb, (ani se krejt emrat që janë përdorë në atë kohë, përdoren edhe sot; gjuha shqipe e asaj kohe flitet edhe sot, trojet e atëhershme janë këto të sotmet, ndërgjegja etnike e përbashkësisë është kjo e sotmja)...
g)
Përpjekja
për eliminim të figurave historike nga historia jonë, për t'ia mohuar popullit
tonë trashëgiminë historike, materiale e shpirtërore (sepse ato të drejta
tashmë po uzurpohen nga
gj)
Dëshmi se shiptarët ishin një KOMUNITET A BASHKËSI UNIKE, janë luftërat 35-vjeçare kundër Perandorisë otomane, nga një ushtri e fortë arbërore unike (e të gjithë arbërorëve), se Arbëria e kohës së Skënderbeut e kishte elitën e përbashkët, më të shkolluarën e më të arsimuarën në Evropën juglindore (Ballkanin e sotëm), si Pal Engjëllin (ministër i jashtëm), Dhimitër Frangun (financa), Gazullorët si ambasadorë, që ishin edhe profesorë universitetesh nëpër mbretëri e shtete evropiane të kohës, ushtarakët e lartë e të formuar...
h)
Vetëdija kombëtare moderne e shek XIX, është e hershme e që i ka rrënjët në vetedijen kombetare etnike të atyre shekujve.