E hene, 29.04.2024, 02:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Vincent van Gogh, peneli i dhunshëm

E merkure, 01.04.2015, 07:43 PM


Vincent van Gogh, peneli i dhunshëm i ngjyrave të hareshme

Nga Albert Vataj

162 vite më parë më 30 mars 1853 lindi Vincent van Gogh, piktori holandez, post-impresionisti më i zëshëm pas Rembrandit dhe themeltar i modernizmit, vdiq 29 korrik 1890 kur ishte 37-vjeç.

Një artist që lëkundet mes predikuesit të zellshëm, pikturës që përpëlitet mes ngjyrave të diellta e penelatat e dhunshme të haresë, dashurisë marroke dhe çmendurisë që e mbajti gjithnjë mes resh diellin e tij flakatar të famës. Një jetë në zgrip të varfërisë dhe një vdekje e papritur e mbetur mister, për t’u vulosur me përjetësi veprat e tij absolutisht e përsosur dhe vetanake përnga stili, tonaliteti i ngjyrave, kumtimi dhe depërtimi në thellësi të përjetimit. Kur flitet për Van Gogh, nuk mund të mos flitet edhe për dikotominë gjeni-çmenduri, mishëruar më së miri në këtë motor të pikturës origjinale, unike, këtë mjeshtër të okrës, mylmyesi të violentit të kobaltit, këtij kolori të epshëm.

Vepra e Van Gog me përdorimin e dhunshëm të ngjyrës, u çel rrugën ekspresionistëve dhe cyt emocione të potershme në brendinë e shpritrave të etur për lojën e zjarrit dhe dritës. "Në vend që të jap besnikërisht atë që kam para syve, unë përdor ngjyrën arbitrarisht, që të mund kësisoj të shprehem më fuqishëm" kumtonte ai.

Për shkak të ngjarjeve të potershme të Van Gogh, një marrëdhënie cingëritëse me Paul Gauguin, gjymtimi i veshit të tij të majtë, dhe vetëvrasjes, të cilat ngasën harbimin e një rrëfimtarie apokrife dhe anektodave, u rrekën të ravijëzonin një realitet paralel të molepsur me grotesk e cinizëm, por pa mundur ta zhbëjnë shtresimin e mitit ku ngjishet humusi i përtëritjes së gjenialitetit të tij në kohëpaskohje, derimtash kur rreth emrit të tij gjithnjë shndrin një breror fame.

Megjithatë, nga më shumë se 800 piktura në vaj dhe 700 vizatimet që përbëjnë galerinë e krijimtarisë që la, ai mundi të shiste gjatë jetës një të vetme. Erdhi dhe iku nga jeta si një ngjarje e përplotur me episode të gjithëfarësojshëm. Ashtu si dhe në punët që mbetën trashëgimi e paçmuar e gjeneratave, përditshmërinë e mbushi plot të papritura, shumë prej të cilave rrjedhonin nga shëndeti i drobitur mendor, varfëria dhe harbimi dashuror.

Nuk mund të mos kishte në jetën e tij të zgriptë, gjithnjë me ekuilibra të prishur, një goditje fatale: Më 27 korrik 1890 shkon tek çifti i pronarëve të hanit ku jetonte. Ndihej shumë keq dhe u tregon se ishte qëlluar veten me një revolver në një fshat aty pranë varrezave në Auvers-sur-Oise, ndërsa pikturonte veprën e tij të fundit. Vdiq më 29 korrik dhe u varros një ditë më pas në po atë varrezë ku u qëllua. Në funeralin e tij ishin të pranishëm i vëllai Theo, doktor Gachet dhe shumë artisë. Arkivoli mbulohet i gjithi me luledielli. Pak muaj më pas, më 25 janar 1891, vdiq i vetëvrarë edhe i vëllai, Theo, i cili u varros krah Vincentit, ku prehen në varre identike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora