E shtune, 12.06.2021, 10:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Bouguereau, një cytje ngasëse estetike

E marte, 23.06.2015, 06:52 PM


Bouguereau, një cytje ngasëse estetike e traditës akademike franceze

Nga Albert Vataj

William-Adolphe Bouguereau gjaset me ken francezi më i madh i piktorës akademike të shekullit të 19. Nuk ka asnjë mëdyshje se ai ishte më i miri në teknikën e tij. Jetoi me tablonë, në çdo penelatë ai kridhet me një pasion të parrëfyer përjetimi. Askush, më parë e më pas nuk e fotografoi me delikatesën e puhiztë të penelit gufin e ndjenjave që e shtërzenin së brendshmi. Aftësitë e tij e projektimit nëpërmjet ngjyrave, dritëhijes, linjave, ishin të pabesueshme, drithëruese. Afria me trupat në formën e tyre më të pafajshme, lakuriqsinë, ishte tharmi i një lënde që të ngas, të tërheq në lojën dalldisëse të përjetimit. Kurmi erdhi nëpërmjet tij, me të njëjtin solemnitet si prej vetë krijuesit. Drita lëshohet mbi purtekun e linjave që harlisen në tablo, siç lëshohet gjithëkohja e jetësores që këto gjallni trupore lanë dorzanë në penelatat e këtij kujdestari sqim. Ngjyrat përmbahen, por jo loja që të fton, në punët e Bouguereau. Aftësia e tij për të kumtuar trajtën njerëzore të shëmbëllimit është e patëdytë.

Gjithçka në botën e tij cytëse dhe penelatëse është idilike. Magjeps në çdo tablo me reflektimin si në një pikë vese të subjektit. Hutimi i një vashe të prushur prej pasioneve kridhet para ëndjes si një përfytyrim i qëndisur ngeshëm nga përsosmëria. Çdo vështrim që buron prej këtyre tablove është kaq i ngulmët e kaq i kthjellët, siç munden të jenë vetëm rrezet mëngjesore të dritës që lëshohen mbi prarimin e heshtun të një zgjimi.

Krejtçfarë orvatet të dëshmojë këtë galeri të begatë të Bouguereau është mahnitëse, edhe për ata që rendin pas melodisë që lëshojnë telat e tendosur të sentimenteve të tyre ka një etyd përshkues.

Si askush tjtetër ai u desh të bëntë ballë një hakërrie të patreguar. Ishte I keqkupturi I kohës së tij, I keqtrajtuar dhe I fyer. Por nuk u ndal ai “djal I keq” së sodituri veten teksa qëndron në këmbë në direkun e anijes që përpëlitet mes dallgëve që nuk mjaftohen ta gllabërojnë. Si një albatros ai rendi përkundër stuhisë.

E tashmja jonë pluskon shumë larg epokës viktoriane. Kjo nuk duhet t’I ngaste aq zemëratë ndaj një shtresimi të patjetërsueshëm në historinë e artit, vetëm se ne kemi rendur. Ashtu siç ne kandemi para pikturave të Rembrandt dhe Rubens anipse nëpër të ka çasje për të shkarë prej tabanit të skenave biblike dhe mitologjike, ne gjithqysh jemi këndejpari për të shijuar artin viktorian. Ndërsa e tashmja jonë rritet gjithnjë e më cinik dhe më e prirur për të trajtuar gjëndjet boshe të trazimit nëpërmjet shëmtisë, nuk ka pse ta trajtojë si puthje me djallin nevojën e njerit në gjithkohjen e vet për tu përqafur me sentimentalizmin.

Nuk u kursyen ta ndërsenin qiellin e tij të kthjellët mrrylje shigjetime rrufeshë. Gjithqysh ai asht aty ku admiruesit andem me e kërshërit. Erdhi siraja me e kqyr jashtë virrmave dhe përbaltjes, ndërzimeve të helmatisuna e fytyrave të vrerosuna. Shumë galeri dhe muzeume, te e vona rrëmuan nëpër bodrume, e çburgosen prej pluhnit të harrësës dhe e nderën për sytë e publikut, duke korigjuar një gamin të së shkumes, duke e zdryp prej ngrehalulcjes tiraninë e anatemimit.

Rikthimi I lavdisë së artit viktorian është një qasje e dakordësisë që piktura tradicionale ka bërë mbi këtë themel shijesh estetike. Pra është një afri me impulsin e ndjenjave, e cila kërkon të struket pas formave dhe mjeteve të ndryshme shprehëse.

Konsumi po shfaq tendenca, të cilat dëshmojnë në një farë mënyre shterrimin e ideve inovative të trajtimit dhe teknikave. Masivizimi I artit si lëndë e bashkëjetesës estetike ka shfaqur nevojën e njeriut bashkëkohor për të besuar në përjashtimin e lëndës ideo-konceptuale. Realizmi dhe impresionizmi, shtesime të tejkaluara e gjejnë veten sot të rrethuar nga një interesim dhe ledhati kërshëritëse.

William-Adolphe Bouguereau (30 nëntor 1825 - 19 gusht 1905), piktor francez i traditës akademike. Në galerinë e tij krijuese ai përfshi temën mitologjike mitologjike. Ajo çka e veçon Bouguereau është interpretimi modern i subjekteve klasike, me dominim të theksuar te trupi i femrës, hiret dhe kohët psikologjike të saj si vajzë, si dashnore, si grua, si nënë, si hyjëlindëse. Gjatë jetës së tij ka përftuar një popullaritet të konsiderueshëm në Francë dhe Shtetet e Bashkuara. Në fillim të shekullit të njëzetë, Bouguereau dhe arti i tij u shikua vëngër, kjo për shkak të ndryshesave që mëkonte shija estetike në art. Në vitet 1980, një ringjallje e interesit në pikturë çoi në një rizbulimin e Bouguereau dhe punës së tij. Gjatë gjithë rrjedhës së jetës së tij, Bouguereau mësohet të ketë lënë një testamen krijues të përbërë nga 822 piktura. Për fat të keq një pjesë e këtij visari të çmuar është ende i kyçur në mungimin e vendodhjes.




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora