Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Nan, akt i lumnuem shejtnimi
E enjte, 25.06.2015, 06:50 PM
Një mall dhe një dedikim për nanën teme, e cila mbush sot 73 vjeç.
Në këtë foto ajo është me të vëllain Engjull Frroku, i cili pak muaj më parë u nda nga jeta. Ndërsa vitet ikin ato që mbesin janë kujtimet, kjo foto e hershme që ndal kohën dhe krahë i jep përmallimit.
Nga Albert Vataj
Shejtnue kjoft ky emën,
lumnueme kjoft ky bekim.
Akti i epërm mëkimi.
Sublime e krijimit asht njaja qi ka emnin tand.
N’zemrën tande mylmye gjuku jem,
N'prehnin tand, endun andrrat, ëndjet e mia
Koha, asht gufi i limfës qi n'ty hovet.
Ti Evë e kumtit të zanafillës.
Hyjlindësja Mari, e mëshirshme.
Vullnetmirë, fryti i mundit tand.
Nji lot i zdrypun n'qerpik të synit
asht tançka shpirtin ta ysht n'trazim.
Dorën shtrin e yjet i shkokrron prej qiellit
e në prehën mi hedh, tue ma kallzu rrugën e dritës.
E hishme dhe e hyjshme si tan natat
N'ty shëmbëllehen nadjet e dritave vezëllitëse.
agimet ku pahet e para pamje faqe kësaj bote
e ku rrzohet e mbramja kreni e naltësimit.
Thinjat e tuja, janë shtegu i thepisun,
tehu ku dhimbjet prore mpreh.
Fruti i barkut tand,
jam tue u ndi gjithnji e ma shum.
Mundesh e hekash ke shterr
Nji grusht ke mbet, nje britmë ne zenitin e kohës
Një amanet
Kanga e pakëndume e hyjnimit
Solemniteti i mrekullimit të shenjtnis tande
Ti nan
Mundesh, krejçka bota mëkon,
në
gjoksin tand e
Drita e ylberit, shoka qi përmjetin ma mbulon
Zani që synit dritë mi nep.
Kang ma t’gzume në ty e marrin tamlin
Pranverat lulojnë në prehnin tand
e hanat tinëzare me bohçe tande i mblon
E unë strukem drojet si dikur
Kokën mbështes në prehnin tand
Si dielli ngazëllimin e harenë, në ty
Ti fillimi e fundi
Tançka zafill e soset me ty
Krejçka niste e mbërrin te ti
Gjithqysh n'ty asht fruti dhe fara
përtrimja e gjithçkasë ka bekimin tand
shugurimin
e najsaj zemre,
Tharm i gjithsisë në andën e përgjithmonshme
Krijimi nuk mundet me ken pa ty
Pa ty kurgja nuk lëshohet në krahët e jetës
Në prushin gazmues t'përqafimeve.
E perëndishme ti Penelopë e pritjeve epike
E hirshme ti Laur e dashnisë së pasosun
E përkorë, Helen e Trojave tragjike
Zan
e epërmja hirësi, je.
Rrudhat e tuja, janë, janë brazdat e nji toke të lërume
Tafti jot asht aroma dehëse e qillit
Beku kjoftë në jetë të jetëve vullneti jot
Shpirti jot, u baftë fole e ma t'ndritshmit yll
yll qi m'kallzon rrugën e hyjnimit toksor
Amen!