E marte, 18.02.2025, 02:25 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: 25 vjet nga hapi i parë drejt ëndrrës

E enjte, 02.07.2015, 07:31 PM


Sot, 25 vjet nga hapi i parë drejt ëndrrës

Nga Albert Vataj

Edhe në ëndrra po të ngjizej ajo që ndodhi 25 vite më parë do të ishte një makth. Por ata guxuan dhe fituan, duke u bërë shkëndija e parë e shpresës. Ata vendosën spariherë të dëgjojnë zërin e zemrës, t'i jepen gufit të kraharorit, të shkallmojnë vargonjt e robërisë për të besuar se në qiell ka vend edhe për krahët e këtij shpendi të varruar vargonjsh.

Sot mbushen plot 25 vjet që kur ambasadat, ajo gjermane, franceze, italiane dhe greke do të bëheshin streha e parë e vullneteve të lirisë. Përtej atyre kangjellave dhe mureve rrethues, policisë dhe ushtrisë së diktaturës në agoni, përgjërimit dhe lotëve të prindërve, 5200 shqiptarë të moshave, gjinive dhe profesioneve të ndryshme guxuan të provojnë fatin për një ditë më të mirë, për një të ardhme që vendi i tyre ua kishte mohuar për 45 vjet.

Edhe sot pas 25 vitesh, ajo çfarë zgjodhën të bënin në emër të lirisë 5200 shqiptarë, i përket një akti të pashoq guximi. Edhe pse diktatura kishte filluar të shfaqte shenjat e para të drobitjes, ata as që menduan se kush do të ishte fundi i kësaj aventure që filloi më 2 korrik dhe u finalizua dhjetë ditë më pas, më 12 korrik 1990, kur 5200 shtetas shqiptarë që do të pajiseshin me pasaporta të vendeve pritëse, nisen drejt Portit të Durrësit ku do të marrin një anje të Kryqit të Kuq, për t'iu drejtuar Brindizit.

Nga çdo cep i Shqipërisë vërshuan të kurajshmit të sprovës së fatit, kryengritësit e diktaturës. Përkundër një regjimi policor represiv, një propagande terrori, ata nuk u ndalën, provuan nëse krahët e tyre do të mund t'u bënin ballë qiejve të lirisë. Ata besuan te ëndrrat dhe guxuan duke ia besuar këtë fatit dhe vendeve që ushqenin aspiratat e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ikën pa kthyer kokën pas, pa menduar për rrezikun, pa iu bindur përgjërimeve dhe lotëve të prindërve, të cilët nuk e ndalën vërshimin drejt lirisë, nuk i bënë ballë këtij uragani lirie.

Dhe u përshkallëzua kështu aventura e përmasave më të papara deri asokohe. Kamioni tip "Skoda" me 36 veta, drejtuar nga Ylli Bodinaku godet murin rrethues të ambasadës gjermane, duke çelur kështu jo vetëm portën e një përfaqësie të huaj, por duke hapur rrugën drejt lirisë.

Brenda një jave, numri i shqiptarëve që donin të largoheshin përmes ambasadës gjermane arriti në 3199. Rreth 2000 të tjerë strehoheshin në ambasadat e Italisë, Francës e Greqisë. Tiranës i kishte rënë një hije e errët ato ditë fillim-korriku, një hije që nuk do të mund t'ia largonin as emocionet e Kampionatit Botëror të Futbollit që zhvillohej në vendin fqinj, Itali, as tam-tamet e propagandës komuniste. Policia dhe ushtria që mbante të rrethuar territorin e ambasadave, e cila do t'i braktiste në mënyrë të mistershme, nuk e ndalën ëndrrën e atyre shqiptarëve të kurajshëm për të besuar tek e ardhmja. Kaq i vrullshëm ishte ky hov lirie, sa nuk do të mund të vihej nën fre. Megjithë përpjekjen e vazhdueshme të të gjitha llojeve dhe presionit të ushtruar, kjo dyndje s'do mund të ndalej. Përdhosja e nderit të Shqipërisë komuniste, kësaj "parajse" të diktaturës, po ekzekutohej si një marsh funebër nën ritmin e hapave nëpër natë, nën shkulmin e pasioneve nëpër kraharore. Diktatura ramiziste do të dorëzohej. Muret e saj nisën të binin një e nga një. Nuk do të kishte kangjella, pranga dhe panik që do të mund të mbante të nënshtruar këtë shpirt lirie.

Ata që guxuan të besonin tek një jetë tjetër, tek liria në tokën e premtuar, nënshkruan fillimin e fundit të diktaturës, lëvizje e cila kishte pikënisur në Shkodër më 14 janar 1990 me rrëzimin e bustit të Stalinit, për t'u finalizuar me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit.

Ëndrra po bëhej realitet. Tirana s‘kish dëgjuar ndonjëherë një brohorimë si ajo e 3199 shqiptarëve në ambasadën gjermane, kur nga ballkoni i godinës ish-ambasadori Werner Daum komunikoi lajmin e lejes së udhëtimit më 11 korrik.

Dhjetë ditët brenda ambasadave, gjermane, italiane, franceze dhe greke ishin ditët e agonisë së diktaturës, ditët më të vështira dhe më të makthshme që kanë kaluar jo vetëm ata që guxuan, por më së shumti familjet e tyre që mendonin orët e tmerrit të hetuesisë, burgjet, internimet. Lotë gëzimi dhe hidhërimi përtypi fati i atyre ditëve në Tiranën e kapërcyellit të një epoke, e hapit të parë drejt lirisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora