Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Misteri i vrasjes së një legjende
E diele, 29.03.2015, 06:46 PM
Nëpër tisin e misterit të vrasjes
së një legjende
Nga Albert Vataj
Sot 90 vite më parë vdiq Bajram Curri, një prej figura emblematike të historisë së ngritjes krye dhe qëndresës malësore. Ai tashmë kishte ngjitur kreshtën e legjendës për të mbetur përgjithmonë atje i harlisun në mistikën dhe madhështinë, në mëtimin dhe kumtin sëmbues të gjeneratave, ngasës i flakërimës zjarrmëtare të patriotizmit dhe vlerave më të epërme të krenarisë dhe mburrjes nacionale.
Gjithçka që rreket të dëshmojë ajo ditë e kobshme e 29 marsit të 90 viteve më parë, mbetet ende e mbështjellë me tisin e misterit. Ndërsa kanë kaluar kaq vite, ende e vërtëta e vrasjes së bujshme rri pezull mbi mitikën e atyre maleve të Dragobisë sot e asaj dite, si për të ngasur kureshtinë, e trazuar prej amshimit legjendën, Bajram Curri.
Një
histori e denj për të kapërthyer kufijtë e mitit. Sot pas 90 vitesh, qëkur kjo
piskamë e thekshmë bjeshkësh, ky trazim i makthshëm i një vdekjeje, mjegulla që
i rrethvjen është ende e trashë, si vetë hukama e bjeshkëve në Dragobi. U vra
apo u vetvra?
Gjithqysh, 90-vite duket se vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për të zbardhur të vërtetën, një të vërtetë ndryshe nga ajo me të cilën është ushqyer opinioni publik, janë faktuar faqet e historisë, e cila mund të jetë edhe vetë e vërteta e pamohueshme.