Kulturë
Bedri Tahiri: Metamorfoza
E premte, 03.07.2015, 07:07 PM
Metamorfoza
Tregim nga Bedri TAHIRI
Malushi kishte ndryshuar shumë kohëve të fundit. Kështu thoshin të gjithë ata që e njihnin mirë qysh nga fëmijëria. Po, kjo qe e vërtetë dhe, atë e pranonte edhe ai vetë.
“More, jeni në vete ju apo keni shkalluar? Unë, vërtet kam ndryshuar, por kjo nuk është ndonjë risi për mua”- pohonte me vete, e herë- herë, këtë ua thoshte edhe atyre pak miqve te zemrës që ende i qëndronin asaj besnikërisë së dikurshme.
Dorën në zemër, tashmë ishte më ndryshe, sikur e kishte gjetur rrugën e Zotit. Ani, nuk thuhet kot: më mirë vonë se kurrë! Ishte bërë një Ago Jakup i vërtetë. Sillej mirë e fliste butë, saqë u dyshoje veshëve e syve të tu. Kjo dukej hapur dhe hetohej nga të gjithë, andaj edhe po e merrnin nëpër gojë dhe po e përflisnin kudo e kurdo.
“Eu, eu, po ç’ia ka zënë rrota bishtin!- shprehej ndonjëri nga moshatarët e tij që ia dinte zorrët në bark.
“Matufi, në pleqëri po mundohet me la m... me sh...!- shfrente tjetri, duke i rikujtuar paudhësitë e tij të mëhershme që patën bezdisur gjithë vendin dhe farefisin.
“Patët dëgjuar, atë ditë që vuri kryet në sexhde, rrufeja pati shituar minarën xhamisë në qendër të qytetit!- foli i treti me një përbuzje nevëritëse.
Por, aq i bënte atij!
-Ha, ha,
ha! Fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mbyllen kurrë!- i thoshte vetes dhe,
si urithi, bënte punën e tij të përditshme. Ata që kanë lexuar “Kur’anin” e
kanë parë
Për të qenë, ore lum vëllai i dashur, në rininë e tij të hershme qe dalluar për të mirë. Si djalë ballisti pati hequr të zitë e ullirit. Mbase, për këtë edhe ia patën shtuar zullumin. Kudo, në shkollë, në shtëpi, në punë, madje edhe në gjumë, ishte i përcjellur nga hija e zezë e mosbesimit...
Thyerjen e parë e përjetoi në hetuesi, kur e troturuan aq pamëshirshëm për pjesëmarrje në demonstratat e 68-së. Obobo, sa keq! Karshi shokëve të vet të pathyeshëm, qe treguar ligavec fare. Ata, deri edhe ai thataniku që pantollonat nuk i rrinin në trup, qëndruan si burrat e motit dhe nuk u dhanë dot. Me dara kuajsh ua shkulën thonjtë e mishin, por kot, çele guri gojën. Ky jo. Medet, medet! Fill ishte dorëzuar, si një kalama qa ende i pikon buza tambël. Një pakurrizor i qullur! Dhe, aq më keq, u bë vegël e tyre. Hajde botë, hajde! U bë argat i dreqit, siç thoshte i ati për hyzmeçarët e pushtuesit, i cili, duarlidhur e i futur nën akull te Pusi i Rakitës, kishte ndërruar jetë, në dimrin e egër të aksionit famëkeq të mledhjes së armëve.
Pësimet e tij evoluan rrokullimë. Kjo metamorfozë ciklike nuk e dëmtoi larvën fare. Përkundrazi, veçsa e përfeksiononte dhe e fuqizonte.
Me kalimin e kohës rrjeta e merimangës zgjerohej. U gradua dhe u bë i plotëfuqishëm. Ai vrante, ai kthjellti në gjithë rrethin e tij, që shquhej për rezistencë e atdhetarizëm. Emri i vajti larg e larg. U bë tmerr edhe për fëmijët në djep. Flini se erdhi Malushi! Kështu u thoshin nënat e shkreta atyre kur qanin e qirreshin dhe më s’dëgjoheshin për së gjalli. Sjellja prej kodoshi trutharë çmohej lart nga eprorët e tij të sojit tjetër, të cilët antishqiptarizmin e kishin në gjak, trashëguar nga etërit e tyre zbritur nga drunjtë e stepave karpatiane. Ata, me mjeshtrinë prej finoku, gjithë mllefin e urrejtjes patologjike e shfrenin mbi kurrizin e vendorëve të pafajshëm, përmes këtij të fuqishmi “hyjnor”.
“Hajt Malush, hajt, se kungulli nuk shkon gjithë mbi ujë!- mërmëriste nëpër hundë plaku gungaç, që më një kërryle të trashë thane sorrollatej derë me derë nëpër katund e të cilin shumica e merrnin për të krisur.
Por, jo. Kungulli i Malushit nuk po fundosej dot!
Nëpër mbledhjet e gjata të partisë së kuqe askush nuk guxonte të deklarohej para tij se ishte agjërueshëm. Jo, ore jo! Kur dikujt nuk i besonte, edhe e sprovonte, duke ia afruar ibrikun me ujë. Devotshmëria e tij ndaj sistemit tiranik, që të vriste natën e të vajtonte ditën, dëshmohej e përforcohej përherë e më shumë. Bindja se Kryesatanai barkalec e me syze të trasha, kishte bërë shumë për etninë e tij, qe disa guxonin ta quanin edhe të mbërrim, ende gjëllonte në shpirtin e tij të mykur. Mendjemykuri sylesh nuk po i ndjente fare rrezet e ngohta të diellit perëndimor që kishin zënë të shkrinin acarin që pllakoste vatrat tona të stërlashta...
Koha ecën lumë. Ngjarjet e mëdha ndryshuan ritmin e saj. Puhiza e lehtë e demokracisë ia shprishen ca puplat e kryefodullit. Në rrekët e gjakut mbiu LIRIA. Në sofrën e saj të madhe pati vend për të gjithë. Edhe për ata që, mjerisht, nuk e mbollën farën e mbarësisë. Ne nuk u thamë gjë. Ata, me sjelljet prej kameleoni, u përshtaten dhe vazhduan zvarritjen nëpër zigzaget e jetës. Stili i strucit, duke fshehur kokën të bëhen të padukshëm, nuk u ndihmoi dot, sepse të gjithë i njohin si farën e kuqe...
Dhe, ja, sot, me një këmbë në varr e tjetrën mbi dhe, flokëthinjuri Malush, me një thurinë të bardhë në kokë e me tespie të kuqe në dorë, ecën ngadalë si Sheh Miza i përrallave tona drejt xhamisë për ta zënë safin e parë.
-Sa mirë që ekzistuaka ajeti i pendimit!- tha njëri që po e përcillte me sy nga kafeneja përballë.
-Ah, sa mirë do të ishte të mos ekzistonte fare procesi i metamorfozës!- ia priti tjetri, duke ngritur gotën e dollisë...