Kulturë
Albert Vataj: Letra dashurije të Gustave Flaubert
E shtune, 09.05.2015, 05:33 PM
Letra dashurije të Gustave Flaubert për Louise Colet
Nga Albert Vataj
Sonte nata është e ngrohtë dhe e butë; tani që po të shkruaj, papuçet e tua të vogla i kam këtu, para syve, i vështroj. Veç gëzim do desha të të ngjallja dhe me lumturi të patrazuar dhe të pareshtur të të rrethoja, si shpërblesë për gjithçka që më ke falur me dashurinë tënde fisnike. Druaj mos dukem i ftohtë, i akullt, egoist dhe vetëm zoti e di se ç'po më ngjet këtë çast. Sa kujtime! Dhe sa ëndje! Më duket që po shkruaj keq; s'po të shkruaj asgjë nga ato që dua të të them. Frazat e mia përpiqen si psherëtima; për ti kuptuar ato duhet mbushur ai boshllëk që ndan njërën nga tjetra; do ta bësh apo jo? A do të ëndërrimesh pas çdo shkronje, pas çdo shenje shkrimi? Si unë, që duke vështruar papuçet e tua bojë kafe, përfytyroj lëvizjet e këmbëve tua tek i veshin ato...shamia është ende brenda...
..A e di
ç'po mendoj? Fytyrën tënde të zbehtë e serioze, kur ti rrije përdhe, mbështetur
mes gjunjëve të mi...dhe llambën! Mos e thyej, lëre; ndize çdo mbrëmje ose më
mirë në ndonjë ditë solemne të jetës tënde të brendshme...A e di se në çfarë
qëndrimesh të përfytyroj? Në studio duke pozuar: nga njëra anë të ndriçonte
dita, unë të kundroja në anën tjetër; dhe pastaj në mbrëmje, në hotel të shoh
të shtrirë në shtratin tim, flokët derdhur mbi nënkresë, vështrimin drejt
qiellit, e venitur, duarlidhur, duke më dërguar fjalë çmendurie. Kur u veshe
ishe e freskët posi buqetë lulesh. Në krahët e mi një ngrohtësi e ëmbël,
kapitëse dhe dehëse buron prej teje.
....
...Ndihem
i trishtuar, i mërzitur, tejet i tendosur.
....Sa më kënaq kuvendimi më ty. Pena shkruan si t'ia ketë ënda pa e vrarë mendjen se vajti vonë. Çlodhem kur ti dërgoj ashtu kuturu të gjitha mendimet e zemrës.
E dashura
Luizë, ti më flet për mjerimet e femrës; dhe unë jam në këtë mes. Do ta shohësh
që do të më duhet të zbres poshtë në pusin e ndjenjave.
Kam jetuar dashuri të zjarrta, që kullosnin në zemrën time si kuajt në lëndinë. Disa të tjera qenë akull të ftohta, mbështjellë rreth vetes, si gjarpërinjtë kur tretin ushqimin. Kam pasur më shumë epshe, se flokë të rëna. Tani u plakëm bukuroshja ime; qofshim hija jonë e fundit, gënjeshtra jonë e fundit; qoftë e bekuar, sepse është e ëmbël! Uroj të mbajë sa më shumë, sepse është e forte.