E diele, 28.04.2024, 06:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Mikelanxhelo Buonaroti

E marte, 17.03.2015, 08:31 PM


Mikelanxhelo Buonaroti, ai që e ngjiti në qiell shpirtin estetik

Nga Albert Vataj

Nga të gjitha orvatjet e njeriut të vdekshëm për të krijuar shëmbëllimin e energjisë së pafundme, për të lindur nga diçkaja ndjesore gjithçkanë e perëndishme, për të përjetësuar nga asgjëja universalen e amshuar, ajo e Mikelanxhelos është triumfale, vetanake dhe hyjnore.

Kanë kaluar 540 vite që nga lindja e tij, dhe ai, Mikelanxhelo Buonaroti (6 mars 1475- 18 shkurt 1564, skulptori, piktori, arkitekti dhe poeti, vazhdon të jetë një prej gurthemeleve më të rëndë të Rilindjes italiane. Si çdo gjeniu tjetër i asaj ndërkohje, i mëhershëm ose i mëpastajmë, një mantel misteri u rri përmbi. Mëdyshje dhe hamendjet, munden sakaq me e thur cohën e tyne të njëmendtë, me kast me e mbulu krejtçka deri te kurorëzimi i veprës. Behin saora turlilloj sajesash dhe qëmtesash, të cilat duke u sendërtu përplot ojna e gajle, e turbullojnë pa mund të tashmen e të lëkundurve në besim. Nëse për Shekspirin nuk nguruen prej atyne shërbestarëve të dyshimit, që tuj hedh baltë mbi krijimtarinë e tij, i'a lejuan vetes me vu në pikëpyetje autorsinë disa kryeveprave, për Mikelanxhelon nuk mundi me kapërcy ndokush aq larg, anipse u munduen ngadhnjyeshëm. Megjithatë mungesa e boceteve, punës paraprake të disa prej gjenialiteteve të penelit, të cilat ai vetë hamendet t'i ketë djegur, e duhit me mister të perëndishmen e krijimtarisë së tij në art.

Michelangelo di Lodovico Buonarroti Simoni, lindi më 6 mars 1475 në Caprese, vdiq më 18 shkurt 1564 në Romë. Deri në të mbrame të frymës, ai nuk reshti së qëmtuari vlerat më të epërme estetike. Ai ishte dhe mbeti një gjahtar i të përsosures. Mishërimi i këtij ngulmi e jetësoi penelatën, daltën dhe penën e Mikelanxhelo në memorien e brezave. Ai që bëri gurit të flasë, penelin të dëshmojë dhe penën të kumtojë, ai ka ditur e s'do resht në përjetësi të magjeps ëndjet tona delikate, të shastis ngulmin e kureshtive dhe të shtag qëmtimet e stërholluara estetike.

Ky dëshmimtar i zellshëm i artit edhe me voglinë e tij kishte se çfarë të kumtonte. Mbamendet se e ëma Francesca Neri e "braktisi" Mikelanxhelon, kur ai ishte vetëm 6 vjeç. Kjo ndodhi e trishtë, si dhe fakti që i ati mendonte se arti ishin thjesht një zeje, ashtu si këpucarët, gdhendësit, e mbyll në vete. Gjithsesi i ati e pikasi heret të jashtëzakonshmen që gurgullonte brenda kurmit qumështor të të birit. Hapi nistor i kësaj yshtje në universin e gjeniut, ishin mësimet e gramatikës, të cilat, mjeshtri i ardhshëm do 'ti merrte nga një personalitet i njohur i kohës, Francesco Galeota. Afria me Francesco Granacci, një shok 6 vjet më të madh, i cili ishte duke studiuar artin e pikturës në studion e Chirlandaios, e yshti Mikelanxhelon të bashkëngjitej të njëjtit interes.

Ishte vetëm 13 vjeç kur ai i tha më në fund të atit (i cili shpresonte që Mikelanxhelo të bëhej tregëtar dhe të mbante lart mbiemrin e familjes si dhe të shumëfishonte aq pasuri sa ai vetë kish krijuar deri më sot) se ai do të merrte pjesë në shkollën e piktorit Domenico Chirlandaio. Pasi gati një vit studimesh në artet e afreskut, Mikelanxhelo vazhdoi shkollën e skulpturës në kopshtet e Midiçi dhe shumë shpejt ai u bë i ftuar nderi në shtëpin e Lorenzo de Mediçi, të Madhit. Atje u njoh me Mediçit e rinjë, dy nga të cilët me pas u bënë Papë (Leo X dhe Clement VII). Gjithashtu në të njejtën kohë iu dha mundësia të njihej nëpërmjet Mediçit të Madh dhe me humanistë të kohës, si Marsilo Ficino dhe poetin Angelo Poliziano.

Gjatë viteve që ai shpenzoi në Kopshtin e San Markos, Mikelanxhelo filloi studimin e anatomisë së njeriut. Si shkëmbim për të marrë leje në studimin e kufomave, gjest i cili ndalohej nga feja, drejtuesi i kishes së Santo Spirito, Niccolo Bichiellini mori si dhurat një kryq të gedhendur nga Mikelanxhelo, punim i detajuar në perfektison i fytyrës së Krishtit. Por kjo ngasje do të sëmbonte hera-herës shëndetin e tij. Te e vona ai detyrohej të ndërpriste studimet për ti rinisur ato me normalizimin e shëndetit.

Debutimet e tij të guximshme do të kumtoheshin kur ai ishte 6 vjeç. "The Battle of the Centaurs" dhe "Madonna della Scala" dy skulptura relievi që datojnë në 1489-1492, Casa Buonarroti, Florencë janë tregimtaret e asaj se ai tashmë kishte arritur të kapte stilin, rrugëtimin drejt apogjeut.

Njeriu që përvetësoi duke e rikrijuar artin antik, ishte Mikelanxhelo. E gjithë forca e tij shprehëse, egoizmi i sendërtuar si energji shtytëse, e bëri këtë përvojë më të gjallë dhe më depërtuese. Në ndërkohjen e vitit 1496 mjeshtri kur erdhi në Romë u mahnit nga ajo që pa. Kësisoj ai i dha jetë një pasioni që e dalldisi duke e kredhur në imitimin e skulpturave greko-romake, njëra prej të cilave, rezulton të jetë zhdukur, u shit asohere si një antikë, duke shënuar sakaq rastin e parë të fallsifikimit në art.

Trupi, anatomia, gjithçka e magjisë së krijimit përbënin ngasësit e babëzisë fizike të Mikelanxhelo. Ai gjithkah hedh penelin dhe daltën e plazmon këtë shpirt. Davidi, i parë në vetvete shëmbëllen një vepër jashtëzakonisht të tendosur dhe e gjallë e antikitetit. Kur ngjitemi lart këtij jetësimi në mermer dhe përballëmi me shprehitë që mjeshtri i shkroi në portretin epik të Davidit, mësojmë mbi forcën kunguese, që bota e lashtë nuk e njohu, nuk e përvetësoi, nuk e mishëroi askurrë. Mbamendet se Keneth Clark të ketë thënë kësisoj, se "kjo cilësi, të cilën mund ta dukej heroike nuk është pjesë e përfytyrimit që shumë njerëz kanë për qytetërimin". Ajo mëton vullnesën spartane, mohin e rehatisë, përbetimin për ta kthyer jetën në një shkas për ndeshje. Së këndejmi, ngulmohet t'i mëshohet idesë se Mikelanxhelo përmbi tjetërëçka, është një fenomen, një ngjarje e mbamendjes së njeriut perëndimor. Trupi njerëzor që skaliti ky mjeshtër, ai trup që në epokën gotike ishte subjekt turpi dhe fshehjeje, mund të transformohej në mjetin e shprehjes së ndjenajve fisnike, energjisë gjallëruese dhe të përkryerës si të perëndishme. Kjo kurajo u bë gjaku i kohës për 400 vjet, fuqija jetëdhënëse e përballjes në sprovën e njeriut mbi tokë.

Mikelanxhelo Buonaroti në mbamendjen e brezave do të mbetet një akt i perëndishëm dhe një mantel misteri. Kjo ngase vetëm kësisoj shtresimet e brezave do të munden me e shpalu gjithherë petale pas petaleje dritim magjiplotë, me të cilin ai mbështolli veprën e tij.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora